Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit: Maqedoni, mars-gusht 2001
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Histori > 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit: Maqedoni, mars-gusht 2001
HistoriKryesore

25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit: Maqedoni, mars-gusht 2001

Published: September 8, 2026
Shpërndaje

Prof. Pëllumb Xhufi

Në vitet 1997-1999, kur vëmendja ndërkombëtare ishte përqëndruar në ngjarjet dramatike të Kosovës, pakkush u kujtua se në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në Republikën e Maqedonisë të mëvetësuar në vitin 1991, një nacionalizëm agresiv, i ndërtuar mbi modelin serb, po e çonte vendin drejt një lufte civile.

Edhe pse përfaqësonin një pjesë të madhe, afro 30 përqind të popullsisë së Maqedonisë, shqiptarët përfaqësonin aty një komunitet të margjinuar, të diskriminuar e të shtypur. Megjithë përpjekjet e partive shqiptare të krijuara pas vitit 1991, Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) e Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën e vendit e punësimi i tyre në administratën e në ndërmarrjet publike, në organet e sigurisë e të drejtësisë, në institucionet arsimore e kulturore apo në botën e mediave nuk i afrohej as për së largu 1 përqindëshit. Ndaj kësaj politike getizimi, pakënaqësia e shqiptarëve u kanalizua pashmangërisht nga rruga e protestës në atë të rezistencës.

- Publicitet -

Në 9 korrik 1997 në Gostivar shqiptarët dolën të manifestojnë kundër politikave shtetërore që ndalonin përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit shqiptar. 3 protestues u vranë e dhjetra të tjerë ju nënshtruan keqtrajtimeve e dhunës së egër në stacionet e policisë. Ndaj dhunës së ushtruar, SHBA, BE e OSBE heshtën.

Stabiliteti i Maqedonisë ishte në krye të shqetësimeve të tyre. Heshti gjithashtu edhe Raporteri i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut në ish-Jugosllavi, çeku filoserb Jiri Dienstbier, ai që në janar 1999 deri edhe masakrën e Raçakut e quajti një mizanskenë të shqiptarëve. Sa për shtetin shqiptar, ky ishte atë kohë në kufijtë e mosqënies për shkak të politikave të urrejtjes e të vetëshkatërrimit të zbatuara nga një president zëmërak e kokëshkretë.

Kështu, ngjarjet në Maqedoni precipituan. Në 22 janar 2001, në fshatin Tanushë afër kufirit me Kosovën, një patrullë e policisë maqedone ra në përpjekje me një grup të armatosur shqiptar. Në mars përpjekjet u shtrinë deri në periferi të Tetovës, ku 7 fshatra ranë në duar të grupeve të armatosura.

Ç’përfaqësonin grupet në fjalë, cili qe objektivi i tyre? Në një korrespondencë nga rrethinat e Tetovës me titull “Kush janë kryengritësit”, datë 20 mars 2001, gazetari i BBC, Paul Wood, konstatonte më së pari se shqiptarët që kishin rrëmbyer armët ishin shtetas të Maqedonisë e jo, siç pretendonte propaganda e Shkupit, luftëtarë të UÇK-së të ardhur nga Kosova.

Më tej ai rrëfen bisedën e tij me një nga komandantët shqiptarë. Ky, pasi i kishte deklaruar me forcë, se “ne nuk duam të rrezikojmë stabilitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë, por ne do ta vazhdojmë luftën tonë me armë deri sa të fitojmë të drejtat tona themelore, deri sa të pranohemi si njerëz të barabartë në Maqedoni. Duam të ulemi në bisedime me ndërmjetësit ndërkombëtarë, me paqeruajtës ndërkombëtarë, përfshi ata amerikanë, kërkojmë ndryshime kushtetuese që t’u japin më shumë autonomi zonave të banuar nga shqiptarë”.

Kur e pyeta, vijon Wood, se mos vallë lëvizja e tyre e armatosur ishte pjesë e një projekti për bashkimin e trevave shqiptare, përgjigja e tij ishte e prerë: “Për Shqipëri të madhe, apo Kosovë të Madhe as që bëhet fjalë”.

Po në 20 mars, gazeta italiane “La Repubblica” botonte një intervistë të realizuar me një anëtar të shtabit të forcave kryengritëse, sipas të cilit “kjo është një përpjekje për të fituar të drejtat që na janë mohuar prej shumë kohësh…Ne duam ta shmangim një luftë që mund të përfundojë në një gjakderdhje, thjesht duam të bisedojmë”.

Në fakt, qysh me fillimin e përplasjeve të armatosura, në janar 2001, drejtuesi i PDSH, Arbër Xhaferri, kishte bërë thirrje për uljen e armëve dhe fillimin e një procesi kushtetues për njohjen e të drejtave dhe përmirësimin e kushteve të popullsisë shqiptare në Maqedoni. Kur në 22 mars forcat e sigurisë maqedone ekzekutuan mizorisht në Tetovë dy civilë shqiptarë, at e bir, Xhaferri sillte në kujtesë përvojën fare të re të politikës represive të Milosheviçit mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë dhe deklaronte se “qeveria maqedone po ndiqte edhe ajo mënyrën jugosllave të luftës”, për çka partia e tij, PDSH, paralajmëronte largimin nga koalicioni qeveritar.

Në 23 mars udhëheqësit e Kosovës Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova e Ramush Haradinaj dolën me një thirrje të përbashkët për pushimin e luftimeve dhe uljen në tryezën e bisedimeve. Qeveria socialiste e Tiranës, gjithashtu, u bënte thirrje palëve për përmbajtje dhe për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Vetë drejtuesit e grupeve të armatosura shqiptare, vendosën të shpallin pushimin e njëanshëm të zjarrit për t’i dhënë një shans bisedimeve me përfaqësuesit qeveritarë.

Por qeveria e Maqedonisë i interpretoi këto zhvillime si një moment dobësie të faktorit shqiptar, që ajo nxitoi ta shfrytëzojë. Në 23 mars 2001, ajo shpalli fillimin e ofensivës së forcave të sigurisë kundër “rebelëve” shqiptarë, duke angazhuar tanke, artileri e deri helikopterë luftarakë MI-24 të huazuar nga Ukraina. Dy ditë më parë kishte qenë për vizitë në Shkup ministri i jashtëm i Federatës Ruse, Igor Ivanov, i cili hodhi aty propozimin për krijimin e një pakti ballkanik kundër “terroristëve” dhe “separatistëve”. Gazetari Patrick Moore, që e përcillte atë lajm nga Shkupi, komentonte se pakti ballkanik i ideuar nga Moska, nuk mund të ishte veçse një aleancë ortodokse e drejtuar kundër shqiptarëve, pasi, siç vërente ai, ‘termat terroristë’ e ‘separatistë’ ishin fjalë të koduara të Beogradit, që i atribuoheshin pikërisht shqiptarëve.

Po në 23 mars, Ljobomir Frčkovski, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, paladin i nacionalizmit maqedon, i jepte një intervistë gazetës italianeLa Stampa. Ekstaza nacionaliste godiste që në titullin e asaj interviste: “E shpartalluam UÇK-në, tani hapim një faqe tjetër”.

Pyetjes së gazetarit italian se ç’po ndodhte në Maqedoni, Frčkovski ju përgjegj i ngazëllyer: “Po ndodh një ngjarje me rëndësi epokale. Tani që flasim, ushtria e vogël e një kombi të vogël ka thyer shtyllën vertebrore të militarizmit shqiptar. Deri dje luftëtarët shqiptarë kishin nxjerrë përfitime kolosale pa kryer ndonjë betejë të vërtetë. Çlirimi i Kosovës ishte një dhuratë e NATO-s, e deri më sot KFOR nuk ka bërë asgjë për t’i frenuar ata. Tani doli dikush që i tha stop delirit ekspansionist shqiptar. Kjo ngjarje do ketë pasoja të thella në ekuilibret ballkanike…Deri dje ne druheshim të bënim qoftë edhe një deklaratë normale mbi sovranitetin, sepse do kritikoheshim si zbatues politikash represive mbi baza etnike. Tashmë ky problem nuk ekziston më: gjithë bota i ka njohur Maqedonisë të drejtën për të siguruar territorin e saj. Për herë të parë UÇK u dënua unanimisht nga të gjitha kanceleritë e botës. Tashmë këtë e kanë kuptuar edhe vetë kosovarët. Për krerët e UÇK-së kjo është një disfatë edhe më e rëndë se vetë disfata ushtarake. Dëshpërimin e tyre e tregon edhe propozimi për armëpushim, i bërë prej tyre një ditë më parë. Në fund, efektet e asaj që ka ndodhur këto ditët e fundit, do të ndjehen shpejt edhe në Kosovë. E kam fjalën për strukturën e pushtetit. Ky është një rast i madh për komunitetin ndërkombëtar, ndoshta ky është momenti kur edhe në Kosovë do mund të ndërtohen struktura demokratike, pa lidhje me ‘klane’ të caktuara. Do mund të ngrihet një ekonomi pa lidhje me grupe mafioze. Pra, po ndodh diçka shumë herë më e madhe nga ç’ka mund të imagjinohet”.

Pra, profesori 40-vjeçar i së Drejtës Ndërkombëtare, që deri atëherë kishte shërbyer si bashkëautor i kushtetutës të Maqedonisë të vitit 1991, si krijues i shërbimit sekret maqedon, si ministër i brendshëm e pastaj edhe si ministër i jashtëm, i tregonte botës se Maqedonia “e vogël” kishte arritur të realizonte atë që Serbia “e madhe” e Milosheviçit nuk kishte mundur të realizonte. Ajo kishte shpartalluar “militarizmin shqiptar” të përfaqësuar nga grupet e krimit e të mafias, me çka ai identifikonte njësi të UÇK-së kinse të infiltruara në territorin maqedon nga Kosova.

Nga ana tjetër, ishte përmbysur raporti i forcave në Maqedoni, Kosovë e në krejt Ballkanin, ku shqiptarët, pas “fitores epokale” të forcave maqedone, do qëndronin urtë e do riktheheshin në statusin e një populli të nënshtruar. Ky, sipas Frčkovskit, ishte triumfi i Maqedonisë demokratike mbi militarizmin e ekspansionizmin shqiptar, kjo ishte përgjigja që ajo i jepte politikave të pandëshkueshmërisë ndaj shqiptarëve të zbatuara deri atëherë nga komuniteti ndërkombëtar dhe ky ishte mësimi e kontributi me efekte planetare, vlerën e të cilit bota do ta kuptonte shumë shpejt!

Kjo krekosje triumfaliste dhe akoma më tepër zhvillimet në terren, e shqetësuan komunitetin ndërkombëtar, i cili tani filloi të shpreh hapur ato që prej shumë kohe ia sugjeronte nën zë qeveritarëve maqedonë. Më 24 mars, menjëherë pas shpalljes së njëanëshme të pushimit të zjarrit nga grupet e armatosura shqiptare dhe pas thirrjes drejtuar palëve në konflikt nga treshja Thaçi-Rugova-Hajradinaj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, George Robertson deklaroi se “tani ekzistonin shanset për një kthesë të ngjarjeve”.

Ndaj, vijonte ai, “unë i bëj thirrje qeverisë maqedone ta shfrytëzojë këtë mundësi. Unë shpresoj se maqedonasit do tregohen të përmbajtur e nuk do angazhohen në një përballje të panevojshme të armatosura me kryengritësit, por përkundrazi do fokusohen në përpjekjet për të bashkuar vendin”.

Po atë ditë, Sekretari i Shtetit i SHBA Collin Powell deklaronte qëndrimin e SHBA ndaj zhvillimeve në Maqedoni: “SHBA këshillon qeverinë e Maqedonisë që t’i trajtojë shqetësimet e shqiptarëve etnikë dhe të bëjë kujdes të mos përzjejë minoritetin shqiptar në përgjigjen ushtarake ndaj dhunës ekstremiste. Ne i kemi thënë qeverisë maqedone se ështe koha të tregojë ç’mund të bëjë një qeveri multietnike. Filloni të shihni gjërat që irritojnë minoritetin shqiptar në shoqerinë tuaj. Për këtë duhet të shihni edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese”.

Ndërkohë, edhe Ivan Kostov, Kryeministër i Bullgarisë, në fjalën e tij mbajtur në Parlamentin bullgar, më 23 mars 2001, pasi shpreh skepticizmin ndaj pretendimeve të qeverisë maqedone se kryengritësit përfaqësonin grupime kriminale e mafioze dhe se në ngjarjet kishin dorë edhe qeveritë e Shqipërisë e të Kosovës, deklaronte: “Ne propozojmë që Maqedonia ta zgjidhë vetë konfliktin e saj të brendshëm, i cili ka më shumë karakter politik se ushtarak… Është e palejueshme që të kundërpërgjigjesh me topa e tanke, kur provokimi bëhet me armë të lehta. Qeveria bullgare kërkon të mos përdoret armatimi i rëndë, sepse do të ndizej konflikti me komunitetin shqiptar. Me tanke e obuza nuk mund të fitohet simpatia dhe siguria e shoqërise në emër të zgjidhjes së problemeve…Ne na shqetëson shumë armatosja e rezervistëve në Republikën e Maqedonisë, paisja e shumë civilëve me armë, sepse nuk e dimë se kundër kujt do të kthehen këto armë”.

Më 27 mars edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Robin Cook, informonte Dhomën e Komuneve lidhur me bisedën e tij të fundit me presidentin maqedon Trajkovski: “I fola mbi rëndësinë që kishte shmangia e veprimeve që mund të shkaktonin viktima civile”, deklaroi ai, e më tej: “Bisedova edhe me Solanën, me të cilin ramë në një mendje, se prioritet për qeverinë maqedone është ndërmarrja e nismave politike për të përmbushur aspiratat e ligjshme të shqiptarëve”. Ishte e qartë, se komuniteti ndërkombëtar bënte presion, tashmë edhe hapur, mbi qeverinë maqedone, për të zbatuar standarte evropiane në trajtimin e shqiptarëve dhe për të hequr dorë nga skemat milosheviçiane të zbatuara pa sukses në Kosovë.

Megjithatë, edhe në muajt që vijuan, autoritetet maqedone insistuan t’i shkonin deri në fund operacioneve “për asgjësimin e terroristëve”. E këtë e justifikonin duke përdorur të gjithë arsenalin propagandistik të përdorur më herët nga regjimi i Beogradit në Kosovë. Sipas tyre, kryengritësit kishin për qëllim të pushtonin territor për të zhbërë integritetin territorial të Maqedonisë; në radhët e kryengritësve kishte terroristë islamikë të ardhur nga vendet arabe; “rebelët” përdornin si mburojë njerëzore popullsinë civile dhe mizoria e tyre shkonte deri aty sa të gjymtonin kufomat e pjestarëve të forcave të sigurisë.

Retorika e luftës kundër “terroristëve” u pasua nga intensifikimi i operacioneve ushtarake. Vrasja e tetë pjesëtarëve të forcave të sigurisë maqedone gjatë një përpjekjeje me luftëtarët shqiptarë, më 28 prill, dha shkas për shpërthimin e një vale sulmesh e plaçkitjesh të banesave e të dyqaneve të shqiptarëve në qytetet Shkup, Velezh e sidomos Manastir.

“M’u duk se përjetoja Natën e Kristaltë të raprezaljeve naziste kundër hebrejve”, dëshmonte në gazetën Der Standard të datës 3 maj qytetarja gjermane Astrid Krebs, e cila kthehej pikërisht nga qyteti i Manastirit. Ajo kishte parë aty se si turma të rinjsh, të shoqëruar nga muzikë e lartë, grabisnin e shkatërronin sistematikisht dyqanet e shqiptarëve ndërsa policia rrinte e vështronte. Krebs e mbyllte tregimin e saj duke saktësuar se turmat u ndezën gjatë ceremonisë së varrimit të 4 pjestarëve të forcave të sigurisë, gjatë së cilës peshkopi ortodoks i qytetit bëri thirrje për hakmarrje.

Kështu, në fillim të majit 2001, kryeministri Lubço Georgievski paralajmëronte se qeveria e Maqedonisë do shpallte së shpejti një “deklaratë lufte kundër rebelëve shqiptarë”. Kjo do i mundësonte asaj të përfshinte në betejë forcat e ushtrisë dhe arsenalin e rëndë ushtarak, gjë të cilën komuniteti ndërkombëtar ia çkëshillonte me forcë qeverisë maqedone. Prandaj, pas këtyre ngjarjeve, në 6 maj, Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme e të Sigurisë, Javier Solana, u detyrua të fluturojë drejt Shkupit për të ulur tonet e kryeministrit Georgievski, i cili vazhdimisht ankohej për ndërkombëtarët që nuk e mbështesnin luftën e qeverisë së tij kundër “terrorizmit shqiptar”. Në çastin e nisjes Solana i dërgoi një mesazh të qartë e të prerë Georgievskit: “Ne nuk vijmë aty për të diskutuar si ta bëjmë luftën, por për të diskutuar si ta bëjmë paqen”, paralajmëroi ai.

Por, këshillat e paralajmërimet e komunitetit ndërkombëtar për t’u marrë me thelbin politik të konfliktit binin në veshin e shurdhët të diadokëve maqedonë të Milosheviçit. Duke filluar nga muaji qershor, në operacionet e forcave speciale të sigurisë u përfshinë edhe reparte të ushtrisë me përdorim masiv të artilerisë së rëndë, të tankeve e të aviacionit. Siç ishte paralajmëruar, në këtë fazë të re, target e viktimë e dhunës shtetërore u bë më së shumti popullsia civile shqiptare. Bombardimi nga toka e nga qielli shkaktoi vrasje e plagosje të banorëve paqësorë, shkatërim të fshatrave të tëra, shpërngulje masive të popullsisë shqiptare. Megjithatë, shfarosja e premtuar e “terroristëve shqiptarë” nuk po kishte sy të realizohej. Përkundrazi, nga fundi i muajit korrik, forcat e rezistencës ishin riaktivizuar në rrethinat e Tetovës e ishin shfaqur deri në afërsi të Kumanovës e të vetë Shkupit.

Në këtë situatë të përkeqësuar ushtarake, edhe propaganda qeveritare, që gjatë ofensivës së marsit 2001 kishte marrë tone ngadhënjyese, tani u squll dhe filloi t’i mëshojë idesë se bashkëjetesa me shqiptarët ishte e pamundur! Kështu një tjetër akademik i regjimit, filozofi Dimitar Dimitrov, disa herë ministër dhe atë kohë ambasador i Maqedonisë në Moskë, botonte më 24 maj 2001 një artikull në gazetën ruse Njezavisimaja Gazeta, ku ofronte “interpretimin” e tij për të ashtuquajturin “problem shqiptar” në Maqedoni e në Ballkan. Nuk është e vërtetë, shkruante ai, se shqiptarët në Maqedoni ishin një popullsi e diskriminuar. Të tillë mund të ishin turqit, serbët madje edhe vetë maqedonasit. Problem serioz, sipas Dimitrov, ishte riprodhimi intensiv biologjik, objektiv i një projekti të fshehtë të shqiptarëve, i cili synonte kthimin e tyre në një popullsi shumicë e pushtimin progresiv të territorit, duke i shtyrë thellë e më thellë muret dhe pullazet e shtëpive, të lagjeve e të fshatrave të tyre. Mirëpo, vijon më tej Dimitrov, lindshmëria e lartë prodhon varfëri, diskriminim, pamundësi për arsimin, punësim, integrim.

Përgjegjësinë për këto të këqija shqiptarët nuk e kërkojnë te vetja, por tek të tjerët, maqedonët, ndaj të cilëve ata mprehnin genin kriminal dhe agresivitetin, që në vitin 2001 kishte shpërthyer në formën më të ashpër të ekstremizmit e të terrorizmit.

Më tej, pasi ka “zbuluar” thelbin social, politik, kulturor e antropologjik të “ekstremizmit shqiptar”, Dimitrov paralajmëron për rrezikun që paraqet për mbarë botën modeli shqiptar, “i cili nuk do të mjaftohet me zaptimin e shqiptarizimin e gjithë Maqedonisë, por do tentojë një ekspansion gjeografik e politik akoma më të tmerrshëm”. Nuk do të kalonin veç pak ditë, dhe rreziku i rritjes së popullsisë shqiptaredo të shprehej në mënyrë brutale nga vetë kryeministri Georgievski.

“Ne ndodhemi në një situatë të tmerrshme, ku 10 mijë ndër 16 mijë fëmijë të regjistruar në klasën e parë, pra 34 përqind e tyre, janë shqiptarë”. Krahas procesit të heshtur demografik, tani Republika e Maqedonisë kërcënohej edhe nga një “kryengritje e armatosur e shqiptareve”, e cila, sipas Georgievskit, mbështetej nga partitë politike, nga intelektualët dhe nga gjithë popullsia shqiptare. Kështu, kryeministri maqedon paralajmëronte kalimin në një luftë totale kundër mbarë popullsisë shqiptare, pra në një konflikt gjithëpërfshirës shqiptaro-maqedon.

Bujë e shqetësim shkaktoi në opinionin maqedon e në atë ndërkombëtar një propozim i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë për shkëmbimin e territoreve e të popullsive, pra, për ndarjen e vendit, e cila gjeti sakaq edhe mbështetjen e kryeministrit Georgievski. Paradoksalisht, institucionet më të larta politike e shkencore maqedone, të cilat deri atëherë ishin deklaruar për paprekshmëri të sovranitetit e të tërësisë territoriale të Maqedonisë, tani deklaroheshin për ndarjen e saj! Ishte e qartë, që duke luajtur kartën e ndarjes së vendit në pamundësi për të patur një bashkëjetesë normale me shqiptarët, autoritetet në fjalë shpresonin të siguronin lejen e ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për ushtrimin e një dhune ekstreme, si rruga e vetme“për shpëtimin” e Maqedonisë dhe “zgjidhjen” e problemit shqiptar. Sigurisht nuk e patën një leje e një ndihmë të tillë të ndërkombëtarëve, të cilët vijuan të insistojnë për heqjen dorë nga operacionet ndëshkimore të forcave të sigurisë e të ushtrisë dhe uljen në tryezën e negociatave me përfaqësuesit shqiptarë. Gjë që ndodhi pas një ckërmitje të fundit të “fajkojve të luftës” në qeverinë maqedone. Në 10 gusht, në rrugën që kalon pranë fshatit Luboten, afër Shkupit, një kamion ushtarak ndeshi në minë. Si rezultat, tetë ushtarë mbetën të vrarë. Fshati u bombardua rëndë nga ajri, ndërkohë që drejt tij u lëshuan trupat speciale “Luanët”, të drejtuara personalisht nga Ministri i Brendshëm, Ljube Boškoski. Dhjetë fshatarë të pafajshëm u ekzekutuan, kurse më se njëqind të tjerë u arrestuan dhe u torturuan egërsisht në stacionet e policisë.

Një devijim i tillë i ngjarjeve, shqetësoi partitë shqiptare, opozitën dhe opinionin e shëndoshë maqedon, të cilët në bashkëpunim me Presidentin Trajkovski e përfaqësuesit e BE, të SHBA e të OSBE, intensifikuan përpjekjet për përfundimin e dokumentit që do t’i jepte fund konfliktit të armatosur. Më 13 Gusht 2001, presidenti Boris Trajkovski, drejtuesit e partive shqiptare Arbër Xhaferri (PDSH) e Imer Imeri (PPD) dhe i opozitës maqedone Branko Cërvenkovski (LSDM), si edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë James Pardew (SHBA) dhe François Léotard (BE)nënshkruan në Ohër marrëveshjen e shumëpritur. Zëdhënësi politik i formacioneve luftarake shqiptare, paskëtaj drejtues i Partisë Demokratike për Integrim, Ali Ahmeti, e hodhi firmën në selinë e Shtabit të Përgjithshëm, në Shipkovicë.

Për hir të arritjes së asaj marrëveshje dhe pas konsultimeve paraprake me partitë shqiptare e përfaqësuesit ndërkombëtarë, ai ju bashkua parimit të “shtetit të qytetarëve”, duke hequr dorë nga kërkesat për “demokraci konsensuale” e “popull konstitutiv”. E shoqëruar nga ndryshimet e duhura në Kushtetutën e Maqedonisë, marrëveshja e kthente Maqedoninë nga shtet i maqedonëve, në shtet të të gjithë qytetarëve të saj. Marrëveshja e Ohrit përmirësonte dukshëm statusin e shqiptarëve dhe përfshirjen e tyre në jetën e vendit.

Zhvillimi i ngjarjeve në muajt janar-gusht 2001 e në këta 25 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ka provuar se sa i pabazë ishte pretendimi mbi të ashtuquajturin projekt shqiptar për “pushtime territori” e për “shqiptarizim të Maqedonisë nëpërmjet një riprodhimi intensiv demografik”. Sot e gjithë ditën shqiptarët banojnë në fshatrat, lagjet e qytetet ku kanë banuar nga kohë që nuk mbahen mend. Numuri i tyre as nuk është dyfishuar e as nuk është shumëfishuar, por ka patur pak a shumë të njëjtin nivel rritjeje si ai i të gjitha komuniteteve në Maqedonisë.

Drejtuesit e partive shqiptare, Arbër Xhaferri, Menduh Thaçi e Imer Imeri e treguan veten politikanë të ndershëm e luajalë ndaj Republikës së Maqedonisë kur qysh në ditët e para të krizës paralajmëruan për rrezikun e një reagimi histerik ushtarak ndaj grupeve kryengritëse dhe insistuan për fillimin e një procesi politik e kushtetues. Ata u treguan njëherësh realistë e vizionarë, kur njohën rolin vendimtar të lëvizjes së armatosur për t’u ndarë nga një e kaluar diskriminimi e shtypjeje në dëm të shqiptarëve, dhe këmbëngulën për përfshirjen e përfaqësuesve politikë të asaj lëvizjeje në bisedimet për paqe.

Nga ana e tij, zëdhënësi politik i njësiteve shqiptare, Ali Ahmeti, u tregua një udhëheqës i urtë e konseguent. Ai e bëri të qartë se lëvizja e armatosur ishte një ultima ratio, objektivi i së cilës ishte t’i hapte rrugë emancipimit të popullsisë shqiptare, njohjes së shqiptarëve si qytetarë me të drejta të plota nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese e në përputhje me konventat ndërkombëtare. Numuri i ulët i viktimave në radhët ushtarakëve dhe mungesa e plotë e viktimave civile mes popullsisë maqedone, i përgjigjej udhëzimeve strikte të shtabit të forcave kryengritëse për t’i përdorur armët vetëm në rast mbrojtjeje nga sulmet e forcave të sigurisë dhe asnjëherë kundër banorëve civilë maqedonë. Ali Ahmeti, më vonë Kryetar i Partisë Demokratike për Integrim, u tregua gjithashtu një negociator i aftë, bashkëpunues e njëherësh këmbëngulës.

Në këta 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit, partia e tij, BDI, ka pranuar të marrë pjesë në bashkëqeverisje si me VRMNO-DPMNE ashtu edhe me socialdemokratët e LSDM, por gjithmonë në bazë të programeve të përbashkëta qeverisëse, që përfshininangazhimin për plotësimin progresiv të detyrimeve kushtetuese në favor të shqiptarëve, që rridhnin nga Marrëveshja e Ohrit. Si rezultat është shtrirë në të gjitha nivelet mësimi e përdorimi i gjuhës shqipe. Ajo është gjuhë e përdorur në parlamentin maqedon, në gjykatat e në administratën lokale. Në raport me të shkuarën, është rritur në mënyrë eksponenciale, deri në masën 22 përqind, pjesmarrja e shqiptarëve në administratën shtetërore, në sistemin ligjor, në organet e sigurisë e të rendit, në institucionet shkencore e kulturore.

Faktori shqiptar ka ambështetur pa asnjë mëdyshje e në mënyrë aktive proceset e integrimit të Republikës së Maqedonisë (sot: Maqedoni e Veriut) në NATO e në BE. Njëherësh, faktori shqiptar ka ndarë qëndrimin zyrtar të Parlamentit e të qeverisë lidhur me disa çështje me ndjeshmëri të lartë për opinionin maqedon, siç është çështja e emrit të Republikës, apo ajo e autoqefalisë së kishës ortodokse të Maqedonisë. Qysh me pavarësimin e Maqedonisë, në vitin 1991, partitë shqiptare kanë luajtur një rol konstruktiv në vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit mes republikës së re dhe republikës fqinje të Shqipërisë. Mes dy vendeve u nënshkruan një sërë marrëveshjes bashkëpunimi në lëmin e ekonomisë, të tregtisë, të sigurisë e të shkëmbimeve kulturore e shkencore.

Porti i Durrësit u bë edhe port i Maqedonisë në vitet e krizës së marrëdhënieve me Greqinë, kur për shkak të emrit, pala greke mbylli portin tradicional të Selanikut për import-eksportet maqedone. Në vështrim të rolit konstruktiv e moderues që Shqipëria ka luajtur në avancimin e të drejtave të shqiptarëve si dhe përgjithësisht në zhvillimin e marrëdhënieve me Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryetarët Ali Ahmetit i BDI dhe Menduh Thaçi i PDSHe kanë konsideruar të një rëndësie parësore bashkëpunimin me autoritetet e Shqipërisë.

Ngjarjet pas 13 gushtit 2001 konfirmuanedhe faktorët negativë që e krijuan dhe që insistuan për ta kanalizuar drejt konfliktit të armatosur krizën maqedone të atij viti. Në fjalën e tij në parlamentin maqedon, më 3 shtator, kryeministri Georgievski u deklarua kundër Marrëveshjes së Ohrit duke paralajmëruar “gjëma të reja”. Sipas tij, me atë marrëveshje “po u bëhej një dhuratë e madhe terroristëve dhe aspirantë-terroristëve të mbarë botës, po jepej mesazhi se terrorizmi është zgjidhje”. Më në fund, ky luftëtar i subjektivitetit, integritetit e i lavdisë maqedonase “zbuloi” se kishte origjinë bullgare, dhe në fakt u pais me pasaportë bullgare. Përfaqësuesi tjetër i “fajkojve të luftës”, ministri i brendshëm Ljube Boškoski, më 2 mars 2002 bëri një përpjekje të fundit për të kthyer mbrapsht rrotën e historisë. Në Luboten, afër kufirit me Kosovën, ai në krye të njësisë së tij ndëshkimore “Luanët” organizoi ekzekutimin mizor të 7 personave, sipas tij “terroristë shqiptarë”. Kur këta rezultuan se ishin emigrantë pakistanë, Boškoski nxitoi t’i paraqesë ata si “terroristë ndërkombëtarë”, që në bashkëpunim me terroristë shqiptarë, do hidhnin në erë ambasadat amerikane, britanike e gjermane! Vetë zëdhënësja e policisë maqedone, Mirjana Konteska, e quajti këtë masakër të re në Ljuboten “akt i një mendje të sëmurë”. Si rezultat, Ljube Boškoski u përfshi në Listën e Zezë të SHBA me motivacionin “pjesmarrës, sponsorizues e mbështetës i dhunës ekstremiste në Republikën e Maqedonisë e kudo në Ballkan”.

Ai u thirr i pandehur nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish Jugosllavi e në vitin 2021 u dënua nga gjykata maqedone me 7 vjet burg për krim elektoral. Në pozita të njëjta qëndruan pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit edhe anëtarë të shquar të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Blaze Ristevski, një nga etërit themelues të Maqedonisë së 8 shtatorit 1991, deklaronte se ajo marrëveshje “ asgjësonte subjektivitetin e popullit maqedon, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e tij”. Dhe përfundonte në mënyrën më ogurzezë të mundëshme: “Kjo marrëveshje rrezikon identitetin e popullit tonë, dhe nëse nuk ka mjete të tjera për të shpëtuar paqen, atëhere është më mirë lufta”.

Por, zhvillimet e pas 13 gushtit 2001 patën protagonistë pozitivë edhe nga pala maqedone. Rol bashkëpunues me përfaqësuesit shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë për arritjen e marrëveshjes dhe zbatimin e pikave të saj, luajti kryetari i partisë së opozitës LSDM, Branko Cërvenkovski dhe ministri i mbrojtjes nga e njëjta parti, Vlado Bučkovski. Një rol qëndror luajti presidenti Boris Trajkovski, i cili, ndryshe nga kryeministri Georgievski, i mbajti të hapura kanalet e komunikimit me përfaqësuesit e SHBA, BE, NATO-s e OSBE.

Fjalimi i tij në parlamentin maqedon, më 31 gusht 2001, ishte edhe një autokritikë për këmbënguljen me të cilën autoritetet maqedone refuzuan për një kohë aq të gjatë të kuptonin e të ballafaqoheshin me arsyet e vërteta të krizës maqedone. “Shumë nga problemet me të cilat jemi përballur këto kohë, nuk janë të reja. Rrënjët e tyre duhet t’i kërkojmë si në trashgiminë negative të ish-Jugosllavisë, ashtu edhe në disa zgjidhje të pas vitit 1991. Politikanët maqedonë nuk kanë dashur që t’i diskutojnë publikisht e t’i zgjidhin këto probleme shumë delikate”, deklaroi ai, dhe shtoi: “Bëni pyetjen, përse Maqedonia ka patur një numër aq të madh misionesh vëzhgimi të OKB, OSBE, KE? Të gjithë ne e dimë, se në pjesë të caktuara të shtetit tonë nuk ka funksionuar shteti i së drejtës”.

DITA

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • “Turp, parlamenti i krimit”, protestuesit mblidhen para Kryesisë së Kuvendit
  • 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit: Maqedoni, mars-gusht 2001
  • Ambasadorja e re në zyrën e Ramës, takim “kokë më kokë” me Kryeministrin
  • Të shtënat me armë në Shkodër, del fotoja e 24-vjeçarit që mbeti i vrarë
  • Monumenti rus që shkaktoi zemërim në Japoni

Komentet e Fundit

  1. Dashi on VIDEO: Formula 80 përqind me 20 ose skema “KAYO”: Si funksionon modeli i denoncuar nga ish-zëvendësi i Ramës
  2. Detari on VIDEO: Formula 80 përqind me 20 ose skema “KAYO”: Si funksionon modeli i denoncuar nga ish-zëvendësi i Ramës
  3. Detari on Prapaskenat e TIMAK: Privati me 80% të aksioneve, shteti financon gjithçka, Ron Yeffet hyri në industrinë e mbrojtjes pa investuar asnjë qindarkë
  4. Rexha on Tender pas tenderi, Unaza e shembur e Burrelit gëlltit mbi 2 milionë euro
  5. Yllka on VIDEO: Formula 80 përqind me 20 ose skema “KAYO”: Si funksionon modeli i denoncuar nga ish-zëvendësi i Ramës

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?