Pas një stine të gjatë protestash që kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama po shkon drejt zgjedhjeve lokale të 9 majit 2027 edhe barrën e një konflikti të brendshëm me dy prej ish-benjiaminëve të tij në parti, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali.
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama vendosi shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi politik i Tiranës dhe kërkoi përjashtimin e Spiropalit nga forumet drejtuese të Partisë, ç’ka u formalizua më pas me një votim të kontestuar për përjashtimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Nga pozita dhe rrethana të ndryshme, si Veliaj nga burgu, ashtu edhe Spiropali nga kryesia e Kuvendit po godasin stilin autoritar të Ramës në drejtimin e Partisë Socialiste si dhe rrethin e tij të ministrave dhe drejtorëve për privilegje të pamerituara.
Por ndonëse përplasje të tilla mund të shkaktojnë një efekt elektoral dhe kosto në imazh, pakkush beson se qëndrimet e izoluara të Veliajt dhe Spiropalit do të mund të sfidojnë dominimin e Ramës në Partinë Socialiste.
Gazetarja e politikës, Luljeta Progni vlerëson se pavarësisht efektit të deklaratave të Veliajt apo Spiropalit në radhët e besnikëve të tyre, mënyra e funksionit të Partisë Socialiste nuk lë shumë hapësirë për ndryshim.
“Ka një mënyrë funksionimi në PS, sipas së cilës shumica absolute e strukturave por edhe e elektoratit, shkon pas atij që mban karrigen e kryetarit,” tha Progni për BIRN.
Sipas Prognit, më shumë se sa dalja në skenë si kundërshtarë politikë e dy personazheve që kanë humbur pushtetin brenda PS-së, Ramën mund ta dëmtojë në këto zgjedhje “reagimi qytetar i shprehur prej gjashtë muajsh në protestë”.
Ndikimi elektoral i përplasjes mes Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Edi Ramës do të varet, sipas gazetareve, edhe nga fakti nëse kundërshtimi ndaj kryetarit të PS-së do të mbetet në nivelin e deklaratave politike apo do të shoqërohet me lëvizje konkrete brenda strukturave dhe elektoratit socialist.
Progni vlerëson se një lëvizje e mundshme e Veliajt dhe Spiropalit mund të krijojë një grupim politik, por do të ketë vështirë që të ketë ndikim në të ardhmen e kësaj partie.
“Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që sollën sistemin e listave të mbyllura për kandidatët për deputetë, e kanë kufizuar ndjeshëm hapësirën për mendim ndryshe brenda partisë dhe kanë bërë që përpjekjet për të sfiduar Ramën nga brenda saj të dështojnë,” thotë Progni.
Ndarja më e madhe politike me pasoja elektorale që ka pësuar PS-ja gjatë tranzicionit ishte ajo e vitit 2004, kur Ilir Meta, pas përplasjeve me kryetarin dhe kryeministrin e atëhershëm Fatos Nano, vendosi të shkëputej nga partia së bashku me një grup deputetësh dhe të krijonte një forcë të re politike. Në zgjedhjet parlamentare të një viti më vonë, PS-ja kaloi në opozitë, ndërsa LSI-ja e Metës arriti të siguronte përfaqësim në Kuvend.
Situata e sotme politike vlerësohet krejt e ndryshme nga ajo e vitit 2004, pavarësisht peshës së dy protagonistëve të përplasjes me Edi Ramën. Përplasjet e vitit 2004 ishin pjesë e një konflikti të vazhdueshëm mes grupeve rivale në PS, në një parti ku kishte më shumë hapësirë për debat dhe kundërshti ndaj kryetarit.
Progni thekson se ndryshe nga kundërshtarët e Nanos që kishin një histori të gjatë përplasjesh me të, Veliaj dhe Spiropali kanë qenë për afro dy dekada mbështetës të Ramës dhe pjesë e përpjekjeve të tij për të kufizuar mendimin ndryshe brenda partisë.
Për rrjedhojë, Progni vlerëson se përplasja e sotme nuk ka të njëjtat rrënjë politike dhe organizative me atë që çoi në krijimin e LSI-së, çka e bën të vështirë një paralelizëm mes dy periudhave.
Me shkurtime nga Reporter
