Nga XHEVDET SHEHU
Mund ta them që në fillim, se filmi i ri dokumentar “Tashko & Koço, një “love story” shqiptare…” është një risi në kinematografinë tonë. Si në përmbajtje, ashtu edhe në formë, me një këndvështrim origjinal artistik. Por, tashmë jemi mësuar me Ylli Pepon, që sjell, me çdo film të tij, diçka te re, me gjuhë e gjetje të veçanta artistike.
Filmi u kushtohet dy artistëve Tefta Tashko e Kristaq Koço, korifejtë e artit të viteve ‘30 e ‘40 të shekullit XX, realizuar nga “ Sofilms”, me skenar të Angjelina Xhara Papalilos, shkrimtare dhe skenariste e mirënjohur, me një eksperiencë të madhe, mbi 50 vjeçare, në fushë të kinemasë, të radios dhe të televizionit.
Pepo na tregon: “Kur Angjelina me solli skenarin e lexova me shumë kureshtje. Prej saj prisja gjithmonë të papritura të reja, aq më tepër kur ishte fjala për dy figura të njohura, për të cilët ishte shkruar shumë, ishin bërë edhe filma e programe televizive. Por Angjelina nuk di të përsërisë, me talentin dhe ekzigjencat e saj, vjen me diçka të re dhe origjinale, që të thërret: “ bëmë film…!”
Filmi u realizua në një periudhë prej dy vitesh, në vendet ku ka jetuar dhe ka zhvilluar veprimtarinë e tij çifti i dy këngëtarëve tanë të shquar Tefta Tashko dhe Kristaq Koço. Në radhë të parë është punuar në Tiranë, pastaj në Dardhë, Boboshticë dhe Korçë,por edhe në Monpelje dhe në Paris ku është shkolluarTefta. Kanë dhënë dëshmitë dhe intervistat e tyre personalitete të artit tonë muzikor dhe shoqëror si Pandi Bello, Eno Koço, Mynever Shuteriqi etj., njëkohësisht janë sjellë në vëmendje edhe materiale të shumta arkivore nga kolegë të saj që sot nuk janë më në jetë si Baki Kongoli, Marie Kraja, Jorgjie Truja, Lola Gjoka, Boris Plumbi etj.
Ky film mbështetet në korrespondencat e shumta të letërkëmbimit, që çuditërisht janë ruajtur që prej dekadash Ato janë nxjerrë nga pusi i kohëve dhe vinë në ekran të plota duke sjellë atmosferën e kohës me tërë dritëhijet e saj. Eshtë kjo një meritë e Dirigjentit e muzikologut të shquar Eno Koço, birit të çiftit të njohur, i cili, për rrethana tragjike, u rrit jetim. Ai ka mbledhur me një kujdes e këmbëngulje të veçantë letra, foto të rralla, dëshmi plot vlera për jetën dhe aktivitetin e pasur muzikor e shoqëror të dy prindërve të tij, që emancipuan në tërësi shoqërinë shqiptare të viteve 30-40 të shekullit të kaluar. Kjo fillon që me korrespondencën e babait të Teftës, patriotit të njohur Thanas Tashko me Fan Nolin e njerëz të tjerë të shquar të kohës, që tregojnë se si Tefta u përkund pranë djepit patriotik. Në film tregohet edhe për koncertin e parë të artistes së madhe, në kinema “Luks”, më 5 qershor 1927.
Në fotot e albumeve shpaloset bukur dashuria e madhe e prindërve të Eno Koços, birit të tyre. Ai u rrit jetim por aroma e prindërve, si një mjegullnajë magjike, e ndoqi gjithë jetën, deri sa arriti t’i ngjallë me librat, kushtuar dashurisë e artit të tyre. Dokumentari zbulon letrat e dashurisë mes dy artistëve, që janë një mozaik i pafund për mënyren si e shprehin dashurinë, thellësinë e barazinë e ndjenjave, shpresën, ankthin, dëshirën për t’u takuar sa më parë, një rezonancë e plotë dashurore, ku diku diku shfaqet edhe shqetësimi i shëndetit. Në letërkëmbim nuk mungon edhe malli dhe dashuria për Tiranën, qyteti ku ata kanë jetuar pjesën më të bukur të jetës së tyre. Kështu në një nga letrat, Kristaq Koço shkruan: “…Më merr mall i pafund për Tiranën… E duam aq shumë kur jemi larg saj…” Bie në sy bukurshkrimi i të dyve, njohja e thellë e shqipes, edhe pse të rritur në vende jashte Atdheut të tyre…
Të dy artistët e mëdhenj, Tefta Tashko e Kristo Koço, u shkolluan dhe u vlerësuan bukur, me fjalët më të zgjedhura. Në dokumentar dëgjohet zëri bilbil i Tefta Tashkos me këngën e bukur popullore “Fryn veriu”. Ajo ishte një planet më vete në kulturën shqiptare, një fenomen shoqëror. I tillë edhe baritoni Kristaq Koço, që shfaqet madhërishëm në skenën e kinema “Gloria”, në Tiranë.
Dokumentari të befason me artin e secilit, nga mënyra e komunikimit, nga historia e përbashkët, si dy zogj që shkojnë e vijnë në Atdhe dhe lënë pas një zjarr komete… Gazetat e kohës me artikuj të shumtë theksojnë talentin e dy artistëve të mëdhenj, që i dhanë dritë artit e skenës shqiptare, duke e tërhequr nga errësira drejt diellit…

***
Nëse doni të njiheni me një love story të vertetë, prekës dhe tepër emocionues ndiqni filmin e fundit të Ylli Pepos, ku mund te udhëtoni sëbashku, përmes një deti dokumentesh dhe dëshmitarësh të kohës, për të ringjallur korifejtë e artit të viteve, 30 e 40 të shekullit të kaluar, dy engjëj artistë, Tefta Tashko e Kristaq Koço!
Pasi Tefta dha koncertin e pare me sukses të plotë, bashkë me të ëmën Alekon e Katinën, niset për studime në Francë me bursë.
Monpelje e me pas, Parisi, e ushqyen zemrën e saj me tingujt e artit të vertete, por dhe vetë ajo do linte mbresa të jashtëzakonëshme tek profesorët e shoqet e saj… Kur i ndërpresin bursën, jo vetëm shtypi i kohës në Shqipëri reagoi, por edhe profesorët e Parisit, që iu drejtuan Ministrit, me vlerësimet më të mëdha për të.
Korça e viteve 30 ishte si një Paris i vogël. Jeta koncertale si në asnjë qytet tjetër…
Në shprehjet e elitës korçare perdoreshin edhe shprehje frëngjisht dhe një rol të madh në atë kohë zuri Liceu i Korçes.
Para se të pushtohej Shqipëria në vitin 1939, Tefta se bashku me shoqëruesin e saj në piano, Tonin Guraziun bënë një turne në Durres, në Kavajë, në Gjirokastër, Përmet, Vlorë… Kushtet e këtyre koncerteve ishin të vështira. Pianon e merrnin me vete nga nje qytet tek tjetri, ngarkuar në një qerre… Artistja e veshur hollë rrezikohet për shendetin e saj…
Kristaqi u shfaq i madhërishëm në skenën e kinema “Gloria” në Tiranë, fillimisht pranë artisteve, Marije Paluca e Lola Gjoka.
Shtypi i kohës na befason me komentet për njeriun me të cilin Tefta u dashurua përjetësisht.. “E si të mos lindëte flaka e nje dashurie të madhe për artistin, Kristo Koço, që Perëndia ia solli nga Qielli…” shkruhet në skenarin e Angjelina Xhara Papalilos, i mbushur plot lirizëm, por edhe me një dashuri të thellë për dy heronjtë e filmit.
Ja një copëz tjetër ku rrëfimtari tregon:
“…Të shkolluar jashtë shtetit ata erdhën si dallëndyshe në folenë e tyre për të nisur një përparim të madh që erdhi përmes koncerteve vokale në qytetet kryesore të Shqipërisë nga Korça në Durrës, nga Shkodra në Vlorë, duke ngritur lart këngen popullore qytetare!
Baritoni i shquar, Kristaq Koço, i prezantuar për herë të parë para publikut korçar, analizohet me superlativa, ashtu siç bëhet gjithmonë dhe për Teftën, që gjeti gjysmën e vetes së saj!
Por, sa keq për Teftën, se i dashuri shkoi në Milano dhe ata do të derdhin gjithë nektarin e dashurisë në leterkëmbimin, aq origjinal…
Nga megafoni i Radio Tiranës buçiste një zë i fuqishëm!
Njerëzit u mblodhën nëper kafene që të degjonin ariet e tij, Kristaqi vetë, me Teftën, me Palucën, me Lola Gjokën!
Elitë e vertetë artistike shqiptare!”
Ja edhe një koment për Kristaq Koçon nga shtypi i kohes:
“…Duhet ta themi menjëherë se ai i kaloi të gjitha shpresat.
Zë i rrallë nga volumi, me timbër të kulluar, zëri i tij një krua që buron me vrull!
Ky artist duhet të vejë në një shkollë si Roma. Do të ishte mëkatë që ky talent të humbasë për mungesë të hollash…
Fati i ndau përgjithmonë, dy gjysma, që kishin lindur për njëri tjetrin…”
Në ekran mbeten si të skalitura ftesat me, repertorin e shfaqjeve, që njoftojnë publikun…
Me mjete shprehëse të gjetura filmi thekson talentin e këtyre dy artistëve të mëdhenj, që i dhanë dritë artit e skenës shqiptare, duke e tërhequr nga errësira drejt dritës se kulturës dhe të emancipimit…
Beogradi ishte frymëmarja e fundit e Tefta Tashko Koços. Shumë prekëse janë skenat e fundit te filmit,ku nëpërmes kujtimeve të Sokrat Saraçit vjen vdekja e Teftës e pak me pas edhe e Kristaq Koços, i cili nuk e përballoi dot humbjen e dashurisë të tij.
Të dy ishin tepër të rinj, vetëm 37 vjeç.

***
I tërë grupi i realizimit të këtij filmi punoi si një trup i vetëm. Ylli Pepo thotë: “Kam fat të madh që punoj me profesionistët më të mirë të vendit në çdo komponent të kinemasë: Xhemal Reci me kameran e tij ka “lexuar” poetikisht skenarin, Gjergji Pano me “gërshërët e tij lirike” zgjedh e monton me një mjeshtëri të rrallë, që mund të krahasohet me më të mirët e kësaj fushe në botë…”.
Ndersa dy producentet, Valentina Hysi dhe Lorina Pepo kryen me tepër pasion e kujdes detyrat e tyre në sheshin e xhirimit, por edhe gjatë procesit të postproduksionit. Vlera të veçanta i dhanë filmit edhe aktori i njohur Sokol Angjeli dhe sopranoja e talentuar Ardita Meni, që sollën monologjet e brendshme të Koços dhe Tashkos.
Gjatë bisedës me Ylli Pepon, ai më kujton një thenie të famshme të regjisorit të madh italian Vitorio De Sika, katër herë fitues i cmimeve Oskar “… Nuk ka filma të mirë dhe filma të këqinj, ka vëtëm filma të dobishëm dhe te padobishëm…”
Filmi “Tashko & Koco, një “love story”shqiptare” me vlerat që ka, është një film shumë i dobishëm për shoqërinë e sotme shqiptare.
