Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar gjatë ditës së sotme, udhëzimin me procedurat e konkurrimit dhe regjistrimit për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike dhe ato private gjatë vitit të ri akademik 2023-2024.
Ndryshe nga sa ka ndodhur një vit më parë, MAS ka vendosur që kësaj here aplikimi me 10 preferenca do të bëhet vetëm në dy raunde, çka do të thotë se nuk do të ketë një formular A3. Dikasteri i arsimit ka përcaktuar më tej se çfarë do të ndodhë me pranimet pas mbylljes së raundit të dytë, e veçanërisht me degët në të cilat numri i studentëve të regjistruar do të jetë i ulët.
Konkurrimi me 10 preferenca vetëm në 2 Raunde
Të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e shkollës së mesme, dhe që plotësojnë kriterin e mesatares minimale të konkurrimit, do të mund të nisin në korrik aplikimin për kuotat e pranimit që do të plotësohen në raundin e parë . Në formularin A2 maturantët do të listojnë 10 degët më të preferuara.
Mbetet i njëjtë edhe për këtë vit, procesi që do të ndiqet për regjistrimin e fituesve që do të dalin nga raundi i parë. Procedura e regjistrimit të fituesve të këtij raundi do të zhvillohet në 7 faza 48-orëshe. Çka do të thotë se vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar.
Ndërsa aplikimet për raundin e dytë do të zhvillohen gjatë muajit shtator. Konkurrimi në këtë raund, do të zhvillohet vetëm për kuotat e mbetura të paplotësuara në çdo program studimi. Kështu maturantët dhe kandidatët e tjerë do të mund të plotësojnë formularin me dhjetë preferenca, duke u bazuar vetëm në vendet e lira të raportuara nga çdo strukturë e arsimit të lartë në vend. Regjistrimet për fituesit në raundin e dytë do të zhvillohen në 5 faza 48-orëshe, sikundër ndodh edhe në pranimet e raundit të parë.
Çfarë do të ndodhë pas Raundit të dytë?
“Pas përfundimit të Raundit të dytë, universitetet brenda 5 ditësh duhet të përcaktojnë me vendim të Senatit Akademik, programet e studimit që nuk do të aktivizohen gjatë vitit të ri akademik për shkak se nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve të regjistruar për hapjen e tyre. Vendimi i njoftohet MAS, QSHA-së, si dhe studentëve që janë regjistruar në to. Më pas sekretaritë mësimore do të kryejnë çregjistrimet e studentëve të këtyre degëve.
Kandidatët e çregjistruar, si dhe ata që janë pjesë e portalit “u-albania” që rezultojnë të paregjistruar në një program studimi, kanë të drejtën e regjistrimit në degët ku do të ketë kuota të lira, pavarësisht aplikimeve të bëra në dy raundet e mëparshme. Regjistrime, të cilat do të bëhen mbi bazën e notës mesatare sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, dhe kritereve të tjera shtesë të përcaktuara nga vetë universitetet. \DITA\
p.k\dita
