Nga Migena Aleksi
Presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar fushatën e tij përmes një serie mitingjesh në shtetet kyçe për zgjedhjet e mesmandatit (midterms), ndërsa betejat elektorale për kontrollin e Kongresit dhe Senatit amerikan janë në pikën e tyre më të nxehtë.
Me praninë e turmave të mëdha mbështetëse të lëvizjes MAGA (Make America Great Again) dhe fjalimeve të gjata që shpesh kalojnë në tema të papritura, fushata e Trump në ditët e fundit të votimit po dominon vëmendjen e mediave amerikane.
Fushata e dendur e Trump vjen në një moment kritik, ku republikanët po përpiqen të rimobilizojnë bazën e tyre tradicionale për të siguruar shumicën në dy dhomat e parlamentit, ndërkohë që demokratët po përpiqen të ruajnë vrullin e rritjes anti-Trump. Në disa shtete gara mbetet tepër e ngushtë (toss-up).
Sipas një analize të CNN-it rreth fushatave dhe mitingjeve të Donald Trump, ky “sprint elektoral” ka marrë trajtën e një turi lamtumire. CNN rendit disa arsye kryesore për këtë përfundim që lidhen me natyrën e fjalimeve, atmosferën dhe fokusin e tij.
Është e dukshme natyra retrospektive e fjalimeve. Trump nuk po fokusohet te kandidatët republikanë në fletën e votimit ose te platformat e ngushta legjislative të mesmandatit. Ai e kthen vëmendjen te arritjet e tij të së kaluarës dhe te trajektoria e gjithë lëvizjes së tij politike, duke krijuar ndjesinë e përmbylljes së një epoke.
Mitingjet shërbejnë më shumë si një shfaqje e fuqisë emocionale mes tij dhe mbështetësve besnikë të MAGA-s, ku toni i ngjan një bashkëbisedimi për rrugëtimin e përbashkët ndër vite. Nuk duken si tubime elektorale për mbledhje votash.
Fjalimet po devijojnë në reflektime të gjera mbi të ardhmen dhe fatin e lëvizjes së tij, duke dhënë sinjale që analistët e CNN i shohin si të ngjashme me fjalimet e fundit të karrierës ose të një cikli të madh politik (“farewell tour”).
DITA
