Shtatë vite kanë kaluar nga mëngjesi tragjik i 26 nëntorit 2019, kur një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter goditi Shqipërinë, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda në historinë e vendit.
Ishte ora 03:54 kur lëkundjet e forta, që zgjatën për rreth 50 sekonda, zgjuan mijëra qytetarë dhe kthyen në pak çaste banesa, pallate e ndërtesa të tëra në rrënoja. Bilanci ishte tragjik: 51 persona humbën jetën, mbi 1 mijë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa qindra familje humbën shtëpitë dhe gjithçka kishin ndërtuar ndër vite.
Durrësi dhe Thumana ishin ndër zonat më të goditura, ndërsa dëme të konsiderueshme u regjistruan edhe në Tiranë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë dhe Mirditë. Në total, tërmeti preku 11 bashki dhe rreth 202 mijë qytetarë, duke lënë pas një plagë të thellë sociale dhe ekonomike.
Pamjet e asaj dite mbeten ende të gjalla në kujtesën e shqiptarëve: ndërtesa të shembura, familje në kërkim të të afërmve, ekipe shpëtimi që punonin pa ndërprerje mes rrënojave dhe qytetarë që prisnin me ankth lajme për njerëzit e tyre.
Në ditët e vështira që pasuan, Shqipëria mori mbështetje nga shumë vende, mes tyre Kosova, Italia, Greqia, Turqia dhe Franca, të cilat kontribuuan me ndihma humanitare dhe ekipe të specializuara të kërkim-shpëtimit. Përpjekjet për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe viktimave nga rrënojat vijuan për ditë me radhë.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 konsiderohet ndër më të fuqishmit që kanë goditur Shqipërinë në më shumë se katër dekada. Përtej dëmeve të mëdha materiale, ai la pas trauma dhe pasiguri që shumë familje i përjetojnë ende sot.
j.l./ dita
