Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Trajnim pa trajner
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Trajnim pa trajner
Kulture

Trajnim pa trajner

Published: September 29, 2023
Shpërndaje

Prof. Emil Lafe

 

Nga një lajm i transmetuar në RTSH mësuam se Akademia e Trajnimeve pranë këtij institucioni kishte zhvilluar një trajnim për përdorimin korrekt të gjuhës shqipe (mund të shikohet edhe në internet: Akademia e Trajnimit në RTSH). Pjesëmarrësit ishin gazetarë aktivë të mikrofonit e të ekranit. Dy pjesëmarrëse që folën shkurt, theksuan rëndësinë e përdorimit korrekt të gjuhës në radiotelevizion. Sigurisht në këtë seancë trajnimi gazetarët kanë përmendur edhe shembuj përdorimesh jokorrekte që duhen mënjanuar dhe kanë shkëmbyer mendime. Prandaj veprimtari të tilla janë me dobi. Por mua m’u krijua përshtypja se ishte një trajnim pa trajner! Si të thuash, skuadra kishte dalë në fushë për t’u trajnuar vetëm nën drejtimin e lojtarëve më me përvojë. Ndoshta disa prej tyre mund të certifikohen më vonë si “trajnerë” për gjuhën shqipe në radio e televizion nga vetë RTSH, që i ka dhënë vetes një tagër që nuk i takon aspak! Por merret vesh që ky nuk është trajnim si duhet të jetë trajnimi. Unë mendoj që gazetarët tanë duhet të trajnohen së pari për të njohur e për të përdorur programet informatike që janë krijuar për të lehtësuar zbatimin e normës letrare të gjuhës shqipe (shih: gjuhashqipe.com).

- Publicitet -

Në Universitetin e Tiranës ka një degë të gazetarisë ku jepet edhe lënda e gjuhës shqipe për gazetarët. Ka një departament me profesorë të cilësuar që shpjegojnë rregullat e drejtshkrimit e të drejtshqiptimit, po kështu japin njohuri për format gramatikore të fjalëve dhe për ndërtimin e fjalive. Problemet e normës leksikore, veçanërisht qëndrimi ndaj fjalëve të huaja, janë një temë tjetër që trajtohet në lëndët e gjuhës shqipe. Gazetarët tanë i kanë harruar fjalët tërësisht, krejt, krejtësisht, plotësisht, dinë vetëm fjalën totalisht (i shkrumbuar/ i djegur totalisht, i shpopulluar totalisht, i shembur totalisht, totalisht bosh, totalisht në rregull ….); shprehja në këtë sens (italisht in questo senso, anglisht in this sense, frëngjisht dans ce sens) ka marrë dhenë në diskutimet dhe analizat që ndjekim në televizionet tona dhe kjo shprehje do të thotë thjesht dhe vetëm ‘në këtë kuptim’ ose ‘në këtë vështrim’. Ç’hyn sensi këtu? Të merr malli të dëgjosh ndonjë gazetar a analist të pyesë: cili shkrimtar, cili politikan, cili film, cila dramë, cila skuadër … të gjithë pyesim me kush, megjithëse një pjesë mund ta dinë se kur përdoret kush e kur cili. Trajta e shkurtër u thuajse ka dalë nga përdorimi. Dëgjon vetëm: i drejtohet deputetëve në vend të u drejtohet … Po ashtu vlerat stilistike të fjalëve e të shprehjeve shqipe, që janë një çështje tjetër me rëndësi për punën e gazetarit. Shprehjet shabllone si: “në rrugë ka prezencë akulli ose gurësh a dherash”, “grumbullime resh që do të gjenerojnë shira”, se “gazetarja jonë është pozicionuar (sikur të mos kishte mikrofonin në dorë, po ndonjë armë!) përpara Kuvendit”. Shpërdorime të tilla, bashkë me “agravimin e situatës”, të shkaktojnë shqetësime në zorrët e barkut, siç ka shkruar një koleg imi.

Cilësia e përkthimeve nga gjuhët e huaja është me të meta të rënda. Përkthyes fillestarë e pa elementet themelore të kulturës së përgjithshme emërtimet prisoners of war, prisonniers de guerre, prigionieri di guerra, Kriegsgefangene të gjuhëve të huaja i përkthejnë mekanikisht të burgosurit e luftës në vend të robërit e luftës (pa e vrarë mendjen fare se ç’janë këta persona të burgosur gjatë luftës!); reporter e anglishtes thuhet edhe në shqipe reportér, kur është fjala për një gazetar, kurse zyrtarët e BE që hartojnë raporte (jo reportazhe!) për Shqipërinë quhen raportues. Në kulturën e përgjithshme të gazetarit bën pjesë edhe njohja e emrave të vendeve e të personave, shqiptarë e të huaj. Jul Cezari dhe Neroni në përkthime emisionesh televizive quhen Xhulio Çezar dhe Nero! Kur jepen çmimet Nobel, emrin e themeluesit të tij disa gazetarë e shqiptojnë në rrokjen e parë, e disa të tjerë në rrokjen e dytë (ashtu siç duhet). Fshati i Kukësit në kufi me Kosovën quhet Morin – Morini, pra pika kufitare e Morinit (dhe jo e Morinës – qafa e Morinës ndodhet në rrethin e Tropojës); plazhi i Vunoit quhet Jal – Jali (jo Jala); fshati i Fierit pranë të cilit ndodhet Apolonia quhet Pójan (me theks në rrokjen e parë), por ka edhe një fshat në Korçë me këtë emër, që theksohet në rrokjen e dytë Poján. Emrat e një vargu fshatrash shqiptohen me theks në rrokjen e parë: Búhal (jo Bual), Kúrjan, Kúqar, Páftal, Péshtan, Pískal etj. dhe jo në rrokjen e dytë, siç i dëgjojmë herë-herë nëpër televizione të ndryshme. Shtrembërime të tilla të gjuhës për psikologët janë shfaqje të përtesës mendore. Dhe përtesa mendore është e papajtueshme me profesionin e gazetarit dhe me çdo profesion tjetër. Gazetari duhet ta zgjerojë gjithnjë horizontin kulturor dhe t’i shtojë interesat e kureshtjet në fushën e historisë, gjeografisë, letërsisë e arteve, e të kulturës kombëtare në tërësi. Te ne nuk ka mbetur ndonjë televizion pa këshilla të përditshme se si të gatuajmë, por në asnjë televizion nuk ka ndonjë program, qoftë edhe dhjetë minuta në javë, si të shkruajmë e si të shprehemi shqip!

Gjuha e shtypit është bërë shpesh temë e rëndësishme në konferenca shkencore të organizuara nga universitetet e vendit, nga Akademia e Studimeve Albanologjike, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ka mjaft materiale të botuara në shtypin shkencor dhe të përditshëm me vëzhgime (herë-herë të diskutueshme) për të metat e gjuhës së shtypit dhe mënyrat e përmirësimit të gjendjes. Ka edhe libra të posaçëm për këtë. Por nuk u panë në tryezat e të trajnuarve e të trajnuesve. Trajnimi është në radhë të parë ushtrim, veprim, krijim përvoje e shprehish, jo një seminar vetëm për të dëgjuar e për të mbajtur shënime (në rastin më të mirë) për gjëra ca të njohura e ca të panjohura. Një pjesë e gazetarëve të RTSH mund të krahasohen me muzikantët që nuk ndjekin notat, po u bien veglave sipas veshit të tyre. Dëgjojmë për shembull që një numër jo i vogël prej tyre të shqiptojnë brënda, cënoj, cënim, gjëndje, Kuvëndi, i përmëndur, duke qënë, shëmbull, shtrëmbëroj, vëmëndje, vëndi, zëmërim, zëvëndësim, ndërsa të tjerë, që kanë krijuar shprehinë e shqiptimit korrekt, i shqiptojnë me zanoren e (në vend të ë-së dialektore): brenda, cenoj, cenim, gjendje, Kuvendi, i përmendur, duke qenë, shembull, shtrembëroj, vëmendje, vendi, zemërim, zëvendësim. A u tërheq veshin dikush për këtë të metë? A i detyron kush të ushtrohen ata për ta bërë shprehi të qëndrueshme shqiptimin e drejtë të këtyre fjalëve? Dhe për të vijuar krahasimin po kujtoj se muzikantët dhe sportistët para se të nisin shfaqjen ose lojën bëjnë të ashtuquajturën “nxemje”. A e bëjnë këtë nxemje gazetarët e mikrofonit e të ekranit? Nuk është çështja vetëm të kesh zë radiofonik dhe pamje të përshtatshme. Duhet të dish edhe solfezhin e gjuhës shqipe, shqiptimin e fjalëve sipas stilit të plotë dhe intonacionin. Në një rrëfim për karrierën e tij aktori i njohur Alberto Sordi ka treguar se nuk e pranuan në Akademinë e Teatrit kur konkurroi si djalë i ri. Arsyeja: nuk dinte të shqiptonte guerra (shqiptonte guera)! Punoi një vit për të kapërcyer këtë të metë dhe vitin tjetër e fitoi konkursin! Në radiot dhe televizionet tona, po ashtu edhe në spektaklet, nuk merakoset kush për një r ose për dy rr!

Radioja, e veçanërisht televizioni, ushtrojnë një ndikim të fuqishëm për të përhapur shqiptimin letrar dhe gjuhën e bukur e korrekte. Në Italinë fqinje, ku gëlojnë të folmet vendore edhe më fort se në rastin e shqipes, RAI-t i njihet një meritë e madhe për përhapjen e italishtes letrare dhe të shqiptimit letrar, për të cilin përmendet folësja emblematike Nicoletta Orsomando, e cila qëndroi në ekranet e RAI-t për dyzet vjet (1953-1993). Por televizioni mund të përhapë edhe ndotje gjuhësore, siç është fjala e shëmtuar siguracion (në vend të termit të ligjshëm sigurim: – i makinës, i shtëpisë, i shëndetit, i prodhimit bujqësor …). Po dëgjojmë të thuhet nga shtetarë e shtetare që u vjen më mbarë të shprehen anglisht: tuneli do të jetë i aksesueshëm … ose që çështja do të adresohet…, problem bazik, të dhëna bazike. Në këto raste një gazetar i mirë (duke shprehur edhe keqardhjen për ato që i dëgjojnë veshët) mund të shtojë vetë: pra tuneli do të hapet për qarkullim … çështja do të shqyrtohet … problem themelor, të dhëna bazë). Po dëgjojmë të thuhet shpesh: konferencë për shtyp në vend të konferencë shtypi ose konferencë për shtypin (d.m.th. për gazetarët që përfaqësojnë organet e shtypit – ndërsa për shtyp do të thotë ‘për t’u shtypur’ – është gati për shtyp, është përgatitur për shtyp …); dëgjojmë të thuhet: presidenti i SHBA-ve … në vend që të thuhet emërtimi i plotë (i Shteteve të Bashkuara të Amerikës) ose i SHBA-së (trajta SHBA-ve është një përkthim i shkurtesës SAD të serbishtes Sjedinjene Američke Države – fjalë për fjalë të Bashkuara të Amerikës Shtetet, e cila në serbishte lakohet në numrin shumës, sepse gjymtyra e fundit Države është në numrin shumës).

Shtrohet çështja: A do të kërkojë ndonjë ditë Drejtoria e RTSH dhe Këshilli Drejtues një “audit gjuhësor” prej një institucioni të specializuar e të autorizuar, me qëllim që të njohë realisht gjendjen e përdorimit të gjuhës shqipe në RTSH dhe të marrë masat përkatëse? Dhe në qoftë se vetë RTSH nuk e vë fort ujët në zjarr (siç nuk e ka vënë), a duhet t’i kërkohet kjo nga ndonjë autoritet më i lartë, siç ka qenë në vitet ’80 Komisioni i Përhershëm për Gjuhën Shqipe pranë Këshillit të Ministrave, që merrte në shqyrtim herë pas here gjendjen e përdorimit të gjuhës në shtypin e shkruar dhe në RTSH? Me këtë “trajnim” që u njoftua ditët e fundit, duket se diçka po lëviz. Qoftë për mbarë!

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?