Ilmi S.Qazimi
Rutina plot ngjyra e urimeve telefonike të vitit të ri, sa standarde aq të larmishme herë-herë na lodh gjer sa, o e mbyllim telefonin, o i themi dy fjalë ose një mesazh me shkurtim të paskrupullt të fjalës tejet të bukur shqipe ‘faleminderit’ në ‘flm’. Nga kjo lloj sëmundjeje janë infektuar edhe jo pak të moshuar. Mirëpo ja që ka edhe çudira të tjera. Sot pata një telefonatë origjinale. Plak unë që e dëgjoja , shumë më plak ai që fliste. Dhe siç dihet, s’ka plak që di pak! Na mburren këta krerët e sotëm të qeverive, partive e bizneseve për një lloj marifeti të ri ‘inteligjencie artificiale’! U duket sikur po çoroditin brezat që të mos e kenë mendjen te lufta për çlirim real nga prangat shtypëse e shtrydhëse të kapitalit duke u marrë me broçkulla helmatuese të celularëve që riformatohen çdo muaj. Por kot e kanë se plaku e di që teknologjia është krijesë e inteligjencies së njeriut, sidoqë të jetë, e çfardo emri që t’i vërë asaj klasa sunduese e shfrytëzuese. Pse nuk i respektojnë pleqtë por i tallin!? Madje ndonjëri thotë “oh ç’na lodhën këta rugjot!” Pse i harrojnë pleqtë, apo pandehin se vetë do mbeten gjithnjë të rinj!Neise! Le të kthehemi tek telefonata.
E njoha edhe nga zëri, jo vetëm nga emri në ekranin e telefonit tim të vogël e të vjetër jo nga këta ‘me gisht në të’po nga ata ”me vajguri”. Nuk ishte thjesht telefonatë për urim, por për një reflektim, për një alarm!Ishte krejt e papritur, befasuese…
Ai nuk e nisi me fjalët “Gëzuar vitin e ri!”. Jooo! Ai filloi krejt ndryshe:” Ishte 4 janar, një ditë me dëborë mbi një pëllëmbë në fshatin tonë. Erdhi Abaz Rogu, veshur me një jambullëk të gjatë dhe një maliher në krah dhe që nga dera e jashtme e avllisë së shtëpisë tonë dykatëshe më thërret:” Hajde se do nisemi! “ Vesha një xhybe të trashë, mbatha edhe opingat,hodha patickën në sup,ca fishekë nëpër xhepa. U përcolla me nënen që dha një torbë me bukë, lakror, dy rripa pastërma dhe një pagure nga ato të grekut me pekmez. Nënia më tha: ’Lufta kërkon kokë,or bir! Ki mendjen! Udhë e mbarë! U kthefsh i fituar!”
Po e dëgjoj me kujdes. Ishte goditëse si bisedë që mu duk se nuk kish të bënte fare me vitin e ri 2024. Ndaj pa nxituar që ta ndërpres,ndala hapat dhe u ula në një karrige te lokali buzërruge. Kamerieri më pa me telefon në vesh dhe nuk u afrua. I bëra shenjë për një kafe. Telefonata vijonte:” U nisëm dhe qëndruam një hoft në Siticë. Aty erdhi edhe Skënderi. Vaipi që na kishte mësuar se si të përdornim bombat e dorës, kish ikur dy ditë më parë. U bëmë nja dhjetë a dymbëdhjetë vetë. Të tërë të rinj. Unë isha 17 vjeç. Nuk dinim se çfarë do bënim, por dinim që po shkonim në luftë kundër gjermanit që kishte pllakosur tërë dynjanë!” Pushoi pakëz dhe filloi prapë: “Kur vajtëm në Liqedh ishte mezi i ditës dhe dëbora kishte pushuar…!”
Me që njihemi drejtpërsëdrejti prej shumë kohësh, pavarësisht se atij i duhen edhe dy vjet të kapë moshën me tri shifra, shekullin, e mua njëzetenjë,mora guxim dhe e ndërpreva: “Të lutem nuk më ke thënë vitin!” Për habinë time ai nuk reagoi,nuk u ngatërrua,por vijoi qetë:”E, ja kështu, ta dish mirë ti e të tjerët, se kështu e festova unë vitin e ri para 80 vjetësh!E ku kish festë atëherë? E kush kish ngé të festonte vit të ri e vit të vjetër! Kishte vetëm varfëri, pushkë dhe luftë kundër pushtuesit gjerman dhe italian.”
Telefonata e tij pushoi. E falënderova me gjithë zemër dhe sa u bëra gati t’i thosha edhe unë urimin që më ka mbetur një të tillë njeri-lis shekullor:”Të rroni sa Mali i Tomorrit”, ai më ndërpreu prapë:” Dje po hapja ato albumet dhe koleksionet e gazetave që kanë shkruar për grupin dhe brigadën ku isha unë. Mu kujtua lufta në Tendën e Qypit,ku m’u vra shoku im korrier, mu kujtuan shokët si Zylyftari, Sabriu, Skënder Malindi, Petrefi, burizani, ,… Dhe pastaj desha që t’ia merrnja këngës me zë të ulët “Komandant Mehmeti NË SULM po thërret!”. Më paskëshin rënë lot,se u hap dera e dhomës dhe hyri njëri nga nipërit e më pyeti: Gjyshi, çfarë ke? A të dhëmb gjë? E kur i tregova albumin, nipi mu hodh në qafë !”
Ishte telefonata e një veterani të vërtetë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, ish-partizani i Grupit të Tretë të Skraparit krijuar në Liqedh; ish-partizan i Br10S formuar në Karbunarë të Lushnjës e që mori pjesë edhe në luftimet për çlirimin e Tiranës;ish-nëntoger në brigadën e mbrojtjes në luftën kundër diversantëve që hidhinin armiqtë imperialistë, fashistë e shovinistë në truallin shqiptar që nga Hasi, Peqini,Tropoja, deri në Vlorë e Sarandë; ish-topograf i komitetit ekzekutiv të qarkut të Beratit; ish-kryetar i kooperativës së bashkuar të Kutallisë; ish-drejtor i stacionit të makinave dhe të traktorëve të Urës Vajgurore(tani Dimal); Hero i Punës Socialiste, Qemal Hysen Bego nga Çepani i Skraparit. I lindur në vitin 1927,ai prej vitit 2000,banon në Tiranë dhe iu gëzohet me shpirt katër stërnipërve djem të djemve të dy djemve të tij. Dhe a e dini se ai nuk merr ndonjë pension kushedi se çfarë? As që bëhet fjalë fare për pension të posaçëm!
Por ai është i gjallë e i fortë,me mendje të kthjellët, me tik-taket e zemrës së tij te lufta për liri, te puna për lumturi dhe te jeta me nder! Është i aktivizuar gjerësisht në organizatën e veteranëve, atë të dëshmorëve, në organizatat e tjera atdhetare e kulturore. I pakërrusur nga vitet, i pa trembur nga vështirësitë dhe humbjet e të dashurve të tij,madhështor në thjeshtësi, ai shfleton albumet e jetës së vet shekullore, pa bujë,pa teknologji moderne, pa intervista…Iu gëzohet arritjeve që sheh nëpër Shqipëri,por thotë shpesh e më shpesh :”Nuk duhet harruar lufta, gjaku i dëshmorëve dhe djersa e puntorëve e fshatarëve tanë!
