Kryeministri Edi Rama ka vijuar provokimet, duke përsëritur ftesën për dialog ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë në Tiranë. Pas karrigeve dhe stolave të vendosur në ditët e mëparshme, Rama ka nxjerrë sërish një tavolinë të madhe prej guri, mbi të cilën janë vendosur fletë me mbishkrimin “Dialog”.
Tavolina prej guri vjen pas episodeve të mëparshme, kur ulëset e vendosura përpara Kryeministrisë u larguan ose u dëmtuan nga protestuesit. Studentet prej dy javësh refuzojnë ftesën e kryeministrit për dialog, pasi kërkojnë dorëheqjen e tij.
Protestat studentore, të cilat janë shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.
j.l./ dita
