Zbardhen detaje nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të hënë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga deputetët socialistë që në komunikimin me qytetarët të vënë në fokus politikat sociale dhe paketën e strehimit, ndërsa ka paralajmëruar masa për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, burime bëjnë me dije se Rama është shprehur se nuk do të lejohet vandalizmi ndaj qytetit.
Kryeministri ka theksuar se qeveria ka në dispozicion paketën e strehimit dhe do të vijojë zbatimin e politikave sociale, të cilat duhet të jenë në qendër të komunikimit të deputetëve me qytetarët.
Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara. Rama ka kërkuar që në projektbuxhetin e vitit 2027, i cili pritet të kalojë këtë javë në qeveri, të përfshihen edhe fondet për kompensimin e tyre.
Gjatë mbledhjes, kryeministri është ndalur edhe te ligji për tubimet, i miratuar në vitin 2001. Duke qenë se ndërhyrja e propozuar parashikon vetëm një ndryshim në këtë ligj, do të shqyrtohet mundësia që nisma të ndiqet me procedurë të përshpejtuar.
Diskutimet vijnë pas paralajmërimit të Ramës për një paketë masash ligjore kundër dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë protestave, si dhe për mbështetjen financiare të bizneseve të prekura.
j.l./ dita
