Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të kësaj të diele, duke i hapur rrugën përfundimit të qeverisjes tetëvjeçare të socialistëve.
Sipas raportimit të Reuters, Partia Popullore (PP), e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, ka fituar numrin më të madh të mandateve në parlament, ndërsa së bashku me partinë e ekstremit të djathtë Vox siguron shumicën parlamentare, sipas rezultateve paraprake.
Me 94% të votave të numëruara, Partia Popullore parashikohet të marrë 135 mandate, ndërsa Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal, 52 mandate.
Të dyja partitë së bashku pritet të sigurojnë 187 mandate në parlamentin me 350 vende, 11 më shumë se minimumi i nevojshëm për shumicën absolute.
Zëdhënësi i Sánchez dhe burime nga Partia Popullore kanë konfirmuar se kryeministri socialist ka telefonuar Feijóon për ta uruar për fitoren.
Partia Popullore ka deklaruar në rrjetin social X se Alberto Núñez Feijóo do të jetë kryeministri i ardhshëm i Spanjës. Megjithatë, për sigurimin e shumicës parlamentare, konservatorëve do t’u nevojitet mbështetja e Vox.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka uruar Feijóon dhe Abascalin, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në interes të dy vendeve.
Sánchez vendosi të shpallte zgjedhje të parakohshme pasi parlamenti rrëzoi dekretet e propozuara prej tij për përballimin e krizës së strehimit.
Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE) ka qeverisur vendin që prej vitit 2018, përmes koalicioneve të brishta të pakicës.
j.l./ dita
