Dr.Adem Harxhi
Botuar në DITA
Përpara se të përgjigjem në rubrikën time këtu në gazetën DITA, dua të bëj një sqarim. Në martesat me mblesëri duhet të dallojmë dy soje të tyre:
a-martesa me forcë, kundër dëshirës së vajzës ose djalit
b-martesa me mblesëri me pëlqimin e vajzës dhe të djalit.
Martesat me detyrim pa pëlqimin e të rinjve, janë martesat pas fejesave në djep, martesat e vajzave të vogla të detyruara nga prindërit, martesa e detyruar e vajzave të përdhunuara seksualisht, martesa e detyruar e vajzave të mbetura shtatzëna, ose martesat e detyruara që bëhen për përfitime materiale të prindërve, e shumë të tjera.
Martesat e detyruara duhet të trajtohen si ndërhyrje kriminale, ashtu si dhe të gjitha krimet e tjera në familje. Vetëm po të trajtohen kështu, shoqëria do të jetë në gjendje të mbrojë vajzat e reja nga krimi i martesës së detyruar..
Si shoqëri, ne nuk kemi bërë asgjë për këto raste. Këto nuk janë çështje me sensibilizim kulturor, as nuk kanë të bëjnë me besimin fetar, që shoqëria të pengohet të veprojë. Këto janë akte kriminale, kundër të cilave duhet të ngrihemi të gjithë. Ato janë pjesë e mentalitetit patriarkal, ku prindërit besojnë se dinë çfarë është më e mira për fëmijët e tyre.
Në disa vende mendohet se po të kriminalizohen martesat e detyruara, pra ato të konsiderohen krim, ato do të shkojnë edhe më tej dhe do të fshihen edhe më mirë. Sepse njerëzit nuk duan t’u merren vesh problemet familjare.
Ka shumë vajza që lënë shkollat të detyruara, kundër dëshirës së tyre, që të kryejnë martesa të detyruara. Në këto raste shkollat nuk bëjnë asgjë për të mbrojtur këto vajza dhe për t’i kthyer ato përsëri në shkollë.
Ne nuk kemi studime që të tregojnë se sa martesa të tilla kemi dhe cili është fati i tyre, por, për të krijuar një ide për përmasat e krimit të martesave të detyruara le të sjellim pak të dhëna nga një njoftim i para disa muajve nga Anglia.
Sipas AFP, numri i martesave të detyruara të vajzave të reja, është shumë më i lartë nga sa mendohej të ishte. Ndërkohë që organet shtetërore në Angli raportojnë 300 raste çdo vit, e vërteta është se ato janë më shumë se 4000. Ka 300 kërkesa për këto martesa çdo vit vetëm në një qytet, siç është Luton.
Kjo është maja e ajsbergut, sepse siç dihet, raportohen vetëm 10 deri 12 përqind e rasteve me përdhunim dhe violencë shtëpiake, rastet e tjera mbahen të fshehura.
Në martesat e detyruara, kundër dëshirës, marrëdhënia martesore shumë shpesh është e paqëndrueshme, e dhunshme, me krime brenda saj dhe divorci ka përqindje të lartë.
Nga sa thashë më sipër, kuptohet që martesat e detyruara kundër dëshirës duhet të kundërshtohen me forcë nga opinioni dhe të ndalohen ligjërisht.
Soji tjetër i martesave me mblesëri janë ato kur një shok, një i afërt, një familjar ose kushdo tjetër që i njeh dy të rinjtë, mendon se këta janë të përshtatshëm për t’u martuar me njeri-tjetrin dhe ofron opinionin dhe ndihmesën e tij për këtë bashkim. Dy të rinjtë dhe familjet e tyre, pasi hetojnë dhe studiojnë rastin, në fund vendosin të martohen me dëshirën e tyre të plotë..
Kjo soj martese, për mendimin tim, nuk ka asgjë të keqe, madje, statistikat tregojnë se këto martesa janë më të qëndrueshme. Përqindja e divorcit është e ulët, shumë më e ulët se në martesat e lidhura me dashuri pasionante.
Ka disa arsye që shpjegojnë pse martesat e lidhura me dashuri janë jo shumë të qëndrueshme.
1-Shkencëtarët kanë zbuluar se dashuria, para së gjithash, është një adiksion kimik midis njerëzve.
Dashurinë dhe pasionin e shikoj në mënyrë materialiste, sepse u besoj teorive që e shohin atë si një seri procesesh kimike që ndodhin në neuronet trunore. Gjatë gjithë historisë njerëzore, kanë qenë artistët, poetët, dramaturgët dhe psikologët që kanë nxitur përparime të mëdha në kuptimin e dashurisë njerëzore. Romanca, ka qenë konsideruar si e pashpjegueshme, ashtu siç konsiderohej dikur edhe bukuria e ylberit. Por në ditët e sotme, shkencëtarët e kanë sfiduar këtë nocion dhe kanë thënë shumë gjëra që shpjegojnë si dhe pse njerëzit dashurojnë njeri-tjetrin.
Sa për fillim, le të themi se të gjitha marrëdhëniet, çfarëdo qofshin ato, të prindërve me fëmijët, midis partnerëve dhe të kolegëve me njeri-tjetrin, kanë për bazë aftësinë për të krijuar dhe mbajtur lidhjet sociale.
Në vitin 2000, Andrea Barteli dhe Semir Zeki të “University College” në Londër, na dhanë dy surpriza. E para, Ata gjetën një zonë relativisht të vogël në trurin e njeriut që aktivizohet kur personi ka rënë në dashuri. Supriza e dytë ishte se zona trunore aktive e personit të rënë në dashuri, nuk është e njëjta zonë që aktivizohet në gjendjet e tjera emocionale, siç është frika dhe ankthi.
Pjesët e trurit që lidhen me dashurinë, janë po ato zona që janë përgjegjëse për ndjenjën e mirëqenies dhe me zonën që jep euforinë nga drogat, siç është kokaina. Kështu truri i njerëzve që bien thellë në dashuri, nuk duket si i atyre njerëzve që ndjejnë emocione të forta, por ndryshe, ai duket si truri i atyre që thithin kokainë. Me fjalë të tjera, dashuria aktivizon të njëjtat mekanizma neurale që aktivizohen edhe gjatë adiksionit me droga.
Dr. Young ka qejf të thotë: “Ne jemi të adiktuar me dashurinë”, në vend që të thotë ne kemi rënë në dashuri .
Helen Fisher, një kërkuese në Universitetin e “Rutgers” dhe autore e një libri të ri mbi dashurinë, thotë se ne kemi mundësi të frenojmë ndjenjat e dashurisë romantike, por vetëm në stadet e saj fillestare. Barna si Prozaku, që ruajnë nivelin e serotoninës në tru për një kohë më të gjatë se normalisht, janë të afta të largojnë ndijimet romantike. Kjo do të thotë se njerëzit që marrin terapi anti-depresive, mund të humbasin aftësinë të bien në dashuri.
Dashuria romantike është një nga instinktet më të fuqishme në botë. Ajo është më e fuqishme se uria, por mjafton pak serotoninë dhe ajo mpihet.
Një mendim që meriton vëmendje në këto studime është fakti, se dashuria romantike është e paqëndrueshme. Ajo është një teren jo i mirë për lindjen, kujdesin dhe rritjen e fëmijve. Vetëm në lidhjet për kohë të gjatë ajo i lejon prindërit të bashkëpunojnë për lindjen dhe mirërritjen e fëmijve.
Për arsyen se tre sistemet e dashurisë (epshi, dashuria pasionante dhe marrëdhënia e zgjatur) janë të pavarura, këto tre sisteme funksionojnë në mënyrë simultane, por ky funksionim në të njëjtën kohë, ka pasoja të rrezikshme. Ashtu siç shpjegon Dr. Fisher: “Personi mund të përjetojë një lidhje të zgjatur me një partner, ndërkohë që përjeton dashuri romantike për dikë tjetër dhe ndjen dëshirën për të bërë seks me një partner të rastit.” Kjo pavarësi do të thotë se është e mundur të dashurosh më shumë se një person në një kohë, një situatë kjo, që çon në xhelozi, në tradhti dhe në divorc. Rritet mundësia që personi të përfshihet në marrëdhënie të shumta (promiscuity) dhe në poligami. E gjitha kjo rrit shanset për të pasur fëmijë jashtë martesës, që prish keq të ardhmen gjenetike. Këto janë pasojat që sjell dashuria romantike, sepse siç thotë Dr. Fisher “Ne nuk jemi ndërtuar të jemi të lumtur, por të riprodhojmë”
2-Dashuria pasionante nuk zgjat shumë
Si është e mundur të shohësh një person aq të bukur të Hënën dhe 364 ditë më pas, një të Hënë tjetër, ta shohësh këtë bukuri të tretur?.
Me siguri që personi nuk ka ndryshuar kaq shumë. Ajo ka akoma po ato sy. Ajo ka po atë zë. Por tani, ai zë duket si i ngjirur, sikur ka nevojë për antibiotikë, ose ju jeni ai që u duhen antibiotikët, sepse partneri që dikur e deshët dhe e lakmuat dhe që reflektonte vetëm dritë, tani duket si një infeksion i keq, që vetëm u lodh dhe u merr gjithë forcën.
Studimet në të gjithë botën konfirmojnë se pasioni, zakonisht, mbaron. Ky konkluzion është i përgjithshëm. Mos u çudisni disa kultura mendojnë se të zgjedhësh një shok për gjithë jetën është një lloj budallallëku.
Marrëdhënia, shpesh, prishet pas 4 vjetësh. Pse? Sepse kaq vite duhen për të rritur një fëmijë nga një infant. Me njëherë sa fëmija nuk ka më nevojë për kujdes, për ushqim ai mund të lihet tek nëna, tek motra, tek tezja, tek shoqja. Çdo prind tani është i lirë të takojë një partner tjetër dhe të ketë më shumë partnerë.
Po të flasim biologjikisht, arsyet pse dashuria romantike zvetënohet, gjenden në mënyrën se si truri ynë përgjigjet ndaj bollëkut dhe fluksit të dopaminës që shoqëron pasionin dhe na bën të fluturojmë. Përdoruesit e kokainës përshkruajnë fenomenin e tolerancës. Truri adoptohet ndaj marrjes me shumicë të preparatit. Mundet që neuronet humbasin ndjeshmërinë dhe kanë nevojë për më shumë doza që të japin gjendjen e kënaqësisë. Pra, na duhet të marrin më shumë pluhur “të çmuar “, po të flasim në mënyrë metaforike.
Ndoshta është gjë e mirë që romanca zbehet. Po qe se të gjithë do të ishim gjithmonë të dehur nga romanca, nuk do të kishim hekurudha, ura, aeroplanë, fakse, internet, fluturime kozmike, vaksina, televizion e tj.?. Në vend që të zhvillonim teknologjinë që ka karakterizuar kulturën humane, që nga veglat e saj më të hershme, ne do të kishim vetëm bonbone, buqeta lulesh dhe antikonceptivë.
Në qoftë se në dashurinë romantike gjendja ndryshon nga prania e kimikateve dhe se po të njëjtat kimikate sjellin euforinë nga përdorimi i drogave, atëherë ekspozimi ndaj këtyre kimikateve për kohë të gjatë, do të çonte në dëmtime psikologjike, siç ndodh me kokainën. Për të mos sjellë këto dëmtime, dashuria venitet, si një masë vetëmbrojtëse e organizmit.
Antropologët mendojnë se romanca është për të sofistikuarit, në klubet me kafe dhe verë cabernet, ose në dhomat me zjarr bubulak në oxhak. Ata me shumë detyrime familjare dhe sociale janë shumë të varfër për pasionin.
Nga sa thashë deri tani kuptohet se dashuria romantike nuk është garanci për marrëdhënie të qëndrueshme martesore.
Si duhet të martohemi atëherë, me dashuri apo me mblesëri?
Kësaj pyetje është vështirë ti japësh një përgjigje të prerë jo ose po. Njerëzit do të vazhdojnë të martohen edhe duke u dashuruar më parë, edhe me mblesëri dhe dashuria do të vijë më vonë. Gjithkush do të bëjë zgjidhjen e vet. Askush nuk ka të drejtën të imponojë mendimin e tij. Gjithkush duhet të flasë dhe edukojë me shembullit e vet.
Nga rubrika e Dr.Harxhit në DITA