Një dukuri për të cilën kemi dëgjuar shumë, por dimë shumë pak. Në këtë fund viti, për të relaksuar disi vëmendjen e lodhur me politikë dhe për të kënaqur kuriozitetin e atyre lexuesve, që në vitet 1960 ishin të rinj, por edhe për të rinjtë e sotëm, botojmë këtë fragment të shkurtër nga Prof. Fatos Tarifa, shkëputur nga studimi i tij sociologjik EROSI DHE DEMOKRACIA që pritet të botohet së shpejti.
Nga Fatos TARIFA
Në përfytyrimin tonë, vitet 1960, ose The Sixties, siç njihet ndryshe ajo dekadë, i lidhim zakonisht me një sërë lëvizjesh të fuqishme radikale, siç ishin lëvizja e hipive, revolucioni seksual, lëvizja për çlirimin e gruas, lëvizja për të drejtat e zezakëve, lëvizjet studentore etj.
Por vitet 1960 ishin për Amerikën edhe një dekadë e mbushur me shumë ngjarje politike, që e tronditën jetën e atij vendi dhe kanë lënë gjurmë të thella në mendësinë dhe në ndërgjegjen e amerikanëve.
Carlos Santana, një ikonë e kundërkulturës dhe një legjendë muzikore e viteve 1960, do ta karakterizonte atë dekadë me këto fjalë: “Vitet 1960 ishin një hap i madh në ndërgjegjen njerëzore. Mahatma Gandhi, Malcolm X, Martin Luther King, Che Guevara, Mother Teresa—ata udhëhoqën një revolucion të ndërgjegjes. The Beatles, The Doors, Jimi Hendrix krijuan tema revolucioni dhe evolucioni. Muzika ishte Dalí, me shumë ngjyra dhe mjete revolucionare. Të rinjtë e sotëm duhet të gjejnë veten në të.
Tërmetet politike të viteve 1960
“The Sixties” mund të thuhet se nisën me vrasjen e presidentit John F. Kennedy, më 22 nëntor 1963, dhe mbaruan me dorëheqjen e Richard Nixon-it nga posti i presidentit të Shteteve të Bashkuara, më 1974.
Vrasja e presidentit Kennedy ishte një moment kthese shumë i rëndësishëm në historinë politike e kulturore të Shteteve të Bashkuara. Siç vë në dukje gazetari i njohur amerikan Tom Brokaw, ajo ishte “një ngjarje shokuese jo thjesht se Kennedy ishte president. Ai ishte një president kaq i ri në moshë dhe zgjedhja e tij vetëm tre vite më parë kishte ndezur ëndrrat dhe aspiratat e brezit të ri që ai vetë mishëronte dhe frymëzonte. Vdekja e tij u duk se rrëmbeu gjithçka që ishte rinore dhe elegante, tërheqëse dhe inteligjente, shpresëdhënëse dhe idealiste te ne. Pas vdekjes së dhunshme të presidentit Kennedy, Amerika ishte në një gjëndje shoku dhe shenjat e dështimeve, që tashmë ishin bërë të qarta për ne, bënë që ai të dukej edhe më njerëzor, ndërsa humbja e tij u ndje edhe më thellë”.
Viti 1968 mund të thuhet se u bë qendra vullkanike e asaj dekade. Ai vit shënoi një kthesë 180 gradë në jetët e dhjetëra milionë amerikanëve. Ai vit njohu shumë tërmete politike—disfata për ushtrinë amerikane në Vietnam, dy vrasje tragjike (Martin Luther King, Jr. në pranverën e atij viti, dhe Robert Kennedy, vëllai më i ri i JFK, dy muaj më vonë).
Këto dy vrasje politike shkaktuan protesta të mëdha në të gjithë Amerikën, sidomos në qytetet kryesorë të saj, sulme ndaj autoriteteve, protesta ndaj luftës në Vietnam dhe një lëvizje të gjerë studentore, e cila herë-herë mori trajta të dhunshme.
The hippies si kundërkulturë
Lëvizja e hipive, e cila kishte nisur qysh në fillim të viteve 1960 në kampuset e universiteteve dhe që, në fillimet e saj, ishte kryesisht një lëvizje e rinisë së klasës së mesme, u zgjerua dhe u përhap si një kundërkulturë në mbarë Amerikën. Ethosi i asaj lëvizjeje u bënë të jetuarit në komunitet dhe në harmoni me natyrën, dashuria e lirë, eksperimentimi artistik, veçanërisht në muzikë, dhe përdorimi gjerësisht i substancave narkotike.
Grafitet e atyre viteve në komunitetet e hipive, në rrugët dhe në muret e disa prej qyteteve të atij vendi, shprehnin më së miri natyrën dhe përmbajtjen e lëvizjes së tyre.
Në njërin prej atyre grafiteve thuhej: “Thyeje televizorin. Beso te dashuria. Digji paratë ose ble art. Lufto racizmin, kapitalizmin, homofobinë dhe seksizmin. Mos i beso televizionit dhe mediave. Mbështet ateizmin dhe grafitet. Mos ji pjesë e kësaj shoqërie. Gjej një pasion. Ji vetvetja. Më në fund”.
Change the rules!
Grafite të tjerë shprehnin, në thelb, të njëjtin vizion libertin dhe hedonist për jetën—sa anarkist e radikal, aq edhe nihilist dhe utopik—ose, më saktë, mungesën e një vizioni realist për të ardhmen, si dhe një frymë të theksuar pacifiste, që merrte zë në kërkesat për t’i dhënë fund luftës në Vietnam.
Një pjesë e tyre, ata grafitë që shprehninin rebelizmin e hipive dhe të një pjese të margjinalizuar të rinisë amerikane ndaj shoqërisë së kohës dhe normave të saj, lexonin: “Ndryshoi rregullat. Hape mendjen tënde. Bota është shumë më e madhe sesa truri tënd; mos jeto më brenda kokës tënde. Ji ai që je, jo ai që bota kërkon të jesh. Mos pyet pse ajo [vajzë] do që të jetë kaq e lirë; ajo do të të thotë se kjo është e vetmja mënyrë se si mund të jesh. Është OK të jetosh një jetë që të tjerët nuk e kuptojnë. Nxirre jashtë frymën e së shkuarës, merr frymën e së ardhmes”
Make love, not war!
Protestat e hipive kundër luftës në Vietnam dhe kërkesat e tyre për një jetë krejt të lirë dhe në paqe, të pakufizuar nga asnjë rregull apo normë në dashuri dhe në jetën seksuale, në mënyrën më konçize dhe, ndoshta, më kuptimplotë, u shprehën në sloganin e njohur “Make love, not war” (Bëj dashuri, jo luftë).
I shkruar në grafite, në postera e në banderola dhe i brohoritur në qindra protesta e demonstrata kundër luftës, ky slogan u bë epitoma e antikulturës së viteve 1960 në Amerikë dhe në shumë vende të Europës Perëndimore. Grafite të tjerë me të njëjtin subjekt lexonin:
“Jo luftë! Jo luftë! Ndaloni luftën. Është koha për një revolucion dashuror. Të bombardosh për paqe është njëlloj si të bësh seks për të mbetur e virgjër. Jepini fund luftës para se lufta t’ju japë fund juve. Jepini paqes një shans. Përqafime falas. Mirësia është një superfuqi. E ardhmja është femërore. Dashuri, Paqe, Unitet. Paqe, Dashuri, Muzikë. Jeto, Qesh, Dashuro. Dashuria është në ajër. Dashuria është gjithçka që ke nevojë. Asgjë nuk vlen nëse s’je i lumtur”.
Gëzo të sotmen!
Shprehja “Go with the flow”, që mund të përkthehet “ndiq të tjerët”, “shko me rrymën”, ose “merri gjërat lehtë, siç të vijnë, pa u përpjekur shumë”, u bë mjaft e përhapur në radhët e hipive. Kjo dëshmon ndikimin që kishin tek ata filozofitë e lashta të Lindjes, veçanërisht filozofia Taoiste, që predikon se njeriu duhet të jetojë momentin, t’i pranojë pa rezistencë gjërat siç vijnë, pa luftuar për t’i pasur ato nën kontrollin e vet. Parimet e kësaj filozofie, përshtatur rrethanave të viteve 1960, i gjeje në mjaft slogane e grafite në radhët e hipive, të tilla si:
“Gëzo të sotmen. Bëje të sotmen një ditë të mrekullueshme. Merre ngadalë, jeta nuk është një garë. Ruaj qetësinë dhe bëhu një hipi. Vetëm momente argëtues. Shijoje momenin dhe rri i qetë. Thjesht buzëqesh më shpesh. Jeto ëndrrën. Jetë pozitive. Mendje e lumtur. Emocione pozitive. Brezi i emocioneve të mira. Kohë të mira përgjithmonë. Vetëm shpirtra të lirë. Më pak stress. Art çdo ditë. Jeta ime është muzikë. Lumturia është përherë gjendja ime. Fokusohu tek e mira. Kënaqësi e fajshme. Bë atë që do. Bë çfarëdo që të bën të lumtur. Duaje veten. Ti je tashmë i mrekullueshëm. Shijoji gjërat e vogla. Nëse të bën të ndihesh mirë, bëje. Le të rritemi së bashku. Gjithçka do të jetë OK. Mos u shqetëso, ji hipi. Bota është shumë më e madhe sesa truri tënd; mos jeto më brenda kokës tënde. Ti je gjithnjë një vendim larg një jete totalisht të ndryshme”.
Si Krishti dhe Buda…
Në librin e tij Gjuha e modës, Roland Barthes ka venë në dukje se me “kundërvlerat” e tyre—përdorimi i drogës, tërheqja nga bota, heqja dorë nga qëndrimet agresive, mënyra e veshjes dhe e të jetuarit, ushqimi, higjiena, seksualiteti—hipitë synonin që, në një kuptim niçean, të kishin një ndikim mbi shoqërinë dhe të shndërroheshin në një forcë reaguese ndaj saj.
“Sado paradoksale që mund të duket”, shkruante Barthes, “nëse do të investonin më shumë inteligjencë në aventurën e tyre, hipi mund të ishte një ndër pararendësit e supermenit të Niçes, që ky e gjente te nihilisti i fundit, i cili përpiqet të zgjerojë dhe të shtyjë përpara vlerën reaguese deri në atë pikë, sa të mos lejojë asnjë mundësi që ajo të rikuperohet nga ndonjë forcë pozitive apo çfarëdo tjetër”.
“Niçe”, shkruante Barthes, “e personifikoi këtë nihilizëm te dy figura, Krishti dhe Buda, dhe këta të dy përfaqësojnë ëndrrat e hipive: hipizmi orientohet drejt Indisë (e cila po bëhet Meka për lëvizjen e hipive) dhe shumë të rinj hipi (aq shumë sa kjo dukuri nuk mund të kalojë pa u vënë re), shihet qartë se nga pamja—pra në mënyrë simbolike, jo në besime, duan t’i ngjajnë Krishtit”.
Me një farë përçmimi Barthes pohonte se “me mënyrën e tyre kolektive të jetesës, këmbët e zbathura, papastërtinë dhe veshjet e zhubrosura”, që ishin një zgjedhje e tyre, hipitë ishin “një karikaturë e tjetërsimit ekonomik” .
Pse Bertrand Russell?
Vetë hipitë e konsideronin të qënit “hippie” si “një gjendje të mendjes, të shpirtit dhe të frymës” (Hippie is a state of mind, soul, and spirit) dhe këtë gjendje e shihnin si gjendjen e ardhshme të njerëzimit. Nuk ishte rastësi që hipitë adoptuan si një filozofi të tyren këtë shprehje të famshme të Bertrand Russell-it, nga një intervistë e tij për gazetën The New York Times në vitin 1961: “Nëse do të kishte sot në botë një numër të madh njerëzish, që do të donin lumturinë e tyre më shumë se sa do të dëshironin palumturinë e të tjerëve, brenda pak vitesh mund të kishim një parajsë”.
Aty nga fundi i viteve 1960, një numër gjithnjë e më i madh hipish ishin bërë apolitikë. Siç shkruante në atë kohë Lawrence Swaim, shumë prej tyre kishin hequr dorë nga qëndrimet dhe kërkesat politike, madje ishin bëtë cinikë ndaj politikës dhe protestave kundër saj, të bindur se ishin të paaftë të sillnin ndryshime esenciale në shoqëri.
Pse flasim ende për ta?
Për hipitë dhe lëvizjen e tyre është folur e shkruar shumë—dhe vazhdon të flitet e të shkruhet edhe sot (a nuk po shkruaj sot edhe unë, një sociolog shqiptar, për ta?). Pikëpamjet e shprehura dhe vlerësimet për ta kanë qenë e janë nga më të ndryshmet. Por çfarëdo që mund të mendojmë sot për hipitë dhe për lëvizjen e tyre, sido që mund t’i gjykojmë sot filozofinë e tyre mbi jetën dhe mënyrën e tyre të jetesës dhe sido që mund t’i lexojmë sot kërkesat dhe sloganet e tyre, duhet të mbajmë parasysh se ajo lëvizje nuk lindi rastësisht dhe as në një vakum kulturor.
Duke besuar në “profesinë” e tyre se “This is a new beginning”, që do të sjellë “better days”, lëvizja e tyre pati një ndikim të madh në ndryshime shoqërore që ndodhën në Amerikë në fundin e viteve 1960.
Disa nga kërkesat dhe veprimet e tyre, si protestat kundër luftës në Vietnam, kundër rekturimit të detyrueshëm në shërbimin ushtarak dhe kundër armëve bërthamore, thirrjet për paqe, për mbrojtjen e të drejtave civile dhe për liri seksuale, besimi i tyre në një barazi për të gjithë, vokacioni i tyre ekologjik etj., luajtën në ato kohë një rol të madh në jetën e atij vendi.
Edhe pse lëvizja e hipive zgjati jo më shumë se një dekadë, impakti i saj në jetën e shoqërisë amerikane ishte i madh dhe vazhdon të dihet edhe sot, pas më shumë se gjysmë shekulli. Protestat kundër luftës, lëvizja për paqe, muzika dhe kërkesat për të drejta civile, për tolerancë dhe për dhe barazi mes sekseve mbajnë edhe sot e kësaj dite jehonën e zërit të tyre.
Dhe sot…”
Vlerat antikulturore të hipive dhe mënyra e tyre e jetesës mund të jenë vërtet tipare të një kohe të shkuar, por ato nuk kanë humbur tërësisht. Shumë prej tyre i gjejmë edhe në ditët tona, në mesin e komuniteteve hipish në shtete të tillë si Illinois, California, Colorado etj., edhe pse jo të gjithë këta komunitete sot udhëhiqen nga parime e motive spirituale.
Kur jepja mësim në Universitetin e Miçiganit Lindor, në Ypsilanti (Michigan), në fundin e viteve 2000, më ka qëlluar shpesh të shihja një grup hipish që vinin çdo të premte në mbrëmje në të njëjtin bar ku mua më pëlqente të ktheja një birrë me kolegët e mi. Të zhurshëm siç ishin, por krejt të pavëmendshëm ndaj të tjerëve rreth e qark tyre, më kujtohet se çdo herë që vinin në atë bar dëgjoja të thonin me zë të lartë: “Hippies love beer too”.
Ishte e pamundur të imagjinoja në vitet 2006-2008 se hipi të tillë në Michigan, ose kudo tjetër në Amerikë, do të organizonin në atë kohë protesta kundër luftës në Irak, siç kishin qenë protestat kundër luftës në Vietnam të hipive në vitet 1960, ose festivale të tillë, si ai në Woodstock më 1969. Shumëçka që në vitet 1960 ishte një akt rebelimi, është bërë sot një mënyrë jetese alternative në shumë prej këtyre komuniteteve.
Një eksperiencë më interesante kam përjetuar në Colorado, ku edhe sot e kësaj dite gjen qytete të vegjël ku jetojnë hipi, thuajse po me atë mënyrë jetese si në vitet 1960. Qytetet Boulder dhe Fort Collins, jo shumë larg Denverit, kryeqytetit të atij shteti, ofrojnë ende imazhe e simbole autentikë të hipive të asaj dekade.
Në Boulder, në një prej mureve të një bari, kam lexuar këtë grafit: “Still living in the Sixties until something better comes along” (Jetoj ende në vitet 1960 derisa të ndodhë diçka më e mirë). Qytete të tjerë të vegjël dhe shumë të vegjël në Colorado, si Nederland dhe Paonia (me vetëm 1,400 banorë secili), Ridgway (me më pak se 1,000 banorë), apo Crestone (me më pak se 150 banorë) janë edhe sot kryesisht vendbanime ose komuna autentike hipish.
Brezi që i dha Amerikës the Sixties
Revolucioni seksual dhe gjithçka që ndodhi më pas në Amerikë nuk mund të kuptohen marë parasysh lëvizjen e hipive dhe atë atmosferë revolucionare të viteve 1960, si dhe brezin e ri amerikan të asaj periudhe, që ishte “brezi numerikisht më i madh, më arsimuar dhe më i pasur në historinë e Amerikës, brezi që i dha fund një lufte të gjatë në Vietnam, që ndryshoi politikën amerikane dhe e çliroi atë vend nga sensibilitetet konservatore e kufizuese të prindërve të tyre” (Brokaw). Ky brez i dha Amerikës the Sixties.
