Çështja CEZ, që dukej se ishte arkivuar, u kthye përsëri dhe si një stuhi ethesh pushtoi teatrin e ngjarjeve në Shqipëri, veçanërisht prej trazimit publik të ish-presidentit Meta. Politika, institucionet shtetërore, media, analistë të varur e të pavarur dhe gjithë opinioni publik lundroi mbi shtresën vluese të kësaj stuhie. Koha prodhoi dhe prodhon më shumë debat politik të mbingopur me mjegull dhe shterpësi.
Ndryshe nga ky debat duam të sjellim shifra, fakte dhe argumente që ti japim mundësi shqiptarëve të shohin e të gjykojnë çfarë ka ngjarë, kush janë regjisorët, kush janë aktorët, çfarë kostosh janë krijuar dhe kush ka paguar për to.
Që në fillim më duhet thënë se nuk ka një çështje puritane CEZ , por ka një çështje CEZ-Qeveri Shqiptare. Natyrisht nuk mund të ketë një çështje ku ka luajtur vetëm një palë-CEZ-i!… Më tej, çështja përfaqëson një mozaik papërgjegjshmërish, shkeljesh, shpërdorimesh, abuzimesh etj… të institucioneve shtetërore apo individëve shtetarë. Ky mozaik i sipërpërshkruar ka krijuar një traumë të rëndë në Sistemin Elektrik Shqiptar; kanë krijuar humbje financiare kolosale, që i ka paguar buxheti i shtetit dhe xhepi i shqiptarëve; ka krijuar ambient për një veprimtari korruptive ku me sa duket janë përfshirë institucione, individë në nivele të ndryshme të administratës shtetërore, deri në shoqëri private që kanë bashkëpunuar me segmente apo individë të administratës shtetërore.
Ngjarjet mund t’i ndajmë në disa faza apo akte.
Faza që shënon fillimin e ngjarjeve është Privatizimi i ish Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHE sha) dhe ardhjes triumfatore të CEZ-it. Faza tjetër përmbledh “Tre vite të CEZ-it në Shqipëri dhe largimit të turpshëm e të dhunshëm të tij nga Shqipëria” (gjashtëmujori i dytë 2009-janar 2013). Më tej vjen faza që shënon Marrjen në administrim e CEZ-it nga shteti (janar 2013-korrik 2014). Një fazë e rëndësishme është Marrja prej Qeverisë e aseteve dhe aksioneve të CEZ-it në Shqipëri, tashmë OSHEE sha. Së fundi kemi fazën që përfshin Veprimtarinë e OSHEE sha” (korrik 2014 dhe deri sot). Të gjitha këto meritojnë të shtjellohen veç e veç; duke ruajtur rrjedhën e ngjarjeve, lidhjen dhe ndikimin e ndërsjelltë mes tyre.
Duke qenë se opinioni publik është i ngarkuar, do të trajtojmë vendimet politike që ka marrë Qeveria Berisha dhe Qeveria Rama gjatë zhvillimeve në fazat e lartpërmëndura. Qeveria Berisha mori vendimin politik për privatizimin e ish OSHE sha dhe vendimin politik për largimin e CEZ sha prej Shqipërisë. Qeveria Rama mori vendimin politik për “zgjidhjen me mirëkuptim” të konfliktit CEZ -Qeveri. Është e drejta e çdo qeverie të marrë vendime politike dhe madje për këtë janë votuar. Por qeveritë duhet të ballafaqohen me rezultatin që sjell vendimmarrja e tyre dhe përgjigjen për rezultatin që sjell vendimmarrja e tyre.
Në Shqipëri është bërë zakon që qeverisjet të mos bëjnë asnjë ballafaqim me rezultatin e vendimmarrjes apo të aksionit të tyre dhe për më keq nuk pranojnë asnjë lloj përgjegjësie për pasojat e vendimmarrjes. Përkundrazi, qeveritë largojnë përgjegjësinë nga vetja, mbrohen në mënyrën më të turpshme dhe barrën e pasojave e hedhim mbi qytetarët. Qeveritarët janë kaq frikacakë sa që fshihen pas vendimmarrjes kolegjiale. Shpesh herë qeveritë, për të patur siguri të lartë, vendimet e tyre i mveshin me Ligj prej Parlamentit; pra iu vënë një kapak antiatomik bunkerëve mbrojtës. Sapo në horizont të shfaqet ndonjë rrezik, qeveritarë frikacakë struken në këto bunkere dhe fillojnë zhurmën politike. Asnjëherë nuk dalin në tapet për t’u ballafaquar me faktet dhe argumentet, për t’u matur me drejtësinë; përkundrazi ata sajojnë lloj-lloj historish deri banale për t’i shpëtuar gjykimit të drejtësisë. Pasi kalon furtuna ata trimërohen dhe i shohim të krekosen në foltore institucionesh, në ekrane televizionesh apo në aktivitete të ndryshme.
Vendimi politik i parë i Qeverisë Berisha është privatizimi i ish OSHE sha. Në përfundim të procesit të privatizimit Qeveria Berisha nxitoi të korrë dafinat, deklaroi se kriza në sektorin e energjisë elektrike mori fund dhe se për këtë sektor kishte nisur një epokë e re. Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Në më pak se tre vjet prvatizimi rezultoi një dështim i madh, që krijoi një gjendje të rëndë në sektorin e energjisë elektrike. U mbars një gjendje kolapsi, ku treguesit sintetik të sektorit humbjet e energjisë elektrike ishin ndjeshëm më të përkeqësuar krahasuar me ata para privatizimit. Humbjet e energjisë elektrike në një nivel shumë të lartë, rreth 50%. Niveli arkëtimit të energjisë elektrike të faturuar rreth 70%. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 janë arkëtar rreth 18 miliardë lek, kurse për të gjithë vitin 2013 arkëtimet kanë shënuar një nivel shumë të ulët, vetëm 38.5 miliardë lek!…
Këta dy tregues sillnin që nga energjia elektrike totale e hedhur në treg të “rimbursohej”’më pak se 35% e saj!.. Borxhet mes operatorëve në sistemin elektrik arrinin rreth 1.2 milardë euro. Të gjithë operatorët në prag kolapsi. Sistemi bankar nuk jepte kredi sepse kishte humbur besimin dhe garancinë; për të mos thënë se ndaj operatorëve privatë të prodhimit të energjisë elektrike bankat kishin nisur sekuestrimin e pasurisë, për mos kthim të kredive të marra.
Qeveria Berisha, për të larë faqen e vetë nga kjo katrahurë, deklaroi se CEZ dështoi në Shqipëri. E pra, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Kryeministri Berisha dhe as ndonjë ministër i kabinetit të vet nuk morën qoftë edhe përgjegjësinë minimale! E pakta dikush duhej t’iu kërkonte ndjesë shqiptarëve për dëmin e madh që iu erdhi nga një vendim politik i qeverisë së tyre. Një Qeveri serioze do të tregonte edhe shkaqet përse ndodhi kjo katrahurë, të dilte para qytetarëve dhe të merrte përgjegjësitë e veta. Këtë nuk e bëri kur ishte në pushtet dhe nuk po bën ende, kur tashmë gjithçka ka dalë lakuriq.
Vendimi politik i dytë i Qeverisë Berisha është përzënia në panik dhe pa asnjë procedurë e CEZ. Si të thuash CEZ erdhi triumfalisht ditën me diell dhe iku natën fshehurazi!.. Përzënia e CEZ do të ndodhte pashmangshëm, por veprimet u kryen në panik, me mllef nga dështimi. Përzënia e CEZ u bë vetëm e vetëm për të hequr përgjegjësinë e rëndë nga vetja. Nuk u krye asnjë procedurë, përveç heqjes së licensës. Nuk u mor asgjë në dorëzim prej administratorëve të CEZ, duke hapur një kapitull të ri problemesh dhe abuzimesh!… Pra edhe pse vendim i drejtë, ai solli një zinxhir problemesh në çështjen CEZ-Qeveri; që sot po i “shijojmë” të gjithë së bashku. Ish kryeministri dhe “oborrtarët” e vet mbajnë të njëjtin qëndrim si edhe në rastin e dështimit të privatizimit; vetëm zhurmojnë dhe hedhin baltë mbi të tjerët.
Po përse panele, deputetë dhe analistë të ndryshëm mundohen që në këtë çështje të peshkojnë ku, kur dhe si duan; madje mund të themi se peshkun e futin në grep dhe bëjnë sikur peshkojnë!.. Çfarë shërbimi iu bëjnë shqiptarëve kur e errësojnë të vërtetën, ose minimalisht i turbullojnë ujërat për të mos parë e kuptuar çfarë ka ndodhur?! Është e pa pranueshme të shikosh analistë gjoja të pavarur, apo deputetë të fabrikojnë lloj-lloj historish apo të tjerrin arsyetime boshe. Është po kaq e dhimbshme dhe e padurueshme të shohësh në ekranet e televizorëve dështakët dhe fajtorët që të shesin parime, të hiqen si shenjtorë dhe të kërcënojnë…, kur duhet të japin llogari.
Në fund të fundit për çdo vendimmarrje politike gjykohet suksesi apo mos suksesi dhe pasojat që ka sjellë vendimmarrja për qytetarët dhe për zhvillimin e vendit. Analistët janë analistë, nuk mund të bëjnë punën e institucioneve siç përpiqen shpesh të bëjnë, natyrisht kur paguhen apo përfitojnë. Deputetët e kanë detyrim kushtetues të ballafaqohen me të vërtetën dhe vetëm me të vërtetën.
Marrë nga numri i sotëm i gazetës DITA