Nga Brukseli për DITA
Dr. Jorgji Kote
Njihet tashmë në teorinë dhe në praktikën e përditshme roli përparësor i kryeqyteteve në livrimin e të gjitha dimensioneve të diplomacisë: klasike, parlamentare, ekonomike, publike, kulturore dhe qytetare. Kjo falë traditave, peshës, madhësisë së kryeqyteteve, si selitë e insitucioneve më të larta të shtetit, parlamentit, qeverisë, diplomacisë, kulturës, artit, sportit, shklencës. Roli i tyre rrezaton në të gjithë jetën e vendeve dhe jashtë tyre, në forumet ndërkombëtare dhe metropolet e tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, lidhja e kryeqyteteve e shton dhe më shumë rolin, efektet dhe imazhin e tyre në diplomacinë ndërkombëtare.
Ka kryeqytete emblematike me traditë dhe emër qysh në lashtësi. E tepërt të zgjatemi te vlerat e Londrës mbretërore të Shekspirit, Parisin perandorak të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, Romën dhe Athinën, ku shtrihen dhe rrënjët më të lashta të demokracisë dhe drejtësisë, themelet e BE-së së sotme, etj.
Sa i takon diplomacisë klasike, duhet të veçojmë Gjenevën, Vjenën dhe Helsinkin, të njohur si selitë e negociatave diskrete ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme në botë nëpërmjet “diplomacisë së krizës, ecejakeve, korridoreve dhe konferencave “dhe si selitë e filialeve të OKB-së, etj.
Kryeqytetet bëjnë diplomaci shumë të efektshme me emrin dhe famën e tyre historike, të përjetësuar dhe në kryeveprat botërore. Vjena muzikore dhe kalorsiake, Berlini ku u ngritën dhe u shemben Muret ndarëse, të cilin e përjetësoi Kenedi i famshëm më 26 Qershor 1963 me mbylljen e tij monumentale përpara gjysëm mione gjermanëve “ Unë jam Berlinez”.
Në SHBA, krahas Nju Jorkut të OKB-së, Washingtoni ze vendin e parë si qendra më e madhe e institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësive diplomatike në botë. Me Shtëpinë e Bardhë, me FMN, Bankën Botërore, Capitol Hill me plot simbole të rezistencës, heroizmit, monumente dhe memorial madhështore. Aty ka selinë “Zëri i Amerikës” ku prej 80 vitesh funksionin seksioni i saj në gjuhën shqip, me një traditë tejet të pasur si “zëri i të vërtetës”; atë po e çon më tej stafi i tanishëm i drejtuar në gati 20 vitet e fundit nga Arben Xhixho, me gazetarë dhe tri moderatoret brilante dhe të përkushtuara.
Ndërkohë, Praga njihet për Revolucionin Kadife, Pranverën e saj me Havelin emblematik. “Ballkonin e Pragës”, selia e Ambasadës gjermane ku më 30 shtator mbi 6000 qytetarë gjermanolindorë dëgjuan me entusiazëm ministrin legjendar gjermanoperendimor Hans Dietrich Genscher kur me gjysmë fjalinë e tij emblematike u dha lajmin e gëzuar. Stokholmi dhe Oslo ku ndahen çmimet Nobel për paqe, Haga si “kryeqyteti i drejtësisë” falë 150 gjykatave vendase dhe ndërkombëtare; me shprehjen “ vendin e ka në Hagë” “ta zgjidhim në Hagë”
Natyrshëm vijmë dhe te kryeqyteti ynë Tirana me diplomacinë e saj.
Nëse 40 vite më parë ishte “selia” e socializmit real në Europë, tani ajo është qyteti i hapur europian, i jetës, lirisë dhe rinisë. Në 20 vitet e fundit ka pasur zhvilim tejet të vrullshëm në të gjitha fushat. Në vitet 2001 – 2005 isha diplomat me profil të lartë në Ambasadën tonë në Berlin; ndiheshim vërtet mirë dhe krenarë kur dëgjonim qytetarë të thjeshtë por dhe politikanë të lartë gjermanë, ish Presidentë dhe ministra që shpreheshin me admirin për Tiranën në ndryshim, duke bërë thirje për ndihmë dhe mbështetje. Veçanërisht këto 10 vitet e të fundit.
Pa hyrë në disa mungesa, do të ndalemi në ndikimin e madh që ka në imazhin dhe zhvillimin e saj diplomacia jonë kryeqytetare.
Në radhë të parë do theksuar se kyçi i suksesit të Tiranës është pa diskutim puna dhe arritjet e prekshme të Bashkisë së saj brenda, në zhvillimin dhe modernizimin e territorit në të gjitha aspektet. Doemos mbetet ende shumë për të bërë, sidomos në aspektin social. Gjithsesi, prirja e përgjithshme është tejet positive. Tirana ka hedhur rrënjë dhe baza solide për një besueshmëri dhe lobing të efektshëm jashtë vendit.
Kryetari i kudondodhur i Bashkisë, Erion Veliaj, e ka treguar vehten menaxher i zoti, lobist brilant por dhe kryediplomat i kryeqytetit dhe me goxha jehonë. Do të përmendja tri drejtime kryesore të “Tirana diplomacisë” brenda dhe jashtë vendit në të gjitha dimensionet e saj.
Së pari, në vizitat e shumta në të gjitha kryeqytetet e kontientit dhe përtej detit, në SHBA, Kanada dhe gjetkë; dhe Veliaj i ka vizituar jo një por disa herë dhe jo për qoka dhe kortezi, por në shumicën e rasteve, për takime, mbledhje, evente dhe festival. Por, ai i ka përdorur kanalet dhe mundësitë diplomatike me shumë efektivitet dhe kudo ka lënë gjurmë, duke krijuar hapësira e duke i çelur rrugën veprimtarive të tjera dhe një bashkëpunimi që sa vjen e rritet; dhe kjo jo vetëm ndërmjet zyrtarëve por në rrethe shumë më të gjera, me qytetarë të thjeshtë, si artizanë dhe me kontribute në të gjitha drejtimet.
Për ta konkretizuar këtë dukuri, po ndalem te Brukseli, si kryeqyteti simbol i Europës së Bashkuar, ku dhe banoj prej vitesh dhe si dëshmimtar okular i disa veprimtarive domethënëse me nismën e Kryebashkiakut Veliaj me homologun e tij Philippe Close. Brukseli mori nam dhe famë sidomos mbas vitit 1958, kur aty u vendosën BE-ja dhe NATO. Brukseli tani “matet” me Uashingtonin për nga madhësia e përfaqësimit diplomatik dhe mediatik; aty ka rreth 500 ambasada/misione dy dhe shumëpalëshe të BE-së dhe NATO-s, organizata të tjera ndërkombëtare me mbi 70.000 punonjës, mbi 2000 gazetarë, 290 firma lobiste lobiste, grupe interesi nga gjithë bota, think tanke, OJQ e të tjera. Ndaj thuhet se « Brussels is the place to be » ose “Brukseli është vendi ku duhet të jesh” dhe » nëse do të dëgjohesh, fol në Bruksel»
Për Brukselin janë ngritur dhe këngë si « Bruxelles, ma belle » Bruksel, e bukura ime » e kompozuar më 1974 nga kantautori 70 vjeçar holandez Dick Annegarn. Jehona e kësaj kënge shpjegohet me fjalët prekëse/emocionuese « do të sulmohem, do të cfilitem, do të më luftojmë por prapë do të kthehem aty te ti» një himn i vërtetë për « Zonjushë Bruksel ».
Çdo vit, nga data 24 Nëntor deri më 30 Dhjetor në Bruksel zhvillohen dy veprimtaritë më gjithëpërfshirëse dhe festive, me jehonë të madhe publike dhe mediatike që i kapërcejnë kufijtë belgë: « Tregu ( Panairi ) i Krishtlindjeve » dhe « Kënaqësitë e Dimrit » ndër më të mëdhatë në Evropë. Me këtë rast, në Grand Place, sheshi historik 6 shekullor i Brukselit dhe në disa pika të tjera turistike rreth tij hapen mbi 200 « chalets » ose shtëpiza»; ku ekspozohen të shoqëruara me muzikë tradicionale pjesë nga traditat, kultura, arti dhe muzika, por dhe pijet, kulinaria belge dhe e vendeve të ndryshme, etj; gjithashtu, në salla dhe sheshe të njohura jepen shfaqje artistike, çelen ekspozita, etj.
E reja e vitit 2017 ishte se Bashkia e Brukselit kishte ftuar aty për herë të parë « Mysafire Nderi » kryeqytetin tonë, Tiranën. Kjo ftesë nuk ishte rastësi, por fryt i bashkëpunimit të mëparshëm të dy Kryebashkiakëve të tyre.
Me shumë rëndësi ishte dhe ndihma konkrete e gjithanshme e deputetit të të parë të Parlamentit të Brukselit, bashkëatdhetarit tonë të nderuar, Ahmet Gjanaj.
Dhe përfitimet nga prania Tiranase me 7 “ shtëpizat “ e saj të bukura plot me artikuj dhe delikatesat tona kulturore dhe kulinare në Sheshin e mirënjohur “ Saint Catherine” ishin të shumta dhe cilësore. Sidomos me përfaqësimin dhe rezatimin e imazhit të vërtetë të Tiranës dhe vendit tonë në këtë kryemetropol botëror.
Çelja e këtyre veprimtarive përkoi dhe me Ditën e Pavarësisë sonë. Më 26 dhe 27 Nëntor, i ardhur posaçërisht në Bruksel në krye të delegacionit me afaristë dhe artistë të shquar organizoi në sheshin e shtëpizave tona dhe Bashkinë e Brukselit Mbrëmje të paharruara festive; me muzikën sonë tradicionale dhe moderne, të interpretuara me virtuozitet nga artisti i shquar i muzikës Fatos Qerimi, kuarteti i Radiotelevizionit dhe sopranoja e talentuar e Operas së Lionit, Alketa Çela, pije dhe kulinari tiranase. Të nesërmen, më 28 Nëntor, për herë të parë flamuri ynë kombëtar u valëvit në majë të Atomiumit, shenjësa dalluese prej 60 vitesh të Brukselit, e shoqëruar me këngë, valle dhe muzikë nga bashkëatdhtarë dhe të huaj.
Po ashtu, më 28 Nëntor, simboli i Brukselit, vogëlushi emblematik “Mannekin Pis” në Grand Place u vesh me kostumin tonë kombëtar; më tej, u bënë peligrinazhe në sheshin ku ndodhet busti i Heroit tonë Kombëtar Skënderbej.
Kjo ngjarje e shënuar nuk u la në harresë; përkundrazi, ajo u bë për Brukselin dhe sidomos për Tiranën baza solide për intensifikimin e bashkëpunimit midis tyre në fushat ekonomike, sociale, arsimore, kulturore dhe në shumë drejtime të tjera.
Kështu, vetëm një javë mbas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019, Kryebashkiaku i Brukselit, Philippe Close me tri këshilltarët e tij shqiptarë, Qëndresa Gërlica, Safet Kryemadhi dhe Emin Luka shkuan në Tiranë në shenjë solidariteti, ku shpërndanë ndihma humanitare dhe muarën përsipër ndërtimin e një shkolle.
Keto lidhje dhe ky bashkëpunim vazhdon me ritme të larta deri ditët e sotme. Në fillim të dhjetorit 2024, Kryebashkiaku Veliaj ishte i pranishëm në Festën tonë të Pavarësisë i mikpritur nga Kryetari i Komunës së Saint Gille, ku banojnë një numër i madh bashkëatdhetarësh dhe ish Ambasadorja jonë e shquar në Bruksel, Suela Janina. Me praninë, fjalët e ngrohta, takimet një për një me përfaqësues dinjitozë të bashkëatdhetarëve tanë, Erion Veliaj la mbresa të pashlyeshme te të gjithë të pranishmit dhe te personalitetet belge.
Ndërkohë, homologët e tij nga kryqytete të ndryshme europiane kanë ardhur në Tiranë me projekte, procese dhe nisma nga më të ndryshmet.
Veç sa u tha më lart, imazhin e Tiranës e kanë zbukuruar shumë artistë me emër botërorë, por ta për ta kanë qenë superstaret shqiptarë, Dua Lipa, Rita Ora, Ermal Meta, Eleni Furreira, Ermonela Jaho dhe të tjerë, duke e radhitur Tiranën me metropole të tjera të shquara në këtë fushë.
Për rrjedhojë, është rritur interesimi dhe konsensusi për Tiranën, e cila vitet e fundit ka qenë “kryeqyteti” i rinisë dhe sportit”, ndërsa më 2025 do të jetë bashkë me Aleksandrinë e Egjiptit dhe kryeqyteti i kulturës Mesdhetare. Kudo flitet dhe shkruhet mirë për Tiranën tonë të dashur. Jo vetëm me fjalë e shkrime, por dhe me vërshimin e kërkesave dhe dëshirave për ta vizituar kryeqytetin dhe vendin tonë.
Kësisoj, puna, përkushtimi dhe “Tirana diplomacia” e këtyre 20 viteve të fundit po “e bën të vetën”. Natyrisht kjo nuk ka pse të na bëjë të “rrahim gjoksin”, por të na shërbejë si pikë e madhe referuese dhe për të parë se “ ku na pikon çatia”, për të bërë përmirësime më të mëdha sidomos në fushën e sociale, të shtetit ligjor, të qytetërimit dhe qeverisjes më të mirë. Janë të gjitha mundësitë që arritjet dhe imazhi i ri cilësor dhe i vërtetë i krijuar për Tiranën tonë të mbahet dhe zhvillohet më tej dhe këtu “Tiranadiplomacia” do të vazhdojë të luajë rolin e vet jetik!
*****
FOTO KRYESORE: Veliaj, gjatë një vizite për festat e nëntorit në Bashkinë e Brukselit