Nga Dhimitër Shtëmbari*
E para viktimë e ndryshimeve rrënjësore ekonomiko – politike që ndodhën në Shqipëri në vitin 1991 qe historia. Hordhi të papërmbajtura njerëzish u sulën me tërbim ndaj objekteve muzeale dhe kundër simboleve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!
I pari që printe këto hordhi të verbra ishte vet ish komunisti Sali Berisha. Për të fituar besimin e atyre që mësynin deri edhe me dhunë për të ardhur në pushtet, si dhe për t’u bërë “grata” i liderëve të shteteve të Perëndimit, ish sekretari fanatik i byrosë së Partisë së Punës të Shqipërisë i spitalit të kryeqytetit nuk u ndal as para shkatërrimeve të shumta që i bëheshin objekteve të ndërtuara me aq shumë mund e djersë nga ana e popullit.
Shpëtuan vetëm hidrocentralet. Gjithçka tjetër; kombinate, uzina, fabrika, ndërmarrje, me këto – edhe gjithë objektet e historisë ranë pre e valës vandaliste të atyre që mësynin të vinin me çdo kusht në fuqi.
Vetëm shkelma mbi ata që mbulonin me lavdi Atdheun!
Një nga vendimet e para të Qeverisë “Meksi” (më sakt: qeverisë “Berisha”) ishte zhvendosja për diku dhe pa vonesë e selisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Ishte një zhvendosje që do të bëhej me dhunë e përdhunë.
– Durim edhe pak ditë, sa të mbledhim materialet për t’i transportuar në vendin ku na kanë thënë, – dëgjohej të thoshte veterani i nderuar, i ndjeri Zydi Rada.
– Edhe pak ditë?! – ia kthente tjetri, që i rrinte përballë. – Shpejtoni, se për ndryshe do t’i nxjerrim ne jashtë dhe materialeve tuaja t’u vëmë zjarrin!
Sa shumë punë ato ditë! Si t’u kishte bërë thirrje njeri, veteranë të shumtë të kryeqytetit, me ta – edhe vullnetarë të tjerë, u paraqitën menjëherë në selinë e tyre aty në bisht të Urës së Elbasanit.
Të persekutuarët e vërtetë të ndërgjegjes qëndronin mënjanë të heshtur, në pritje që t’iu liroheshin zyrat. Por ishin të tjerë, të paduruarit, që kalonin nëpër korridore dhe shtynin me këmbë dosje me materiale dhe me fotografi historike.
– Boll na hëngrët shpirtin, – dëgjoheshin zëra të çjerrë.
Dhe bënin tutje nëpër zyra, duke rrokullisur me këmbë thasët e mbushur me libra historikë.
Brenda atyre pak ditëve administrata e Organizatës së Veteranëve të LANÇ lëvizi, po ku shkoi?!
Në katin e pestë të një ndërtese, ku kohë më parë kishin qenë zyrat e organizatave të masave. Të arrije lart, sikur t’i ngjiteshe Dajtit!
“Plagë” në fytyrën e bukur të Organizatës
Përputhur me politikën antiLANÇ që nisi të zbatohej, Kuvendi i Shqipërisë i dominuar nga të djathtët miratoi ligjin nr. 7874, datë 17. 11. 1994, duke ia ndryshuar emërtimin Organizatës. Që në këtë kohë e në vazhdim të pak viteve kjo Organizatë do të quhej Organizata e Veteranëve të Luftës kundër Pushtuesve Nazifashistë të Popullit Shqiptar”!
– Po si kështu, profesor, – patëm pyetur veteranin e nderuar, studiuesin e mirënjohur të LANÇ, të ndjerin Xhemil Frashëri, që ato ditë ndihej tepër i shqetësuar.
Prof. Xhemili ishte kryetar i grupit të historianëve pranë Kryesisë së Komitetit Kombëtar.
Profesori vuri buzën në gaz dhe, ashtu siç e kishte zakonin, me atë zërin që i dridhej paksa, na e ktheu:
– Ata të qeverisë na paskan krijuar një biçim komisioni me historianë të tyret dhe ata na e paskan sugjeruar këtë emërtim të shtrembëruar.
Dhe pa u zgjatur më tej, vazhdoi:
– E kuptoni si “përkthehet” ky emërtim?
Dhe aty për aty nisi të flasë sërish:
– Kanë hequr, sigurisht me qellim, togfjalëshin “antifashiste nacionalçlirimtare”, për të kënaqur dëshirën e ish ballistëve! Sipas tyre, lufta e popullit tonë nuk paska qenë as antifashiste dhe as nacionalçlirimtare!
Vuri buzën në gaz dhe përfundoi:
– Antifashiste dhe nacionalçlirimtare na e njohu këtë luftë edhe Koalicioni Antifashist Botëror që në dhjetor të vitit 1942…
Do të kalonin pak vite dhe Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 8526, datë 23. 09. 1999 vuri në vend emërtimin e duhur: Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar.
Goditje që fyente rëndë dinjitetin e mbarë popullit
Për të goditur historinë thjeshtë për kredo politike, Sali Berisha shkoi edhe ca më tej: duke shfrytëzuar kartonat e deputetëve të partisë së vet miratoi si ditë të çlirimit 28 nëntorin!!! Dhe, në mbështetje të këtij vendimi absurd, disa pseudohistorianë vazhduan t’u binin trumbetave berishiste për ta “argumentuar historikisht” këtë datë si ditë të çlirimit.
Ndërkohë Qeveria “Meksi” miratoi edhe një tjetër vendim absurd, sipas të cilit nuk do të lejoheshin veprimtari përkujtimore paralele!!! Sipas këtij vendimi, Organizata e Veteranëve të LANÇ duhej t’i bëhej fasadë qeverisë demokratike ditën e 28 Nëntorit! Më 29 Nëntor, sipas vendimit qeveritar, nuk lejoheshin veprimtari përkujtimore!
Ndërsa shkruajmë këto radhë, na kujtohet një ngjarje e tillë, që na trishton edhe sot kur e kujtojmë:
Ditën e 29 Nëntorit shumë veteranë të LANÇ me kurora apo buqeta lulesh në duar shkuan te porta e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
– Nuk lejohet sot të futeni në Varreza, – u thanë policët veteranëve të LANÇ.
– Do të shkojmë te shokët tanë dëshmorë, – ia kthyen veteranët.
– Homazhet u bën dje. Besoj se i keni parë edhe në televizor, – foli ai që ishte përgjegjës.
– Ne ditë të çlirimit njohim 29 Nëntorin, ditë e shënuar me pushkë partizane…
Ishte e kotë të vazhdohej më tej.
Në këto rrethana, veteranët bën ca më tej dhe nisën të ngjiteshin nga kangjellat e hekurta. Disa policë bën sikur s’i panë, por e pësuan. Të nesërmen u pezulluan nga puna.
Disa vjet më vonë, kur kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ishte Prof. Skënder Gjinushi, me votat e deputetëve të majtë 29 Nëntori zuri prapë vendin e vet na kalendarin e historisë.
Me heroizëm e nisi, me heroizëm e bitisi; nderi do të vejë te nderi
Në kulmin e euforisë së vet politike, Berisha nuk u ndal as para legjendave të popullit tonë: Heronjve të Popullit.
Në verën e vitit 1995 jepet urdhri makabër për arrestimin e Heroit të Popullit, Shefqet Peçi. I shkojnë në shtëpi dhe e gjejnë këtë nëntëdhjetëvjeçarë në shtrat. Të moshuar, për më tepër – të sëmurë. Me propetencë shtetërore, e vunë në barelë dhe e dërgojnë në burg!
Por Shefqeti, si Shefqeti! “Tërmet” e kishte pasur pseudonimin gjatë LANÇ, tërmet ishte vërtet.
Sakaq burgosin edhe Heroin tjetër, Haxhi Lleshin, legjendën e pavdekshme të Dibrës.
Ndërkohë, vritet një veteran i LANÇ në Shkodër. Tjetri vritej në Lushnje. Një i tretë – në Ersekë… Revanshzmi fashist vazhdonte.
Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ bëri protesta të njëpasnjëshme kundër veprimit makabër të “drejtësisë” së kapur prej Berishës. Ndërkohë, protesta të shumta u bën edhe nga ana e të gjithë komiteteve të veteranëve të LANÇ të rretheve.
Ndërkohë, “Tërmeti” i Luftës së Çlirimit, ish kryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, e zgjidhi vet fatin e jetës së tij. U fut në grevë urie si për ta sfiduar Presidentin Berisha.
Tri herë kishte qenë i arrestuar komandant Shefqeti nga fashistët, të katërtin arrestim e kishte nga fashisti i ri i porsaardhur në pushtet.
Në burg Hroi nuk kishte armë luftarake si dikur, por ama luftoi e fitoi me armën e grevës së urisë.
Vdekjen e ktheu në legjendë.
Më 23 tetor të vitit 1995 u nda nga jeta.
Në varrimin madhështor të Heroit Shefqet Peçi një veteran u shpreh: Me heroizëm e nisi, me heroizëm e bitisi. Nderi do të vejë te nderi.
I ashtuquajturi Mbreti Zog dhe “zogjtë”’ e tjerë – turp kombëtar
Historia, me të gjitha ngjyrat e saja, është pronë e të gjithëve. Pasuri e tërë shqiptarëve. Si e tillë, ajo bën që secili të njohë mirë vetveten dhe ta përjetojë të vërtetën ashtu siç ia përcjellë historia. Dikush e pret festën historike me kokën lart, dikush tjetër – me kokën ulur. Sepse i ka borxh historisë.
Por… si mund të ndihet rehat njeriu, kur i vetëquajturi mbret lejoi pushtimin e Shqipërisë? I ktheu kurrizin Atdheut dhe ia mbathi si hajdut, duke marrë me vete edhe një pjesë të mirë të thesarit të Bakës së Shqipërisë!
Si mund të ndihet rehat njeriu, kur këtij bastardi të njollosur t’i bëhen të gjitha nderet, t’i vendoset deri edhe shtatore në krye të një bulevardi të kryeqytetit! Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, t’i ngrihet shtatore edhe bashkëshortes së tij?!
Kryesia e Komitetit Kombëtar vazhdimisht e ka ngritur zërin kundër një vlerësimi të tillë ndaj një njeriu që plotëson figurën e plotë të një tradhtari të popullit.
Le të kujtojmë këtu, se Ahmet Zog ka qenë vrasës i Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Avni Rustemit, Hasan Prishtinës, Riza Cerovës dhe i plotë të tjerëve.
Është trishtuese të mësosh e të shikosh, se si eshtrat e një kryetradhëtari të varrosen me nderime shtetërore! Është po kaq trishtuese, kur mëson, se si eshtrat e ish kreut të Ballit Kombëtar, Mitat Frashri, varrosen me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë!
Po kështu, është jashtë çdo logjike gjakftohte të mendosh, se si nipi i një tradhtari dhe djali i një njeriu pa asnjë vlerë atdhetare të vendoset në poste shtetërore?! Është djali i atij që organizoi kryengritje në mes të kryeqytetit në korrikun e vitit 1997 kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë me dhunë atë çka nuk mori dot me votë! Dhe nuk e ka dënuar veprimin prej gangsteri të të atit!
Kryesia e Komitetit Kombëtar e konsideron gjest provokativ çdo intervistë të të ashtuquajturit princ Leka në raste festash historike.
LANÇ ka qenë dhe mbetet medaljon i artë në gjoks të Atdheut
Gjatë periudhës që kanë qeverisur të djathtët historia ka qenë objekt goditjesh dhe fyerjesh të pareshtura.
Mendoni se si u zhvarrosën natën, fshehurazi e në mënyrë tepër tinzare udhëheqësit kryesorë të LANÇ! Kujtoni se si u hodh poshtë memoriali kushtuar Heroinave të Mirditës! Dhe pse? Sepse ato paskeshin dalë jashtë Kanunit (!), sepse paskeshin prerë flokët e paskeshin shkuar në hekurudhë (!), sepse paskeshin ndihmuar për dërgimin e çikave në shkolla…
Kryesia e Komitetit Kombëtar ka lëshuar deklarata të fuqishme kundër këtyre veprimeve të tipit fashist. Me anën e gazetës luftarake “Kushtrim brezash” ajo ka fshikulluar fort të gjitha veprimet që kanë goditur lavdinë e LANÇ, apo që kanë fyer rëndë dinjitetin e mbarë një populli.
– Na duhet të mos e pushojmë luftën tonë për mbrojtjen e të vërtetave të LANÇ, – ngrinte zërin e vet të fuqishëm herë mbas here Sali Verdha, ish komandant i Brigadës XXII Sulmuese Partizane.
Dhe me një letër në dorë drejtohej drejt redaksisë së gazetës “Kushtrim brezash” për të botuar një shkrim, me anën e të cilit dëshmonte se kishte luftuar në krye të Brigadës në mëngjesin e 29 Nëntorit në Shkodër.
– Si është e mundur që të dekorohet nga ana e Presidentit e ashtuquajtura Lëvizja e Koplikut, kur atë e përbënin fshatarë të mashtruar dhe e udhëhiqnin krerë të atyre që kishin qenë kundër LANÇ, – protestonte me shumë të drejtë ish komandanti i batalionit të parë të Brigadës së parë, i ndjeri Xhaferr Peçi.
Por Presidenti i radhës i Republikës nuk pat të ndalur. Dekorata të larta u pat akorduar edhe mjaft diversantëve, që vinin natën dhe vrisnin njerëz të pafajshëm!
Në disa qytete, filluar nga Tirana, iu janë ngritur buste figurave të urryera të popullit. Dhe nuk kujtohet kush të marrë përgjigjen zyrtare: a ka kritere për vendosjen e këtyre simboleve?
Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit” vazhdimisht ka ngritur zërin vetëm për të vërtetën. Për ligjet dhe zbatimin korrektë të tyre. Sepse e ka konsideruar dhe vazhdon ta konsiderojë LANÇ medaljon të artë në gjoks të Atdheut.
Muzeu Historik Kombëtar, tempulli nga duhet të flasë lavdia e popullit
Mbas ndryshimeve rrënjësore ekonomiko – politike të vendit, nisi e vazhdoi të zhbëhej edhe historia. Ashtu si në organet e Drejtësisë, ku u emëruan “plepistë”, edhe në Muzeun Historik Kombëtar në kryeqytet dhe në muzetë historike të rretheve u caktuan drejtues ata që ishin puthadorë me pushtetin qendror.
Në Tiranë u tjetërsuan rrënjësisht pavionet historike. Në frymën e “rishikimit të historisë” u hoqën mjaft eksponate dhe u vendosën të tjerë. Miliona e miliona lekë u investuan për të realizuar mjedise të tjera. Me urdhra nga lart!
Ishte e vështirë, pse të mos e pranojmë, që ishte deri edhe e pamundur të organizoje veprimtari përkujtimore historike. Sepse dhomave, stendave dhe korridoreve të këtij Muzeu frynte era e antiluftës antifashiste nacionalçlirimtare.
Marrë shkas nga kjo gjendje e rëndë në Muzeun Historik Kombëtar, i madhi Dritëro Agolli do të detyrohej të botonte pamfletin fshikullues “Karkalecat dhe shqiponjat”. (Krahas shqiponjave, në Muze po futeshin edhe karkaleca)
Ndërkohë që nëpër rrethe organizoheshin zhvarrim – varrime eshtrash ballistësh me tam – tame, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, me mbështetjen e ministrisë së Kulturës, krejt ndryshe nga ç’ndodh sot, atëherë organizoheshin veprimtari masive kushtuar bashkëpunëtorëve të njohur të pushtuesve!
Në tekstet shkollore të tetëvjeçares, por edhe në ato të shkollave të mesme nisi të studioheshin lloj – lloj figurash, paçka se një pjesë e tyre kishin qenë bashkëpunëtorë të deklaruar me pushtuesit e huaj.
Mësuesit e historisë e të letërsisë detyroheshin të ishin militantë aktivë të Partisë Demokratike për të interpretuar, sipas interesit politik, të “mëdhenjtë” e periudhës më të re!
Ishte Kryesia e Komitetit Kombëtar, që edhe me anën e gazetës së saj “Kushtrim brezash” denonconte hapur dhe fuqishëm të gjitha orvajtjet e të djathtëve për të falsifikuar historinë e vërtetë të popullit shqiptar.
* * *
Gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit, kur Komitetin Kombëtar e kanë drejtuar me autoritet dhe dinjitet shokët Piro Dodbiba, Adnan Qatipi e Rustem Peçi dhe, aktualisht, i pakursyeri Odhise Porodini, sulmet kundër historisë së lavdishme të LANÇ janë përballuar me sukses. Ka ndodhur kështu, sepse gangsterëve të historisë iu është kundërvënë me argumentet e të vërtetave të epopesë së lavdishme të çlirimit.
Qindra veteranë të LANÇ dhe mijëra e mijëra pasardhës të tyre në të 46 – të komitetet e Organizatës në mbarë vendin veprojnë në mënyrë aktive për të nxjerrë në dritën e të vërtetës lavdinë e shkruar me gjak dëshmorësh të pavdekshëm.
Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve dhe të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit” dhe Kryesia e tij nuk mbrojnë vetveten.
Mbrojnë nderin e popullit.
Nuk lartësojnë vetveten.
Mbajnë lart lavdinë e Atdheut.
Lodhen jo për interesa.
Sakrifikojnë për kauza.
Duke iu kundërvënë mendimeve e veprimeve antihistorike të të djathtëve, asnjëherë nuk është zgjedhur heshtja, apo kompromisi ndaj të majtëve, kur ka qenë rasti se duhej mbajtur qëndrim serioz historik.
Veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre e kuptojnë, se aktualisht politika është fytyra e zhgarravitur e historisë.
* Nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”
Une dua ta falenderoi redaksin e “DITA” per botimin e shkrimit te n/kr. Kom. Org. Vet. Koplimentoi shokun Dhimiter Shtembarin qe na i sjell ne vemendjen e opinjonit ngjarje te tilla historike ogurzeza, por edhe te lavdishme te organizates se vereraneve.
Suksese gazetes “DITA”
Besim Shahini kr..kom..org..vet..Durres.
Organizata “KRIMINALE” te LANCIT , te beje publike listen e komandanteve dhe komisareve te luftes te pushkatuar(per te mos permendur partizanet e thjeshte te pushkatuar gjate e pas lufte). 70% e ketyre kryekrimineleve jane pushkatuar nga bashkekriminelet e tyre KAMUNISTE.Te gjitha diktaturat ,te majta apo te djathta ne themel te tyre kane krimin shteteror.Lufta partizane (NAC-CLIrimtare) ne themelet e saj kishte idealin, jo atdheun,drejtohej nga sllavet ,u sherbeu interesave sllavo- orthokomuniste.Edhe sot e majta shqiptare eshte e majte sllaviste dhe jo europiane.Me komikia eshte fakti qe jane 46 dege te veteraneve, kur realisht per arsye madhore dhe per fat te shqiptarise nga keta kriminele jetojne me pak se 46