Është arrestuar Matteo Messina Denaro. Bosi i mafias ishte në arrati prej 30 vitesh dhe ishte i kërkuari numër një në Itali.
Matteo Messina Denaro u kap ndërsa ishte i shtruar në një klinikë private, “La Maddalena” në Palermo. Operacioni është zhvilluar nga karabinierët e Ros. Lajmin e ka dhënë komandanti Pasquale Angelosanto.
Denaro, 60 vjeç, u bë bosi kryesor i Cosa Nostras pas arrestimit të Totò Riinas, Bernardo Provenzanos dhe vëllezërve Graviano.
Denaro është dënuar me burgim të përjetshëm si urdhërues i masakrave të Capaci dhe rrugës D’Amelio.

Kush është Matteo Messina Denaro
Ai ka qenë një “playboy” që jetonte mes femrave dhe makinave luksoze, gjithmonë dallonte nga të tjerët, por në mënyrë të pashpjegueshme, për 30 vite ka arritur t’i shpëtojë autoriteteve italiane.
Konsiderohet të jetë “capo dei capi” i mafias siçiliane dhe ka qenë në listën e 10 personave më të kërkuar në botë, bashkë me El Chapo-n dhe pasuesin e Osama Bin Laden.
Është i njohur edhe si “Diabolik” në Itali, sipas një personazhi të filmave të animuar.
Është akuzuar edhe për vrasjen e një gruaje shtatzënë, mbytjen dhe zhdukjen me acid të një fëmije. Në total, mbi të rëndojnë akuzat për 50 vrasje. Dikur është mburrur me shprehjen: “Kam mbushur i vetëm një varrezë”.
Djali i një bosi mafioz me ndikim në Costa Nostra, Francesco Messina Denaro-s, Diabolik mësoi të përdorte pistoletën në moshën 14-vjeçare, ndërsa vrasjen e parë e kreu kur ishte 18 vjeç. I veshur shpesh me Armani, një prej viktimave të para të tij ka qenë pronari i një hoteli i cili kundërshtoi marrëdhënien e tij me recepsionisten.
Në vitin 1993, pasi ekzekutoi bosin kundërshtar Vincenzo Milazzo, ai mbyti me duar të dashurën e tij shtatzënë. Autoritetet italiane e akuzojnë edhe për vrasjen e 11-vjeçarit, Giuseppe di Matteo, të cilin e mbajti peng për dy vite, në përpjekje për të ndaluar babain e tij që të dëshmonte në gjyq kundër mafias.

Kur shteti italian nisi të godiste organizatën e tij në fillim të viteve 1990, Denaro u shndërrua në një “ushtar” të devotshëm në luftën kundër autoriteteve. Ai besohet se ka marrë pjesë edhe në vrasjen e prokurorit Giovani Falcone, pasi ishte njeriu që monitoronte lëvizjet e tij, para se makina e tij të hidhej në erë në vitin 1992.
Bashkë me vrasësin brutal Giovanni Brusca, ka kryer atentate me bomba në Firence, Milano dhe Romë, ku dhjetëra vetë mbetën të vrarë.
Edhe pse në arrati, Denaro ruajti autoritetin brenda mafias dhe pas arrestimeve të pasuesve të Toto Riina-s, Leoluca Bagarella dhe Bernardo Provenzano, mori drejtimin e Cosa Nostra. Kur Provenzano ishte ende i lirë, e mori në patronazh Denaro-n dhe e quante nip.
Edhe pse konsiderohet si “i fundit” i “shkollës së vjetër” mafioze, Denaro shihet si njeriu që diti të përshtatë një prej organizatave kriminale më të vjetra në Itali, me botën moderne. Fillimisht duke bashkuar klanet e përçarë, e më pas duke u bërë personalisht si urë lidhëse mes mafias dhe karteleve kolumbianë të drogës.

Duke kopjuar në një farë mënyrë Pablo Escobar-in, Denaro shihet në Sicili si një hero i popullit. “Në qytet dëgjon se mafia të gjen punë dhe shteti ta merr”, tha për “The Guardian” Francesco Garofalo, pjesëtar i grupit anti-mafia “Libera”. “Ka njerëz këtu që duan ta bëjnë kryebashkiak”.
Ai e çimentoi vendin e tij në “fronin” e mafias vetëm në vitin 2017, pasi kishin vdekur Bernardo Provenzano dhe Toto Riina.
Policia italiane ngriti një strukturë të posaçme për kapjen e tij, të quajtur “Catturandi”. Deri sot kur ra në pranga, përpjekjet për ta gjetur atë kishin dështuar.
Sipas BBC, pasuria e tij personale ka arritur në mbi 3,5 miliardë dollarë.
j.l./ dita
