Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë duke ushtruar kontrolle në disa ambiente në qytetin bregdetar të Sarandës, duke përshirë shtëpinë e zëvendëskryetarit të Bashkisë Sarandë, Elton Dauti, dhe zyrën e tij.
Gjithashtu, janë ushtruar kontrolle dhe në ambientet e kompanisë “Eco Taxi”, e cila është në pronësi të ortakëve Kostandin Papa dhe Elton Dauti.
Deri tani, nuk ka një informacion zyrtar se cilat janë arsyet e këtyre kontrolleve dhe bastisjet në ambiente banimi e biznesi, por paraprakisht dyshimet bien mbi një leje të dhënë nga ish-ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, për trenat turistikë në Syrin e Kaltër.
Byroja Kombëtare e Hetimit po shqyrton procedurat që kanë paraprirë dhënien e lejes, dokumentacionin e paraqitur dhe kushtet në të cilat është autorizuar operimi i trenave turistikë në këtë destinacion turistik.
Në kushte të tilla, dyshohet se Prokuroria e Posaçme mund të ketë zbuluar elementë të favorizimit të një operatori të caktuar apo përfitime të tërthorta për familjarët e personave që mëngjesin e kësaj të enjte janë bërë subjekt i kontrolleve.
Verifikimet synojnë të sqarojnë procedurat e ndjekura për dhënien e lejes dhe dokumentacionin mbi të cilin është mbështetur miratimi i saj.
Deri tani nuk janë publikuar hollësi për dokumentet apo materialet që mund të jenë marrë gjatë kontrolleve. Gjithashtu, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim publik nga nënkryetari i bashkisë Sarandë Elton Dauti.
j.l./ dita
