Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Reportazhi i BBC në Alpe: Shqipëria, vendi më i keqkuptuar në Evropë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Reportazhi i BBC në Alpe: Shqipëria, vendi më i keqkuptuar në Evropë
KryesoreLajmi i fundit

Reportazhi i BBC në Alpe: Shqipëria, vendi më i keqkuptuar në Evropë

Published: January 4, 2023
Shpërndaje

 

HYRJE: Për fat të mirë, emigrantët e paligjshëm, apo shpeshherë të cilësuar edhe si kriminelë, nuk janë i vetmi prezantim që u bëhet shqiptarëve dhe Shqipërisë në Britaninë e Madhe përmes medias.

Peisazhi gri për vendin tonë, duket se i ka lënë vendin një këndvështrimi plot ngjyra  përmes një reportazhi të Petter Elia, gazetarit të medias britanike BBC, i cili ka përshkruar vizitën e tij në Alpet shqiptare.

- Publicitet -

Në artikullin e gjatë kushtuar Bjeshkëve të Namuna, natyrës, historisë dhe traditës, Shqipëria e cila deri vonë është cilësuar si Enigma e Evropës, duket se i jep ende vizitorëve magjinë e një toke sekrete të pazbuluar dhe madhështore, – referuar fjalëve me të cilat gazetari ka zgjedhur të përshkruajë ndjesinë që i dha udhëtimi në tokën shqiptare.

Shkrimi dedikuar Shqipërisë është një ftesë për të gjithë lexuesit për të vizituar një vend, që gazetari britanik e ka cilësuar të sigurt, të qëndrueshëm e me njerëz mikpritës.

 

Artikulli:

Duke ecur nëpër luginat e gjelbra dhe livadhet e mbushura me lule të egra nën rrezet e një dielli flakërues, shoh Alpet Shqiptare që ngrihen lart e më lart.

U godita nga largësia e plotë e këtij peizazhi. Ndryshe nga vendpushimet më të famshme alpine të Europës, nuk ka hotele apo teleferikë skish në horizont. Në vend të kësaj, mjedisi gjithëpërfshirës të ngjall një ndjenjë befasuese veçimi dhe nuk mund të mos ndihesha se kisha hyrë në një tokë sekrete, që i është shmangur vëmendjes së botës së jashtme.

Duke u shtrirë nga Shqipëria Veriore në Kosovën Jugore dhe në verilindje të Malit të Zi, Alpet Shqiptare njihen më mirë me emrat e tyre vendas shqip Bjeshkët e Nëmuna dhe serbo-kroatisht Prokletije.

Pyetja se si këto shpate gëlqerore të dhëmbëzuara e morën emrin e tyre të pazakontë, mbetet një mister. Sipas legjendës lokale, djalli shpëtoi nga ferri dhe krijoi karstet e thepisura akullnajore në një ditë të vetme, të mallkuar (të nëmur).

Disa thonë se emri i Alpeve rrjedh nga një grua që mallkoi malet kur po ecte nëpër to me fëmijët e saj në një ditë të nxehtë dhe nuk mund të gjente ujë. Të tjerë pretendojnë se ushtarët sllavë u dhanë maleve emrin ndërsa përpiqeshin pa shpresë të marshonin nëpër to.

Në njëfarë mënyre, historia e çuditshme e origjinës së këtyre majave është si një metaforë për Shqipërinë në tërësi.

E quajtur prej kohësh “enigma e Europës” nga autorët e librave dhe guidat e udhëtimit, Shqipëria është ndoshta vendi më i keqkuptuar në Europë. Gjuha është një unicitet semantik pa asnjë të afërm të njohur në familjen gjuhësore indo-europiane.

Pas Luftës së Dytë Botërore, sundimtari autoritar Enver Hoxha e mbylli efektivisht kombin malor nga bota e jashtme për katër dekada; ndaloi fenë (duke e bërë atë kombin e parë ateist në botë); ndaloi udhëtimet jashtë. Kjo e ka shtyrë Edi Ramën, kryeministrin aktual të vendit, të thotë se Shqipëria dikur ishte “Koreja e Veriut e Europës”.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Hoxha e bindi kombin se pjesa tjetër e botës donte të përmbyste shtetin e tyre komunist, kështu që ai e mbushi vendin me deri në 500,000 bunkerë betoni që njerëzit të mbroheshin në rast sulmi. Çuditërisht, bastioni komunist nuk u bë kurrë pjesë e Bllokut Lindor, sot vendi është anëtar i NATO-s, por ende jo, i Bashkimit Europian.

Shqipëria ekziston sot si një lloj paradoksi kontinental: është një nga dy vendet e vetme me shumicë myslimane në Evropë (së bashku me Kosovën fqinje), por më shumë shqiptarë jetojnë jashtë vendit (afërsisht 10 milionë) sesa në të (2.8 milionë). Sipas tundjes së kokës, është një vend ku PO do të thotë JO dhe JO do të thotë PO.

Për dekada, pak udhëtarë europianë i njihnin plazhet e arta të Shqipërisë, malet e egra, rrënojat romake dhe otomane. Por që kur kombi ballkanik u hap ndaj botës, ai ka tërhequr udhëtarët e etur për të zbuluar një nga qoshet e fundit të egra dhe më pak të eksploruara të Evropës.

Një nga nismat më të guximshme turistike janë Majat e Ballkanit: një shteg rrethor ecjeje 192 km që lidh Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën përmes shtigjeve që fshihen në Bjeshkët e Nëmuna.

Vizioni për këtë projekt ndërkufitar erdhi në 2013, por rrënjët e tij shkojnë shumë më larg. Shumë shqiptarë dhe kosovarë i referohen marrëdhënies së tyre të ngushtë si “një komb, dy shtete”, siç theksohet në sloganin popullor shqiptar “Ne jemi një”. Në fakt, 93% e kosovarëve janë etnikisht shqiptarë dhe flasin shqip. Kosova dhe Mali i Zi u përfshinë në Jugosllavinë e sapoformuar në vitin 1918, por shpërbërja e vendit në vitin 1992 shkaktoi një seri konfliktesh të ashpra etnike.

Si rezultat, qindra mijëra kosovarë u larguan nga shteti i tyre, duke kaluar nëpër Bjeshkët e Nemuna, drejt Shqipërisë. Në vitin 1999, sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund një lufte mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Kosova përfundimisht fitoi pavarësinë në vitin 2008, por tensionet përgjatë këtyre kufijve vazhdojnë.

Në një përpjekje për të rivendosur paqen, udhëheqësit e tre kombeve sugjeruan një shteg ecjeje që lidhte komunitetet myslimane, katolike dhe ortodokse (Serbia dhe Mali i Zi ishin një komb deri në vitin 2006), me guidat shqiptare dhe kosovare të ecjes në partneritet me bujtinat malazeze.

Që nga hapja e saj, rruga ka nxitur ekonomitë rurale lokale dhe ka ndihmuar në krijimin e një lidhjeje më të madhe midis këtyre enklavave të largëta. Krijimi i shtegut nënkuptonte hartëzimin e rrugëve të njohura deri tani vetëm nga barinjtë dhe inkurajimin e fermerëve për të hapur bujtina përgjatë kësaj mrekullie malore.

Vula përfundimtare e miratimit erdhi kur planifikuesit e shtigjeve bindën autoritetet nga të tre vendet që të hiqnin dorë nga kontrollet e pasaportave, në një kohë kur lëvizja e lirë përtej kufijve ishte thuajse e paimagjinueshme.

Për të mësuar më shumë, vendosa të ecja nëpët një pjesë pesë-ditore, 59 km të shtegut nga fshati shqiptar Valbonë në fshatin Theth.

Aventura ime filloi në kryeqytetin e Shqipërisë në aeroportin e Tiranës, ku guidat e mia (Mendi nga Shqipëria dhe Agoni nga Kosova) më pritën me shumë buzëqeshje  dhe më njohën me një duzinë alpinistësh të tjerë nga Britania, Gjermania dhe Zelanda e Re që formuan grupin tonë. Pas një udhëtimi katër orësh drejt veriut të Shqipërisë, arritëm në liqenin e Komanit, një rezervuar i madh smerald-jeshil mbi lumin Drin.

Për të hyrë në Bjeshkët e Nëmuna, hipëm në një traget të vjetër, për një kalim tre-orësh nëpër Luginën e Valbonës, ndërsa shqiponjat ngriheshin lart.

Ne shëtitëm përgjatë lumit të kristaltë të Valbonës përmes një pylli të lashtë ahu të mbushur me luleshtrydhe dhe manaferra të ëmbla por të egra, që ndalova për t’i shijuar. Pas tre orësh, bujtinat tona u shfaqën përballë Bjeshkëve të Nemuna, të cilat ngjiteshin drejt qiellit me mprehtësinë e dhëmbit të një krokodili.

Mustafai, një ish-bari, drejtonte bujtinën ku hymë. Punonte me dy djemtë e tij. E pyeta pse hoqi dorë nga bariu për të drejtuar një bujtinë.

“Në punën time të mëparshme, hasja shumë udhëtarë dhe shëtitës që i ndihmoja dhe i shoqëroja, por kurrë nuk u mora para. Një bari i këtyre anëve nuk kujdeset vetëm për kafshët, por edhe për njerëzit,” tha ai.

Mendi më shpjegoi se Mustafai priste e përcillte aq shumë mysafirë që qëndronin në stanet e tij, saqë ai e bindi të ndryshonte zanat. Kështu, Mustafai përdori ndërtoi më shumë kasolle se thjesht ato të stanit dhe që atëherë i është përkushtuar kujdesit për udhëtarët me kohë të plotë.

Të nesërmen në mëngjes, me një ngjitje të butë dy-orëshe arritëm majën e malit Trekufiri (2,366 m).

Këtu, kufijtë natyrorë të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi bashkohen në një pamje të thepisur panoramike. Një tabelë e rrahur nga moti dëshmonte fundin e territorit të Shqipërisë dhe brenda pak minutash, ofruesi im i telefonisë celulare më njoftoi se ndodhesha në Mal të Zi.

“Sot, këto shenja janë treguesi i vetëm i kufijve ndërkombëtarë, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kur isha fëmijë, bridhja nëpër këto male lirshëm, por lufta bëri që të mos kaloja më andej” më tha Agoni, ndërsa kalonim një përrua të vrullshëm të ushqyer nga majat akullnajore të maleve.

“Kur mbaroi lufta, doja të bëhesha një udhërrëfyes ecjesh dhe të ndihmoja fëmijët në qytetin tim (Gjakovë afër kufirit me Shqipërinë) për të eksploruar atdheun tonë të bukur” – gjë që tani është e mundur që nga prezantimi i kësaj shtegu.

Në vitin 1998, kur Agoni ishte 13 vjeç, babait të tij iu desh të mbronte familjen e tij nga forcat jugosllave që vinin nga Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa tensionet u ngritën midis shqiptarëve etnikë, serbëve etnikë dhe qeverisë jugosllave. “Ne ishim të frikësuar, askush nuk po vinte për të na ndihmuar, duhej të mbroheshim vetë”. Agoni papritmas u bë shumë emocional pa mundur të fliste për atë që ndodhi më tej.

Kjo histori është e pashmangshme përgjatë gjurmës; pak më pas në një shteg të vetmuar mes staneve të barinjve, ai më tregoi një memorial kushtuar tre anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vrarë atje nga forcat serbe.

Ne kaluam në Mal të Zi përmes shkëmbinjve të mbuluar me myshk në ujërat akullnajore të liqenit të Hridit. Sipërfaqja e tij e qetë, e ngjashme me xhamin, pasqyronte bredhat dhe pishat që e rrethonin.

Ndërsa dielli i pasdites po binte, ne zgjodhëm ngadalë rrugën drejt tatëpjetës. Papritur, vendmbërritja jonë u shfaq me një pamje idilike  të malit Bogićevića.

Ballkani është i famshëm për mikpritjen e tij – dhe për servirjen e porcioneve bujare të ushqimit. Mikpritësit tanë në fshatin Babino Polje ishin Mihajlo dhe Jelena, një çift i martuar.

Mihajlo ishte krenar për gjizën e tij të bërë në shtëpi dhe reçelin e kumbullës. Jelena i përgatiste të gjitha vaktet. Ata janë të dy të krishterë ortodoksë dhe Jelena shpjegoi se Babino Polje ishte relativisht paqësore deri në vitet 1990.

“Politikanët donin një konflikt dhe e kthyen fenë në problem” – tha ajo. “Po të ishte ndërtuar kjo rrugë 30 vjet më parë, ndoshta nuk do të kishte pasur luftë. Gjurma e Majave të Ballkanit u ofron shpresë komuniteteve tona”.

Akomodimet përgjatë shtegut variojnë nga shtëpitë e lëmuara deri te kasollet e thjeshta. Mbërritëm në fshatin e vogël shqiptar të Doberdolit, afër kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën.

Margarita ndihmon në drejtimin e bujtinës në Doberdol. Duke pirë kafe, ajo shpjegoi: “Unë jam mjaft në moshë për të kujtuar kur fshati ynë ishte komunist. Familja ime dhe unë jemi katolikë, por qeveria mund të na ndëshkonte atëherë nëse shkonim në Kishë. Jeta ishte e vështirë, por arratisja nuk ishte kurrë një opsion për mua. Nëse të zbulonin, familja ime do të ishte në burg, ose më keq”.

Në ditën tonë të fundit të plotë, u nisëm drejt kullave ikonike karstike të Karanfilit (2,461 m). Gjeologu francez Ami Boué e përshkruan këtë pjesë të Bjeshkëve të Nëmuna si “vargmalin më të pashpjegueshëm, më të paarritshëm dhe më të egër në Ballkan”. Ne u ngjitëm në rreth 800 metra lartësi duke përshkuar me shkathtësi një kreshtë të ngushtë përpara se të arrinim majat binjake, të cilat ofronin pamje spektakolare të luginës së Grebajës.

Nga ajo majë, ne mund të shihnim Bjeshkët e Nëmuna me gjithë madhështinë e tyre. Vargu malor i ngjante një fortese të ndaluar, pothuajse si Tolkien.

Dolëm në Theth, një fshat shqiptar i rrethuar nga kullota të gjelbra dhe male imponuese, përrenjtë e ftohtë malorë të të cilëve rridhnin nën ura osmane me gunga. Në fillim të viteve 1900, udhëtarja angleze Edith Durham shkroi për këtë fshat: “Mendoj se asnjë vend ku jetojnë qenie njerëzore nuk më ka dhënë një përshtypje të tillë të izolimit madhështor nga e gjithë bota”.

Nëse Shqipëria është enigma e Evropës, ecja nëpër këtë shteg më ndihmoi të kuptoja shumë prej saj”.

Marrë nga BBC

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Ditë-Nata e Edit dhe këshilla e Arta Dades për gjermanishten
  • FOTO: Dita 20 e protestës
  • Fati i Protestës
  • SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun e Ersekës dhe 11 zyrtarë: Kanë abuzuar me tenderat
  • Çfarë do diskutojë Rama të shtunën me Grupin e PS

Komentet e Fundit

  1. K R on VIDEO / Eurodeputetja: Rama po thotë të kundërtën e asaj që votuam, stop modelit që privilegjon një grusht të pasurish
  2. K R on Dosja e drogës Koçeku-Shehu-Hamzai: Dalin fotot e ‘samiteve’ në Aruba dhe Antwerp
  3. K R on Padia ndaj Dados, Veliaj: Më ka pezulluar nga detyra prej 500 ditësh një noter me pesa, kush i pastron plehrat në Tiranë?
  4. K R on VIDEO / Eurodeputetja: Rama po thotë të kundërtën e asaj që votuam, stop modelit që privilegjon një grusht të pasurish
  5. K R on Leksione morali me Aruba në sfond

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?