Procesi i regjistrimit të fituesve të Raundit të parë tashmë po vijon në të gjitha strukturat publike dhe private të arsimit të lartë në vend. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se lista e fituesve të përzgjedhur në këtë raund, do të ndryshojë disa herë, po aq sa është edhe numri i fazave të përcaktuara për regjistrimet.
Kështu, çdo kandidat që është pjesë e listave duhet të kontrollojë me kujdes në mbyllje të secilës fazë regjistrimi shanset që ka për të qenë fitues, teksa më pas do të duhet të regjistrohet brenda afatit të përcaktuar.
Lista e fituesve mund të shihet në çdo kohë online në portalin www.ualbania.al , ku fillimisht duhet të klikoni në rubrikën “Këndi i maturantit”, dhe pasi të hapet faqja përkatëse duhet të vendosni numrin tuaj të identifikimit dhe në vijim do të shpallet lista me të gjitha preferencat e përzgjedhura nga ju për vijimin e garës së studimeve të larta përgjatë raundit të parë, së bashku me ngjyrën përkatëse që tregon nëse jeni fitues në këtë fazë dhe duhet të bëni regjistrimin, nëse keni shanse për të qenë fitues në një fazë të mëpasshme, si dhe kur nuk mund të jeni fitues.
Referuar kësaj ndarjeje, nëse emri juaj është i theksuar me ngjyrën jeshile, kjo tregon se ju jeni fitues në këtë program studimi dhe për të mos e humbur këtë degë duhet që të bëni regjistrimin pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku ndodhet kjo degë brenda 48-orëve. Për të qenë në rregull me këtë proces ju duhet të kontrolloni për saktësinë e programit ku jeni regjistruar në deklaratën që do të firmosni në sekretari gjatë procesit të regjistrimit.
Ndërsa në rastin kur emri juaj është i shënuar me ngjyrë të verdhë, kjo tregon se ju sapo jeni shpallur fitues në atë program, por që duhet të prisni përfundimin e fazës për t’u regjistruar. Në fazën e fundit, ngjyra e verdhë zëvendësohet me ngjyrën jeshile dhe fituesit duhet të regjistrohen brenda 48 orëve.
Për rastet kur emri juaj është i shënuar me ngjyrën e kuqe, kjo tregon që ju nuk keni fituar pasi nuk i keni arritur pikët minimale për të qenë fitues në atë program studimi. Por ju mund të keni një tjetër shans për të qenë fitues në fazat e tjera të regjistrimeve për shkak të ndryshimeve mund të pësojë lista e fituesve në secilën fazë pranimi. Për këtë duhet të kontrolloni kolonën e “Klasifikimi në fazën e ardhshme”.
Afatet dhe kushti i regjistrimit si fitues
Faza e parë e regjistrimeve është zhvilluar në datat 29-gusht- 30 shtator. Ndërsa gjatë ditës së sotme do të përfundojë edhe faza e dytë e regjistrimit, çka do të thotë se lista e fituesve do të ndryshojë sërish sipas numrit të kuotave të lira, ndryshimet të cilat duhet që ti shikoni me kujdes, pasi në varësi të tyre do të vijohet me procesin e regjistrimit të fazës së tretë.
Sipas afateve të përcaktuara, faza e tretë e regjistrimit do të zhvillohet në datën 2 dhe 3 shtator. Brenda këtyre dy ditëve të gjithë kandidatët që janë pjesë e listës së fituesve duhet të paraqiten për të bërë regjistrimin me dosjen e dokumenteve të përcaktuara në u-albania.
Kjo procedurë do të vijojë edhe në të gjitha fazat e tjera të regjistrimeve. Konkretisht, regjistrimet e fazës së katërt do të zhvillohen në datat 4 dhe 5 shtator, për të vijuar me regjistrimet e fazës së pestë do të zhvillohen në datën 6 dhe 7 shtator, të fazës së gjashtë në datat 8 dhe 9 shtator. Ndërkohë që në datat 10 dhe 11 shtator do të jetë edhe faza shtatë që është edhe faza e fundit e regjistrimit për fituesit e raundit të parë.
Në dosjen e dokumenteve të regjistrimit do të duhet që të përfshihet: Diploma e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave të noterizuar, fotokopja e kartës së identitetit (ku të shënohet nr. tel, adresa e-mail, ID e Maturës Shtetërore), fotokopja e kartës së identitetit të babait, dy fotografi personale, si dhe kopja e mandat-pagesës së regjistrimit prej 1,600 lekësh të derdhur në një nga pikat e Postës Shqiptare ose bankat e nivelit të dytë.
Aplikanti fitues në Raundin e Parë ka të drejtë që të ndryshojë degën e studimit, për të hyrë sërish në garë për aplikimet e raundit të dytë. Ky kandidat, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër si fitues, ka të drejtë që të çregjistrohet në datat e përcaktuara, për të vijuar sërish aplikimin për kuotat e raundit të dytë që do të zhvillohet gjatë muajit shtator.
Afatet\ Regjistrimi i fituesve do të zhvillohet në 7 faza 48-orëshe
- Faza e parë: 29.08.2023 – 30.08.2023
- Faza e dytë: 31.08.2023 – 01.09.2023
- Faza e tretë: 02.09.2023 – 03.09.2023
- Faza e katërt: 04.09.2023 – 05.09.2023
- Faza e pestë: 06.09.2023 – 07.09.2023
- Faza e gjashtë: 08.09.2023 – 09.09.2023
- Faza e shtatë: 10.09.2023 – 11.09.2023
Si të kontrolloni nëse jeni fitues në secilën fazë:
- Nëse emri juaj është me ngjyrë jeshile, jeni fitues. Duhet të regjistrohesh brenda fazës 48 orëshe, në të kundërt vendi juaj fitues i kalon maturantit tjetër në listën pritëse.
- Në çdo rast, duhet të kontrolloni për saktësinë e programit ku jeni regjistruar në deklaratën që ju do të firmosni në sekretarinë mësimore të fakultetit përkatës.
- Nëse emri juaj është me ngjyrë të verdhë, ju sapo jeni shpallur fitues në atë program, por duhet të prisni përfundimin e fazës për t’u regjistruar.
- Nëse emri juaj është me ngjyrë të kuqe, nuk jeni fitues. Kontrolloni kolonën e “Klasifikimi në fazën e ardhshme”.
p.k\dita
