Presidenti Donald Trump ka paraqitur detaje të reja të planit të tij ambicioz për një sistem mbrojtës nga raketat, të quajtur “Kupola e Artë”, me vlerë miliarda dollarë, për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga sulmet e huaja.
Ai theksoi se ky projekt duhet të përfundojë para se të largohet nga detyra.
“Do ta kemi përfunduar brenda tre vjetësh”, tha Trump për gazetarët, ndërsa prezantonte planin të martën në Zyrën Ovale. “Pasi të ndërtohet plotësisht, Kupola e Artë do të jetë e aftë të kapë raketat, edhe nëse ato lëshohen nga anët e tjera të botës”, tha ai.
Kontraktorë të profilit të lartë të mbrojtjes dhe kompani teknologjike – përfshirë SpaceX të Elon Musk – tashmë po konkurrojnë për ndërtimin e mburojës, duke i bërë propozime drejtpërdrejt Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Megjithatë, ekspertë të sigurisë kanë shprehur skepticizëm për afatin kohor, koston dhe fizibilitetin e projektit, Administrata amerikane nuk ka dhënë ende detaje të qarta mbi zhvillimin teknik të mburojës, e cila merr frymëzim nga “Kupola e Hekurt” e Izraelit.
Edhe pse ende nuk dihet se si do të duket saktësisht e ashtuquajtura “Kupola e Artë”, ekspertët vënë në dukje ndryshimet e mëdha në shkallë dhe fushëveprim. Kupola e Hekurt mbron zona të populluara kundër kërcënimeve me rreze të shkurtër në një vend me përmasat e New Jersey-t; ndërsa Trump kërkon një sistem hapësinor për të mbrojtur të gjithë territorin amerikan, nga raketat balistike dhe ato hipersonike.
Trump tha se projekti do të kushtojë rreth 175 miliardë dollarë, dhe se do të drejtohet nga gjenerali Michael A. Guetlein, zëvendësshef i operacioneve hapësinore në Forcën Hapësinore të SHBA-së.
Nga kjo shumë, 25 miliardë dollarë do të vijnë nga shkurtimet në shpenzime dhe nga projektligji i ri fiskal që presidenti po i kërkon republikanëve të miratojnë.
Sipas tij, edhe Kanadaja ka shprehur interes për t’u bërë pjesë e projektit. Në një deklaratë për Reuters, zyra e kryeministrit kanadez Mark Carney konfirmoi se janë në diskutime me autoritetet amerikane për forcimin e NORAD-it dhe përfshirjen në “Kupolën e Artë”.
Më herët gjatë majit, Pentagoni i paraqiti Shtëpisë së Bardhë tre opsione për zhvillimin e sistemit – të vogël, të mesëm dhe të madh – por Trump nuk specifikoi cilin kishte zgjedhur. Ai u shpreh se është miratuar tashmë një “arkitekturë për këtë sistem të teknologjisë së fundit”.
“Departamenti i Mbrojtjes ka zhvilluar një draft arkitekture dhe një plan zbatimi për një sistem ‘Kupolë e Artë’, që do të mbrojë SHBA-në nga një gamë e gjerë kërcënimesh globale me raketa,” tha zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell në një deklaratë për CNN.
Sidoqoftë, vlerësimet e administratës për kohën dhe koston bien ndesh me ato të disa zyrtarëve ushtarakë. Nënadmirali në pension Mark Montgomery i tha CNN-it se krijimi i një sistemi të tillë mund të jetë i mundur brenda 7 deri në 10 vjetësh, po dhe atëherë, do të ketë kufizime të mëdha – duke mbrojtur vetëm objektet federale dhe qytetet kryesore. Ekspertë të tjerë thonë se kostoja reale mund të arrijë disa qindra miliarda dollarë, dhe vlerësimi i saktë është pothuajse i pamundur.
SHBA-të kanë diskutuar ndërtimin e një mburoje raketore prej dekadash, por teknologjia dhe kostot e larta e kanë bërë të parealizueshëm deri tani. Një raport i fundit i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes paralajmëronte se SHBA-të përballen me rrezik në rritje nga Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat mund të përdorin raketa balistike, raketa hipersonike, raketa lundrimi dhe bombardues me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin amerikan.
Ndërtimi i Kupolës së Artë do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë mes shumë agjencive qeveritare dhe kontraktorëve privatë.
Projekti pritet të jetë tejet i kushtueshëm. Vetëm për vitin e ardhshëm janë parashikuar 25 miliardë dollarë, ndërsa Zyra e Buxhetit të Kongresit ka vlerësuar se mbi një periudhë 20-vjeçare, kostoja mund të kalojë 500 miliardë dollarë.
Ky projekt gjithashtu përbën një mundësi fitimprurëse për sektorin privat, pasi qeveria nuk do të jetë në gjendje ta realizojë vetë.
j.l./ dita