Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Demokracia nuk është një kontratë katërvjeçare
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Demokracia nuk është një kontratë katërvjeçare
Lajmi i funditopinion

Demokracia nuk është një kontratë katërvjeçare

Published: July 5, 2026
Shpërndaje

Nga Fatos Tarifa

Për më shumë se një muaj, dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë protestojnë paqësisht në Bulevardin e Madh të Tiranës, në rrugë dhe sheshe, duke shprehur pakënaqësinë e tyre të thellë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe duke kërkuar transparencë, llogaridhënie, vendosmëri në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe respekt ndaj interesave të publikut. Këto përmblidhen në një kërkesë të panegociueshme—dorëheqje e Kryeministrit dhe e qeverisë së tij.

Pavarësisht bindjeve politike të pjesëmarrësve në këto protesta dhe qëndrimeve që mbajnë ndaj tyre grupe të caktuara të shoqërisë, vetë një mobilizim i tillë popullor dhe një pjesëmarrje kaq e gjerë ngrenë një pyetje themelore për çdo demokraci: A mjafton fitorja në zgjedhje që një qeveri të pretendojë një mandat politik të pakushtëzuar deri në fund të afatit kushtetues?

- Publicitet -

Kryeministri i vendit, ministrat e kabinetit të tij dhe ata deputetë që ekzistencën e tyre politike ia detyrojnë këtij kryeministri, thonë PO. Qytetarët u kanë dhënë atyre një tjetër mandat katërvjeçar për të qeverisur.
Ky është një lexim i gabuar, semplist dhe minimalist i teorisë dhe praktikës demokratike, madje një shtrembërim i qëllimtë i tyre. Demokracia liberale i përgjigjet kësaj pyetjeje qartë dhe kjo përgjigje është: JO.

Zgjedhjet e lira e të drejta janë një kusht paraprak i domosdoshëm për legjitimitetin e çdo qeverie demokratike, por jo një kusht i mjaftueshëm për të qeverisur në mënyrë demokratike e legjitime. Ato i japin partisë që fiton në zgjedhje të drejtën të qeverisë, por nuk e imunizojnë atë nga kritikat publike, nga gjykimi i vazhdueshëm i qytetarëve dhe nga e drejta e tyre për të kërkuar dorëheqjen dhe zëvendësimin e saj me një qeveri më të mirë.

Me fjalë të tjera, nëse votat të japin një legjitimitet paraprak, një protolegjitimitet, për të marrë dhe drejtuar pushtetin, është veprimtaria e përditshme e qeverisë dhe besimi që qytetarët kanë tek ajo qeveri që i ruajnë autoritetin dhe legjitimitetin e saj
Demokracia nuk është një akt elektoral që përsëritet çdo katër vjet, një ngjarje e një dite të vetme, por një proces i vazhdueshëm politikëbërjeje, kontrolli, llogaridhënieje, përgjegjësie dhe korrigjimi. Asnjë demokraci e konsoliduar nuk e sheh pushtetin si pronë të partisë që fiton zgjedhjet me të drejtën e pakushtëzuar për ta mbajtur atë deri në ditën e fundit të mandatit kushtetues.

Po, sistemet demokratikë kanë rregulla loje dhe një ndër rregullat universale të demokracisë është kontestimi ndaj partisë që drejton pushtetin në zgjedhje të lira periodike. Kjo, sidoqoftë, nuk e bën askund një mandat qeverisës të pakushtëzuar nga mënyra e qeverisjes dhe rezultatet e saj.

Në një demokraci funksionale, dorëheqja e një qeverie kur këtë, për arsye të legjitimuara, e kërkon një masë e gjerë e elektoratit, është një praktikë po aq demokratike sa edhe zgjedhjet që ia kanë dhënë asaj mandatin për të drejtuar. Dorëheqja është një akt politik i moralshëm që dëshmon përgjegjësi për gabimet e qeverisë dhe dështimet e saj.

Ajo është pjesë e së njëjtës logjikë demokratike që të jep të drejtën të qeverisësh politikisht dhe moralisht në dobi të interesave të vendit e të qytetarëve.

Kjo ndodh në çdo demokraci, madje jo rrallë. Rasti më i fundit është Mbretëria e Bashkuar, një prej demokracive më të vjetra e më të konsoliduara. Pak ditë më parë, Keir Starmer njoftoi dorëheqjen e tij si kryeministër i atij vendi dhe si lider i Partisë Laburiste në mes të mandatit të tij katërvjeçar dhe do t’i lerë këto funksione brenda muajit korrik, kur laburistët anglezë të zgjedhin një drejtues të ri për partinë e tyre.

Starmer dhe Rama janë dy shembuj krejt të kundërt. I pari, edhe pse për arsye të tjera nga ato që motivojnë protestat e qytetarëve shqiptarë dhe kërkesën e tyre për dorëheqjen e qeverisë, është shembulli i një politikani demokrat e të iluminuar. Rama, është e kundërta e tij—një shembull i rrallë në Europën e sotme i një kryeministri autokrat, megaloman dhe të papërgjegjshëm.

Për Starmer-in, si edhe për shumë kryeministra të tjerë të atij vendi (John Major më 1997, David Cameron më 2016, Theresa May më 2019, Boris Johnson më 2022, Liz Truss po më 2022 dhe Rishi Sunak më 2024), dorëheqja është një akt normal, i kushtëzuar nga faktorë politikë, ekonomikë, moralë dhe psikologjikë.

Për Ramën, dorëheqja nuk shihet si një kapitull i fundit i karrierës së tij të gjatë politike, por si një kataklizëm—apokalipsi i një bote të ngritur mbi iluzionin e madhështisë dhe qëndrueshmërisë, shoqëruar nga pasiguria që sjell humbja e mburojës së pushtetit.

Starmer e sheh realitetin britanik në sy dhe i pranon dështimet e qeverisë së tij. Rama, përkundrazi, e krijon realitetin shqiptar në kokën e tij, si Jupiteri Minervën, dhe beson vetëm në atë realitet—as pyet, as dëgjon, as pëlqen gjë tjetër.

Kryeministri ynë nuk ka pyetje për asgjë, sepse i di të gjitha. Nuk dëgjon askënd, sepse nuk ka nevojë. Nuk pëlqen asgjë që s’është në gustot e tij, sepse, siç paturpësisht i deklaroi një gazetareje të Deutsche Welle këto ditë, askush nuk mund t’i japë atij leksione mbi të bukurën.

Pas trembëdhjetë vitesh në krye të qeverisë, kryeministri Rama është treguar i paaftë të kuptojë një fakt fare të thjeshtë, atë se institucionet shtetërore dhe vetë pozita e tij në krye të administratës së shtetit nuk dobësohen nga kritikat që mund t’u bëhen, por nga mbyllja e veshëve dhe mos reagimi ndaj tyre.

Në një shoqëri demokratike, pushteti fillon të rrëshqasë e të bjerë jo kur ai sfidohet, por kur beson se është i pamposhtur dhe pushon së dëgjuari.
Sa për të bukurën, si një aplikim i kësaj kategorie estetike në politikë, unë e kundërshtoj kuptimin që kryeministri ka për të.

Ndërsa në art e bukura krijon një përjetim estetik që çliron shpirtin dhe synon ta bëjë më të pëlqyeshëm realitetin, në politikë, e bukura shpesh herë i shërben një qëllimi pragmatik për nënshtrimin e mendjes apo shpëlarjen e saj, duke e bërë të duket më i pranueshëm një realitet që s’është i bukur.

Deri më sot i kam përkrahur zhvillimin urban të vendit dhe transformimet e bëra në kryeqytet në këto vitet e fundit, por faktet e reja që kanë dalë sheshit për të krijuar një Shqipëri siç e ka pjellë atë koka e kryeministrit, zbulojnë një rrezik të madh për fatet e vendit, për mirëqenien e qytetarëve të tij dhe të ardhmen e brezave të rinj.

Ndjesia e këtij rreziku i shtohet pakënaqësisë së thellë të shtresave të gjera të popullsisë lidhur me kushtet bazë të jetesës—shkallën e mirëqenies, kushtet e shërbimit shëndetësor, nivelin e prapambetur të arsimit, papunësinë, mungesën e shpresës e të perspektivës.

Këto arsye, por edhe arroganca dhe megalomania e kryeministrit dhe e argatëve të tij të tipit Balla & Co., shërbëtorë të verbër të pushtetit dhe të iluzionit të madhështisë, si edhe përçmimi prej tyre i qytetarit të thjeshtë dhe halleve të tij, janë ato që i kanë nxjerrë dhjetëra mijëra qytetarë në protesta, të cilat unë i mbështes, duke kërkuar largimin e tyre dhe një sistem politik më të mirë.

Kur qytetarët protestojnë paqësisht për javë të tëra, reagimi i qeverisë duhet të ishte një sjellje demokratike—e vetmja sjellje demokratike—t’i dëgjojë qytetarët që i kanë dhënë mandatin të qeverisë, jo mospërfillja, ironia, shantazhi apo justifikimi se mandati elektoral që kanë marrë i zhvesh nga çdo detyrim për të dëgjuar kritikat.

Ky tension mes autoritetit dhe lirisë është shprehur mjaft qartë në diktumin e njohur: “Where the people fear the government you have tyranny; where the government fears the people you have liberty” (Kur populli i trembet qeverisë, kemi tirani; kur qeveria i trembet popullit, kemi demokraci.) Kjo nuk nënkupton një qeverisje të motivuar nga frika, por një pushtet që nuk harron kurrë se burimi i tij i vetëm është sovrani qytetar. Në demokraci, qeveria i jep llogari popullit—jo e kundërta.

Nëse qytetarët shqiptarë kërkojnë sot me të drejtë e në mënyrë këmbëngulëse dorëheqjen e qeverisë, unë nuk shoh asnjë arsye që ta legjitimojë retorikën e kryeministrit dhe “vendosmërinë e palëkundur” të tij për të qëndruar në pushtet në respekt të vullnetit qytetar dhe mandatit që i kanë dhënë votuesit Partisë Socialiste.

Protesta, sigurisht, nuk e zëvendëson votën, por ajo mund ta korrigjojë atë, jo vetëm në zgjedhjet e radhës, por edhe në zgjedhje të parakohshme. Protesta është një mjet përmes të cilit një sistem demokratik, ose një qeveri e zgjedhur demokratikisht, korrigjojnë vetveten në periudhat midis zgjedhjeve. Nëse qeveria nuk i pranon gabimet e saj dhe nuk ka vullnetin të korrigjohet, kërkesa e qytetarëve për dorëheqjen ose rrëzimin e saj është tërësisht e legjitimuar.

Kryeministri nuk pranon—dhe as e kupton—parimin më thelbësor dhe universal të demokracisë: Sovraniteti u përket qytetarëve, jo qeverisë. Një qeveri demokratike, e zgjedhur nga vota e lirë, është një administratore e përkohshme e këtij sovraniteti në dobi të interesit kombëtar dhe së mirës publike, jo pronare e tij.

Më shumë se një shekuj e gjysmë më parë, Abraham Lincoln formuloi një ideal filozofik që është shndërruar në testamentin politik të çdo demokracie moderne: Pushteti buron nga “We, the People”, është “Ours, the People”, dhe duhet të punojë për “Us, the People”.
Këtë i thonë kryeministrit protestuesit shqiptarë sot. Përgjigjja që marrin është heshtja, mospërfillja, përçmimi dhe pretendimi tashmë absurd, i përsëritur çdo ditë si refren nga vetë kryeministri dhe njerëzit e tij, se mandati që u kanë dhënë 800 mijë qytetarë u jep atyre të drejtën të qeverisin deri në zgjedhjet e ardhshme.

Ai mandat iu dha Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj dje. Sot nuk është dje. Sot është jo thjesht një vit më pas; sot është një kohë krejt tjetër. Një kohë zgjimi i përgjithshëm qytetar, kur marrëveshja e një viti më parë është prishur dhe kërkohet një marrëveshje e re qeverisëse, që t’i shërbejë jo së njëjtës klasë politike, jo qeveritarëve, deputetëve dhe opozitarëve të sotëm, por interesave të vendit e të qytetarëve.

Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin e saj, edhe pse vetë kryeministri vazhdon të ngulë këmbë se ai posedon një certifikatë katërvjeçare për të qeverisur, ndërkohë që besimi i qytetarëve ndaj tij dhe qeverisjes së tij ka rënë në pikën zero dhe i kërkojnë dorëheqjen.
Pyetja që unë kam është kjo? A mund kryeministri, në kushtet e kësaj zemërate të gjerë qytetare, të qeverisë vendin edhe më tej? Si?

Ai e ka humbur përfundimisht aftësinë të bindë, ka humbur tërësisht besimin e qytetarëve dhe nuk ka më se çfarë t’u ofrojë shqiptarëve. Alibia se ai është i vetmi që mund ta anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian ka rënë. Në fakt, unë nuk e kam besuar asnjëherë atë. Sa për dhunën, si i vetmi mjet që mund ta mbanin edhe për pak kohë në pushtet, unë besoj—dhe shpresoj—se kryeministri ka ende aq arsye sa të mos e shkojë ndër mend përdorimi i saj.

DITA

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • “Pas kësaj pyetjeje ai nisi të sillet shumë çuditshëm”, gazetari i BBC-së zbardh prapaskenat e intervistës me Ramën
  • Persona të maskuar sulmuan godinën, një police u lëndua. Çfarë ndodhi gjatë mesnatës në Komisariatin 3
  • “E kanë bërë edhe me ChatGPT”, Rama përgënjeshtron projektin në Porto Palermo
  • Ambulanca futet në ambientet e Gjykatës, njëri prej protestuesve të arrestuar shfaq probleme shëndetësore
  • Demokracia nuk është një kontratë katërvjeçare

Komentet e Fundit

  1. Cili ekip? on Protestat masive, Rama: Një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje
  2. Phoenix on Eurodeputetja: Ja kush qendron pas projektit për Sazanin dhe Nartën
  3. Deni on Dokumenti: Qeveria po heq Sazanin nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes, 90 përqind e ishullit do t’i kalojë Kushnerit
  4. Tártari on Dokumenti: Qeveria po heq Sazanin nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes, 90 përqind e ishullit do t’i kalojë Kushnerit
  5. Vrojtuesi on Letra e 11 organizatave drejtuar qeverisë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?