Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Teatri i madh i qiellit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Teatri i madh i qiellit
Kulture

Teatri i madh i qiellit

Published: September 27, 2023
Shpërndaje

Mark Simoni

 

Njeriu, duke e banuar tokën dhe bubrruar mbi të, si habitati më i sigurtë që njeh, ia lejon vetes që herë pas here të mendojë se tashmë kësaj toke ai ia di të gjitha huqet dhe rreziqet, di ta zotërojë dhe përdorë tokën, ia njeh tërë skutat dhe të papriturat, të gjitha fenomenet dhe miraditë.

- Publicitet -

Por ama, atëherë kur bëhet fjalë për ajrin dhe qiellin, njeriu zvoglohet pak dhe tutlohet, e kap një farë paniku dhe padija e misterit, e ngërthen fantazia dhe gracka e përfytyrimeve të çuditshme, e tundojnë frymëzimet, fanepsjet dhe aventurat e udhëtimeve të panjohura, ankthet herë e gëzojnë dhe po kaq herë dhe e frikësojnë. Eshtë pikërisht ajo hapësirë e pamatë, të cilën nuk e njeh, që e turbullon dhe e magjeps njëkohësisht njeriun.

Pikërisht, për ta bërë më konkrete botën e ajrit dhe fluturimeve të pafund, linjave të qiellit dhe njerëzve që i kanë shëtitur ato dimensione, për të na njohur me pistat e betonit të disave prej aerodromeve tanë, (ku qielli dhe toka takohen bashkë), si dhe për të na rrëfyer për heronjtë e tyre, vjen ky libër i rrallë i Agustin Gjinajt, i cili sjell më pranë ndërgjegjes sonë të njohjes qiellin dhe njerëzit që “e banuan” një pjesë të jetës pikërisht atje. Ky tekst interesant, na jep kodet për të kuptuar dhe lexuar këtë botë të madhe, na jep çelësat për ta çkyçur disi atë habitat dhe areal të fluturuesve, që ne të kuptojmë disa nga ngjarjet më magjepsëse, por dhe fatale, tunduese por dhe të frikshme, sa krenare aq dhe njerëzore, që janë luajtur në atë teatër të kaltër dhe të pafund.

Çdo objekt i shpikur nga njerëzit, brenda funksionit të vet ka dhe sugjestionin, përshtypjen që na imponon. Por mendoj se nuk ka objekt më impresionant se sa avioni, impozant dhe krenar. Se nuk ka se si të shpjegohej ndryshe që përsonazhi i Kadaresë, te ”Kronikë në gur”, rrinte në odën e miqve aq krenar, misterioz, i vërenjtur dhe imponues pikërisht, se kishte punuar në mënyrë artizanale një avion. Sikur çdo lloj objekti tjetër të kishtë bërë ai, atij nuk i jepej shansi të rrinte në mënyrë aq pompoze, prej kaubojsi dhe xhentellmeni. Vetëm avioni kishte mundësinë dhe tagrin t’i jepte aq autoritet dhe rybe, këtij shpiksi të çuditshëm.

Kur merr në dorë këtë libër të shkrimtarit Agustin Gjinaj, ke sugjestionin se ndodhesh shumë më pranë qiellit se sa tokës. Njohja e thellë e realitetit nga ky autor, situatat imazhiniste dhe filmike që na dalin para syve, të punuara me shumë art nga Gjinaj, na familjarizojnë me këtë pjesë shumë interesante të realitetit shqiptar, na bëjnë të ndihemi pjesë e miqësisë dhe e dashurisë së këtyre zotrusve të qiellit. I gjithë libri përshkohet tej e mbanë nga një raport harmonik i fakteve të pafund të mbledhura me skrupolozitet, i gazetarisë si gjuhë e zhdërvjelltë ngjarjesh dhe përsonazhesh realë, si dhe i letërsisë si art krijimi dhe stil i bukur dhe interesant rrëfimi. Këto tre mjete i kanë dhënë librit anën historike të datave dhe emrave, i kanë stiluar racionalitetin dhe saktësinë publicistike, si dhe e kanë bërë librin të këndshëm dhe interesant e të veçantë për t’u lexuar.

Edhe Frojdi, edhe Fromi, edhe Jungu me neojungistët dhe pothuaj shumë nga studiuesit e psikanalizës, janë dakort me idenë se “Gjeografia ndikon jo pak në formimin karakterial të njeriut, apo dhe në profilin psikologjik të tij”. Taman ashtu siç shkruan Heminguej që “… pa patur jetë artistike, nuk mund të bësh vepra artistike…”. Mbështetur në këtë logjikë racionale mendoj se qielli, hapësirat e pafund, koncepti i përmasës së botës ajrore, ka ndikuar në një farë mënyre në përcepsionin mbi lirinë që kanë patur aviatorët. Ndaj jam krejt i bindur, se pavarësisht ideologjisë imponuese, Aviacioni ka patur ndër njerëzit më mendjehapur të ushtrisë sonë, që e kanë njohur dhe respektuar lirinë e mundshme. Ndoshta pikërisht për këtë arsye isha i mirëkuptuar dhe ndjehesha rehat në një diskutim me mendime alternative rreth artikullit të sapo dalë të Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur” në vitin ‘89, në një bisedë të bërë në shtëpinë e Komandantit të Aviacionit të Gjadrit Klement Aliko, së bashku me dy kolegë të tij. Në mendimet e tyre qenë të qartë, të kthjellët, me gjykim të mirë, pa ideologjizma dhe të artikuluar saktë. Kuptohej vërtetë liria e tyre si paketë formimi, që u jepte ekuilibrin në bisedë.

Kudo nëpër faqet e vepres së Agustin Gjinajt hasen situata delikate, përsonazhe shumë njerëzorë, që kanë brenda karakterit të tyre energjinë e heronjve, takohen ngjarje fine apo dhe fatale, fjali racionale dhe me një saktësi matematike, (si vetë shkenca ekzakte e aviacionit). Kjo vepër është e mbushur me rrëfime të zhdërvjellta, me shumë ritëm, me po atë ritëm që duket sikur imiton fluturimin e avionëve.

 

***

Në vitet ‘95 dhe ‘96 kam bërë studime pas universitare në Athinë, për Kulturë dhe Letërsi Antike. Njëra nga pedagoget na spjegoi me detaje, se në teatrin e vjetër të Antikitetit, ka patur një stil strukturor ndrysh nga sot. Duke qenë se pjesa më e madhe e materialeve dramatike qenë tragjedi si të Eskilit etj dhe skenat e ngjarjet qenë me shumë dramacitet, tension, përleshje, situata të forta, vrasje dhe luftë, atëherë regjisorët patën menduar, që për ta çtensionuar gjendjen psikologjike dhe shpirtrore të spektatorëve, përdoreshin koret e tragjedive. Këto kore, hynin në skenë në pushimet mes akteve. Ato këndonin këngë lirike, delikate, të buta, të ëmbla, fine, vetëm e vetëm që spektatori të kthehej në një regjistër qetësie dhe limontije. Mbase kjo mënyrë mund ta ketë shtyrë autorin Agustin Gjinaj, që në mes të shkrimeve për aviacionin dhe përsonazhet heroik të tij, (rrethuar e përfshirë shpesh nga gjendje dramatike), të fusë dhe ese të mrekullueshme, por më të qeta, interesante dhe të veçanta, me përsonazhe shumë të dëgjuar, por që megjithëse janë jashtë aviacionit, ato kanë ose lidhje indirekte me të, apo që janë nën të njëjtën atmosferë afektive.

Ballkoni i shtëpisë sonë, ku jam rritur, nuk ka patur në vijë ajrore, përsëri ajri, sa bukur, pra më afër se sa ballkonin e shtëpisë së ushtarakut të Gjadrit Gjokë Veshti. Madje im ëmë, që punonte në kopshtin e lagjes “Skenderbeg”, e ka marrë për tre vite përdore, çdo mëngjes, deri atje, në lagjen përtej, Altinin e vogël, që sot është ndër kardiologët më të famshëm të Shqipërisë. Dhe jo rrallë shtëpia jonë ka qenë në një farë mënyre një oborr i vogël i lojrave të tij. Pas shumë vitesh Altini dhe im vëlla Ardiani, diplomat- për shumë kohë në Ambasadën tonë në Slloveni, si miq shumë të afërt me njëri-tjetrin, mbaruan së bashku Universitetin në Padova të Italisë, kuptohet secili në degën e vet. Edhe doktor Altinin do ta gjeni në këtë libër.

Në vitin 1991 e më kur isha Shefi i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Lezhë, kur Ministri i atëhershëm i Kulturës Preç Zogaj dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të kohës Agron Dibra, më telefonuan dhe më thanë se duhej të përgatisja një listë me dhjetë nga nxënësit më të shkëlqyer që kishte gjimnazi i Leshës, mbasi do të shkonin për dy javë në Ankona të Italisë për një binjakëzim dhe eksperiencë. Një ndër të përzgjedhurat qe Blerta Blloshmi, nxënëse exellente, e shkëlqyer edhe në anglisht me time shoqe Fozin. Unë kisha mundur të kuptoj tek ajo gjimnaziste parabolën e udhëtimit të saj të suksesshëm në jetë, kisha kapur destinin e saj. Sot Blerta është një nga zyrtaret shqiptare më të famshme në botë. Isha i sigurtë se ajo do të mbërrinte shumë larg me formimin dhe ambicien e saj, gjë që koha e vërtetoi më së miri. Edhe Blerta e zbukuron librin dhe i jep kësaj vepre një dimension të ri.

Këto të dy, dhe disa të tjerë përsonalitete po kaq interesantë, autori i ka përfshirë në këtë vepër, duke i dhënë me shumë sukses edhe një frymë akoma më të gjërë këtij teksti.

Kur Agustin Gjinaj erdhi të më takojë në Shtëpinë time Botuese «MUZGU», dhe më dha dorëshkrimin e këtij libri për t’ia botuar, ndjeva sikur ai me këtë tufë letrash më dhuroi dhe një kuti kujtimesh, bash një prej veprave që më ka harlisur emocionet, mallin, më ka zgjuar dëshirën dhe nostalgjinë. Si me një gjest magjik, ai më solli fare pranë memorjes sime me dhjetra përsonazhe të aviacionit, pikërisht ato njerëz që unë i kam njohur dhe përshëndetur me qindra herë, mbasi në oborrin e madh të pallatit ku unë kam lindur, në 1974, shteti ndërtoi “Pallatet e Aviacionit”. Dhe që atëherë, unë dhe gjithë lezhjanët, kemi ndarë qytetin me këto njerëz të mrekullueshëm, që erdhën dhe u bënë banorë të mëhallave tona të vogla dhe të bukura. Dhe pikërisht ky afeksion, kjo gjendje shpirtërore, kjo memuaristikë përndritëse e shumë e shumë viteve të dikurshme, më shtyu pasionin që të bëj këtë parathënie libri. Unë jam autor i pothuaj rreth 300 eseve për librat, botuar në gazeta dhe vëllime esesh, por asnjëherë nuk e kam patur kaq të fortë dëshirën dhe vokacionin për të bërë një ese-parathënie libri se sa këtë radhë.

Gjatë gjithë fëmijërisë sime, Lezhën e kam shijuar si një qytet të qetë, me jetë pak të avashtë, rrethuar prej begatish natyrore, me njerëz plot dashuri dhe dhimbje, të këndshëm. E vetmja gjë që ia sukullonte pak qetësinë ishte era e përhershme, një erë proverbiale, që frynte gjithë tersëllimë dhe nuk ia linte lezhjanëve pa ua shprishur flokët. Megjithëse rrethi i Lezhës ishte një vend strategjik, ku shteti pati sjellë tërë ato reparte, si dhe Flotën e Shëngjinit, gjithësesi hapja e Aviacionit dhe ardhja e dhjetra dhe qindra pilotëve, teknikëve etj. me familjet e tyre, i dha një dimension tjetër jetës së qytetit, i dha një energji të mirë, e begatoi me njerëz të formuar dhe të hijshëm, me gra që sollën një stil të ri gatimi dhe sjellje, me fëmijë të zgjuar dhe ambiciozë. Lezha dhe shoqëria ndryshoi pak trajtë dhe u konformua akoma dhe më mirë, rregulloi dhe kolaudoi akoma më tepër qytetarinë, gjeografia miqësore dhe shpirtrore e lezhjanë u zgjerua gjithënjë e më shumë me këto miq të rinj, siç dhe u bë akoma më e dashur me qiellin dhe njerëzit e avionëve.

Pallatet e Aviacionit dhe pallati ynë kemi ndarë të njëjtën hapsirë oborri, bisedash, humori, mirësjellje dhe respekti. Autobusët e tyre në rresht, poshtë dritareve tona, pilotët me guzhupët e tyre kaf të lëkurës, që niseshin që herët për në Gjadër, janë pamje që më kanë mbetur në retinën e syve që në moshën 12 vjeç. Kisha shumë dashuri për to, për avionët dhe fluturimin e tyre. Madje kur kam udhëtuar për herë të parë, në vitin 1991 me një avion çarter, të porositur enkas për delegacionin tonë prej 11 vetësh, gjatë gjithë kohës e kam patur mendjen atje, tek ato autobusët me aviatorë që niseshin çdo mëngjes drejt aeroportit. Ka vetëm disa vende dhe qytete fatlume, dhe jo të gjithë, që kanë patur dhe njohur aviacionin, kanë ditur dhe folur për aerodromet, mbajnë mend aq shumë kujtime për aviatorët. Dhe Lezha është pikërisht njëra prej tyre, që jetoi dekada të tëra me këto njerëz të zot dhe të mrekullueshëm.

***

Libra të natyrës memuaristike, me shumë personazhe, që i përkasin të njëjtës fushë, që luajnë jetën e tyre në të njëjtin areal, kanë rrezikun e madh që të bien në monotoni, të kenë ngjyrë monokron dhe situatat dhe përsonazhet t’i përngjasojnë shumë njëritjetrit. Përkundrazi, Agustin Gjinaj, duke e ndjerë këtë mallkim që ka përfshirë jo pak libra të kësaj tendence, ka përdorur intuitën e tij përzgjedhëse, ka thirrur “nën armë” figurat letrare, kulturën e tij të leximit, ka përdorur epitetet e veçantë, që i shkon përshtat çdo figure dhe përsonazhi, ka vënë në dispozicion referencat dhe citimet për çdo kënd, ka dhënë në mënyrë perfekte shpjegimet teknike, duke i divulguar ato për të gjithë kategoritë e lexuesve dhe për t’i bërë sa më të kuptueshme dhe për ato që nuk kanë patur asnjëherë marrëdhënie afektive me aviacionin. Ky autor vihet re se vjen nga botë librash dhe njohurish, që e ndihmojnë stilin e tij, strukturën e veprës, leksikun dhe gjuhën që të artikulojnë ide krejt të qarta dhe komunikative me lexuesin. “Mendimi rrin në gjuhë, leksik”, thotë Borhesi. Dhe ndoshta pikërisht përdorimi i një fjalori shumë të gjërë, i mbledhur nga leximet, intuita përzgjedhëse dhe jeta intensive e Gjinajt, i kanë dhënë dimensionin real kësaj vepre krejt të vetme dhe unikale në letërsinë memuaristike shqiptare.

Ka një çast delikat në librin e Kadaresë “Kronikë në gur”, kur largohen nga aerodromi i Gjirokastrës avionët italianë. Duke qenë se ky detaj është edhe një gjest politik, unë mendoj se po të kishin për ta përshkruar këtë moment shkrimtarët e tjerë shqiptarë, pa dyshim që pjesa më e madhe e tyre do vendosnin në gojën e fëmijës, që po shikonte ikjen e avionëve, shprehje patetike si e të rriturve se “Na e liruan tokën pushtuesit”, ose “Qielli ynë do të ishte që sot i pastër dhe pa retë e atyre avionëve të zi”, apo “Qielli ynë nuk i duron ato hekurishte të pushtuesit”  etj. etj. Por Kadare është ndryshe nga të tjerët, është më i talentuari, ai është fëmija, përsonazhi i vogël i librit, që nuk di se çfarë është pushtuesi dhe atdheu, ç’është patriotizmi i të rriturve dhe patetika e llafeve. Ai shkruan me dhimbje: “Kur ikën avionët, unë qava!”. Kjo mbase është dhe shprehja më e sinqertë dhe më e vërtetë e letërsisë së asaj kohe, sepse fëmijës i vjen keq që nuk do t’i shohë më avionët. Atij nuk i duhet fare se të kujt janë avionët, nga kanë ardhur dhe për ku po shkojnë. Ai do avionët, të vetmit në qytet dhe pikë. Dhe nuk është për t’u çuditur. Fëmija i romanit, që është vetë autori në voglinë e tij, nuk ka qarë e vajtuar kurrë, për asnjë gjë, për asnjë pakënaqësi, për asnjë objekt dhe send. Vetëm avioni, kjo bukuri misterioze e qiellit e tundon, e prek shpirtrisht, e përmallon sa s’ka më dhe ai qan. Qan me shpirt avionët që s’do të jenë më në Gjirokastër dhe s’do t’i shohë më dhe aeroporti do mbesë i shkret. Eshtë avioni dhe vetëm avioni që ia imponon fëmijës brengën e mungesës së madhe dhe lotët dhe asgjë tjetër.

***

Agustin Gjinaj ndjehet, kudo nëpër libër, se është mik i të gjithëve dhe i kujdesshëm në mardhëniet me kolegët. Detaist i jashtëzakonshëm, me një skrupulozitet për të përfshirë çdo gjë pikante në këtë vepër. Ai nuk ka dëshirën të përjashtojë askënd nga libri. Por për të shkruar dhe folur për të gjithë edhe teknikisht është e pamundur, mbasi libri do të ishte aq voluminoz, sa nuk do të kishte më trajtën e librit. Këtu autori na ka afruar figura që në memorjen e Agustinit kanë lënë ngjarje, gjeste, batuta, histori dhe subjekte, gjendje emocionale dhe marrëdhënie të afërta, aviatorë me ndodhi të forta, kujtime me shumë dramacitet, duke na evidentuar atë që është më substancialja në aviacionin e periudhës që autori trajton në këtë vepër.

Komshiu im studion në Bergamo të Italisë për Aeronautikë. Quhet Alsion Haxhia. Unë kam qenë një nga më entuziastët, kur prindërit e tij të mrekullueshëm Altini dhe Sonila më patën thënë se biri i tyre, një djalë krejt i veçantë, i sjellshëm dhe nxënës exelent, qe nisur për këto studime. Tashmë ai është në vitin e tretë dhe është burrëruar. Një nga herët kur erdhi në shtëpi, më ftoi për kafe dhe më dhuroi një bluzë shumë të bukur, stiluar me dhjetra e dhjetra avionë të vegjël, që fluturonin në qiellin e hapësirës së asaj bluze. Më tha se e kishin si bluzë uniforme të fakultetit. Avionët në fanellën e tij  dukeshin dhe janë si zogj. Në atë çast m’u kujtua piktori i famshëm Pablo Pikasso, që kur qe fëmijë, babai i tij, edhe ai piktor,  po bënte një kompozim pikture në një telajo të madhe. Babai uli djalin e vogël me një stol në qoshin poshtë pikturës që po punonte dhe i tha: «Pablo! Më pikturo ca zogj të vegjël në atë cep!». Pra zogjtë kanë qenë puna e parë e mbetur në një telajo të piktorit të madh. Ndaj kur Pikasso u rrit dhe u bë i famshëm, shkroi se zogjtë e atëhershëm i bëri prej dashurisë që kishte për aeroplanët.

***

Në gjithë qiellin e librit të Agustin Gjinajt ndjehet dimensioni i madh i fluturimi, tundimi i kujtdo për ta shëtitur atë realitet magjik. Në këtë qiell ai ka shkruar një epokë heronjsh të lavdishëm, ka kompozuar teatrin e madh, ku dhjetra e qindra njerëz të qiellit dhe tokës kanë luajtur jetët e tyre. Dhe me këtë rast e them pa mëdyshje se Aviacioni është fatlum që e ka një gazetar, shkrimtar dhe kronikan kaq dinjitoz si Agustin Gjinaj, që fushave të tjera iu mungon gjithësesi. Njerëzit hyjnë vetë në histori, por ato kurrësesi nuk mbesin gjatë në memorjen e brezave të tjerë, nëse dikush nuk i regjistron, nuk i shkruan, nuk i këndon, nuk i rrëfen. Autori i kësaj vepre ka ardhur pikërisht, që këtë mision ta përmbushë si askush tjetër. Dhe ja ka arritur. Urime për librin, që ka shkruar!

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?