Nga Viktor Malaj
Botuar në DITA
Nga fundi i vitit 1990 ai kishte mbushur 46 vjet të jetës dhe plot 22 vjet si besimtar, propagandues dhe drejtues rajonal i fesë së vetme që lejohej atëherë në Shqipëri, ose më saktë, të fesë që nuk pranonte ekzistencën e Zotit (alias Allahut), birit apo profetëve të tij.
Besimin dhe përkushtimin e vet ndaj asaj feje e tregonte fakti se ishte pranuar zyrtarisht anëtar i bashkësisë fetare pikërisht në përvjetorin e krijimit të Bashkësisë, në 8 nëntor 1968 dhe e kishte ndryshuar datëlindjen e vet nga korriku 1944 në 15 tetor 1944, datë e cila ndodhej vetëm një ditë larg ditëlindjes së Udhëheqësit Shpirtëror të Bashkësisë Fetare ku u anëtarësua me lutje dhe rekomandime shokësh e miqsh që provonin se ishte vërtetë besimtar, i devotshëm dhe besnik i parimeve fetare të asaj Bashkësie.
Pasi qëndroi aty dhe propagandoi atë besim si më i miri dhe më humani që kishte njohur njerëzimi, erdhi një ditë që u mërzit sepse nuk po i ngjiste shpejt shkallët e elitës fetare. E ndiente se meritonte më shumë se një myezin* dhe, megjithëse udhëheqja e lartë fetare e kishte bërë pjesë të Oborrit, i dukej vetja si një xherah**.
Bluante përbrenda pasi ambicia e tij ishte të bëhej Imam, madje Imami i Madh*** i bashkësisë dhe gjithë vendit.
Dhe rasti fatlum erdhi në dhjetor 1990 kur shumë jobesimtarë, por edhe besimtarë të lodhur e mërzitur me fenë sunduese, ku bënte pjesë edhe Saliu ynë, u revoltuan dhe kërkuan ndryshime fetare pasi ashtu nuk shtyhej më tutje.
Atëherë, kur e pa që drejtuesit e fesë ekzistuese po e lejonin lindjen dhe ushtrimin e feve të tjera, shpejtoi të merrte timonin e një bashkësie tjetër fetare në krijim e sipër, ngaqë besonte se do të plotësonte ambiciet e vjetra të fshehura në skutat e mendjes dhe shpirtit. U hodh në sulm kundër fesë ekzistuese dhe e shpalli krijuesin e saj, gjermanin Karl Marks si një kriminel të vërtetë.
Shumë adhurues të fesë së re nisën të dyshojnë tek ai, sepse nuk besonin që njeriu që iu është afruar të pesëdhjetave dhe për gati një çerek shekulli kishte propaganduar një tjetër fe mund ta ndërronte fenë e vjetër brenda ditës.
A mundet,- thoshte njëri prej tyre,- që dikush që ka jetuar 46 vjet me hipokrizi të bëhet brenda ditës i sinqertë dhe besimtar i përkushtuar i atij besimi fetar të cilin e kishte damkosur si antinjerëzor gjatë gjithë jetës së tij?
Megjithatë, për shkak të prirjes fetare botërore dhe lodhjes së popullit me fenë ekzistuese, Saliu ynë ia arriti të bëhej çfarë kishte ëndërruar, Imami i Madh i vendit dhe mblodhi përkohësisht rreth vetes më shumë se gjysmën e popullit.
Mirëpo, katër muaj pas fronësimit e humbi një të tretën e adhuruesve. Meqë tjetër propagandonte dhe tjetër bënte, dyshuesit e kishin kuptuar se Imami i Madh ua kishte me hile. Dukej sikur besimtarët kujtonin fjalët e Kuranit, ku shkruhej: “O Salih, ti ishe shpresa jonë para kësaj. Vërtetë, ne jemi shumë në dyshime në atë që na thërret ti”. Qysh atëherë e mori të tatëpjetën. Numri i besimtarëve sa vinte e zvogëlohej.
Mirëpo, goditjen kryesore e mori nga një Hadd**** që i erdhi nga Kryegjyshata Botërore e Fesë në maj 2021, me të cilën njoftohej se aty e tutje ai shpallej, jo themelues i fesë në Shqipëri, siç e kishte shpallur veten dhe siç e propagandonin idhujtarët e tij, por një minues i asaj feje dhe blasfemues i shkallës më të lartë.
Me gjithë kundërshtimet, bashkësia e tij fetare u përça dhe numri i idhujtarëve u zvogëlua hatashëm. Një gjykatë jofetare e urdhëroi të kyçej në apartamentin e vet në katin e sipërm të një pallati shumëkatësh dhe prej aty, pa komunikuar me idhujtarët e mbetur, të priste verdiktin përfundimtar për disa nga paudhësitë që kishte kryer.
Tani imam Saliu, thuajse 80 vjeç, del një herë në ditë tek dritarja e apartamentit të vet, përshëndet me dy gishtat lart njëqind besnikët që i kanë mbetur, iu betohet se ndëshkimin nuk e meriton, se nuk e ka nga Zoti, por nga qafiri Rama i cili, në bashkëpunim me Mafien ndërkombëtare, po e persekuton për shkak të idealeve fetare.
Nja 2-3 ditë nuk mundi t’iu fliste besimtarëve të mbledhur, sepse kishte qenë me grip. Këtë e kumtoi e bija. Por në ditët në vazhdim doli me një megafon dhe iu tha:
“Miqtë e mi. Unë dhe çdonjëri prej jush kemi dy kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë. Ajo është hyjnore dhe i bindemi asaj njëlloj si Zotit. Përveç kësaj, vendi, kombi ka një kushtetutë që përdhoset dhe shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama. Horrat ligj nuk kanë, moral nuk kanë, prandaj ne respektojmë kushtetutën supreme…
Kjo quhej Rruga e Saliut, por tani ka filluar të quhet Rruga e Shpresës sepse ne jemi shpresa e vetme për popullin. I ftoj të gjithë shqiptarët ta varin flamurin tonë në dritare, si flamur i shpresës, lirisë, simbol i demokracisë… Ata nuk kanë flamur, janë njerëz me 100 flamuj. Flamuri ynë qëndron krenar krahas flamurit kombëtar…”.
Ndërsa grumbulli i idhujtarëve thërriste në kor: “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do!”, një kalimtar i rastit pyeste bashkudhëtarin e tij: “Ore, a është mirë nga mendtë ky apo ka lajthitur? I fton shqiptarët të braktisin flamurin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit dhe t’i zëvendësojnë me ato të tij ?! Pastaj, akuzon të tjerët për “njëqind flamuj” kur ky, brenda natës, dikur ndërroi flamur dhe fe”.
Idhujtarët e paktë që qëndronin në trotuaret poshtë pallatit, me kokën e ngritur lart për të parë imamin që iu fliste nga tyrbja e amshimit, i thoshin njëri-tjetrit se tashmë Allahu po e merrte në gjirin e vet idhullin e tyre për shkak të bamirësive që kishte bërë, ndër to zinin vend të rëndësishëm rrahjet, burgosjet, vrasjet e të pafeve.
Ata dëshironin me gjithë shpirt ta kishin aty në tokë, t’i afroheshin, ta preknin e përqafonin, puthnin dhe ngrinin në krahë si dikur nëpër rrugët e Shqipërisë, sepse ai ua kishte shpërblyer besnikërinë duke i shndërruar nga endacakë të papunë e pa shtëpi në figura kombëtare, me makina luksoze, vila dhe prona anekënd vendit, nga njerëz të hiçit në hiça të së ardhmes.
Njëra prej adhuruesve të tij, e cila i kishte kërkuar dikur të rrëmbente armët dhe t’iu jepte plumbin të pafeve që kërkonin t’i zinin vendin, njëfarë Topalleje nga Shkodra tha se “Vendimi i arrestimit shtëpiak e lartëson edhe më shumë Saliun pasi ai, si askush tjetër, ka mbrojtur pluralizmin e Kushtetutën… Ky vendim e kthen atë në një titan dhe arrestimi i tij e bën Shqipërinë më të vogël…”.
Një tjetër Boçe që ka qenë zëvendësi i Saliut, shkoi çdo ditë për adhurim dhe për pjesëmarrje në namazin e imam Saliut. Ai pohoi se njerëzit aty shkonin spontanisht mbas njoftimeve për grumbullime nëpërmjet rrjeteve sociale.
Oh! sa shumë të tjerë, ish-adhurues e lartësues të imam Saliut do të shkonin të luteshin tek tyrbja e tij sikur të mos kishin frikë nga sytë dhe veshët e Kryegjyshatës Botërore të Fesë, e cila jo vetëm e kishte shpallur “minues”, por edhe i kishte paralajmëruar ndjekësit e tij se, nëse nuk do ta braktisnin dhe të përqafonin fenë e vërtetë, do të hanin bar gjithë jetën. Shumica ishin frikësuar.
Por ishte edhe një tufë që e kishte kuptuar rëndësinë e dietës së barit, të betuar për të shkuar në xhenet me imamin Sali ku do t’i prisnin gjithë të mirat e dynjasë dhe do të merrnin shpërblimin e merituar.
Ndërsa imam Saliu përshëndeste me dy duart e ngritura lart, njëri prej adhuruesve të tij filloi të bërtasë: Shqipëria ka veç dy burra / Imam Saliu edhe Dan Hutra... Një tjetër adhurues që u ndodh pranë dhe i përlotur, iu kthye të parit duke i bërtitur: Turp të kesh që bën këtë krahasim!
Vjershëtori iu përgjigj se vargjet e tij tregonin se vetëm këta dy burra nuk pyesin për shtet, gjykatë dhe as vendime arresti, i sfidojnë ato duke mos u paraqitur në gjykatë dhe duke prerë hekurat e qelisë së të pafeve për të dalë në liri. – Mirë, mirë,- iu hakërrye tjetri,- por Dan Hutra ka vrarë gra kurse imam Saliu kurrë në jetën e tij s’ka vrarë gra. E shumta i fyen ato, dhe ai ka vrarë vetëm disa burra të pafe, vrasje që ia lejon kushtetuta e tij.
E bindur se babanë e saj mund ta dënojë vetëm Allahu dhe asnjë vdekatar i Tokës, vajza e tij, Argita, të cilën e kishte shpërblyer Allahu me shumë prona e pallate, zbriti shkallët e pallatit dhe i frymëzoi adhuruesit me fjalët e saj dhe planet e Zotit:
“E nisëm Vitin e Ri në barrikadën e luftës për mbrojtjen e pluralizmit. Asnjë diktator nuk i përballet dot shpirtit tuaj të lirë. Ju duhet të jeni misionarët e kësaj lufte. Një vit të mbarë dhe me fitore. Jam e bindur se Zoti këtë vit ka plane të bukura për Shqipërinë dhe do të shpërblejë demokratët. Është detyra jonë të durojmë në barrikada”.
Megjithëse feja e të atit tashmë është katandisur në një sekt, duket qartë se ajo beson se i ati mund të mbetet në histori si Martin Luteri i Gjermanisë dhe se, ndoshta, në planet e Zotit bën pjesë edhe zëvendësimi i të atit prej saj.
Njëri prej adhuruesve të Imam Saliut, pasi dëgjoi fjalët e vajzës së babës, u kthye në shtëpi dhe pyeti në kompjuter Inteligjencën Artificiale, e cila po përdoret kohët e fundit si një fallxheshë në të gjithë botën, se çfarë dinte dhe mendonte ajo për të sotmen dhe të ardhmen e imam Saliut.
Inteligjenca e pashpirt iu përgjigj se imam Saliu kishte provuar tej çdo dyshimi se ua kishte pasur me hile besimtarëve gjatë gjithë kësaj kohe dhe se e ardhmja e tij fizike dhe fetare kishin marrë të tatëpjetën. Madje, shtonte ajo, ekzistojnë të gjitha gjasat që sipërfaqja e banimit t’i ngushtohej së tepërmi në javët që vijnë për shkak të shkeljes së Kushtetutës së popullit dhe kryeneçësisë së tij për të zbatuar vetëm kushtetutën e vet, siç ka vepruar tash 34 vjet.
Sa i përket të ardhmes më të largët, Inteligjenca Artificiale parashikonte se imam Saliu do të mbetej në histori si një sharlatan i fesë politike, një njeri pa parime, pa ide, pa ideale, pa skrupuj, por plot etje për pushtet e sundim.
Ky konkluzion i Inteligjencës Artificiale, si vëzhguese dhe gjykuese pa parti dhe e paanshme e bindi adhuruesin e imam Saliut se ishte e kotë çdo vajtje-ardhje tjetër pas tij dhe për të dhe se ishte më e dobishme të shikonte hallet e veta se ato të imamit demagog.
SHPJEGIME:
*Myezin- klerik që këndon dhe drejton lutjet e përditshme të besimtarëve nga xhamia.
** Xherah- mjek popullor që kryente operacione të thjeshta mjekimi dhe bënte synet djemtë.
*** Imam i Madh- Drejtuesi kryesor, më i lartë i një bashkësie fetare islame.
**** Hadd Ndëshkimi fetar për braktisjen ose shkeljen e normave kryesore të fesë islame.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016