Dr. Dorian Koçi
Botuar në DITA
Në fund të shekullit të XVIII, gadishulli i Ballkanit ishte më pak i njohur në Evropë se kolonitë e saj në botë. Kjo mosnjohje reflektohej direkt në librat e gjeografisë, ku këto territore quheshin thjesht provinca evropiane të Turqisë dhe për emërtimin e lumenjve dhe maleve të tyre përdorej ende onomastika e vjetër Greko-Latine.
Megjithëse lëvizjet filozofike kulturore të Iluminizmit dhe Klasicizmit kishin zgjuar interesin e publikut evropian, për Greqinë si vendin ku kishte lindur qytetërimi i lashtë nuk ishte ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të zbuluar e eksploruar këtë vend dhe rajonin më gjerë rreth tij.
Kjo gjë natyrisht nuk kish ardhur si pasojë e indiferentizmit të Evropës ndaj Ballkanit apo për më tepër si një mohim i së kaluarës evropiane të këtij rajoni, por ishte një pasqyrim i drejtë për së drejtë i situatës politike administrative, që ekzistonte në rajon midis Fuqive Evropiane dhe Perandorisë Otomane. Këto rajone për më tepër se tre shekuj ishin pjesë përbërëse e Perandorisë Otomane, e cila deri atëherë ishte “trajtuar si një njësi e vetme në Evropë dhe në Azi.”[1]1.
Për më tepër për një kohë të gjatë rajoni kishte qenë një shesh beteje midis Perandorisë së Hasburgëve dhe Perandorisë Otomane gjë që e kishte vështirësuar shumë udhëtimin, njohjen dhe eksplorimin e këtyre viseve.
Mbarimi i luftërave Austro-Turke më 1689 dhe nënshkrimi i traktateve të paqes fill pas tyre sollën jo vetëm shmangien e një pushtimi të përhershëm të Evropës nëpërmjet ekskursioneve të vazhdueshme otomane, por promovuan një periudhë relativisht paqësore midis Portës së Lartë dhe fuqive evropiane.
Një shekull më vonë, viti 1789 shënon një ngjarje të rëndësishme për historinë e vet Evropës. Triumfi i Revolucionit Francez më 1789 dhe fushatat e mëvonshme të Napoelon Bonapartit në fillim në Itali, në 1796, e dy vjet më vonë në Egjipt në 1798, ndryshuan thelbësisht botën mesdhetare dhe Lindjen e Afërme, me të cilat rajoni i Ballkanit ishte fqinj.
Vetëm disa vjet më vonë pas triumfit të Revolucionit Francez më 1797, Franca nëpërmjet traktatit të Campo-Formio aneksoi ishujt Jonianë nga Venediku.[2] Kjo fqinjësi e papritur me viset e Ballkanit pati një efekt të dyfishtë në zhvillimin e ngjarjeve politiko, shoqërore dhe kulturore të këtyre viseve. Në fillim në ishujt Jonianë dhe më pas në territoret afër tyre fillojnë të infiltrojë nacionalizmi dhe idetë e formimit të shtetit-komb të Revolucionit Francez.
Koncepte dhe fjalë të reja si “republikë”, “kushtetutë”, “të drejtat e njeriut” filluan të zënë rrënjë në fjalorin dhe mendimin politik të rajonit. Ky moment korrespondon me periudhën kur këto territore marrin një rëndësi jetësore për shtetet evropiane në zgjerim.[3]
Franca dhe më vonë Anglia dhe Rusia e gjetën veten shumë shpejt në “aktorë” dhe “faktorë” të rëndësishëm politikë, kulturorë dhe socialë në teatrin diplomatik të këtyre viseve. Kjo prani evropiane dhe rinjohje e këtyre viseve u përforcua më tepër nga një fenomen i ri-udhëtimi. Në fillim të shekullit XIX, udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të perandorisë Otomane u bënë të modës.[4]
Ky kontakt i drejtë për së drejtë solli jo vetëm njohjen e rajonit më në detaje, por inspiroi dhe lëvizje të fuqishme në mendimin evropian siç ishin Filohelenizmi dhe krijimi i adhurimit të kultit për Orientin të romantikëve në letërsitë evropiane.
E njëjta prirje mund të vërehet në ndërthurjen e veçantë mes turkofilisë e sllavofobisë, së bashku me fenomenin refleksiv të turkofobisë (apo më mirë islamofobisë) dhe filosllavizmit[5] në mendimin politik evropian si rezultat i përzierjes së udhëtimeve diplomatiko-turistike dhe interesave të Fuqive të Mëdha në rajon. Si rezultat, kjo përqasje e re e Evropës, që zuri fill me udhëtimet “theu karakterin e njësuar të botës orientale.”[6] dhe krijoi premisat për “rizbulimin” e Ballkanit.
Ky “rizbulim” shkon hap pas hapi dhe me ndryshimin e emërtimeve të këtyre viseve, nga provinca evropiane të Turqisë në fillim të shekullit, në Lindjen e Afërme në mes të shekullit për të fituar emrin Ballkan në fillim të shekullit XX. Përdorim termin “rizbulim” pasi këto vise si pjesë përbërëse e ish perandorive romake dhe asaj bizantine më vonë ekzistonin në memorien kolektive të Evropës dhe në historiografinë e saj në formën e emërtesave të provincave romake dhe temave bizantine.
Nëse e postulojmë “zbulimin” e Ballkanit në një moment historik relativisht mjaft të vonë kjo nuk do të thotë se dëshmitë dhe përshkrimet e udhëtarëve kanë qenë dukuri që u shfaq vetëm mbas shekullit XVIII. Shumë nga dëshmitë e mëparshme, sidomos nga ato që janë hartuar nga vrojtues politikë, nga oficerë të shërbimeve sekrete e nga diplomatët kanë qenë shpesh herë fryt i vështrimeve më të mprehta dhe më të informuara se disa nga dëshmitë e udhëtarëve të mëvonshëm.[7]
Por nëse cilësia e këtyre dëshmive të lëna është relative askush nuk mund ta vërë në dyshim se pas publikimit të këtyre shënimeve dhe mbresave nga udhëtimet në Ballkan fillon njohja e vërtetë dhe perceptimi i Ballkanit jo vetëm si një identitet i veçantë gjeografik, por dhe si kulturor me mozaikun e pashoq të kulturave, popujve dhe besimeve fetare të tij. Influenca dhe impakti i këtyre ditarëve të udhëtimit, veprave apo epistolarëve të ndryshëm kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për të analizuar letërsinë shumë prodhimtare të udhëtimit, që me të drejtë studiuesja Vesna Goldsworthy e quan “një mënyrë sipas së cilës një nga kombet më të fuqishëm në botë (Britanikët) shfrytëzuan burimet dhe kulturën e Ballkanit për të furnizuar me lëndë të parë industrinë e tyre të letërsisë dhe të zbavitjes”[8] në shekullin XIX, por dhe për të eksploruar perceptimin dhe shkallën e njohjes të Ballkanit në Evropë.
Duke qenë se për më shumë se katër shekuj Ballkani ka qenë një pjesë përbërëse e perandorisë otomane, që nga botimi i veprës “Orientalism” (1978) nga studiuesi Edward Said, një pjesë e studiuesve e kanë përshtatur diskursin e Orientalizmit në studimet ballkanike. Kjo përpjekje është më shumë e dukshme në raportet dhe marrëdhëniet e Ballkanit me Evropën, si dhe në studimin e veprave e të ditarëve të udhëtarëve evropianë për Ballkanin. Gjithsesi kjo përqasje fill pas botimit të “Imagining Balkans” (1998) nga studiuesja Maria Todorova ka filluar të humbasë terren dhe më tepër sot studiuesit bien dakord, që perceptimi dhe njohja e Ballkanit në Evropë të analizohet nën spektrin e “Ballkanizmit”, i cili ka huazuar nga diskursi i Orientalizmit eksplorimin e mënyrave sesi kolonializmi ishte më tepër një mendësi perceptimi kulturor, sesa një dominim politik dhe ekonomik i Perëndimit ndaj Ballkanit.[9]
Pra në rastin e Greqisë bëhet fjalë më tepër për një kolonializëm kulturor, që hera herës shoqërohej nga një ndjenjë e fortë epërsie kulturore. Epërsi si ndaj grekëve, të cilët edhe pse rridhnin nga helenët e lashtë shikoheshin si hije mjerane të tyre (por edhe popullsive të tjera të Ballkanit) edhe ndaj otomanëve gardianëve të tyre oriental despotikë.[10]
Me fjalë të tjera udhëtimi mund të shihet si shprehje e një forme të ndryshme kolonializmi, në të cilin historia dhe ideologjia dhe jo territori i një vendi pretendoheshin, që pushtoheshin dhe aneksoheshin.[11]
Kurse përsa i përket zgjerimit të njohjes së Ballkanit dhe me vendet e tjera të tij, udhëtimi ndryshon formën e vet “koloniale” duke pasqyruar mbështetjen e politikës së Britanisë ndaj Çështjes Lindore, e cila në mesin e shekullit XIX ishte mbrojtja e Ballkanit ndaj imperializmit rus.[12]
Për më tepër udhëtimi u bë burim i një literature të pasur ku Evropa Jug-Lindore në imagjinatën gjeografike britanike u pasqyrua si një zonë periferike barbarizmi dhe konflikti.[13]
Territoret shqiptare, që përbënin një pjesë të konsiderueshme të Ballkanit, u bënë nga trojet e para të cilat u vizituan dhe u njohën gjerësisht jo vetëm nëpërmjet veprave letrare të Byron-it dhe shënimeve të udhëtimit të bashkudhëtarit të tij John Cam Hobhouse siç besohet shpesh pasi “Child Harold ”, Kënga e II (1812) dhe “A Journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia to Constantinople during the years 1809-1810” (1813) ishin të parat që panë dritën e botimit, por për politikën angleze ato u bënë të paktën të paktën 7 vjet më parë nëpërmjet raporteve diplomatike të udhëtarit dhe diplomatit të parë anglez në Shqipëri William Martin Leake (1777-1860).
Për publikun e atëhershëm britanik ashtu siç shkruante studiuesi Eduard Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake” (1807), “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës”[14] ndaj vepra e këtyre udhëtarëve të huaj kanë një rëndësi të veçantë për njohjen dhe perceptimin e këtij publiku ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Bibliografi:
- Afrim Q. Karagjozi, Byron in English and in Albanian, Scanderbeg Books, Tiranë, 2010.
- Andre Hammond, The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914, The Slavonic and East European Review, Vol.82, No.3 (Jul.,2004).
- Barbara Jelavich, The British Traveller in the Balkans: The Abuses of Ottoman Admistration in the Slavonic Provinces, The Slavonic and East European Review.Vol.33,No.81(Jun.,1955
- Charles&Barbara Jelavich, Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920, Dituria,Tiranë, 2004.
- Helen Angelomatis-Tsougarakis, The eve of the Greek revival, Routledge London and New York, 1990.
- Katherine E Flemming, Bonaparti Mysliman, Dituria Tiranë, 2002.
- Maria Todorova, Ballkani imagjinar, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë 2004.
[1] Për më tepër Maria Todorova, Ballkani imagjinar, Instituti i Dialogut &Komunikimit, Tiranë, 2004, faqe 98.
[2] Charles&Barbara Jelavich, Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920, Dituria,Tiranë, 2004, faqe 30.
[3] -Charles&Barbara Jelavich, Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920, Dituria,Tiranë, 2004, faqe 30.
[4] Helen Angelomatis-Tsougarakis, The eve of the Greek revival, Routledge London and New York, 1990, page 1.
[5] -Maria Todorova, Ballkani imagjinar, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë 2004, faqe 9
[6] -Po aty, faqe 98
[7] Maria Todorova, Ballkani imagjinar, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë 2004, faqe 100.
[8] -Katherine E. Fleming, Orientalism, the Balkans, and Balkan Historiography, The American Historical Review, Vol.105.No.4 (October 2000), faqe 1221.
[9] -Katherine E. Fleming, Orientalism, the Balkans, and Balkan Historiography, The American Historical Review, Vol.105.No.4 (October 2000), faqe 1223.
[10] Katherine E Flemming, Bonaparti Mysliman, Dituria Tiranë, 2002, faqe 21.
[11] Po aty, faqe 25.
[12] Barbara Jelavich, The British Traveller in the Balkans: The Abuses of Ottoman Admistration in the Slavonic Provinces, The Slavonic and East European Review.Vol.33,No.81(Jun.,1955), faqe 396.
[13] Andre Hammond, The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914, The Slavonic and East European Review, Vol.82, No.3 (Jul.,2004) faqe 602
[14] Afrim Q. Karagjozi, Byron in English and in Albanian, Scanderbeg Books, Tiranë, 2010, faqe 10

Osmanllinj elhamdullillah, jo bythlepiresa si keta shkerdhatat.
E pergezoj autorin e shkrimit!
Kam edhe këto mendime:
1. Autorët e huaj kanë shkruar gjatë udhëtimeve në Ballkan për popullin ilir, si populli më i lashtë i Ballkanit dhe Europës. Në fillim të shekullit XIX kanë bërë udhëtime dhe kanë shkruar çifti Pitardë, zviceranë, Helenë Pitardë shkrimtare e publiciste dhe Eugen Pitardë antrapologë, që ka shkruar për racat në vendet e lindjes dhe karakteristikat e veçanta të racës iliriane nga ato të popullsive të tjera.
2.Gadishulli i Ballkanit, ka qenë quajtur Gadishulli Ilirik ku ishte i populluar vetëm nga popullsia ilire në lashtësi, më vonë Gadishulli Skënderbe dhe në
fund Europa e emërtoi Gadishulli Ballkanik. Ndryshimi i emêrtimeve në kohët e vona, siç ka ndodhur në viset shqiptare nga sllavët e grekët, vështirëson studimet, për të përshkruar vazhdimësinë e kulturave të popujve nga lashtësia e më vonë.
Tefta Cami
Ti Arben je Olsi Jazexhiu.
Ne gjithe kete Raport o Koci,,ke nje shprehje te qelluar:Imagjinata gjeografike Britanike.Do te shtoja edhe imagjinaten ethno-historike.Ndarja e Trojeve te Ballkanit nga fuqite e Medha,u krye mbi rrapsodite romantike grekofyle te Bajronit dhe Hobhouzit ,nga rrapsodite sllavofyle te Njegoshes dhe Karaxhiqit, kurse raportet realiste nga terreni te Diplomatit Martin Leak dhe Historianit ,Jakob Falmeraier sherbyen per te mbushur raftet e Arkivave,,sepse as Qeverritaret i moren parasysh, as populli nuk i mesoi,,as ka per ti njohur ndonjehere.
Por edhe populli viktime i Romantizmit historik dhe gjeografik(populli shqiptar),,vazhdon te adhuroje degjeneraten romantike Byron,nje qelbesire,sakat dhe pervers,qe mbi kufomat e shqiptareve ngriti pirgjet e shtetit fals grek.Ky nguli thiken persedyti mbi kufomen e Marko Bocarit,,per ta bere kurban mbi rrasat e zeza te kishes greke .Qe atehere shteti grek qendron mbi themele te genjeshtra.
E njejta gjendje fatkeqesisht nder shekuj na denon ne shqiptaret..Nuk mjaftojne rrapsodet politike Borrel,Lajcak,Hill,Escobar,qe nga pozita sllavofyle helmojne Vendimmarresit Evropjane per te drejtat dhe lirite e serbeve ne Kosove,por atyre ju ka shtuar edhe nje Paravuuu extraPlanetar,Repist,Starring,edvin rama,qe po e rendion akoma me shume presionin mbi popullin e shumevuajtur te Kosoves Martyre.
Ti komentuesi Arben je Olsi Jazexhiu.
Faleminderit Dr.Dorian Koci, Intelektual Atdhetar me Njohje dhe publikime per Camerine Martire