Periodiku “Americas Quarterly” i ka kushtuar një artikull situatës në Ekuador. Ky vend, sipas saj, po arrin një rekord historik të krimeve. Artikulli analizon mafian shqiptare në Ekuador dhe flet për dy sindikata alfa të krimit – bandat Azemi dhe Rexhepi. Më poshtë pjesë nga artikulli i shkruar nga autorët Carolina Andrade, Mac Margolis dhe Robert Muggah
Edhe në një rajon të njohur për dhunën rekord, spiralja e fundit e Ekuadorit drejt paligjshmërisë dhe gjakderdhjes bie në sy. Krimet vdekjeprurëse në vendin e Andeve kanë arritur tani maksimumin historik, me një shkallë kombëtare të vrasjeve që tejkalon atë të Brazilit dhe të Meksikës, të renditura prej kohësh ndër vendet më vrasëse të Amerikës Latine.
Nuk është çudi që vlerësimet ndaj presidentit Guillermo Lasso janë ulur, duke shtuar thirrjet për shkarkimin e tij- të nxitura nga akuzat për korrupsion që lidhin kunatin e presidentit me trafikantët e drogës.
Lasso dhe kunati i tij i kanë mohuar akuzat.
Në qendër të problemeve të Ekuadorit është kërkesa e pafundme globale për kokainë. Falë pjesërisht bandave ballkanike, Ekuadori tani shërben si një qendër për transportin dhe eksportin e kokainës nga Kolumbia dhe Peruja.
Kriza është akute në Esmeraldas, pranë kufirit kolumbian, dhe veçanërisht në qytetin port të Guayaquil, porta e vendit drejt botës. Në këtë qytet ndodhen pesë nga tetë terminalet e transportit të vendit.
Ky është qyteti më i pasur i Ekuadorit dhe është gjithashtu një nga 25 më të rrezikshmit në botë. Guayaquil regjistroi vitin e kaluar rreth 47.7 vrasje për 100 mijë banorë, një shtatëfishim në krahasim me pesë vite më parë.
Kaosi vazhdon, pavarësisht se gjendja e jashtëzakonshme është shpallur shtatë herë që nga mesi i vitit 2021. Javën e kaluar, presidenti Lasso autorizoi përdorimin e armëve nga civilët për ‘mbrojtje personale’, një lëvizje që dëshmon më shumë dëshpërim sesa komandë dhe kontroll.
Dikur i lavdëruar për strategjinë e tij për të frenuar bandat vdekjeprurëse të drogës, Ekuadori duket se sot është nën kontrollin e tyre. Rritja e dhunës vjen bashkë me një rritje të dukshme të mosmarrëveshjeve vdekjeprurëse mes grupeve që konkurrojnë për avantazhe në tregtinë në rritje të kokainës në Ekuador. Kjo po sjell shumë pasoja përtej këtij kombi me 18 milionë banorë.
Lidhja evropiane
Krimi i organizuar shqiptar filloi të emigronte drejt Ekuadorit në vitet ’90, i joshur nga perspektiva e bashkimit të forcave me kartelet lokale në lulëzim dhe kontrollet relativisht të dobëta kufitare.
Deri vonë, shqiptarët mund të hynin lirisht në Ekuador pa vizë. Kjo politikë ‘laissez faire’ përfundoi kur Ekuadori vendosi kërkesa më të forta për viza në vitin 2020.
Afërsisht 33 përqind e kokainës së kapur në Ekuador në vitin 2021 ishte e destinuar për tregjet evropiane, krahasuar me vetëm 9 përqind në vitin 2019. Veçanërisht Ballkani është një qendër e re kyçe në këtë tregti fitimprurëse ndërkontinentale me vlerë 10 miliardë dollarë në vitin 2017. Bandat shqiptare që po luajnë një rol gjithnjë e më të spikatur.
Pavarësisht rënies rekord në vitin 2021, nga bllokimet pandemike, Ekuadori renditet i treti për ndalimin e kokainës, me 6.5 përqind të konfiskimeve globale, i tejkaluar vetëm nga Kolumbia me 41 përqind dhe SHBA me 11 përqind.
Guayaquil përbën afërsisht 96 nga 210 ton kokainë të kapur në Ekuador në vitin 2021. Shumica e kokainës fshihet në kontejnerë transporti. Vetëm 8 deri në 10 përqind e tyre i nënshtrohen inspektimeve.
Ndërkohë që operacionet kundër narkotikëve kanë shtrënguar Brazilin, Kolumbinë dhe Perunë, Ekuadori është kthyer në një vend të dashur për trafikantët e huaj. Dollarizimi dhe korrupsioni lehtësojnë blerjen e dokumenteve mashtruese si identifikimi personal, pasaportat dhe licencat e eksportit. Shumica e operatorëve të njohur të krimit shqiptar banojnë në Guayaquil me identitete të rreme.
Mediat nuk i kursejnë detajet se si kartelet shqiptare, kolumbiane, meksikane, madje edhe ruse, luftojnë për kontrollin e qytetit Guayaquil. Të paktën gjashtë shqiptarë u ekzekutuan me stilin e bandave së fundmi.
Burime të inteligjencës ekuadoriane thonë se shqiptarët rekrutojnë bandat dominuese lokale si partnerë të preferuar, ndërsa burime të tjera pretendojnë se shqiptarët preferojnë ta kontrollojnë vetë nga fillimi në fund, të gjithë zinxhirin e furnizimit.
Mafia shqiptare përdor një mori mashtrimesh, që nga përdorimi i kompanive për të fshehur kokainën në dërgesat e bananeve, çajit dhe karkalecave e deri te klonimi i vulave doganore për të maskuar kontejnerët e thyer. Por pak nga gjithë kjo, do të ishte e mundur, pa një shkelje syri nga zyrtarët.
Inteligjenca ekuadoriane ka mbajtur nën vëzhgim prej kohësh mafian shqiptare. Në operacionin “Ballkani” të vitit 2014, ata zbuluan se dy sindikata alfa të krimit- bandat Azemi dhe Rexhepi- kishin depërtuar në operacionet portale për të siguruar lista paketimesh dhe caktonin kontejnerët e përzgjedhur për në Evropë. Shqiptarët e ndaluar në operacion u identifikuan si financues dhe kujdestarë të skemës.
Operacioni përfundoi me arrestimin e kreut të bandës Azemi dhe 11 anëtarëve të tjerë, mes të cilëve shtetas shqiptarë dhe ekuadorianë. Policia dhe prokurorët ekuadorianë akuzuan organizatën se grumbullonte kokainën në Guayaquil, me destinacion Evropën.
Por kreu i arrestuar i klanit, doli nga burgu vetëm një muaj më vonë. U rishfaq në Evropë në vitin 2017 dhe më pas u arrestua në Gjermani.
Ai ende përballet me akuza penale në Ekuador, duke përfshirë vrasjen e bashkëshortes së tij ekuadoriane dhe një shqiptaro-malazezi.
Autoritetet ekuadoriane ende nuk i kanë publikuar gjetjet e tyre për këtë rast. Dy burime të ndryshme të inteligjencës pretendojnë se ka një marrëveshje të fshehtë ‘të nivelit të lartë’ mes policisë ekuadoriane dhe mafies shqiptare.
m.b. / dita
