Prof. Asoc. Dr. Bermard Zotaj
Përgatitja për formimin e çetës
Më 5 qershor 1943, në Matogjin të Smokthinës u formua çeta partizane “Zigur Lelo”. Kjo ngjarje nuk ishte e rastësishme, por erdhi si rezultat i një pune të gjerë propogandistike dhe të vazhdueshme të grupeve edukative të organizuan në njësite guerile të krahinës së Smokthinës ose “ushtarë të popullit” siç quheshin atëherë. Kështu krahas lindjes së organizmave të para të pushtetit popullor, duheshin dhe repartet luftarake të tij, njësitet e armatosura që do të shërbenin si organe lufte fillestare për të përkrahur pushtetin e popullit, si dhe për të kryer aksione kundër armikut. Njësitet e armatosura të fshatrave ishin shkëndjat e para të luftës së armatosur në Smokthinë. Këto lindën mbi bazën e një pune të studiuar. Në Shalës, më 27 prill 1942, me porosinë e Hysni Kapos bëhet mbledhja e gjithë aktivistëve të Smokthinës. I deleguari me pseudonimin “Xhoxhi”, Jorgo Plaku, dëshmorë i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shtroi detyrën e krijimit të këtyre njësiteve bazë çdo fshati. Detyrat e njësitit ishin: armatosja e tij, kryerja e aksioneve, goditje të njësive ndëshkuese dhe luftë kundër armikut. Aksionet do të kryheshin, nën udhëheqjen e Partisë dhe të komandës së Qarkut Vlorë duke ruajtur sekretin. Njësiti gueril i Ramicës, nën drejtimin e Lavdosh Zaçes, në vjeshtën e vitit 1942 kryen një aksion me armë kundër një emisari italian të fashizmit. Njësitet e Smokthinës kanë sjellë dhe shpërndarë materialeve propagandistike, si dhe u puna me të rinjtë për organizimin e luftës së armatosur.
Në njësitet e Smokthinës bënin pjesë Mevlan Dervishi, Hysni Bocaj, Nazif Lamorëndi (Hasanaj), Luto Canaj, Shuaip Llanaj, Sadik Zotaj, Reiz Rukaj, Lavdosh Zaçe, Dane Mehmeti, Perlat Hasani, Dervish Bocaj, Moisi Elezi, Ziso Isai, Aliko Mehmeti, Musa Ramo etj. Pjesëmarrja masive në punë ilegale kishte nisur që në fillim të vitit 1942 në Smokthinë dhe me shtrirje në radhët e rinisë. Në këtë proces të rinjtë që u aktivizuan përvetësuan format dhe disiplinën e punës organizative të luftës.

Viti 1943 në Smokthinë erdhi me të papriturat e tij. Veprimtaria e grupit edukativ kishte qenë e dukshme në të gjithë fshatrat e saj, por sidomos mbresëlënse ishte dhe puna e të deleguarve në krahinë. Veprimtaritë luftarake të njësiteve në Smokthinë e jashtë saj, kishin rritur prestigjin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Situata e krijuar, detyrat që shtroheshin, kërkonin forcimin e punës organizative dhe shtrirjen e ndikimin të saj në çdo fshat, në çdo familje, në të gjitha shtresat shoqërore. Ishte një detyrë që shtrohej dhe për Smokthinën, si krahinë e thellë malore dhe për t’u bërë bazë kryesore e mbështetëse për luftën.
Viti 1943 tregoi se lufta e armatosur në mjaft krahina po merrte përpjestime të mëdha. Në këto kushte celula e partisë i sugjeron Komitetit Qarkor për Vlorën se në Smokthinë ishin krijuar kushtet për formimin e çetës partizane. Mbasi u shqyrtuan rrethanat e krijuara, u aprovua mendimi i celulës për formimin e çetës.
Komanda e çetës
Komandant Mevlan Dervishaj ishte ndër të parët luftëtarë që hodhi pushkën krahut dhe doli partizan kur atdheun e shkeli çizmja fashiste. Ai ishte vazhdues i veprës së ndritur të burrave të tillë, si të Cane Myftarit dhe të Zigur Lelos. Mevlan Dervisha ishte nga pesë anëtarët e PKSH për Smokthinën që më 5 shkurt 1943. Edhe çeta partizane që komandoi nga viti 1943 kishte emrin “Zigur Lelo”. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kreu detyrën e komisarit në Qarkun e Vlorës (1943), të komandant të Grupit të Tretë të Mallakastrës të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër (1944). Në tetor 1944 mbi bazën e Grupit të Tretë Partizan të Mallakastrës formohet Brigada XI Sulmuese, ku emërohet komandant i saj. Brigada zhvilloi veprime luftarake në zonën Fier-Rrogozhinë-Durrës-Tiranë dhe mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës. Brigada vazhdoi luftimet në zonën Krujë-Milot-Pukë duke përfunduar detyrën e saj në Kukës, me çlirimin e vendit. Mevlan Dervishaj u plagosur pesë herë në luftë. Plumbin e parë dhe të dytë e ka marrë në Betejën e Drashovicës me forcat gjermane në vitin 1943; të tretin e ka marrë në Velçë të Vlorës në luftë me nazistët e ballistët në fillim të shkurtit 1944 dhe po në fund të shkurtit 1944, në Mallkeq u plagos për herë të katërt dhe herën e pestë u plagosur në vitin 1946 në luftë me grupet diversioniste në Peshkopi.
Komisar Veiz Pipa, me mbarimin e shkollës Plotore, vazhdoi shkollën e Mesme Bujqësore “Hari Fullc” në Kavajë, ku e mbaron me rezultate të shkëlqyera. I akordohte burs nga shteti dhe vazhdon Shkollë e Lartë në Firence të Italisë për Agronomi. Me mbarimin e shkollës në Itali, kthehet në Shqipëri dhe emërohte agronom në Sukth në vitet 1938-1939. Në Tiranë bie në kontakt me idetë komuniste duke u bërë pjesë e grupeve edukative komuniste. Për veprimtari antifashiste pushohet nga puna, pasi ishte dënuar dhe dy herë në Itali dhe në Shqipëri. Kthehet në Vlorë dhe bëhet një nga anëtarët më aktivë të grupeve edukative të qytetit të Vlorës të ngritur në dhjetor 1941. Ai ishte një nga drejtuesit e ngarkuar për organizimin e grevës së bukës në mars 1942. Është pranuar në PKSH mbas aktivit të Partisë të vendit në prill 1942. Ka qenë organizator i demonstratës së madhe popullore të zhvilluar në muajin shtator 1942 në qytetin e Vlorës. Nga Qarkori i Partisë së Vlorës emërohet komisar i çetës partizane “Zigur Lelo” të Smokthinës.
Formimi i çetës
Përurimi i çetës u bë më 5 qershor 1943, në Matorukaj, tek shkolla e Matogjinit. Në këtë cermoni ishin të ftuar dhe mjaft patriot të Smokthinës që kishin qenë luftëtarë në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Fjalën e mbajti i deleguari i Komitetit Qarkor Delo Balili, që përshëndeti krijimin e çetës dhe foli për situatën politike, për luftën kundër pushtuesit fashist dhe tradhëtarëve, si dhe për detyrat që dilnin formacionit luftarak. Foli dhe Veiz Pipa, i cili u zgjodh komisar i çetës. Komandanti i çetës, luftëtari me përvojë dhe antifashisti Mevlan Dervishaj me luftëtarët e çetës u betuar para flamurit kombëtar, duke thirrur “betohemi para këtij flamuri të shenjtë, që është simbol i nderit dhe i lirisë të popullit tonë”. Betohem thirrën fuqishëm të 21 luftëtarët e çetës. Flamuri i çetës ju dha partizanit Luto Canaj, një nga më të rinjtë aktiv të saj.

Çeta u pagëzua me emrin “Zigur Lelo”, patriot trim që në Luftën e Vlorës të vitit 1920, më 5 qershor, në ballë të luftëtarëve të Smokthinës ra trimërisht, duke mbetur dëshmor në fushën e nderit. Luftëtarët e çetës në ditët e përurimit ishin: Mevlan Dervishi komandant, Veiz Pipa komisar, Sadik Zotaj intedent (dëshmor), Moisi Elezi, Ismail Velo (dëshmor), Myftar Bocaj (dëshmor), Kamber Sullaj (dëshmor), Gani Gabaj (dëshmor), Lesko Lekaj (dëshmor), Mulo Dervishi (dëshmor), Syrja Sarçaj (dëshmor), Aliko Mehmeti, Perlat Tafilaj, Luto Canaj, Feim Zenelaj, Elmaz Hasamataj, Bato Zotaj, Sadedin Sullaj, Sefedin Sullaj, Bilbil Veshaj, Xhemil Liçaj. Mevlan Dervishaj, Sadik Zotaj dhe Aliko Mehmeti ishin anëtar të PKSH nga celula e Smokthinës dhe Veiz Pipa, komunist i ardhur nga Vlora.
Luftëtarët e çetës kishin qenë anëtarë të njësitit gueril, luftëtarë në batalionin territorial vullnetar të Shullërit dhe kryesisht ishin të rinj të moshës 20-22 vjeç. Të gjithë kishin përvojë në luftërat e zhvilluara në krahinën e Mesaplikut dhe njihnin terrenin dhe dinin të përdornin armët e kohës. Nga korriku 1943 dhe në vazhdim në çetë shkuan luftëtarë: Zeqir Hetem Deromemaj, Hasan Lulo Lulaj, Rakibe Dervishaj, Sabri Xhafer Çinaj, Gilo Lame Sulçaj, Dervish Basho Bocaj, Brahim Hamzo Rukaj, Vilson Zaçe Zotaj, Hysni Bocaj, Dane Mehmet Zykaj, Zija Liçaj, Nasi Elmaz Derraj, Zenel Neim Hoxha, Lavdie Fejzo Pipa, Nazif Lamorëndi (Hasanaj), Medin Hyso Pronjaj, Musa Ramo etj.
Aksionet e çetës
Aksioni i parë i çetës u bë në ora 24.00 të 14 qershorit 1943 në Jonufrë në rrugën automobilistike Himarë-Vlorë. Komanda e çetës studioi vendin e pritës, caktoi rrugët e vajtjes dhe të tërheqjes, sinjalet e hapjes së zjarrit, pozicionet e secilës skuadër dhe të mitralozit. Ndarja e detyrave u bë menjëherë. U zunë pozicionet. Secila skuadër në vendin e vet dhe me detyra të konkretizuara. Skuadra e parë do të tërhiqte robërit. Sepse na ishte mbushur mendja se edhe robër do të kapim, edhe do të vrisnim, edhe dëme materiale do t’i shkaktonim armikut. Ky mendim na u kthye në bindje. Skuadra e dytë do të tërhiqte materialet. Dhe ashtu bëri. Goxha materiale kapëm, armë e municion, për të cilat kishim aq shumë nevojë. Por edhe makina dogjëm. Dy nga ato që përshkuan rrugën në afërsi të pritës sonë, morën flakë. Ushqimet i tërhoqëm. Motorëve me benzinë shkrepsen ua vuri skuadra e tretë. Skuadra e katërt kishte detyrë jo më pak të rëndësishme se të tjerat: Të mbulonte me zjarr tërheqjen e shokëve deri në zënien e pozicioneve të reja.
Më datë 12 korrik 1943, pas një manovre të kryer me sukses çeta organizoi një pritë midis Hysoverdhit dhe Mavrovës kundër një reparti ndëshkues italian. Më datë 17 korrik 1943 përsëri u ndesh me një kompani me ushtarë italian të cilët nga goditjet e papritura u tërhoqën të shpartalluar duke lënë në fushën e luftimit të vrarë, robër dhe shumë armatime. Në aksionin e organizuar në Malin e Bardhë më 14 gusht 1943 kundër forcave italiane shumë herë më të madhe, çeta dhe forcat e tjera u tërhoq pa humbje, në drejtimet e caktuara, pasi armiku ishte i madh në numër dhe kishte marrë njoftime për organizimin e pritës. Ky aksion ishte i organizuar në bashkëveprim me Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Çeta në përpjekjet e mëvonshmë në Betejën e Drashovicës më 14 shtator 1943, u rreshtua në përbërje të batalionit “Halim Xhelo” dhe mori pjesë së bashku edhe me batalionin territorial të Shullërit. Luftimi i fundit i çetës “Zigur Lelo” në përbërje të batalionit “Halim Xhelo” ishte aksioni në Qafën e Kiçokut, fund shtatori 1943, nga ku luftëtarët e çetës thyen sulmin e këmbësorisë dhe të mjeteve të blinduara të ushtrisë naziste gjermane. Nga 21 partizanë në ditën e formimit, çeta ditën që u rreshtuan në përbërje të BrVS në nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës.
Çeta partizane “Zigur Lelo” është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë me “Medaljen e Kujtimit” me motivacion: “Qysh para datës 10 korrik 1943, që shënon formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimitare shqiptare, ka marrë pjesë pa ndërprerje deri në fund me armë nëdorë ose me aktivitet politik të organizuar në luftë kundra okupatorit dhe tradhëtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të popullit shqiptar”.
