Kombëtarja e Shqipërisë do të ketë dy ndeshje shumë të rëndësishme në shtator ndaj Çekisë në transfertë (7) dhe përballë Polonisë në shtëpi (10), që mund të rezultojnë dhe përcaktuese për fatin e kuqezinjve në kualifikueset e Euro 2024. Trajneri Sylvinho ka nisur nga puna dhe po ndërton listën e lojtarëve që pritet të ftojë në grumbullimin e radhës.
Tekniku brazilian i ka idetë e qarta për mënyrën e lojës dhe për atë çka ai kërkon, teksa ka në mendje që në këtë grumbullim të ftojë dhe një lojtar me cilësitë e Bekim Balajt. Shkodrani është një sulmues i fortë, i cili në duelet ajrore jep garanci, elemente që i përshtaten asaj çka kërkon trajneri brazilian.
Armando Broja me shumë gjasa nuk do të jetë për këto dy ndeshje dhe Sylvinho po mendon që ti bëjë ftesë sulmuesit të Vllaznisë. Balaj është një lojtar me shumë eksperiencë, që në të shkuarën ka dhënë kontribut të madh për fanellën kuqezi dhe për ndeshjet e shtatorit pritet që të jetë sërish pjesë e kuqezinjve.
Balaj është në balotazh me Armando Sadikun, i cili u transferua në Indi, por karakteristikat e shkodranit i afrohen më shumë lojtarit që kërkon tekniku i Kombëtares. Ndaj me shumë gjasa do të jetë pjesë e listës së tij për takimet e 7 dhe 10 shtatorit ndaj Çekisë në Pragë dhe Polonisë në Tiranë.
Thirret edhe talenti dardan
Arbnor Muja pritet që të jetë lojtari më i ri i kombëtares së Shqipërisë. 24-vjeçari është pajisur me pasaportë shqiptare e me shumë gjasa do të jetë pjesë e listës prej 23 lojtarësh që Sylvinho do të ftojë për dy ndeshjet e muajit shtator. Kuqezinjtë sfidojnë Çekinë në Pragë në datën 7 shtator, ndërkohë që tri ditë më vonë zbarkon Polonia në “Air Albania”. Duele të vlefshme për grupin E të eliminatoreve të Euro 2024.
Sulmuesi i djathtë është një lojtar me shumë potencial dhe po bën shumë mirë në Belgjikë tek Antwerpi, skuadër me të cilën fitoi titullin kampion dhe Kupën e Belgjikë sezonin e fundit. Dhe Superkupën gjatë muajit të kaluar.Performancat pozitive të futbollistit nga Mitrovica kanë tërhequr vëmendjen e teknikut brazilian, i cili do e bëjë pjesë të kuqezinjve në grumbullimin e ardhshëm. Muja do të rrisë konkurrencën në skuadër, teksa do të rivalizojë me Jasir Asanin për një vend titullari.

Pasi spikati te Drita, sidomos në përballjet në Europa League, drejtuesit e Antwerpit u bindën që të investonin te Muja. Aventura në Belgjikë ka shkuar mjaft mirë me futbollistin dardan, i cili ka dhënë kontributin e tij në sukseset e edicionit të kaluar.
Muja është grumbulluar një herë nga Kosova, por nuk ka debutuar, ndërkohë që është aktivizuar me Kosovën U21 (6 ndeshje). Në të tilla kushte, nuk ka asnjë pengesë për lojtarin ofensiv për t’u aktivizuar me Kombëtaren e Shqipërisë.
Krahas Dritës dhe Antwerp, Muja ka qenë pjesë e Skënderbeut në Shqipëri, si dhe me Trepça ’89 dhe Prishtinën në Kosovë. Shtatori do t’i rezervojë një aventurë të re, teksa do të veshë për të parën herë fanellën e bukur kuqezi. /Supersport/
