Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: The Economist: Ndihma e jashtme nuk mund t’i pasurojë vendet e varfra
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kosovë
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Bote > The Economist: Ndihma e jashtme nuk mund t’i pasurojë vendet e varfra
BoteLajmi i fundit

The Economist: Ndihma e jashtme nuk mund t’i pasurojë vendet e varfra

Published: 3 Maj, 2025
Shpërndaje
Shpërndaje

Për dekada, zyrtarët e huaj kanë premtuar të nxisin rritjen ekonomike. Për dekada, ata kanë dështuar, shkruan The Economist. Lilongwe, kryeqyteti i Malavisë, një nga vendet më të varfra në botë, mbahet me ndihma të jashtme. Qyteti është ndërtuar në vitet 1970 nga Banka Botërore. Rrugët e tij të drejta janë të mbushura me qendra bamirësie, agjenci zhvillimi dhe zyra qeveritare.

Nëpër fshatra banojnë shumë kuzhinierë dhe pastrues që punojnë për zyrtarët e huaj. Gjithandej dallohen hyrje ku janë vendosur flamujt e shteteve sponsorizuese. Gjatë pesë dekadave të fundit, politikanët kanë arritur të bëjnë një ndarje të punëve: Britania financon shkollat, Japonia mbështet projektet energjetike, Europa mbështet bujqësinë dhe Irlanda ndihmon sistemin e drejtësisë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, që mbahet me paratë kineze, dyert janë etiketuar nga donatori, jo nga departamenti. Në shumë prej tyre shkruhet “USAID”.

- Publicitet -

Kur pak më shumë se një muaj më parë, Donald Trump ngriu fondet e agjencisë USAID përmes së cilës Amerika jep pjesën më të madhe të ndihmës së huaj, puna thelbësore u ndal menjëherë.

Megjithëse pas një pezullimi të mëvonshëm të urdhrit, u bë e mundur rinisja e disa projekteve “shpëtuese”, shumica e ndihmave tani janë pezulluar. Pak projekte kanë rifilluar.

Në Malavi, organizatat bamirëse të shëndetit të nënave dhe refugjatëve nuk po punojnë më dhe nuk do të hapin dyert derisa të përfundojë urdhri 90-ditor i Donald Trump.

Shumë projekte të tjera që u ndaluan, ishin të një natyre tjetër. Ato nuk po shpëtonin jetë, ama kishin një qëllim tjetër: ta bënin Malavinë një vend më të pasur.

Vendimi i Trump është një shembull i skajshëm i një prirjeje më të përgjithshme që po vihet re në botë. Më 25 shkurt, kryeministri britanik Keir Starmer shkurtoi buxhetin e ndihmës së Britanisë, nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare bruto, për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen.

Franca, që është donatori perëndimor më bujar pas Amerikës, këtë vit do të ulë ndihmën për jashtë me 35%.

Gjermania gjithashtu po mendon të bëjë shkurtime. Sondazhet tregojnë se për këto vendime ka mbështetje të madhe nga qytetarët.

Shumica e institucioneve të shquara ekonomike, duke përfshirë FMN-në dhe Bankën Botërore, ende këmbëngulin në rëndësinë e shpenzimeve për ndihma, që synojnë t’i bëjnë vendet e varfra më të pasura, por edhe kjo ide tani po kundërshtohet: disa ekonomistë me ndikim, tani po pyesin nëse ia vlejnë me të vërtetë shpenzime të tilla.

A mund të dalë diçka më e mirë nga gjithë kjo rrëmujë?

Në ndjekje të gjurmëve

Së pari, duhet marrë parasysh se ku po shkojnë paratë e ndihmave. Vitin e kaluar, shtetet e pasura shpenzuan rreth 256 miliardë dollarë (ose sa 0.4% e PBB-së) për ndihmën e huaj.

Kjo shumë ishte e barabartë me të ardhurat e përgjithshme që morën nga taksat gjithë qeveritë e Afrikës Nënsahariane. Vetëm një pjesë shumë e vogël e shpenzimeve ka shkuar për çështje kulturore, pra për financimin e institucioneve dhe gazetave të pavarura pro demokracisë, gjë për të cilën janë ankuar aq shumë mbështetësit e Donald Trump.

Rreth një e katërta e shpenzimeve ishin ndihma humanitare (duke përfshirë ndihmën ndaj refugjatëve dhe ndihmën në raste fatkeqësie), si dhe financim shëndetësor (trajtimi për HIV-in, vaksinat e kështu me radhë). Shkurtimet e shpenzimeve amerikane dhe britanike kanë ngritur shqetësimin se çfarë do të ndodhë tani me përfituesit e kësaj ndihme.

Por, duke ndaluar ndihmat USAID, Trump ka paralizuar gjithashtu një sistem shumë më të madh që synonte të nxiste rritjen ekonomike. Shpenzimet për zhvillimin e vendeve të varfra përbëjnë pothuajse tre të katërtat e së gjithë ndihmës së huaj. Me këto ndihma, më së shumti subvencionohen industritë e favorizuara dhe ndërtimi i infrastrukturës dhe rrallëherë paguhen pagat e mësuesve.

Sidoqoftë, në të mirë të një banori të zakonshëm në Malavi, janë shpenzuar më shumë para nga agjencitë ndërkombëtare sesa nga qeveria e vendit, që kur Malavia fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1964.

Gjendja e tanishme e kryeqytetit Lilongwe është një reflektim i ambicieve të ndihmave të jashtme, ndërsa varfëria e vendit në tërësi, pasqyron njëkohësisht edhe dështimet e këtyre ndihmave.

Agjencitë e zhvillimit u krijuan fillimisht për të mbështetur kolonitë e reja të pavarura. I frymëzuar nga Plani Marshall, i cili ndihmoi në rindërtimin e Europës pas luftës, presidenti amerikan John F. Kennedy, krijoi ndihmën USAID në vitin 1961. Ideja ishte se një botë më e pasur do të ishte më miqësore për vendet që financonin rritjen e saj.

Në fillim, ekonomistët i trajtuan vendet e varfra sikur të ishin shtete të pasura të vogla, që thjesht kishin nevojë për disa investime publike shtesë. Disa agjenci të asaj epoke ende po japin para.

Më pas, në vitet pas Luftës së Ftohtë, për marrjen e ndihmave filloi të vihej si kusht kryerja e reformave demokratike, pasi politikanët besonin se sundimtarët autokratë po i mbanin vendet e tyre në varfëri.

Më pas, në fillim të viteve 2000, zhvillimi mori një formë më gjithëpërfshirëse; vëmendja e ndihmave u përqendrua në ndërtimin e kapitalit njerëzor, nëpërmjet përmirësimit të shkollimit dhe kujdesit shëndetësor.

Nga viti 2004 deri në vitin 2014, shpenzimet e ndihmave u rritën me 75%. “Asokohe u rrit besimi”, thotë Stefan Dercon nga Universiteti i Oksfordit, “se kishte ardhur koha kur gjërat do të shkonin mirë”.

Nga viti 2014 deri në 2024, 78 shtetet me ekonomitë më të varfra të botës u rritën më ngadalë se në dekadën deri në vitin 1970, kur nisën ndihmat për herë të parë. Kjo ndoshta nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh gjetjet e studimeve.

Në vitin 2004, William Easterly dhe bashkautorët e tij nga Universiteti i Nju Jorkut zbuluan se nga viti 1970 deri në 1997, ndihma kishte po aq gjasa t’i tkurrte ekonomitë më të varfra në botë, sa t’i ndihmonte ato të rriteshin.

Një vit më vonë, Banka Botërore publikoi një studim prej dy dekadash të ndihmës zhvillimore për vendet e varfra, duke analizuar përfitimet e saj. Studiuesit arritën në përfundimin se grantet dhe huatë nuk e nxitën dot rritjen ekonomike.

Në vitin 2019, FMN-ja arriti në një përfundim të ngjashëm. Siç vë në dukje Charles Kenny nga Qendra për Zhvillimin Global: “Nuk ka asnjë vend që është rritur me të vërtetë nga ndihmat e huaja”.

Çdo lloj shpenzimi për zhvillim ka dështuar në mënyrën e vet. Përpjekjet e hershme ndërtuan shumë ura, që nuk shërbyen për ndonjë gjë të madhe. Në vitin 2005, David Dollar dhe Jakob Svensson në Bankën Botërore, dhe Dani Rodrik në Universitetin e Harvardit, studiuan shpërndarjet e parave të lidhura me reformat politike, dhe nuk mundën të gjenin dot asnjë vend ku ato kishin krijuar politika më të mira.

Udhëheqësit e vendeve të varfra ishin më të shqetësuar për të ruajtur pushtetin dhe shtrembëronin çfarëdolloj këshille që jepnin burokratët, pavarësisht shumës së parave që merrnin.

Ndihma e huaj vetëm sa theksonte prirjet ekzistuese të qeverive, duke përshpejtuar rritjen ekonomike të atyre vendeve që ishin të gatshme të kryenin reforma makroekonomike, dhe duke e ngadalësuar rritjen në ato vende që nuk ishin të gatshme.

Problemi ishte i thjeshtë: nuk kishte asnjë mënyrë për të treguar se cilit grupi i përkiste një vend i caktuar, përpara se të dorëzoheshin paratë e ndihmës.

Nga ana tjetër, shpenzimet shëndetësore kanë pasur disa suksese. Për shembull, trajtimi i HIV-it ndihmoi në përgjysmimin e vdekjeve nga SIDA në dy dekadat deri në vitin 2020. Por kjo nuk ka nxitur rritjen ekonomike të vendeve.

Në mënyrë të ngjashme, studimi nuk ka zbuluar ndonjë rezultat nga ndihma për arsimin fillor.

Në vitin 2015, Axel Dreher në Universitetin Heidelberg dhe Steffen Lohmann në Universitetin Göttingen, analizuan veprimtarinë ekonomike pas ndërtimit të shkollave, banesave sociale dhe projekteve të tjera në një sërë vendndodhjesh, dhe nuk vunë re ndonjë rritje ekonomike.

Nuk kishte mjaftueshëm biznese për të përdorur aftësitë e reja të vendasve. Dhe në vend që të forcojë aftësinë e vendeve për të mundësuar shërbime publike, ndihma shpesh e dobëson atë.

FMN-ja ka zbuluar se rritja e shpenzimeve për zhvillimin e vendeve të varfra, çon në taksa më të ulëta. Vitin e kaluar, Avi Ahuja nga Universiteti i Nju Jorkut, arriti në përfundimin se ndihma sjell sisteme politike më pak konkurruese, pasi pushtetarët i përdorin paratë e ndihmës për të fituar vota.

Kohët e fundit, ekonomistët e zhgënjyer janë mbështetur në studimin e Esther Duflo-s, një fituese të çmimit Nobel, e cila punon në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts. Duflo ka përdorur prova për të studiuar ndikimet e ndihmave.

Ajo ka arritur në një përfundim dëshpërues: nuk ka asnjë arsye pse ajo çka funksionon në një lagje, të funksionojë edhe në pjesën tjetër të një rrethi, e aq më pak në një kontinent tjetër.

Për shembull, në një fshat të Indisë, dhënia e pensioneve për gratë ndikoi që mbesat dhe nipërit e tyre të ishin më të shëndetshëm; në një fshat tjetër, paratë nuk arritën të përmirësonin shëndetin apo të rrisnin konsumin e familjeve.

Zbulimet e zonjës Duflo përputhen me kërkime të tjera. Në Bangladesh, kujdesi shëndetësor falas dëmtoi kujdesin mjekësor privat. Në Afrikë, spitalet e financuara nga ndihmat e huaja, nuk arritën të përvetësonin dot njohuritë nga mjekët amerikanë.

Çfarë fshihet pas këtij dështimi? Organizatat e ndihmës shpesh qortohen për shpërdorim parash në burokraci. Në të vërtetë, ato përballen me një problem më thelbësor: nuk e kanë idenë se si mund të nxisin rritjen ekonomike të këtyre vendeve të varfra.

Teoria e ndihmës perëndimore ka qenë shumë liberale prej dekadash. Zyrtarët shpresojnë të ndërtojnë një sektor privat që mund të eksportojë në tregjet globale, shkolla të afta për të pajisur firmat me punëtorë, dhe infrastrukturë që do të tërheqë investime.

Përfituesit e këtyre ndihmave nxiten nga të huajt që të çmontojnë rregulloret që pengojnë tregjet e lira dhe të kufizojnë shpenzimet e panevojshme. Megjithatë, është e vështirë të shpërndahen shuma të mëdha parash, pa komanduar ekonomitë e vendeve të varfra. Projektet e zhvillimit kryesisht përpiqen të ndërtojnë nga e para industri të tëra, si bujqësia ose peshkimi.

Kushtet e shpërndarjes së parave i përngjajnë një stili sovjetik. Në vitin 2022, një grant i zakonshëm për industrinë e peshkimit të Tanzanisë, i financuar pjesërisht nga Amerika, kërkoi një pesëfishim të prodhimit gjatë 15 viteve të ardhshme.

Shumë probleme janë të ngjashme me ato që mundojnë politikën industriale në vendet e pasura. Në vitin 2015, Lindsay Whitfield dhe bashkautorët e tij nga Shkolla e Biznesit në Kopenhagën analizuan 14 industri afrikane që kishin marrë ndihma financiare.

Ata zbuluan se vetëm dy prej tyre e kishin rritur prodhimin. Zyrtarët perëndimorë të ndihmave shpesh duan të parandalojnë që politikanët vendas, të cilët kontrollojnë industritë vendimtare, të përfitojnë si rezultat i projekteve të tyre.

Kjo do të thotë se ata zgjedhin sektorë të panjohur si përfitues të lehtësimeve tatimore, kredive dhe subvencioneve. Duke qenë se ka pak investitorë të gatshëm për të grumbulluar kapital dhe pak interes nga politikanët vendas, bizneset dështojnë. Vendet që marrin ndihma të huaja kanë krijuar burokraci të tëra të përkushtuara për planifikimin, sigurimin dhe dokumentimin e ndihmës.

Për shembull, Malavia punëson shumë më tepër njerëz për t’u marrë me ndihmën e huaj sesa për të mbikëqyrur tregtinë. Ka një arsye për këtë. Pas 60 vitesh ndihmash, vendet më të varfra në botë mundësojnë shërbime publike shumë më të plota sesa do të ishte e mundur me të ardhurat e tyre tatimore.

Shumë mbështeten në ndihmën e huaj edhe për të mbajtur rezervat valutore të amortizuara, duke rritur standardet e jetesës. “Arsyeja kryesore pse nuk mund të mbijetojmë pa ndihmën e huaj është se këto shuma janë dollarët tanë”, thotë një zyrtar afrikan.

Kjo e bën të vështirë çdo shkurtim të shpenzimeve për zhvillimin e vendeve të varfra, sado joefikase të jenë. Udhëheqësit e këtyre vendeve protestojnë se duhet të zvogëlojnë shpenzimet për klinikat ose shkollat.

Në të vërtetë, politikanët e aftë duhet të punojnë me donatorët, në mënyrë që të vazhdojnë shërbimet dhe t’u shmangen reformave të vështira që ata kërkojnë, për të mos shqetësuar votuesit.

Qeveritë e Egjiptit, Kenias dhe Pakistanit po përjetojnë vështirësi të tilla, ku politikanët ndëshkohen kur nuk arrijnë t’i mbajnë të dyja palët të lumtura. Vitin e kaluar, shpërthyen protesta në Kajro, Najrobi dhe Karachi, kur politikanët pranuan reformat e kërkuara nga grupet e zhvillimit.

Në fund të fundit, mbijetesa e tyre varet nga marrja e ndihmës dhe nga shmangia e atyre politikave që me kalimin e kohës mund të zvogëlojnë varësinë nga ndihma të tilla.

Për më tepër, nuk janë vetëm qeveritë ato që ndikohen nga ndihmat. Në shumë vende, çdo gjë, duke filluar nga sistemi bankar e deri te lejet e importit është krijuar për të përmbushur nevojat e donatorëve. Industritë e reja që nuk favorizohen nga ndihmat e huaja, pothuajse nuk kanë asnjë shans.

Çdo vit, shtetasit më të arsimuar të Malavisë, pasi diplomohen jashtë shtetit, rikthehen në vend, jo për të nisur një biznes, por për të krijuar një qendër bamirësie.

Ata takohen dhe darkojnë me diplomatë nëpër restorantet më të mira të Lilongwe-s.

Shumica e tyre jetojnë shumë larg qendrës së qytetit, në një zonë ku janë vendosur me shumicë agjencitë e ndihmës dhe gëzojnë paga shumë më të larta se ato të disponueshme në sektorin privat.

Në takimet vjetore të OKB-së, Bankës Botërore dhe FMN-së, politikanët e vendeve në zhvillim akuzojnë zyrtarët e ndihmave për mungesë respekti.

Sa më pak të funksionojë ndihma, aq më të rreptë bëhen donatorët, dhe kështu rriten burokracitë e ndihmave.

Vendet e varfra nuk i mirëpresin paratë e gatshme; ata urrejnë kushtet në të cilat këto para mundësohen. Presidenti i Kenias, Uilliam Ruto, dëshiron të marrë para pa kushte të bashkëngjitura, si kompensim për dekada të zhvillimit të dështuar.

Çfarë pritet të ndodhë

Në vend të kësaj, ndihmat e ardhshme kanë të ngjarë të jenë edhe më strategjike dhe më pak të përqendruara në shpëtimin e jetëve.

“Unë vazhdoj të mbështes ndihmën e huaj”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, “por ndihma e huaj nuk është bamirësi. Ajo ka për qëllim t’u shërbejë interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Kjo ka qenë edhe politika e mëparshme e Amerikës (nën drejtimin e Barack Obama-s, agjencia USAID bisedoi marrëveshjet e emigracionit për fuqinë punëtore midis Europës dhe Amerikës Latine, për të ulur trysninë në kufirin e Amerikës) dhe është e vërtetë edhe për vendet e tjera të zhvilluara.

Në vitin 2020, Britania bashkoi agjencinë e saj të zhvillimit me zyrën e jashtme. Kështu, ndihma financiare mund të kthehet në një armë politike. Amerikanët janë të gatshëm të sakrifikojnë shpenzime që sillnin shumë të mira, duke përfshirë vaksinat, kontrollin e sëmundjeve infektive dhe ndërhyrje të tjera.

Në një nga kopshtet publike të qytetit Lilongwe, një burokrat që më parë punonte në zyrën e USAID në Afrikën Lindore, rendit klinikat, shkollat dhe zyrat e shumta qeveritare që tani janë nën kërcënim.

Ideja se klinikat e Malavisë mund të mos rihapen më kurrë është e dhimbshme për punonjësit e ndihmave dhe e pakëndshme për këdo që beson se vendet e pasura kanë një detyrim moral të ndihmojnë të varfrit e botës.

Sidoqoftë, fakti që jeta publike në shumë prej shteteve më të varfra të botës është ndalur për shkak të tekave të zotit Trump, tregon se sa keq funksiononte sistemi i vjetër. / Monitor

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Merz do të verifikojë modelin italian të qendrave të emigrantëve me Shqipërinë
  • SPAK i sekuestroi telefonin ish-kryetarit të Kavajës, Policia: I gjenden fatura, kupona nafte dhe listë zgjedhësish
  • “Jetesa e shëndetshme”, Franca, shumë më e shëndetshme se Amerika, por kujdesi i saj mjekësor me probleme
  • Bobby Solo dhe Marco Zappa në një super koncert në Tiranë, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë
  • Gati 60% e diasporës votoi për PS, socialistët fitore të thellë në Durrës dhe Fier, si u nda vota në qarqet e tjera

Komentet e Fundit

  1. vlonjati në Dështon edhe përpjekja e 17-të për konstituim të Kuvendit
  2. KCK Live ne Surrel në Mbyllet numërimi për Tiranën, Xhaçka i “rrëmben” mandatin Gjylametit me vetëm dy vota
  3. kavajsi në SPAK i sekuestroi telefonin ish-kryetarit të Kavajës, Policia: I gjenden fatura, kupona nafte dhe listë zgjedhësish
  4. edi në Gati 60% e diasporës votoi për PS, socialistët fitore të thellë në Durrës dhe Fier, si u nda vota në qarqet e tjera
  5. Shkodrani-Belgjike në SPAK i sekuestroi telefonin ish-kryetarit të Kavajës, Policia: I gjenden fatura, kupona nafte dhe listë zgjedhësish
Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara

Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?