Prej tre ditësh maturantët në të gjithë vendin kanë nisur me aplikimin zyrtar për përzgjedhjen e 10 preferencave ku duan të vijojnë konkurimin për studimet e larta universitare përgjatë vitit të ri akademik 2023-2024
Për herë të parë, për degën e Mjekësisë së Përgjithëshme, gjatë këtij viti kriter pranimi do të jetë edhe testi i informatizuar që do të zhvillohet në muajin gusht.
Aktualisht janë shpallur edhe kuotat e pranimeve të reja për çdo degë. Janë 1849 kuotat e pranimeve të reja që do të realizohen përgjatë konkurimeve të këtij viti në të gjitha programet e studimit të Universitetit të Mjekësisë. Në vendimin e kaluar nga Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë, përcaktohet se këto kuota do të ndahen për kandidatët që garojnë për programet e ciklit të parë dhe ato të integruara sipas kategorive, kuota për ndjekjen e një programi të dytë studimi, kuota për transferim studimesh, si dhe kuota të rezervuara për shtetasit e huaj. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave për secilën kategori në secilin fakultet.


Ja kush mund të konkurrojë në degët e Mjekësisë!
Konkretisht, për degët e Fakultetit të Mjekësisë mesatarja minimale që duhet të kenë kandidatët për të hyrë në konkurim për kuotat e reja të vitit 2023 nis nga nota 8.5. Në këtë fakultet do të mund të garohet për tre programe studimi që janë dega e Mjekësisë së Përgjithëshme, Farmacisë dhe Shëndetit Publik, ku për këtë të fundit mesatarja e shkollës së mesme që duhet në konkurim nis nga nota 8.5.
Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë Dentare do të garohet për tre programe studimi që janë Stomatologji, Teknikë dentare dhe Higjienist dentar. Lidhur me mesataren minimale që duhet për të hyrë në garë për këto degë, sqarohet se për stomatologjinë mund të konkurojnë maturantët që kanë mesatare të gjimnazit duke nisur nga nota 8.5 dhe më lart, teksa për dy degët e tjera mesatarja e konkurimit nis që nga nota 7.
Për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike gara do të zhvillohet në gjashtë programe të ndryshme studimi që janë: Fizioterapi, Infermieri e Përgjithshme, Logopedi, Mami, Teknike Imazherie dhe Teknike Laboratori. Në të gjitha këto programe studimi do të mund të konkurojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7.5 dhe më lart.
Në të gjitha rastet, mesatarja e shkollës së mesme përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore. Për vite me radhë këto programe mbeten ndër më të preferuarat në radhët e maturantëve, kuotat e të cilave plotësohen që në regjistrimet e raundit të parë të fituesve.
Përzgjedhja e fituesve në çdo degë
Krahas mesatares minimale që duhet për të hyrë në konkurim për degët e këtij universiteti, tashmë janë përcaktuar edhe tre kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj që do të dalin nga procesi i konkurrimeve të këtij viti.
Kriteri i parë ka të bëjë me mesataren e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Sikundër dhe u theksua më lart, kjo notë përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës.
Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore 2023, ose maturave të mëparëshme. Ky kriter vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj të këtij viti. Sa i takon këtij treguesi sqarohet se nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje: Kimi, Fizikë, Biologji, nota e provimit shumëzohet me 1.4. Nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje, të ndryshme nga këto tre lëndë të përcaktuara, nota e provimit shumëzohet me koeficientin 1.
Kriteri i tretë ka të bëjë me mesataren e tre lëndëve formuese që janë: Kimi, Biologji dhe Fizikë. Sipas vendimit të marrë më herët nga Senati Akademik i këtij universiteti, nota mesatare aritmetike e lëndëve formuese (Fizikë, Kimi dhe Biologji), të zhvilluara gjatë tri viteve të shkollës së mesme përbën 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Kur lëndët Fizikë, Kimi dhe Biologji janë të vitit të tretë, shumëzohen me koeficient 1.25.
Kriteri i katërt vetëm për degën e Mjekësisë: është provimi i informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit gjatë muajit gusht. Provimi i automatizuar në programin Mjekësi e Përgjithshme, i cili do të ketë 30 për qind peshë në vlerësimin e përgjithshëm, ndërsa 70 për qind do të jetë nga rezultatet e shkollës së mesme, përfshirë këtu edhe rezultatet e Maturës Shtetërore.
Nga ana tjetër, Universiteti i Mjekësisë ka përcaktuar gjithashtu edhe koeficientin me të cilin vlerësohet çdo profil i shkollës së mesme në vend. Koeficientët sipas llojit të shkollës së mesme që kanë përfunduar kandidatët, janë për profilin gjimnaz i përgjithshëm 1.4, gjimnazet seksion dygjuhësh shqip-frëngjisht, shqip-italisht, si dhe shqip-gjermanisht po ashtu vlerësohen me koeficientin 1.4. Ndërsa të gjitha llojet e tjera të shkollave të mesme vlerësohen me koeficientin 1.
Pranvera Kola\DITA
