Ing. Erion Periku
Botuar në DITA
Inxhinieri, si çdokush në shoqëri, është produkt socio-kulturor dhe teknik i ambientit ku rritet, arsimohet dhe (ndër)vepron. Në këtë kontekst, është shumë domethënëse të ceken, qoftë edhe në mënyrë sipërfaqësore institutucionet kryesorë që shenjojnë dhe bëjnë të mundur ushtrimin e profesionin. Institucionet kryesorë në vend që mundësojnë kryerjen e aktivitetit të inxhinierit janë dy: Fakultetet e Inxhinierisë dhe Komisioni i Dhënies së Licencave Profesionale.
Fakulteti i Inxhinierisë ka detyrë parësore të ofrojë dijet e nevojshme për forminin inxhinierik. Këto dije ofrohen në ciklin e parë të studimeve – që rëndom shkruhet bachelor dhe lexohet baçelor – dhe në ciklin e dytë të studimeve.
Cikli i dytë i studimeve është niveli më i ulët i cili mundëson licensimin e inxhinierit. Detyra e vetme e Komisionit të Dhënies së Licencave është verifikimi i cikleve të studimeve dhe i eksperiencës së përftuar pas datës së diplomimit, duke i krahasuar këto me kriteret e rrerullores përkatesë për licensim (VKM Nr. 943, datë 28.12.2016).
Ndonëse detyrat e këtyre institucioneve janë krejt të qarta, është thelbësore të shihet se sa ata i përmbushin, duke marrë për bazë qasjen se “ato që kanë bërë janë garanci për ato që do të bëjnë”.
Sekretariati Teknik (ST) dhe Komisioni i Dhënies së Licencave (KL), si veç e veç si në bashkëpunim, dukshëm, hasin vështirësi teksa kryejnë 2 nga 4 veprimet fillestare te aritmetikës, mbledhjen dhe zbritjen. Për shembull, ligji parasheh që në vitin 2024 me licencë MK mund të pajisen vetëm ata inxhinierë me 15 vite eksperiencë, pra ata që kanë mbaruar studimet jo pas vitit 2009 (2024-15=2009).
Por, në fakt, kjo licencë i është dhënë edhe të diplomuarve shumë vite pas 2009-ës. ST dhe KL, si veç e veç si në bashkëpunim, nuk dinë të lexojnë a të kuptojnë një rresht tekst në gjuhën shqipe. Për shembull, të diplomuarit në profilin e “Infrastrukturës së Transportit” nuk mund të licensohen në kategorinë e projektimit 3.b-1, por KL e bën.Madje, së fundi me të drejtat mbi- a jashtëligjore që i njeh vetes, jep edhe titullin “inxhinier”, nuk besoj, thjesht për sport.
ST dhe KL, si veç e veç si në bashkëpunim, nuk janë të afta as të përditësojnë të dhënat e veta që prej qershorit të 2020-ës, por kanë kurajo befasuese kur vjen puna të thyejnë ligjin. Paçka se 11 individët që KL ka në përbërje me gradat e ofiqet më të larta të mundura në këtë republikë dhe që përfaqësojnë institucionet më të rendesishme ne vend, duke përfshirë Kryeministrinë.
Një tjetër çështje, po ashtu rrjedhojë e cilësisë dhe mendësisë karakterizuese së këtyre institucioneve është edhe numri i licencave. Në faqen zyrtare të ministrisë përkatëse janë publikuar vetëm licencat e shoqerive me aktivitet në zbatim dhe mbikëqyrje-kolaudim. Numri i tyre është plot 2775, por shoqëritë që kryejnë aktivitet në projektim mungon. Duke marrë parasysh se për çdo licencë duhen së paku 2 inxhinierë si drejtuesë teknikë, numri i inxhinierëve që duhen angazhuar vetëm për licencim është rreth 6 mijë.
E meqë Shqipëria nuk i ka në territorin e saj kaq inxhinierë aktivë, licencat profesionale të kompanive masivisht lëshohen mbi dokumenta inxhinierësh mbi moshën 65 vjeçare dhe inxhinierë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë. Gjasat janë se nëse të dhënat statistikore bëhen publike, situata të jetë më e zymtë.
Që çudirave shqiptare me licensimin e inxhinierëve t’i vihet fre, përditësimi i kritereve për licencim është domosdoshmëri. E kjo mund të adresohet disi me Urdhrin Profesional të Inxhinierit (UPI), sigurisht duke bërë ndryshime të thella në propozimin e vonuar dhe jo të mirëstudiuar, ndryshime që, padyshim, duhen filluar nga auditoret.
Më qartë, Urdhri Profesional i Inxhinierit Hidroteknik është një sajesë vendase në përputhje të plotë me sajesën klienteliste dhe monopoliste të departamentit të hidroteknikës, i cili i rrëmben të rinjve shqiptarë së paku tre vite studime. Hidroteknika – veprat ujore në tërësi – është veçse 1 nga 7 fushat kryesorë te inxhinierisë së ndërtimit dhe aspak më e rëndësishme se, fjala bie, gjeoteknika a stuktura.
Si e tillë, nuk ka asnjë arsye që hidroteknika të jetë departament më vete a të ketë urdhër special. Por si ideuesit e Urdhrit si kundërshtarët e tij të zellshëm nuk janë fort të shqetësuar për cilësinë e inxhinierëve dhe të inxhinierisë. Thjesht po kujdesen që të mos pritet dega mbi të cilën janë rehatuar.
Nuk ka diskutim që UPI do të ketë e pasqyrojë shumicën e problematikave që kemi ne si shoqëri dhe si komunitet inxhinierik. Nuk ka diskutim as UPI nuk do të garantojë inxhinieri më cilësore, pasi cilësia e inxhinierit është rezultat i shumë faktorëve, ndër të cilët fakulteti vjen i pari. Nuk ka dyshim që me UPI-n nuk do të eleminohen abuzimet me licencat, por mund të mos ketë abuzimin si kriter kryesor të aktivitetit të vet. UPI nuk do zgjidhë shumëçka, por, së paku, mund të sigurojë një votim demokratik, ku vendos shumica.
Në të njëjtën kohë, UPI mund të shërbejë për disi. Së pari, do të numërohet dhe identifikohet çdo inxhinier që kryen akrivitet në Republikën e Shqipërisë. Numri dhe identifikimi i inxhinierëve aktualë nuk dihet, madje as nga kundërshtarët e zëshëm të UPI-t e as nga ministria përkatëse. Së dyti, do të ketë një organ që në mënyrë të ligjshme dhe brenda kompetencave të veta do të jape titullin “inxhinier”, pasi në Shqipëri, prej më shumë se një dekade, nuk ka ndonjë institucion që të mund ta bëjë ligjërisht këtë. Së treti, do të sigurojë përfshirjen në vendimmarrje të inxhinierëve profesionistë.
Kjo ka rëndësi të veçantë kur merret parasysh se tash tridhjetë vjet të drejtat dhe kufizimet e inxhinierëve vendosen nga një grup njerëzish me kontribut të diskutueshëm dhe anonimë.
Një tjetër e mirë që UPI mund të sjellë është krijimi i një ambienti të përshtashëm dhe cilësor për zbatimin e arsimimit të vazhduar. Si në asnjë prej vendeve me të cilët rrekemi të bashkëjetojmë si të barabartë, veç në Shqipëri nuk ke nevojë të mësosh asgjë pasi merr “kartonin” e diplomës. Së fundi, UPI mund të sigurojë një ndarje më të përshtatshme dhe logjike të kategorive të licencimit.
Fjala bie, mund ta përditësojë rregulloren aktuale, sipas së cilës një inxhinieri që ka licencën – dhe të drejtën – të projektojë një digë betonarme 250 metra të lartë, nuk mundet të projektojë ndërtesën përdhese në krah të digës, që shërben si vendroje a WC.
Nëse UPI realizon kaq, çfarë nuk është kundërshtuar nga askush, do ishte një fillim i mbarë. Do përmirësonte sadopak produktin inxhinierik, do i shërbente dhe vendit. Prandaj UPI mbështetet, si një e keqe e domosdoshme, një mundësi për të dalë nga bataku inxhinierik, projektuar e zbatuar në vite si asnjë vepër tjetër.