Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Bedri Islami – një profil i veçantë në studimet letrare
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Bedri Islami – një profil i veçantë në studimet letrare
KultureLajmi i fundit

Bedri Islami – një profil i veçantë në studimet letrare

Published: October 28, 2024
Shpërndaje

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

(Refleksione mbi librin “Kryqëzimet e letërsisë”, me autor Bedri Islami, botoi “UETPRESS”, Tiranë 2024)

Letërsia artistike është një proces, që vepron nënjë mekanizëm interesant, ashtu siç ecën koha, pa u ndaluar asnjë moment, qoftë në ditë të mira të popujve apo natyrës, qoftë edhe në rrethana apokaliptike. Ky raport i ndërsjellë zhvillohet si një alkimi në perceptimet e lexuesit, si refleksion në komunikimin që ajo bën me njohësit e saj (studiues, hulumtues, kritikë etj.), dhe si një identitet kohor kolektiv edhe pse ajo shfaqet përmes individëve të caktuar në libra të veçantë të botuar nëpër kohë. Nuk ka libër jashtë një identiteti të caktuar kohor, pavarësisht formës me të cilën ai shfaqet. Me këtë proces që nuk ndalon kurrë, rrugëtimi antik, romak, Shekspiri, Fishta e Kadare nuk do të ndalohen kurrë, falë mendjeve të cilat dinë t’i afrojnë dhe të kuptojnë konvergjencën e kohërave në nyjat e veta.

- Publicitet -

Ky perceptim në vetvete nuk pyet asnjë lloj retorike, përveçse e bën mendimin kritik, leximet ndryshe dhe rikthimin në kohë të letërsisë së shkruar më të nevojshme për ta rilexuar siç është e domosdoshme gjithmonë leximi i klasikëve. Në rrjedhat nëpër të cilat ka kaluar letërsia artistike më sëpari dhe shfaqja e profileve të caktuara, shkrimtarë dhe poetë, por edhe njerëz të mendimit kritik, të cilët kanë krijuar refleksionet për të kthyer kokën ndaj librit, kanë ndryshuar qasje, stile të shkruari, refleksionet mbi romanin, tregimin, poezinë apo dhe ndonjë lloji tjetër, ndërsa mënyra që letërsia e ka sjellë dhe e ka vënë në vëmendje kohën i ka dhënë asaj një refleksion të përjetshëm. Raporti i lexuesit me librin dhe autorin, një raport që jo në çdo rast ka qenë i qëndrueshëm, herë kritika ka mbi- jetësuar autorin përmes veprës, ndërsa më së shumti ka mbetur jetësimi i veprës, saqë mund të jetë harruar autori, ka pasur nevojë për një ekuilibër peshash, pasi në anatominë e veprës së Dostojevskit, është vetë autori.

Pra, ashtu siç propozohet leximi i klasikëve, pavarësisht shumëllojtëve të ndërtimit të komunikimit me anë të një krijimi artistik, mendimi kritik mbetet njëndërmjetës i nevojshëm, ndërsa autori mbetet brenda plazmës së veprës. Parashtresa në këtë rast, e cila lidhet në thelb me vlerën, gjetjen dhe kontributin mbi letërsinë shqiptare dhe atë të huaj të librit “Kryqëzimet e letërsisë” me autor Bedri Islamin, mendoj se ka të bëjë me një lloj aktualiteti lidhur me librin dhe profilet e autorëve të tyre. Në fund të fundit, libri del nga thelbi estetik, emocional, nga njohja dhe aftësia e autorit për ta bërë të dukshëm, të aksesueshëm në lexim për lexuesin, atë që i shfaqet dhe e ndjen dhe për të tjerët shkrimtari, pa harruar raportin me kohën, ngjarjet, rrethanat dhe qëllime të tjera të autorit.

Në këto kushte leximi i librit rivëmendësohet nga faktorë të tjerë, ndërsa koha, mbart në vetvete procesin e katarsës, duke shenjtëruar rimarrjen e vlerës dhe çmimin e leximit jo pak libra, vonë daljes së tyre nëtreg. Pse duhet të rishikohet si një fenomen i rëndësishëm leximi i librave përmes mendimit kritik dhe eseistik? Një lloj përgjigje interesante dhe kulturalisht të arrirë na e sjell libri “Kryqëzimet e letërsisë” me shënime përtej leximit, përtej kritikës, përtej kulturës recencionale të autorit Bedri Islami.

Bedri Islami bashkon në një poetin, prozatorin, gazetarin, kulturologun, kritikun dhe eseistin, të cilat në një praktikë në leximin, librave dhe në vlerësimin e veprave letrare dhe autorëve të ndryshëm krijojnë një marrëdhënie më shumë se secila veç e veç. Dhe siç ndodh në këto raste, autori duke krijuar një “deltë” të madhe meditimi, shqyrtimesh, përjetimesh, lloje të leximeve, qoftë leximin në raport me kohën, leximin artistik, leximin konvencional, refleksionet e jetës së shkrimtarit me veprën dhe shumë detaje të tjera që mbartin këto lloje shqyrtimesh, libri në fjalë, i raportuar për lexuesin “Shënime letrare, ese, kujtime” të lejon t’i kapërcesh kufizimet e leximit dhe të disiplinave të kësaj natyre.

Ndërsa në vëllimin e parë, të kësaj natyre, tëtitulluar “Fjalëkryqet e Letërsisë” me rreth 26 profile dhe me një sprovë inteligjente të reflektimit të kodeve të leximit të veprave letrare dhe të kohës së shkrimit tëtyre, shpërfaq një sinekdokë (vepra për kohën dhe autori për kohën) që nga Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Migjeni, profile emblematikë si: Ukshin Hoti, Ekrem Bardha, Jorgo Bllaci, Moikom Zeqo dhe të tjerë, nëpërthyerjet studimore dhe eseistike të Qoses, Sh. Sinanit, P. Rukajt, M. Zeqos, Skënder Temalit dhe tëtjerë, për të ardhur te libri tjetër, i propozuar si “Kryqëzimet e letërsisë”, një qasje mikse, ku natyrisht ka më shumë kohë brenda, më shumë profilitet për shkrimtarët, ka raporte të ndryshme profilesh, marrëdhënie të letërsisë në kohë me aktualitetin që ata mbartin, duke bërë të pranishme dhe autorë të huaj, si: F. Dostojevski, M. Cvetajeva, S. Essenin dhe V. Majakovski, autorë të rëndësishëm emblematikë, përmes të cilëve lexuesit në botë, jo vetëm në kohën e tyre, por edhe në kohën tonë, kanë parë historinë, jetën dhe psikologjinë bashkëkohore të një populli dhe kulture të madhe të rruzullit tokësor.

Libri në fjalë është një qasje e re në leximin e letërsisë artistike, duke përdorur një sinekdokë të pjesshme, por reflektimin e kohës dhe të jetës së autorit në veprën e shkruar, edhe pse libri duket se prek njëdimension tjetër në veprimtarinë dhe kontributet e autorëve të veçantë si: Ismail Kadare, Gjergj Fishta, Moikom Zeqo, Petrit Ruka, Namik Dokle dhe autorë të veçantë të letërsisë ruse kryesisht.

Për shkakun e një leximi intensiv dhe shumëelementësh të letërsisë dhe autorëve, të njohjes së disa zhanreve të letërsisë dhe publicistikës, një krijues nëpoezi dhe në prozë, të qenët gazetar në profesion për një kohë të gjatë (gazetari në vetvete posedon aftësinëpër të sjellë te lexuesi saktësinë dhe leximin e njërealiteti të rëndësishëm social në disa lloje marrëdhëniesh, një libër i kësaj natyre është mjaft interesant. Bedri Islami me këtë rast krijon njëmarrëdhënie intensive të letërsisë me kohën, të autorit me krijimin dhe qëllimin e tij, por edhe të përdorimit tëletërsisë si histori, si psikologji, si dokument, si kulturë, si simbolikë, si marrëdhënie dhe komunikim, si diplomaci, si akt drejtësie, si proces njohjeje dhe interpretimi të dijes, si ditar, si kujtim dhe si shenjëkolektive.

Dhe në këtë rast, ku shquan më së shumti natyra eseistike e hulumtimeve, sjelljes së gjërave interesante për të zbuluar autorë dhe vepra, kohë dhe ngjarje, poeti, romancieri, eseisti, studiuesi, publicisti dhe gazetari Bedri Islami ripercepton thuajse një bibliotekëtë tërë për lexuesit shqiptar, si:
-Vrasja e Lulit të Vocërr: roman – 2003; -Enigma e një vrasje të trefishtë– 2007; -Përjetësia e dyfishtë: Fehmiu dhe Xheva, njëjetë e jashtëzakonshme – 2008-; -I vërteti – 2011-; -Lëvizja (Lindje e përgjakur) – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – 2012; -Itaka e munguar: poezi – 2018; -Vetmi akujsh: poezi – 2018-; -Nata pa të nesërme: roman – 2019-; -Fjalëkryqet e letërsisë – 2019 dhe –Kryqëzimet e letërsisë”, 2019, për të ndërtuar një komunikim absolutisht inteligjent dhe intelektual, pasi e gjithë kolona e zhanreve dhe llojeve duket se plotëson atë që e lë mangët tjetra.

Refleksionet e studiuesit Bedri Islami mbi prozën e Ismail Kadaresë janë të shumta, duke e vlerësuar atësi një nga veprat me një fuqi shprehëse, e cila është krijuar dhe krijohet nga detaje, kohë, epoka, personazhe, ngjarje, emblema dhe një kulturë e larmishme kombëtare shqiptare e ardhur në ditët tona në mjete dhe me forma të ndryshme. Ismail Kadare e ka shkruar artistikisht historinë shqiptare, jo vetëm nëatë që ajo është shkruar nga historia e historianët, por shumë më herët, kur u shfaqën trajtat e para njerëzore, legjendat, mitet e deri në kohët tona. Askush si Kadare nuk e sendërtoi në subjekte dhe formën e përkryer tëartit luftën në gjithë shfaqjet e saj, njeriun shqiptar qënga egërsia deri në kohët moderne.

Po ashtu, koha dhe njeriu modern shqiptar i shkrimtarit, me gjithë rrethimin dhe vetërrethimin në tëcilin ai u gjend, arriti t’i ikë atij rrethimi, ndërsa Kadare, si një “rilindës” evropian, vazhdonte t’i dërgonte shqiptarët e tij në perëndim, në Paris e Londër, në Amerikë e Australi përmes letërsisë që ai shkruante mu në zemër të ferrit.

Në këto rrethana dhe për kushtet nëpër të cilat ka vijuar historia shqiptare, Ismail Kadare ka qenë figura më e besueshme dhe më me ndikim në njohjen e shqiptarëve, kulturës dhe kohezionit të tyre, veçmas lidhur me çështjen e Kosovës, një çështje e cila nëntekstonte një raport mbarënjerëzor për shumë arsye. Duke shfrytëzuar dhe poseduar fuqinë që letërsia përçonte në shoqërinë globale, diplomacinë dhe progresizmin, dhe për shkakun e kryqëzimeve qëletërsia e tij më së shumti ka bërë me historinë, Ismail Kadare një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare, po ashtu edhe në disa ese të natyrës kulturologjike dhe historike ia ka blatuar Kosovës.

Në librin në fjalë, Kadare për Kosovën zë një vend të rëndësishëm. Në kreun e librit, të titulluar “Kadare dhe Kosova”, studiuesi dhe eseisti Bedri Islami shkruan: “I pamatur është pasioni i Kadaresë për Kosovën. Ai e ka dashur atë në të gjitha stinët e jetës së tij, shumë më tepër nga ç’mund të merret me mend. Është një dashuri pasionante mes poetit numër Një të kombit dhe Vuajtjes më të madhe të tij. Rrallëherë është ndeshur një përkushtim i tillë, deri në vetëvuajtje.”, prej të cilës rrjedhin poezi, ese, debate akademike, romane, dialogë të të gjitha niveleve nëperëndim, deri në presidentë shtetesh, që Ismail Kadare ka shkruar dhe ka shfaqur energjinë dhe pasionin e tij për Kosovën. “Krushqit janë të ngrirë”, “Tri këngëzie për Kosovën”, debati i hapur me mendësinë më të egër dhe të prapambetur nacional-shoviniste të Serbisë me Vuk Drashkoviç, tipizimi i gjakatarit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, përbëjnë një kauzë të një mendjeje gjeniale, një dalzotës i të drejtës së një populli për lirinë, që metaforizojnë librat, poezitë dhe qasjet që Ismail Kadare përdori në mbrojtje të Kosovës.

Kosova përbënte në fund të fundit, thelbin e asaj letërsie kadareane, ku pleksen bashkë historia dhe kultura, trashëgimia legjendare dhe mitologjia, e drejta zakonore dhe etnia, marrëdhënia e një populli me kohën dhe mjaft çështje të tjera. Bedri Islami arrin tëkapë gjithë hapësirën që krijoi Kadare për t’i afruar Kosovës vokacionin e tij ndërkombëtar. Mjafton tësjellësh në vëmendje komunikimin e tij me presidentin francez, Miteran, ku thuhet posaçërisht, se:“Sado që një gjë e tillë tingëllon mesjetare dhe e kapërcyer nga koha, zoti President, në gadishullin ballkanik, mesjeta është ende e pranishme. Unë iu lutem që ta vlerësoni këtë paralajmërim, këtë klithmë, përpara se tragjedia të ndodhë dhe përpara se të jetë vonë.”, një realitet qëletrarishte shkrimtari i madh e sjell përmes letërsisë sëshkruar posaçërisht për Kosovën, si dhe eseistikes mbi çështjet e identitetit dhe kulturës, por edhe refleksioneve mbi personalitete të dijes dhe politikës, siç është ajo që përcjell shqetësimin mbi fatin e Ukshin Hotit.

Kosova mbeti një libër i hapur për Ismail Kadarenë, ndërsa studiuesi Bedri Islami arrin ta afrojël eximin e letërsisë bashkë me historinë, një formë bashkëkohore e komunikimit, duke e bërë atë të rëndësishme përmes një profili si Ismail Kadare. Asnjë protestë, proklamatë a formë tjetër nuk bën rrugë më të gjatë se një roman i shkruar për historinë dhe aktualitetin e një populli, siç mundi të bëjë Kadare dhe përmes letërsisë, e cila kryqëzohet me historinë, zëdhënës të së cilës janë personazhe të shumtë, nëndërgjegjen e të cilëvë lëviz kombi.

Në thelbin e të gjithë asaj që Kadare tha për Kosovën në të gjithë refleksionet e tij të larmishme dhe shumë- llojesh, ka një lloj definicioni për lirinë, e cila lidhet me mësimin që Ballkani i ka dhënë Evropës, se: “Shkrimi i historisë mbi gënjeshtra është burim tragjedish dhe vdekjesh të padrejta,” siç është në tëvërtetë historia e luftërave mes shqiptarëve dhe serbëve.

Refleksionet mbi Fishtën janë realitet i ndërgjegjes së kombit dhe historisë. Dhe kush më mirë se Lamberc do ta dinte këtë që nga viti 1916, i cili shkruante: “E ardhmja do të dijë ta çmojë më mirë rëndësinë e këtij njeriu.”, ndërsa në marrëdhënien e tij me Fishtën, Bedri Islami shkruan: “Poeti- dëshmitar i popullit të tij, ai që shikoi turpet tona dhe lavditë tona, që përcolli dashurinë e tij ngulmuese për të gjitha ato që mund të përpinte harresa, i parrokshëm nga mendja, do të ishte si një kristal magjik që duke perifrazuar Borges, njëherazi do t’i përmbante tri faqet e kohës, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.”.

Jeta dhe vdekja e Fishtës përbëjnë shfaqjen e madhështisë së tij, saqë dita e vdekjes së tij ngjante më shumë madhështore se e dhimbshme. Dhe kjo ndodh rrallë. Asnjë poet kombëtar, qoftë dhe poezinë e tij nuk e ka ushqyer dhe nuk e ka krijuar atë fenomenin e simbiozës, sa historia shqiptare në poezinë e Fishtës. Si një zë, i cili dilte nga dhimbja, drama, vetëmohimi, mbijetesa, nga luftërat dhe nga lashtësia. Fishta qe njëherësh luftarak, lavdishkrues, mbrojtës i identitetit, modern dhe konservator, largpamës dhe kritik i kohës, botës dhe vetë shqiptarëve. Nuk ka pasur dhe nuk ka një njeri më kompleks, erudit dhe njohës, i cili i vuri në shërbim të kauzës së kombit dhe të atdheut.

Shpirti luftarak dhe trashëgimia historike rrodhi përmes vargjeve të “Lahutës së Malcis”, e cila kumton dhe jehon duke u dëgjuar, duke u lexuar dhe duke u kënduar, ndërsa kultura, aktualiteti bashkëkohor erdhi përmes studimeve (Hylli i Dritës dhe Fishta janësimbioza të njëri-tjetrit), përmes dijeve filologjike (Kongresi i Alfabetit në Manastir: “Nuk ka Shqypni pa gjuhë shqipe!”), lirizmi dhe satira përmes poezisë lirike dhe asaj satirike, diplomacia dhe erudicioni përmes mbrojtjes së kombit dhe të drejtës shqiptare nëkonferencat dhe ligjëratat ndërkombëtare, ndërsa shtetari, duke mbështetur zhvillimet politike progresiste në vend.

Leximi i Fishtës përmes një parashtrese anatomike të vendlindjes, inteligjencës, edukimit, shkollimit, njohjes së thellë të historisë, përftesa e një shpirti brilant si një katolik i devotshëm, pasioni dhe këmbëngulja për dije, angazhimi për të nderuar kulturën dhe të kaluarën me dritë të qytetërimit më të rëndësishëm shqiptar si Shkodra, shqisa e mprehtëdebutuese dhe e angazhuar në zhvillimet kohore, një ithtar i të vërtetës dhe drejtësisë, në kontekstin që studiuesi Bedri Islami ka sjellë në libër, e bën Fishtën një përfaqësues kompleks të kohës dhe të kombit, siç ka ndodhur dhe me figura të tjera në letërsinë botërore.

Krahas Konicës, Çabejt, Lambercit, studiuesve tëkishës dhe Vatikanit, për të njohur Fishtën duhet tëlexosh “Anzat e Parnasit”, satirë, Sarajevë 1907; “Pika voese”, më vonë ribotuar si “Vallja e Parrizit”, Zarë1909; “Shqyptari i gjytetnuem”, melodramë, 1911; “Shqyptarja e gjytetnueme”, melodramë; “Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t”, 1912; “Juda Makabé”, tragjedi, 1914; “Mrizi i Zânavet”, Shkodër 1924; Sh. “Luigji Gonzaga”, Shkodër 1927; “Lahuta e Malcís”, botimi i plotë, 1937; “Jerinas, mbretnesha e luleve”, “Gomarin e Babatasit”, 1923.

Në librin “Kryqëzimet letrare”, i cili është ndërtuar mbi një lloj sintetizmi të kohës dhe krijimit, një komentar elitar sipas një strukture komunikuese të esesë, zënë vend dhe tri profile të njohura të letërsisë shqipe, Moikom Zeqo, Petrit Ruka dhe Namik Dokle, secili ndryshe nga tjetri, por që në mozaikun e librit, duke qenë afër njëri-tjetrit në kohë, duket se secili ka vendin e tij. Natyrisht ky është edhe një këndvështrim bashkëkohor i autorit krahas natyrës së komunikimit tëtij me lexuesin, pasi në fund të fundit çdo libër e mëton komunikimin me lexuesin dhe përmes lexuesit.

Moikom Zeqo është simbiozë e poetit, studiuesit dhe hulumtuesit të rikrijimit të komunikimit nëpër honet dhe gollet e kohës. Arkeologjia është ndoshta gjuha më e rëndësishme e qytetërimeve, e cila e ka nënatyrën e saj tejkalimin e vetvetes, duke fshehur pjesën më të madhe të kohërave, apo të dhënit me një koprraci të detyrueshme, siç janë fragmentet në qeramika, hieroglifët, rindërtimi i të shkuarës përmes fragmenteve dhe rendja pas mistereve. Zeqo njihte mirë historinë, raportet e njeriut me të mbinatyrshmen, e shfaqur në forma të ndryshme, procesionin e frymës së shenjtë, fuqinë e mesazheve dhe kodeve të ngurtësuara në fosile fjalësh, fjalë- kyçet e librave të shenjtë, në të cilët flitet për qenien dhe parashikimin për të ardhmen.

Aktualiteti i Moikom Zeqos, një mendje e ndriçuar nga leximi, talenti dhe intelekti, një bibliotekë e madhe që ecën, një fuqi meditative e kthyer në një bibliotekë e shkruar, me mbi 100 libra, mund të përmblidhen në një ligjëratë që Bedri Islami mendon për Zeqon, duke qenë miq të mirë, dialogues inteligjent dhe debatues të realitetit, psikanalizës dhe frojdizmit njëherësh, si burime të shpjegimit të qenies. Islami shkruan: “I veçantë në llojin e tij, ai është i paimitueshëm,… i dëshpëruar dhe i gëzuar njëkohësisht, i dashuruar marrëzisht dhe krijues i një perandorie të pashoqe që nuk kufizohet dot,… përtëritës migjenian i një bote tjetërlloj dhe risjellës i kumtit të Gjon Buzukut, De Radës, Mjedës, Poradecit, njëjtë siç sjell ankthet e pauruara të Apolinierit, të Hajnes e Erazmit të Roterdamit”. Bedri Islami sikur na jep një çelës për të hyrë brenda mendjes së tij.

Petrit Ruka, në eseistiken e Bedri Islamit, gjithmonë ngjan me atë studentin ardhur nga Tepelena me karakterin lab, i brishtë si një fije bari, e që përthith gjithë qytetërimin e Shkodrës. I mbetur një fëmijë për nënën, një atdhetar për atdheun, një i dashuruar me vajzën, një lirik i përjetshëm, duket se komunikimi i para dhjetëra vitesh me të vazhdon edhe sot e kësaj dite, se poeti: sytë, duart, ëndrrat, dëshirat, dashurinë, pengjet i ka lënë nëpër poezitë e tij.

Namik Dokle udhëton në letërsinë e tij të ëmbël dhe të ngrohtë njerëzore, me njerëzit dhe fatet e tyre, me legjendat, baladat, ku e kaluara përzihet me tësotmen dhe të ardhmen, e bën atë një ngjarje tërëndësishme në letërsinë shqiptare. Dokle përcjell dimensione të mëdha, të cilat i percepton vetëm letërsia si e tillë.

Shqetësimi për njeriun duket se përbën një metaforë të qëndrueshme në letërsinë e tij, për të cilin Bedri Islami shkruan: “Një vrasje është nëqendër të romanit “Kolerë në kohën e dashurisë”. Vrasja e Poetit. Njëri ndër të shumtët vrarë nga diktatura. I pavarur. Më saktë, i ndarë në dy varre, ku i pari, jo rastësisht quhet muranë. Muranat kanë pasur gjithmonë lidhje me nderimin njerëzor. I dyti, i paditur askund dhe gjithkund, i pranishëm dhe i panjohur, mister dhe ndjellës, enigmë dhe shpërfillës.”, një perimetër i cili nxë natyrisht shumë kohë dhe shumëngjarje, por që i bën dhe më të ndjeshme dhe këmbëngulëse rikthimet në çdo lloj forme të legjendave dhe të baladave në anët ku është lindur dhe rritur shkrimtari Namik Dokle.

Fjodor Dostojevski, Marina Cvetejeva, Sergej Esenini dhe Vladimir Majakovski janë katër autorë të letërsisë ruse që zënë vend të dukshëm në librin sprovë të studiuesit Bedri Islami. Aftësia dhe mundësia për ta parë kohën dhe Rusinë përmes grilave dhe metaforës së poetëve dhe shkrimtarëve në një kohë gri dhe të hirtë është një marrëdhënie e rëndësishme dhe e studiuesit me kohën për shkakun e metaforës që letërsia përcjell në kohë dhe në hapësirë, kudo ka njerëz, regjime, rende sociale dhe kulturë. Dostojevski mbetet gjithmonë i parrokshëm përmes mistereve të mëdha që mbart jeta dhe krijimtaria e tij, pasi siç shkruan Bedri Islami, “Gremina djallëzore e veprës së Dostojevskit të ndjell. Fytyra e tij të ngjall krupën. S’ka asnjë fije diell, është një terrinë enigmatike. Drejt tij afrohesh me ndrojtje. Sytë e zhytur brenda vetes nuk shfaqin asnjë pasion, të trembin, por edhe të joshin..”, pra, një labirint psikologjik ku lëviz dhe shfaqen koha, njerëzit, qëndrimi i tij ndaj asaj që rrethon, kompleksi i Edipit, parajsa dhe ferri etj.

Ndërsa jeta e Cvetajevës është një roman tragjik dhe i kohës së saj, erotizmi dhe ritmi me “Re e pantallona” te Majakovski janë tablotë e Rusisë së kohës, të cilat koha i riciklon në ngjarje, marrëdhënie, instinkte të hershme, duke i bërë poetët të shfaqen në format më të larmishme të leximit të kohës. Përmes kësaj marrëdhënie, që e krijon një libër i tillë, një “matricë” elegante e pjesëtimit të jetës së shkrimtarit me veprën e tij, por jo në kuptimin dhe praktikën klasike, e bën librin në fjalë (“Kryqëzimet e letërsisë”) një lexim elegant të letërsisë në autorë të rëndësishëm të saj.

Tiranë-Vlorë, tetor 2024.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • ARRSH hap procedurën, 6 mbikalime për këmbësorët do ndërtohen në autostradën Tiranë-Durrës
  • Alarm në Kremlin, Putini rrezikon humbjen historike në Kaukaz
  • Publikohet super-renditja e Botërorit 2026: Nga favoritët te skuadrat pa shpresa
  • Rama sjell shembullin e Bahamasit për zhvillimin e turizmit: Flamingot nuk janë problem, por privilegj
  • Me flamuj kuqezi dhe pankarta, shqiptarët protestojnë para selive të BE në Bruksel për Zvërnecin

Komentet e Fundit

  1. Aldrin on “Shqipëria nuk shitet”, sot protesta e tetë në Tiranë: Rama të japë dorëheqjen
  2. Patrioti on Gjendet i pajetë në lumin Mat, ish-drejtuesi i Gardës së Republikës
  3. ¿? on Deklarata e akademikes greke trazon rrjetin: “Athina kur ishte me shumicë shqiptare”
  4. Ppp on Protestuesit në Zvërnec, Rama ironizon: Mos i bëni për të qarë flamingot duke ua zhvirgjëruar plazhin
  5. ¿? on Karakaçi njofton subvencionimin e shoqërive të transportit publik

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?