Tre persona kanë mbetur të plagosur pas atentatit të sotëm në Rrëshen ku humbi jetën Martin Bardhi.
Terrori i shkaktuar nga 30 plumba të zbrazur pranë komisariatit në qendër të qytetit të Rrëshenit, kanë lënë të plagosur, Olti Gjinin, Ilir Bardhokun dhe Indrit Bardhin, veçmas viktimës, Martin Bardhi.
Tre të plagosurit mësohet se ishin në të njëjtën tavolinë me viktimën në momentin e të shtënave, por nuk dihet nëse ishin objekt i atentatit, apo viktima rastësore.
Mësohet se Martin Bardhi është një emër i njohur për policinë pasi në muajin mars të këtij viti, ai së bashku me të birin Enrik Bardhi kanë tentuar të vrasin nipin e Kastriot Reçit (i ekzekutuar me snajper në janar të vitit 2020).
Ngjarja ndodhi pas një përplasje fizike mes Saimir Reçit dhe Enrik Bardhit që sipas policisë nisi për një parakalim dhe më pas ky i fundit shkoi në shtëpi, mori një automatik dhe së bashku me të atin qëlluan në drejtim të mjetit të tij.
Saimir Reçi i shpetoi atentatit, ndersa Martin Bardhi qëndroi vetëm pak muaj në burg për tentativë vrasje, përpara se të ekzekutohej këtë të martë
Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për vrasjen e 60-vjeçarit Martin Bardhi, teksa deklaron se drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.
Njoftimi i Policisë :
“Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrëshen, ku nga shtetas ende të paidentifikuar, u vra me armë zjarri shtetasi Martin Marku Bardhi, ju informojmë se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, shtetasit I. B., I. B. dhe O. Gj., të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.
Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
