Nikoll Radaçi, drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin fatal me dy fëmijë të vdekur dhe një tjetër të plagosur rëndë, doli sot para gjykatës.
Gjykata vendosi të lërë në burg autorin e aksidentit tragjik.
Ai është shfaqur i qetë pas kafazit të xhamtë, duke mos thënë asnjë fjalë, ndërsa familja e ka braktisur atë në këtë seancë.
Familjarët nuk kanë pranuar që t’i marrin avokat, duke iu caktuar kështu avokat nga shteti.
Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e 4 majit në lagjen nr.15 të Durrësit. 3 fëmijë ishin duke luajtur me top në trotuar kur 57-vjeçari në gjendje të dehur, humbi kontrollin e mjetit dhe mori para të miturit, duke lënë të vdekur 2 prej tyre.
Dy prej tyre, E. M., 12 vjeç dhe K. N., 10 vjeç ndërruan jetë, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeç, arriti të mbijetojë, por me plagë të rënda. Kujtojmë e shoferi ishte raportuar disa herë në polici nga banorët e zonës, ndërsa ishte gjobitur dhe nga Rrugorja për shkelje të rregullave të sigurisë.
Ngjarja në fjalë ka sjellë reagime të opinionit publik, si dhe përplasje të mëdha mes opozitës dhe mazhorancës. Dje në Kuvend u kërkua forcim i Kodit Rrugor.
Në deklarimin e tij, Nikoll Radaçi ka përshkruar veprimet përpara se të aksidentonte për vdekje dy fëmijët e mitur në Durrës. Ai thotë se ka devijuar për të shmangur një automjet që doli papritur nga një rrugicë lagjeje dhe përfundoi mbi trotuarin ku ndodheshin fëmijët.
Radaçi thotë se s’ka mundur të ndalojë dhe ka shkuar disa metra përpara. Aty u ka kërkuar punonjësve të një dyqani të njoftojnë policinë dhe ka pritur derisa është shoqëruar nga blutë.
“Rreth orës 14.00 kam dalë nga shtëpia bashkë me mjetin me targa AB 909 PC dhe do të shkoja të merrja një vegël pune tek një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani derisa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, thotë ai.
57-vjeçari akuzohet edhe për “largim nga vendi i aksidentit” dhe “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt.”
Në pyetje-përgjigjet me oficerin e Policisë Gjyqësore, ai thotë se nuk kujton detaje lidhur me automjetin tjetër dhe as nuk i njeh fëmijët.
“Kam qenë me rreth 30 km/h”, ka thënë Radaçi kur është pyetur për shpejtësinë me të cilën po qarkullonte. Lidhur me rezultatin e testeve të alkoolit, pranon se ka konsumuar.
“Përpara se të drejtoja automjetin, unë kam pirë një birrë në mëngjes”, është shprehur ai, pa shtuar detaje të mëtejshme.
Sipas dokumenteve, Nikoll Radaçi, i lindur në Mirditë dhe me banim në Durrës, ka arsim 7-vjeçar.
j.l./ dita

Kuptova, è qarte:–Sipas dokumenteve, Nikoll Radaçi, i lindur në Mirditë dhe me banim në Durrës, ka arsim 7-vjeçar.