Prof. Dr. Përparim Kabo
Botuar në DITA
Vitin që shkoi, pikërisht në këtë kohë, në një stinë të nxehtë, e lëshoi frymën e fundit, ai që e adhuronte gjeografinë, akademiku punëshumë dhe modestisht i heshtur, profesor Mevlan Kabo. Media dha lajmin, duke vënë në dukje kontributet e tij. Akademika e Shkencave të Republikës së Shqipërisë bëri një njoftim zyrtar në faqen e saj on line.
Më tej vijuan ditët, muajt dhe ja ku u mbush viti. Si në një “konflikt interesi”, meqë jam një gjak me të ndjerin, unë nuk shkrova. Isha bindjeplotë se të tjerë, ish-kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij, ish-studentët apo ata që bashkëpunuan në ngritjen e një investimi ndërinstitucional për gjeografinë, do e merrnin nismën të shkruanin. Ja që nuk ndodhi kështu. Dhe kjo lloj sjelljeje krijon një boshllëk dhe zbrazëtirë të pafalshme.
Ndaj, duke besuar në mirëkuptimin tuaj, lexues, jam me përgjegjësinë qytetare dhe intelektuale, të hedh dritë mbi veprën e këtij personaliteti krejt të mëvetshëm.
Profesor Mevlan Kabo vjen nga një familje që nuk është e madhe në numër. Ne, si Kabo, jemi pak e saktë,- si thotë shprehja. I ati e la herët dhe të katër vëllezërit u rritën nga e ëma, Mine Kabo. Djali i madh, Kabo Kabo, dëshmor i atdheut, u vra në Libohovë, në përleshje me italianët, në gusht 1943. Ishte shumë i ri, diku te 20-at.
Profesor Mevlani kurrë nuk e rrahu gjoksin si vëllai i dëshmorit. Ajo dhimbje nuk iu shua kurrë. Pas çlirimit të vendit, djali tjetër, Asllani, mbeti në Borsh, në fshat, dhe krijoi një figurë të dashur për këdo që e takoi, qoftë edhe një herë.
Mençuria natyrore, gojëtaria e fisme, kujtesa e pasur dhe mikpritja, e bënë atë një njeri që nuk mund të harrohej, gati- gati si një pikë referimi në atë fshat me një bukuri të rrallë. Borshi kishte qenë dikur qytet,që nga antikiteti i hershëm. Në mesjetë, kalaja që njihet si Kalaja e Sopotit, ngërtheu ngjarje, beteja dhe luftëra.
Mevlani ishte djali i tretë, një pasionant i çartur, lexues i fandaksur, që e gdhinte me çfarëdo libri që i binte të dorë, por edhe një adhurues i natyrës. Peizazhi i vendlindjes hyri brenda vetëdijes së tij, si një ushqim frymëzimi dhe energji që do i ndërtonte në të ardhmen personalitetin.
Në fëmijëri, termin “gjeografi”, ai nuk e dinte, por shpirtin e këtij termi e preku herët për së gjalli. Peizazhi i maleve dhe jeta, në atë që njihej si Borshi i vjetër, edhe sot të pështjell me një lloj stuhie epike. Toponimet janë të çuditshme: Qafa e Golgotës, Varri i Çifutit, etj.
Në librin e tij me titull: “Selaniku, qyteti i fantazmave”, autori Mark Mazouer, jep fakte dhe dëshmi se, ai që njihet si Mesia i Remë, Sabbatai Zevi, mbërriti në këto brigje dhe jetoi atyre anëve, derisa iku nga kjo jetë. Mbetjet arkeologjike, një Sinagogë në Borsh, si dhe dëshmitë e Eqerem Bej Vlorës, në kujtimet e tij, se nga ato rreth 200 familje hebreje, që u vendosën në bregdetin e Vlorës, pas 1492, kur u larguan nga Spanja, disa prej tyre u vendosën në Borsh, pra, të gjitha këto fakte të historive të vjetra dhe atyre mesjetare, deri në krijimin e Shtetit të Pavarur Shqiptar, kanë qenë biseda në konakët e burrave të bregut dhe pleqësive të gjera, së bashku me fqinjët e Labërisë.
Një fëmijëri, mes një natyre kaq të pasur dhe të shumëllojshme, si e ka Borshi, me male të larta, lugina, me lumë dhe përrenj të mbi dhe nëndheshëm, me fushën e gjerë dhe me një vijë bregdetare, më e gjata në bregdetin e Jonit, diçka më shumë se 7 km, deti i gjerë në horizont, bota e pasur bimore, shkurret e egra aromatike, pyjet, drurët frutorë, agrumet, fiqtë e egër dhe të butë, kaktuset, laguna në fushë, ujëvara në qendër të fshatit, në Ixuar( një përpunim fonetik vendor i toponimit të imponuar sllav, Izvor), dy kalatë e fshatit( njëra u përdor gjatë komunizmit si magazinë dhe më tej u shemb dhe gurët e saj u morën dhe u përdorën për ndërtimin e një stalle dhe më vonë të brezareve gjatë shpyllëzimit të kodrave të buta e mbjelljes me agrume; gjithcka nga ky përjetim, u regjistrua në shpirtin e njeriut, që një ditë do të bëhej gjeograf.
Fëmija Mevlan Kabo, përcaktoi pasionin e jetës së gjeografit të ardhshëm, profesorit Mevlan Kabo. Sa herë që e kemi biseduar me profesorin shpyllëzimin për hapjen e tarracave, ai ndihej në pezm.
Nuk duhej bërë,- më thoshte. Ajo lloj bimësie, e krijuar ndër shekuj, kishte lidhje me peizazhin natyror, me klimën dhe mikroklimën, me tokën dhe erozionin, me botën shtazore. Natyra ka rregullat e saj të brendshme, ato duhen respektuar. Cilado ndërhyrje që mund të bëhet, nuk duhet bazuar vetëm te interesat ekonomike të momentit. Duhet parë larg, thellë dhe gjerë. Mbase në fushë, hapja e tokës se re është e pranueshme, por jo këtu në kodra dhe në male.
Aktualisht brezaret me plantacione agrumesh nuk janë më. Pas vitit 1990, ato fillimisht u braktisën, sepse sistemi ekonomik ndryshoi. Më tej u prenë. Tashmë, prej vitesh, vegjetacioni, qoftë ai natyrori shekullor, qoftë ai i kultivuari, kanë humbur pa nam dhe pa nishan. Në vend të tyre ka ndërtime me dhe pa kritere. Një lloj “pyllëzimi fantazmogorik betoni”, që ka sjellë jo pak rrjedhoja të padëshirueshme dhe dëme që zor se mund të riparohen.
Profesor Mevlani vazhdimisht “vajtonte” së brendshmi, kur flisnim për dëmet ndaj natyrës. Të ligjëronte me hollësi, si të ishte jo vetëm gjeograf, por edhe biolog apo inxhinier pyjesh. Njihte varietetet e drurëve në të gjitha zonat pyjore të vendit, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Të shpjegonte ciklin e tyre vegjetativ, veçoritë, raportet me tokën dhe mbrojtjen nga erozioni, ndikimin që kishin te klima, te rreshjet, për ujërat dhe jetën e shëndetshme.
“Prerja e drurëve pa kriter sot, është vrasja e jetës për brezat e ardhshëm”. Këtë përfundim ai e përsëriste sa herë diksutohej kjo çështje. “Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa mbrojtjen e natyrës së vendit”. Kjo ishte kredoja e këtij akademiku, i cili punoi në heshtje, larg dukjes apo shfaqjes mediatike, si shitje vetëmburrëse.
Personalisht unë dhe sot ndihem i keqardhur, që televizionet apo radiot nuk gjetën as motiv dhe as ngasje qytetare, ta kishin në studiot e tyre, ta dëgjonin gjeografin e përkortë, intelektualin e kualifikuar, këtë dishepull të Rilindjes Kombëtare, ndoshta si nga të fundit e tyre. Nëse Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, risolli dashurinë për atdheun, krahas “Historisë së Skënderbeut”, ai zgjoi adhurimin për atdheun si natyrë, si peizazh, si monumentalizëm natyror, me kryeveprën e tij, poemën “Bagëti e Bujqësi”.
Po kështu Filip Shiroka, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Andon Zako Çajupi, me poezitë e tyre, dhe gjithashtu mjeshtri i shquar i peizazhit poetik, liriku i pangjashëm, Lasgush Poradeci.

Shkollën e mesme, profesor Mevlan Kabo, e kreu në Gjirokastër, si një konviktor. Ishte bashkënxënës me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Shumë personalitete të ardhshme të artit dhe të kulturës shqiptare, që jetuan në dy kohë, para dhe pas 1990-s, dolën nga bankat e gjimnazit të Gjirokastrës, institucion arsimor ky, fort i njohur dhe i vlerësuar, si për traditën, dhe për trupën mësimore.
Më duhet të pohoj se gjeografi ynë i shquar u rrit edhe atyre sokakëve dhe asaj bukurie natyrore, që dhuron ai qytet, me malin e Gjerë përballë, me fushën, me kalanë dhe peizazhin urban aq të veçantë. Ndodhte shpesh që në bisedat tona unë e pyesja:- Profesor Mevlani, çfarë është gjeografia si shkencë ?
Ai buzëqeshte ëmbël, si rrallëkush dhe menjëherë bëhej serioz, tipar ky që e dallonte, kur flitej për shkencën. Ka kohë që kuptimi për Gjeografinë ka ndryshuar. Nuk mund të themi se është shkencë shoqërore apo shkencë natyrore. Është një tërësi dijesh të gjithëfushësisë kërkuese, sepse ngërthen studimin e florës dhe faunës, morfologjisë natyore, strukturës së tokës në sipërfaqe, por edhe nëntokë.
Gjeografia analizon dhe studion ujërat, prurjet sipas stinëve, rreshjet dhe intenstitetin e tyre, studion përrenjtë, lumenjtë, detet, pra botën ujore dhe rolin që luan ajo në jetën e natyrës dhe të shoqërisë njerëzore. Ka dhe fusha të tjera, siç është ekologjia natyrore dhe energjia, ku me shumë rëndësi janë energjitë e rinovueshme. (Në këtë pikë ai ishte i prerë: Vetëm energjia diellore e shpëton Shqipërinë! Mjaft më me sulmin ndaj lumenjve me hidrocentrale! Është kriminale, nëse vijohet me këto politika hidroteknike ndaj lumenjve të egër).
Gjeografia,- mëtonte profesor Mevlan Kabo, studion popullsinë dhe aspektet demografike të saj, por, në këndvështrime të caktuara, edhe antropologjinë dhe etnografinë, studion rrjetet rrugore, kombëtare dhe ndërkombëtare, rrugët detare, ato oqeanike dhe nevojën për të njohur rrymat detare dhe fenomene të tjera shpërthyese të deteve dhe oqeaneve.
Studion malet, përbërjen e tyre gjeologjike dhe gjeomorfologjike, krijimin e tyre dhe moshën, studion, me shumë interes, vullkanet, shpërthimet vullkanike dhe rolin që kanë luajtur dhe luajnë llavat vullkanike mbi koren e tokës, në jetën e njerëzve dhe në klimën. Përllogaritjet e prurjeve të lumenjve, sidomos kur kërkohet të ndërtohet një vepër hidrike, siç janë hidrocentralet, do duhet të konsultohen edhe me gjeografët. Çfarëdo lloj ndërhyrjeje që bëhet në natyrë, duhet konsultuar me gjeografin.
Pra,- e përmbyllte ai arsyetimin, -duke ravijëzuar të gjithë këtë objekt studimi, nuk është e lehtë që, pa u menduar thellë, të themi se çfarë është gjeografia. Kurrsesi jo! Eshtë një ngrehinë dijesh në shumëfushësi, ku ngërthehen objekte studimi dhe hulumtime të përafërta nga shumë shkenca të tjera, si : gjeologjia, gjeofizika, biologjia, shkencat që studiojnë botën shtazore, ato që studiojnë malet (oronimet), demografia, antropologjia, etnografia, shkencat që merren me sizmikën dhe sizmiologjinë, vullkanologjia, hidrotekinka, planifikimet urbane, nënurbane dhe rurale, apo të zonave të thella.
Shkencat që studiojnë oqeanet dhe detet duhet të mbajnë në vemendje se kjo masë ujore mbulon diçka më shumë se 70 % të sipërfaqes së rruzullit tokësor. Por ka edhe shkenca të tjera, siç është klimatologjia, që studion klimat, meterologjia, që studion motin dhe rreshjet, etj. Hartografia, si një pasuri botërore, atlaset dhe fotografimet, herbariumet dhe deri te shënimet e udhëtarëve, janë pjesë e pasurisë botërore.
Muzeumet gjeografike dhe qendrat studimore për qëllime civile dhe jo vetëm, por edhe për objektiva studimore të natyrave të ndryshme, përfshi edhe ato ushtarake, janë shumë të rëndësishme. Nëse Napoleon Bonaparti do kishte dëgjuar gjeografët dhe klimatologët apo meteorologët, nuk do kishte bërë atë që kreu në dimrin e egër rus, i cili e shpërbleu me humbjen e famshme, që pësoi ushtria e tij.
Duhet të kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me relativizim eklektik, por me kuptim të gjallë dhe në lëvizje të termit dhe objektit të studimit. Dhe Straboni, që njihet si themeluesi i gjeografisë, kishte një vlerësim jo të ngurtë për gjeografinë. Straboni iu referua gjeografisë, duke përdorur disa terma në veprën e tij, Geographica.
Ai përdori kryesisht termin geographia (që do të thotë “përshkrim i tokës”), por përdori edhe chōrographia (“përshkrim i tokës”), periēgēsis (“një skicë”), periodos gēs (“qark i tokës”) dhe periodeia tēs chōrās (“qark i tokës”). Straboni e shihte gjeografinë si një shkencë praktike, që synonte të përfitonte burra shteti dhe udhëheqës ushtarakë, duke përfshirë aspektet fizike dhe politike të botës.
Ndërsa e përdori “geōgraphia” më shpesh, ai gjithashtu bëri dallimin midis gjeografisë dhe korografisë. Ai e shihte gjeografinë (geōgraphia) si një shkencë që përfshin tiparet fizike të tokës, si: detet, lumenjtë dhe malet, ndërsa korografia (chōrographia) përqendrohej në ndarjet politike dhe karakteristikat e rajoneve specifike.
Në thelb, Geographica e Strabonit kombinonte si gjeografinë fizike, ashtu edhe atë politike, duke ofruar një pasqyrë gjithëpërfshirëse të botës së banuar, të njohur në kohën e tij”.
Në gjykimin tim,- nënvizonte profesor Mevlan Kabo,- në të gjitha periudhat e shoqërisë njerëzore, gjeografia ka qenë në qendër të vemendjes. “Zbulimet e mëdha gjeografike ndryshuan zhvillimin e njerëzimit”,- mëtonte në biseda profesori. Vetëm një mendje e hapur, si ajo e gjeografit tonë të përkorë, Profesor Dr Mevlan Kabo, pranonte dhe shtronte si kërkesë për studimin e gjeografisë në kohët moderne, kushtin se duhen pranuar ndryshime të thella në objektin e studimit, në metodologji, në format e kërkimit shkencor dhe trajtimin e dukurive dhe fenomeneve në dy apo shumë fushësi, duke kryer eksperimente dhe bashkëveprime ndërdisiplinore.

Më habiste gjithnjë me parashtrimet e tij për shkencën e gjeografisë në kohën tonë. Gjeografia moderne,-argumentonte profesor Mevlani,- është një shkencë hapësinore, që analizon mjediset fizike dhe kulturore të Tokës, duke u përqendruar në “ku -te” dhe “pse -të” e fenomeneve. Ajo shqyrton me argumente shkencore marrëdhëniet midis këtyre mjediseve, duke përfshirë analizën hapësinore, teknologjitë gjeohapësinore dhe fusha të ndryshme studimi, për të kuptuar kompleksitetet e vendeve dhe lidhjet e tyre”.
Epistema e kërkimit dhe arsyetimit,- nënvionte gjeografi Mevlan Kabo,- ka qenë dhe mbetet, ku-ja dhe pse-ja e fenomeneve të natyrës.” Natyra vërtet nuk ka gojë, por ajo flet me kodet e saj ciklike. Nëse nuk e dëgjojmë shpirtin e saj dhe nuk kuptojmë shenjat që ajo na dërgon, ne, si shoqëri, do të jemi të humbur. Herët ose vonë,- si nënvizonte shkrimtari Honoré De Balzac,- ajo do të hakmerret”.
Sjelljet në dekadat e fundit me ndotjet masive, ngrohjen globale, efektin serë, shkrirjen e akujve, me rritjen e nivelit të deteve, thatësirat e tejzgjatura dhe shirat e rrëmbyeshëm apo përmbytjet,- nënvizonte në studimet e tij dhe në vitet e fundit të jetës gjeografi ynë,- duhet t’i lexojmë si shpagime të natyrës së nervozuar ndaj nesh.” Megjithëse mosha bënte të vetën, dashuria e tij për gjeografinë përkthehej në orë të tëra leximesh, mbajtje shënimesh dhe hedhje dritë mbi qasjet e reja në studimet e gjeografisë moderne.
Një nga drejtimet,- sugjeronte profesor Mevlan Kabo,- do të duhet të jetë Shkenca hapësinore. Gjeografia moderne merret në thelb me shpërndarjen hapësinore të fenomeneve dhe marrëdhëniet midis tyre. Ajo heton se ku ndodhen gjërat, pse ndodhen atje dhe si janë të lidhura me vende të tjera. Në shekullin XXI gjeografia shpërfaqet si një Integrim Ndërdisiplinor.
Gjeografia moderne krijon një urë lidhëse midis shkencave natyrore dhe shoqërore, duke integruar aspektet fizike dhe njerëzore të botës. Ajo shqyrton se si mjediset fizike ndikojnë në aktivitetet njerëzore dhe si veprimet njerëzore, nga ana tjetër, formësojnë mjedisin. Studiuesit tanë të karrierës dhe ata të rinj, lypset të kuptojnë se çfarë është “Teknologjia Gjeohapësinore”, të njihen me të dhëna që tregojnë se gjeografët përdorin një gamë teknologjish, si GIS (Sistemet e Informacionit Gjeografik), teledeteksionin (imazhe satelitore, fotografi ajrore) dhe GPS (Sistemet Globale të Pozicionimit), për të studiuar sipërfaqen e Tokës dhe tiparet e saj.”
Një akademik modest, si gjeografi ynë i shquar, këto porosi i la si amanete diturake. Dukej i brengosur, kur fliste për të ardhmen e shkencës së gjeografisë. Nuk donte të humbiste investimi ndër vite dhe tradita e krijuar.

Ata që e njohën dhe punuan me të, ata që e dëgjuan në lektrimet në auditore universitare dhe të kumtimeve në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, ata që punuan me profesor Mevlan Kabon në përgatitjen e teksteve shkollore të gjeografisë së të gjitha niveleve, nga shkolla 8-vjeçare, e mesme dhe universiteti, dega e Histori-Gjeografisë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ata që, si bashkëpunëtorë shkencorë dhe kërkues të fushës , punuan në “ Qendrën e Studimeve Gjeografike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, që ai drejtonte, pa as më të voglin dyshim apo mëdyshje, e kanë vlerësuar profesor Mevlan Kabon si themeluesin e Gjeografisë Shqiptare.
Ai ndërtoi shkencën, kurrikulat, tekstet, metodat e studimit, ushqeu aktivitetet mësimore dhe ato aplikative, studimet në terren dhe mbledhjen e të dhënave. Kultura e tij enciklopedike u ndërtua hap pas hapi, ditë për ditë, nga viti në vit. Ai e shëtiti atdheun pëllëmbë për pëllëmbë. Këtë ia ushqeu dhe studentëve, duke përfshirë në shkollimin e tyre universitar, si mësues të ardhshëm të gjeografisë, ekspeditat studimore hapësirave gjeografike të atdheut.
Kujtesa e tij fenomenale, e sillte profesorin si institucion enciklopedik. Deri në fund të jetës ai e ruajti këtë pasuri. Gojëtaria e tij ishte e kursyer në fjalë të përgjithshme dhe e begatë në dije të mirëfillta shkencore. Me shumë seriozitet ai krijoi breza të studiuesve të fushës, duke përzgjedhur studentët më të mirë, enkas nga të gjitha trevat e vendit. Gjeografia në shkolla u kthye në një nga lëndët më të dashura të nxënësve dhe studentëve.
Kur fliste për atdheun, profesor Mevlan Kabo, nënkuptonte Shqipërinë me kufijtë e saj natyrorë. Kontrubuti i tij shumëplanësh u shtri edhe në Kosovë, duke vendosur urat e bashkëpunimit në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor me Universitetin e Prishtinës. Brengë e kishte njohjen nga afër të hapësirës gjeografike në Çamëri, në Janinë, Parga, dhe pse jo, deri në Peloponez. Ai do donte të shtrinte studimet e zgjeruara edhe në ato hapësira gjeografike.
Profesori njihte “në majën e gishtave” gjeografinë e Ballkanit, të Europës dhe të Botës. Mjaftonte ta pyesje për një lumë, për një mal, për një hapësirë gjeografike të Afrikës, Groenlandës apo Oqeanisë, kudo dhe ngado, dhe ti do mrekulloheshe me ligjërimin e tij, ku dija gjeografike mpleksej me historinë dhe tregimtari të tjera, krejt të nevojshme dhe interesante.
Adhuruesi i gjeografisë, profesori me” P” të madhe, e kishte lënë me gojë që të futej në një varr me vëllanë e tij të vogël, Ismailin. Ai kishte ikur nga kjo botë shumë i ri, vetëm 27 vjeç. Ismail Kabo ishte një studiues i folklorit dhe trashëgimisë gojore, një pasionant ndjenjandjellës. Profesor Zihni Sako e quante hapur,” një Thimi Mitko i shekullit të ri”.
Jeta kështu është, një ditë ajo mbyllet. Drita që ke krijuar gjatë saj, mbetet. Si e tillë ajo nuk e lejon heshtjen të të mbulojë kontributet.
Gjeografi ynë, Mevlan Kabo, do të kujtohet, sepse ai shkroi dhe redaktoi botimin më të arrirë, jo vetëm në fushën e gjeografisë, por edhe në plan më të gjerë të mendimit akademik shkencor shqiptar, studimin themelor: “Gjeografia fizike e Shqipërisë”, një manifest përkushtimi ndaj gjeografisë së atdheut, njëherësh një vepër shkencore e nivelit europian.

©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
