Prof. Nefail Biba
Një nga trashëgimitë e mëdha dhe të hershme të njerëzimit është edukimi i organizuar i shoqërisë njerëzore. Edukimi veterinar bën pjesë në format e hershme të organizuara profesionale për vetë bashkëjetesën e hershme të njeriut me kafshët. Mjafton të kujtojmë këtu nevojën e njeriut për kafshët si ushqim, mbrojtje, punë, lëvizje, etj. Kështu mund të përmendim kalin dhe qenin si dy specie më të hershme të afruara nga njeriu edhe në kushtet më ekstreme të jetesës. Jo rastësisht këto specie janë edhe sot kafshët më të dashura të njeriut. Në fakt nevoja për edukimin veterinar, apo për Mjekun Veterinar, është mjaft e hershme, prandaj dhe mjaft i hershëm është edhe Edukimi i Lartë Veterinar.
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare (FMV) në Shqipëri ka mbushur tashmë 70 vjetorin e themelimit dhe bën bilancin e rrugës së tij në një kohë shumë moderne nga pikpamja e komunikimit dhe informacionit. Në këto 70 vite janë bërë kapërcime teknologjike e shkencore aq të mëdha sa vitet 50të të shekullit të kaluar, kur është themeluar ky fakultet, duken shumë larg, nga pikpamja e zhvillimit, se sa janë në të vërtetë nga pikëpmja e hapësirës kohore. Në këtë kontekst duhen parë me shumë kujdes fillimi, nisja dhe mbrritja, në këtë 70 vjetor, e pasurisë apo trashëgimisë akademike dhe profesionale.
***
Fakulteti e filloi jetën akademike me një staf pedagogësh të ardhur nga fakultete me trashëgimi didaktike shumë solide që mbarte në vetvete jo vetëm kulturën por edhe praktikën/didaktikën/eksperiencën e shumë shkollave të ndryshme veterinare europiane. Ndër këto shkolla vlen të përmendim fakultetet veterinare të Vjenës, Berlinit, Lionit, Torinos, Milanos, St. Petërburgut, Bërnës, Sofjes, Zagrebit, etj. Nga këto shkolla vinin të rinjtë e porsa diplomuar, me rezultate të shkëlqyera, si Vasil Tagari, Metush Luli, Masar Dervishi, Nexhmedin Misiri, Skënder Prifti, Dhimitër Vavako, Stavri Gjollma, Zef Shala, Sejfi Hajderi, Aleko Xoxe, Vasfi Samimi, Vangjel Tereska, Qevqep Kambo, Myslim Selenica etj. Programi mësimor i fakultetit, edhe pse ishte i orientuar nga shkolla ruse, përmbante në mënyrë shumë të spikatur elementët e nevojshëm të formimit të Mjekut Veteriner. Ky program nuk sillte asnjë pengesë për pedagogët e rinj që vinin nga shkolla të ndryshme perëndimore. I vetmi kufizim i programit ishte mos dhënia e hapësirës së nevojshme për patologjitë e kafshëve të shoqërimit.
Në këtë shkrim synoj të nënvizoj disa nga trashëgimitë më të qëndrueshme që kanë karakterizuar jetën akademike të FMV në këto 70 vite, pa marrë përsipër ndonjë analizë të detajuar.
Historia e edukimit të lartë veterinar në botë është shumë e pasur dhe shumë e larmishme në vartësi nga koha, vendi i fillimit, kohëzgjatja, programet, stafi akademik, infrastruktura didaktike e kërkimore, etj. Në të gjitha fakultetet veterinare të botës reputacioni është formësuar nga stafi akademik prandaj dhe sot, ecuria dhe reputacioni i fakulteteve veterinare është i ndryshëm. Në këtë kontekst mund të pohohet qysh në fillim se FMV shumë shpejt, pas themelimit, formësoi reputacionin e tij si një nga fakultetet më të mira të ish Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë, sot UBT, dhe nga shkollat e larta më të mira të vendit.
Fakulteti e nisi jetën me staf, infrastrukturë dhe bazë didaktike, teorike e praktike, mjaft të kufizuar por, me një program teorik shumë të qartë dhe staf akademik shumë entuziast, të përgjegjshëm dhe të apasionuar. Si mësimdhënia ashtu dhe mësimmarrja ishin në harmoni të plotë. Jo rastësisht fakulteti, në më pak se një dekadë, konturoi linjat e Edukimit të Lartë Veterinar në mënyrë të tillë që, studentët e diplomuar, në dy-tre brezat e parë, morën përgjegjësira profesionale për të drejtuar me shumë sukses dhe efikasitet shërbimin veterinar të asaj kohe. Ata formësuan dhe lanë një eksperiencë të atillë në shërbimin veterinar sa që elementë të veçantë ruhen dhe sot.
***
Është e qartë se edukimi i lartë veterinar, si në formë ashtu dhe në përmbajtje, përfshin një sërë elementësh didaktikë që kushtëzojnë vetë formimin e mjekut veteriner. Në 2-3 dekadat e para kanë qenë thelbësore dy elementë: kohë zgjatja e studimeve teorike dhe kohëzgjatja e kontaktit të studentit me kafshën, brenda periudhës së studimeve. Jo rastësisht në kurrikul ka pasur një hapësirë jo të vogël, e ashtuquajtura Praktikë Profesionale, jashtë programit të studimeve në auditor. Në këto dekada studimet zgjatnin jo më pak se 4.5 vjet dhe raporti teori-praktikë ishte gati 1:1, pothuaj në të gjitha disiplinat dhe në mënyrë të veçantë në ato klinike. FMV gjatë gjithë kohës ka qënë një nga fakultetet me kurrikul të qëndrueshëm, dhe pas viteve 90’, janë bërë rregullime bashkëkohore, në përshtatje me ndryshimet e sistemit.
Pavarësisht nga grupimet për arësye menaxhimi, fakulteti ka pasur për 4 dekada të njëjtat lëndë apo grup lëndësh bazë të formimit të përgjithshëm të mjekut veteriner. Kështu mund të numërojmë apo grupojmë: –lëndët e shkencave ekzakte: Kimi (Inorganike, dhe Organike), Fizikë dhe Biologji; -lëndët bazë formuese normale të profesionit si Mjek: Terminologji Mjekësore, Anatomi, Histologji, Fiziologji, Biokimi dhe Mikrobiologji; –lëndët e formimit si patolog: histopatologji, anatomopatologji, fiziopatologji (patologji e përgjithshme, patologji e veçantë); –lëndët e formimit të patologjive të ndryshme klinike: a) patologji me shkakësi nga mikro e makrorganizma (bakteriale, virale e parazitare) -Epizootologjia Veterinare, ku përfshiheshin sëmundjet infektive bakteriale e virale dhe Parazitologjia veterinare që përfshinte parazitologjinë dhe parazitozat në kafshë) dhe b) patologji të tjera organike ose Terapia (patologji të mbarështrimit); –lëndët Riprodhimi kafshëve (Obstetrike dhe Gjinekologjia Veterinare) dhe Kirurgjia Veterinare (e përgjithshme dhe e veçantë) ruajnë vendet e tyre në çdo kurrikul të FMV; –lëndët e parandalimit, mjekimit dhe korigjimit të patologjive të ndryshme: Zoohigjiena dhe Farmakologjia; –lëndët e mbrojtjes së shëndetit publik human: Expertiza Veterinare ose Kontrolli higjienosanitar i produkteve shtazore; –lëndët e formimit Zooteknik: zootekni e përgjithshme, zootekni e veçantë (speciet dhe rracat e bazë të kafshëve bujqësore) dhe Të ushqyerit e kafshëve bujqësore.
Një hapësirë të konsiderueshme zenin në kurrikël lëndët e formimit sociologjik, gjuhët e huaja si dhe Edukimi Fizik.
Në kurrikulën e FMV, për afro katër dekada, kanë qënë lëndët e mësipërme duke variuar kohëzgjatja e studimeve nga 4; 4.5; 4; 4.5 dhe tri dekadat e fundit 5 vite. Sikurse shihet, FMV për një kohë mjaft të gjatë (4 dekada), ka pasur një kurrikul mjaft të ngarkuar dhe me lëndë që nuk ishin në favor të formimit profesional por, studentët përfitonin dhe kompesonin shumë njohuri në kohën e praktikës profesionale e cila zhvillohej e përqëndruar në ekonomi të mëdha, me raste të shumta sëmundjesh të ndryshme si dhe udhëhiqej e kontrollohej nga stafi fakultetit dhe specialistë të shquar të prodhimit, të miratuar nga fakulteti.
Sikurse dihet, procesi i edukimit në nivel universitar, ka dy elementë bazë: –mësimdhënien dhe mësimmarrjen që janë faktorët njerzorë dhe që mbeten parësorë në cilësinë e një shkolle universitare sikurse është rasti ynë. Sa më cilësore të jetë mësimdhënia aqë më cilësore është dhe mësimmarrja, mësimdhënia imponon cilësinë e mësimmarrjes, asnjëherë nuk duhet të ndodhë e kundërta. Në rast se ndodh ky fenomen, shkolla duhet të reformohet nga e para. Sigurisht në këtë process mësimdhënie/mësimmarrje nuk mund të mohohet roli dhe efekti i bazës materiale didaktike e kërkimore, në cilësinë e edukimit.
***
Referuar produktit të nxjerrë dhe brezave të pedagogëve në këto 70 vite, gjykojmë se FMV ka krijuar dhe akumuluar një trashëgimi didaktiko-kërkimore të vlerësueshme në mezin e shkollave të larta universitare të vendit dhe më gjërë.
FMV e ka filluar jetën e vet me një grup pedagogësh cilësorë. Ata ishin të rinj në moshë, të mbushur plot ëndrra dhe energji, të ardhuar nga shkolla veterinare shumë cilësore me rezultate të larta, që e donin profesionin dhe me kulturën e nevojshme të përgjegjshmërisë ndaj punës.
Nuk ishte e rastit që FMV brenda dekadës së parë nxori produkte cilësore dhe u formësua si shkollë e lartë me standarde akademike të vlerësueshme dhe të respektueshme, në një kohë kur vendi ishte shumë i prapambetur. Të diplomuarit e asaj dekade, dhe dy dekadave që pasojnë, sjellin në memorje se fakulteti funksiononte me një rregullsi të admirueshme dhe se mësimi në çdo nivel dhe nga sejcili konsiderohej i shenjtë. Humbja e një ore mësimi konsiderohej si ngjarje e pazakontë e fakultetit. Planet dhe programet mësimore, teorike e praktike, dhe vetë leksionet ishin objekt i vetë lektorit, katedrës dhe strukturave të tjera drejtuese, me synim që të ishin sa më cilësore në shumë plane. Kështu p.sh. leksioni duhet të ishte në përmasa që të plotësonte kohën e planifikuar (atëhere 90’), të bëhej lidhja ndërlëndore por të shmangeshin paralelizmat, të ishte i kapshëm dhe i qartë për studentët, etj. Këto kërkesa ndiqeshin e realizoheshin nëpërmjet një mekanizmi të mirëpranuar, si p.sh. asistimeve të lira reciproke të pedagogëve, asistimeve të planifikuara nga strukturat drejtuese për cilësinë e mësimdhënies, etj. Kjo formë menaxhimi e mësimdhënies ka qënë shumë efikase në rritjen e cilësisë së mësimit. Edhe mësimarrja kontrollohej në mënyrë shumë të rregullt dhe serioze sipas formave e mënyrave të përcaktuara në rregulloren e studimeve dhe, në këtë pikë, ishte e paimagjinueshme marrja e vlerësimit të pamerituar ose nëpërmjet ryshfetit. Ishin vetë studentët që kërkonin përsëritjen e seminarit, kolokiumit apo provimit kur në procesin e kontrollit nuk arrinin vlerësimin e duhur apo të pëlqyer nga pala marrëse.
Një trashëgimi që udhëhiqte kërkimin, publikimin dhe promovimin e gradave dhe titujve ishte serioziteti dhe plotësimi i dy kërkesave të panegociueshme: vlera shkencore dhe interesi praktik. Këto kërkesa diskutoheshin e vlerësoheshin jo vetëm në strukturat didaktike, por sidomos në ato shkencore, të cilat përbëheshin nga një numër relativisht i madh dhe përfshiheshin autoritete akademike e shkencore mjaft të spikatura dhe të zgjedhura sipas kontributeve reale dhe objektive. Në dekadën e tretë fakulteti rinovoi ndjeshëm stafin akademik me prurje nga studentët e vet por që kishin kaluar një periudhë në prodhim si: Haxhi Aliko, Murat Manehasa, Mersin Zeko, Anastas Munguli, Petrit Berberi, Xhelo Sulo, Myzafer Ҫela, Petrit Ahmati, Jorgo Qiqi, etj. Këta ishin studentë të drejtpërdrejtë të pedagogëve të brezit të parë, të themeluesëve të fakultetit. Ky rinovim u zgjerua dhe me një brez tjetër studentësh të mbajtur direkt mbas diplomimit si Bizena Bijo, Luljeta Dhaskali, Burim Ahmetaj, Dashamir Xhaxhiu, Pranvera Ҫabeli, Paskal Gjino, etj. Si prurjet e para ashtu dhe të dytat u integruan natyrshëm dhe fakulteti në dekadën e katërt shënon arritjet më të mira akademike e kërkimore. Ky rinovim cilësor u shpreh në publikime mjaft të arrira në disa fusha të veterinarisë si p.sh. të metabolizmit, të riprodhimit, toksikologjisë, sëmundjeve infektive, kirurgjisë, parazitologjisë, etj.
Fakulteti hyn në dekadën e pestë me kurrikul gati dyzet vjeçar, me një staf të rinovuar por jo plotësisht të stabilizuar dhe me një infrastrukturë jo shumë të plotësuar. Pikërisht në këtë dekadë (1991-2001), për arsye të ndryshimit të sistemit social ekonomik të vendit, dhe me synimin për të përmirësuar programet e edukimit veterinar, fakulteti bën një sërë ndryshimesh në kurrikul. Ndryshimi më sinjifikativ ishte kalimi i edukimit nga grup sëmundjesh në sëmundje të specieve ku zë fill, për herë të parë, futja e edukimit për sëmundjet e kafshëve të shoqërimit, qen e mace, me disiplina më vehte. Ky ndryshim kërkonte më shumë hapsirë kohore, bashkoi disa programe, kërkonte më shumë staf dhe infrastrukturë dhe se vuri në vështirësi edhe stafin ekzistues, që tashmë, një pedagog duhet të zhvillonte më shumë se një grup sëmundjesh.
Pikërisht gjatë aplikimit të këtyre ndryshimeve programore ndodhin ngjarjet e vitit 1997, shkatërrimi fizik i fakultetit dhe universitetit. Kjo situatë rëndohet akoma më tepër me emigrimin e një numri jo të vogël pedagogësh, rrjedhje që vazhdoi edhe disa vite të dekadës që pasoi.
Në këtë situatë stafi ekzistues, edhe në kushte ekstreme, nuk lejoi që drita e fakultetit të fikej. Kështu brenda 2-3 viteve u arrit të rikthehen elementët bazë të procesit mësimor sipas plan/programeve të ndryshuara. Ndaj mendimin se periudha 1997-2002 ka qënë nga periudhat më të vështira të fakultetit dhe fal një numri ta caktuar pedagogësh u ruajtën disa nga standartet bazë të procesit mësimor. Gjithashtu në këtë periudhë, për rivendosjen dhe rritjen e disa treguesëve akademikë, ndihmuan programet e përbashkëta me univeristetin e Berlinit, atë të Barit, programet Tempus dhe Interreg. Falë këtyre programeve u mundësuan kontakte të shumta të stafit pedagogjik me kolegët e fakulteteve homologe, fillimisht Gjermani dhe Itali. Këto kontakte vazhduan dhe më vonë dhe vazhdojnë edhe sot me një numër të madh vendesh dhe duhet pranuar se kanë rritur nivelin cilësor të stafit akademik.
Ajo që duhet theksuar është se, në periudhën e sipër cituar, shtrirë dhe pak më vonë, u cënuan elementë bazë të edukimit universitar, u demotivuan si mësimdhënësit ashtu dhe mësimarrësit, u krijuan mungesa stafi që çuan në rinovime e prurje jo shumë të përshtatshme, në promovime jo cilësore të gradave shkencore e titujve akademikë, etj. Referuar viteve 1960-1990 duhet thënë se, në dy dekadat e fundit (2002-2022), trashëgimia akademike nuk mundi të ruaj plotësisht ato cilësi dhe standarde që karakterizojnë një edukim serioz të lartë veterinar, një fakultet kompetitiv me tregun e punës. Një problem i dukshëm, dhe ndikues i drejpërdrejtë në formimin e studentit si veteriner, mbetet koha e pamjaftueshme e kontaktit të studentit me kafshën.
Ndaj mendimin se, në këto problematika të fakultetit, kanë pasur ndikimin e vet edhe ndryshimet e shpeshta të Ligjit të Arsimit të Lartë ku përgjithësisht i është dhënë përparësi anës sasiore dhe lënies paksa në hije anës cilësore. Si në procesin didaktik ashtu edhe në atë kërkimor, nuk ka pasur mekanizma të qarta për vlerësimin cilësor. Dominon përceptimi dhe ideja se po të mbrosh doktoraturën, nuk është e nevojshme ti nënshtrohesh asnjë testimi didaktik, sepse formimi si pedagog ka përfunduar pikërisht këtu. Mendojmë se këtu ka vënd për të diskutuar dhe duhet ta shohin vetë komunitetet akademike sipas veçorive që kanë.
***
Fakulteti Mjekësisë Veterinare tashmë sapo ka mbushur 70 vite dhe ka një çerek shekulli që operon me kohë zgjatje 5 vjeçare, program edukimi sipas specieve dhe me një numër disiplinash me zgjedhje. Ka një infrastrukturë mjaft të përmirësuar dhe në këto 10 vitet e fundit janë rritur në mënyrë të ndjeshme kontaktet me botën akademike dhe kërkimore të mjaft vendeve, duke u bërë aktivë dhe pjesëmarrës në shumë projekte të natyrave didaktike dhe kërkimore. Mbi këtë bazë, FMV, e parë nga jashtë, aktualisht prezantohet me një kurrikul të pëlqyeshëm, me një program edukimi bashkëkohor, me infrastrukturë që mundëson kërkimin shkencor, me staf përgjithësisht të plotësuar e kualifikuar dhe me një numër publikimesh akademike e shkencore për tu lavdëruar. Por, pavarësisht këtyre arritjeve, shprehim përceptimin dhe opinionin tonë se aktualisht FMV është duke kaluar një farë pasigurie në përmbushjen e standarteve akademike e kërkimore në disa elementë si: -mësimdhënia dhe mësimarrja janë paksa të distancuara nga pikpamja e motivimit të komunikimit midis tyre dhe nuk mundësojnë efektivitetin e duhur; -është akoma e pamjaftueshme koha e aktivizimit individual të studentit në procesin praktik dhe e kontaktit të tij me kafshën;-kërkimi shkencor është akoma i kufizuar dhe cilësisht nuk përligj infrastrukturën aktuale; -mungojnë trguesit apo mekanizmat e vlerësimit cilësor të promovimit të gradave shkencore dhe titujve akademikë. Megjithatë, marrë në konsideratë trashëgiminë akademike të akumuluar në këto 70 vite, kurrikulën përgjithësisht të stabilizuar, infrastrukturën gjithnjë në përmirësim, burimet njerzore në kualifikim e sipër, afrimin me biznesin blegtoral, shtimi i kontakteve me botën e jashtme akademike dhe shkencore si dhe rritja e aftësive publikuese, etj, bëjnë të mundur që FMV, me pak përkushtim, të plotësojë standarted e Edukimit të Lartë Veterinar.