Komisioni Europian ka nxjerrë zbuluar premtimet e përsëritura të qeverisë shqiptare për zhbllokimin e fondeve IPARD. Prej më shumë se tre vitesh, fermerëve u thuhet se financimet europiane do të rikthehen “shumë shpejt”, por raporti i Brukselit për vitin 2026 konfirmon se programi IPARD III, me një kontribut të Bashkimit Europian prej 94 milionë eurosh, ende nuk ka nisur.
Përtej deklaratave optimiste të qeverisë, Komisioni Europian evidenton se procesi për t’u besuar autoriteteve shqiptare përgjegjësia e zbatimit të buxhetit të programit vijon të jetë i papërfunduar. Raporti kërkon që Shqipëria të përmbushë kushtet e nevojshme për administrimin e fondeve dhe të garantojë respektimin e parimeve të menaxhimit të shëndoshë financiar.
“Programi i zhvillimit rural IPARD III, me një kontribut të BE-së prej 94 milionë eurosh, ende nuk ka nisur për shkak të procesit në vijim të besimit të detyrave të zbatimit të buxhetit”, thuhet në raportin e Komisionit Europian.
Ky konstatim bie ndesh me pritshmëritë që kanë krijuar deklaratat e njëpasnjëshme të zyrtarëve të qeverisë, të cilët gjatë vitit 2026 e kanë paraqitur disa herë hapjen e fondeve si çështje javësh apo si një proces në fazën përfundimtare.
Në shkurt, Ministria e Bujqësisë paralajmëroi se fondet IPARD III do të zhbllokoheshin “shumë shpejt”. Në korrik, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se Shqipëria ndodhej në fazën finale të vlerësimit nga Komisioni Europian dhe se autoritetet kishin përmbushur detyrat e kërkuara.
“Fondet IPARD III prej 148 milionë eurosh, bujqësia shqiptare i ka të nevojshme dhe do t’i ketë shumë shpejt. Nëse ne marrim një përgjigje të shpejtë nga IPARD-i, ne me strukturat tona kemi përgatitur gjithçka që skemën ta hapim menjëherë”, deklaronte Salla.
Por korriku kaloi pa hapjen e programit. Në shtator, ishte vetë kryeministri Edi Rama që premtoi se pritjes po i vinte fundi.
“Do të zhbllokohen tani, më në fund”, deklaroi Rama, duke pranuar se pezullimi i financimeve kishte krijuar probleme për bujqësinë.
Edhe pas këtij premtimi, fondet nuk u hapën. Në tetor, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përsëriti se procedurat ishin drejt përfundimit dhe se zhbllokimi pritej së shpejti.
“Presim finalizimin e procedurave për riakreditimin e fondit IPARD dhe patjetër që është një proces i zgjatur. Kemi pasur dokumentacione për të dorëzuar sipas procedurave, por është në fazën finale të tij. Pra presim që shumë shpejt fondet do të hapen”, deklaroi Ibrahimaj.
Mirëpo raporti i Komisionit Europian, i publikuar në nëntor, tregon se premtimet për një hapje të afërt nuk janë shoqëruar ende me nisjen e programit. Brukseli konfirmon se Shqipëria vijon të jetë në procesin e marrjes së përgjegjësive për zbatimin e buxhetit, ndërsa kërkesat e autoriteteve shqiptare janë paraqitur gjatë vitit 2026.
Sipas raportit, Shqipëria ka dorëzuar kërkesa për besimin e detyrave të zbatimit të buxhetit të IPARD III më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Megjithatë, këto hapa nuk kanë mjaftuar që programi të nisë.
“Të sigurohet që parakushtet për besimin e detyrave të zbatimit të buxhetit në kuadër të programit IPARD III të përmbushen në përputhje me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar; Të bëhet përparim në krijimin e elementeve të ndryshme të sistemit të integruar të administrimit dhe kontrollit (IACS), duke siguruar kapacitetet administrative dhe teknike për këto veprimtari”, thekson raporti duke mos dhënë ende asnjë datë për zhbllokimin e fondeve.
Problemi i fondeve IPARD nuk është thjesht një vonesë administrative. Financimet europiane u pezulluan në korrik të vitit 2023, pas informacionit të dalë nga hetimi i Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, mbi mënyrën e administrimit të granteve të programit IPARD II në Shqipëri.
Hetimi ngriti dyshime për parregullsi serioze në shpërndarjen dhe përdorimin e fondeve. Sipas raportimeve mbi gjetjet e OLAF, mes problematikave ishin pretendimet për pagesa të kërkuara nga përfituesit në favor të kompanive të caktuara të konsulencës, procedura pa konkurrencë reale, oferta të manipuluara, çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
OLAF rekomandoi që 33 milionë euro financime të IPARD II të konsideroheshin të papranueshme, si dhe marrjen e masave për mbrojtjen e 112 milionë eurove financime të ardhshme të IPARD III nga shpenzimi i parregullt.
Për fermerët shqiptarë, pasojat janë konkrete. IPARD III synon të mbështesë investimet në ferma, mekanizimin dhe teknologjinë bujqësore, blegtorinë, përpunimin e produkteve, agroturizmin dhe zhvillimin e zonave rurale. Vonesa e nisjes së programit ka shtyrë mundësinë e aplikimit për grante të reja europiane në këta sektorë.
