Emigrantët që do të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, do të dëbohen. Kështu ka deklaruar kryeministri britanik Rishi Sunak i cili shtoi se ata që do të hyjnë me anije të vogla do të ndalohen dhe do të dëbohen shpejtësi.
Sipas projekligjit të qeverisë britanike, personave që hyjnë në mënyrë të paligjshme në vend nuk do t’u lejohet të bëjnë kërkesë për azil dhe do të dëbohen në vendet e tyre apo në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta.
Ata që hyjnë në mënyrë të paligjshme në vend nuk do të mund të përdorin më ligjet kundër skllavërisë me qëllim që të pengojnë kthimin e tyre.
“Sot po prezantojmë projekligjin që e bën të qartë se nëse vini këtu në mënyrë të paligjshme nuk do mund të kërkoni azil. Ne do të ndalojmë ata që hyjnë ilegalisht dhe do t’i kthejmë brenda disa javësh në vendin e tyre ose në një vend të tretë të sigurtë, si Ruanda.
Pasi të jeni kthyer, do t’u ndalohet përgjithmonë, ashtu si në Amerikë apo Australi, që të hyni sërish në Britani. Kjo është mënyra se si ne do të shkatërrojmë modelin e biznesit të trafikimit të njerëzve dhe do të rimarrim nën kontroll kufijtë tanë”, tha zoti Sunak.
Zoti Sunak, e ka përcaktuar si një prej pesë përparësive të tij ndalimin e anijeve, pasi numri i emigrantëve që mbërritën në bregun jugor të Anglisë kapërceu në mbi 45 mijë vitin e kaluar.
“Njerëzit duhet të dinë që nëse vijnë këtu në mënyrë të paligjshme do të ndalohen dhe do të dëbohen menjëherë. Kur kjo të ndodhë dhe do ta dinë se po ndodh nuk do të vijnë më dhe anijet do të ndalen”, tha kryeministri Rishi Sunak në një konferencë për shtyp mbi projektligjin që synon të ndalojë qëndrimin e emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe.
m.b./dita
