Prof. Dr. Refik Kadija
Botuar në DITA
Ndërsa po bëhesha gati për të dorëzuar për botim librin tim“20 autorë britanikë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, më erdhi papritmas me postë nga Londra libri “Tales from Albania” (“Tregime nga Shqipëria”) i autorit anglez Mark D. Vickers. Autori e kishte përfunduar librin e tij me 28 nëntor 2021 (me shënimin “Festa Kombëtare e Shqipërisë”) dhe e kishte botuar në dhjetor 2021. Pra, ishte një botim “taze”, “i freskët”, i sapodalë nga shtypshkronja.
E lexova me ngulm, i përpiva për dy ditë 225 faqet e librit dhe vendosa: do ta shtyj dërgimin e librit tim në shtyp dhe të përfshij në të një shkrim, ese apo recensë, për librin “Tregime nga Shqipëria” dhe për autorin e tij Mark Vickers. Përmbajtja e librit tim tani nuk do t’i përgjigjej titullit, sepse do të kishte jo 20 por 21 autorë britanikë. Vendosa që numrin e plotë 20 mos ta ndryshoj, por ta bëj 20+ dhe kështu veprova.
Gjatë karrierës sime akademike 53-vjeçare kam hulumtuar prej vitesh mbi autorët anglo-saksonë që kanë shkruar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, mbi historinë, kulturën, gjuhën, traditat dhe karakterin e shqiptarëve. Kam udhëhequr diploma, mikroteza Masteri e teza Doktorate mbi veprat e këtyre autorëve. Kam botuar tre libra me rreth 1100 faqe mbi udhëtarët anglo-saksonë që kanë vizituar trojet shqiptare gjatë shekujv XIX dhe XX: “Skënderbeu dhe shqiptarët në kulturën e Anglosferës” (2018), “Ali Pasha dhe shqiptarët në kulturën e Anglosferës” (2021), dhe “20 autorë britanikë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (korrik, 2022). Në këto libra kam shtjelluar pikëpamjet dhe përshtypjet e autorëve anglo-saksonë duke i shoqëruar me ilustrime nga veprat e tyre dhe me referencat përkatëse.
Krahas këtyre autorëve mendoj se duhet radhitur edhe autori bashkëkohor anglez Mark Vickers për kontributin e tij të vyer në eksplorimin e temës shqiptare në veprën e tij “Tregime nga Shqipëria”.
Nga çështjet që trajtohen në veprën e tij del qartë se autori është njohës i mirë i historisë së lashtë dhe historisë së sotme të Shqipërisë, i të shkuarës dhe i të sotmes, i realitetit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar, i karakterit të shqiptarit me virtytet dhe veset e tij, i kulturës, gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Autori anglez ka shkruar me sinqeritet, çiltërsi e vërtetësi për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe është përpjekur, siç pohon edhe vetë, “për të qenë sa më i saktë që është e mundur” (f. 201). Qysh në Hyrje ai e bën të qartë se nuk ishte as i verbër ndaj realitetit dhe as romantik idealist. “Jo gjithshka është e mirë, jo gjithshka është e keqe, prandaj mos e gjyko një komb të tërë për sjelljen kriminale e të korruptuar të një përqindjeje të vogël, por të mos jesh as një i huaj naiv” (f.26). Ai kishte parë pra edhe ryshfet, edhe korrupsion e mashtrim, vetgjyqësi, egoizëm, paranojë, grykësi për pasurim të shfrenuar, padrejtësi sociale, etj., dhe arsyeton më tej duke e përcaktuar qartë qëndrimin e tij:
“Unë jam i vetëdijshëm për të gjitha këto, për fat të keq edhe për shumë më tepër, por zgjodha të mos shkruaj për këtë sepse unë gjithashtu pashë një Shqipëri krejt ndryshe. Unë i përmenda këto gjëra këtu sepse nuk dua që ju, i dashur lexues, të mendoni se jam i verbër ndaj anëve negative dhe se e kam parë shoqërinë shqiptare me naivitet dhe me një romantizëm jorealist dhe fiktiv. Por unë nuk do të ndalem tek ato në këtë libër të vogël. Unë pashë bukurinë dhe krenarinë e popullit. Unë u mrekullova nga historia dhe traditat e tij dhe nga panoramat e mrekullueshme. Unë punova dhe zura miqësi me disa njerëz fantastikë, të përzemërt, bujarë, mikpritës dhe jashtëzakonisht të ndershëm, dhe i ruaj si thesare miqësitë që bëra. Unë ndjehem aq i pasionuar pas këtij vendi sot sa ç’ndjehesha kur jetoja atje. Kjo është gjithshka që unë dua të ndaj me ju” (f.27).
Prandaj kishte vendosur të mos shkruante për anët negative, por vetëm për përshtypjet e tij të pashlyeshme për shqiptarët dhe Shqipërinë me të cilët ishte dashuruar përjetë pasi kishte jetuar midis tyre për tre vjet, gjatë shërbimit të tij si atashe ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2005-2008. “Unë arrita ta dua popullin e Shqipërisë për ngrohtësinë, humorin dhe kulturën e tyre”, thotw Vickers-i (f.209).
Përshtypjet dhe përfundimet e Mark Vickers-it për Shqipërinë dhe shqiptarët e shekullit XXI janë çuditërisht shumë të përafërta, bile thuajse të njëjta, me ato të udhëtarëve anglo-saksonë pararendës të shekujve të shkuar që nga Lord Byron-i e Kolonel Leake-u dhe deri tek W. F. Knight-i e Edith Durham-i. Ai vë në dukje virtytet e shqiptarëve si bujarinë, mikpritjen, besën, por dhe ashpërsinë, bestytnitë e paragjykimet e tyre.
Gjatë trajtimit të historisë së shkuar të shqiptarëve, ai gjithashtu vë në dukje synimet shoviniste e irredentiste të fqinjëve të jugut dhe të veriut ndaj Shqipërisë. Në faqen 77 ai thekson: “Vlen të shënohet, siç e kam përmendur diku tjetër në këtë libër, se territori shqiptar ka qenë nën kërcënim nga të gjithë rretherrotull veçanërisht qysh nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, me qëllimet për ta copëtuar të gjithë vendin midis serbëve, bullgarëve dhe grekëve. Italianët, autriakët dhe rusët kanë luajtur edhe ata rolin e tyre; kanë hyrë në lojë edhe të tjerë, përfshirë francezët (në Korçë).” (f. 77) Për këto përpjekje të vazhdueshme irredentiste të shovinistëve grekë në jug të Shqipërisë (Sarandë, Gjirokastër, Korçë) autori i referohet “veprës seminale të Kristo Dakos Shqipëria – çelësi-kopil i Lindjes së Afërme” dhe raporteve të Edith Durham-it (f. 73-4); kurse për përpjekjet pushtuese të serbëve në Shqipërinë e Veriut (Dibër, Shkodër, etj.) ai citon veprën e Edith Durhamit Njëzet vjet ngatërresa ballkanike (botuar në Londër më 1920) (f. 155-158).
Në fund të tregimit për Edith Durhamin autori shkruan: “Në paragrafin e fundit të Edith Durhamit në të njëjtën vepër, ajo shkroi: ‘Në çastin që po shkoja në shtypshkronjë serbët kanë bërë një sulm të vrullshëm mbi Shqipërinë e Veriut nga tri pika. Por ata nuk do ta vrasin shpirtin e popullit shqiptar, i cili i ka bërë ballë çkombëtarizimit për njëmijë vjet, dhe të cilët luten vetëm për të drejtën për të zënë vendin e tyre në Ballkan dhe për të jetuar në liri dhe në harmoni me fqinjët e tyre, dhe të cilët tani, në kohën që unë po shkoj në shtyp, ata po luftojnë trimërisht për Liri. Unë nuk do të shkruaj FUND, sepse historia e ngatërresave ballkanike nuk mbaron këtu’. Dhe sa të drejtë që kishte ajo, dhe ajo e shkroi atë më 1920!”
Autori Mark D. Vickers na jep shumë pak të dhëna për jetën e tij. Na thotë se ka lindur dhe është rritur në Mbretërinë e Bashkuar, se është vegjeterian, me besim budist, se ka kryer Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, ka shërbyer në Brigadën e Gurkhas në Hong Kong dhe pas një karriere ushtarake 33-vjeçare në vende të ndryshme si në Nepal (dy herë), Afganistan, Shqipëri, etj., doli në pension të parakohshëm në vitin 2018 dhe emigroi në Tajvan, ku jeton edhe sot me bashkëshorten e tij Estella dhe merret me letërsi, pikturë, studime dhe meditime teologjike budiste.
Libri i tij “Tregime nga Shqipëria” përfshin 19 shkrime me rreth 200 faqe të cilët autori i quan tregime dhe ese, tetë prej të cilave i kushtohen Shkodrës: “Kontaktet e para me Shqipërinë”, “Kremtimi i Ditës së Zojës së Shkodrës” (gabim date, sepse kremtimi bëhet të dielën e tretë të tetorit, por pa rëndësi), “”Miku im shumë i mirë, Zoti Riza Lahi”, “Legjenda e Rozafës”, “Kol Idromenoja”, “O Moj Shqypni – poemë nga Pashko Vasa (përfshirë përkthimin)”, “Ura e Mesit – The Mesi Bridge, afër Shkodrës” dhe “Migjeni”.
Si Edith Durham-i para tij, të cilës i ka kushtuar shkrimin “Edith Durham” (f. 153-158), edhe Mark Vickers-i u dashurua me Shkodrën: “Shkodra u bë zona ime më e preferuar në të gjithë Shqipërinë, dhe unë kam kujtime aq të lumtura nga vizitat e mia të shpeshta atje dhe deri lart në Kelmend dhe Vermosh. Por unë u kënaqa kudo ku shkova në atë vend, dhe ky libër i vogël është po aq rreth atij populli sa dhe rreth kështjellave, liqeneve, lumenjve, maleve dhe luginave.” (f. 206) Pra, siç e pohon edhe vetë, ai “u mbërthye nga kthetrat e shqiponjës dykrenore mikpritëse” (f. 47), ai u dashurua me gjithë Shqipërinë dhe popullin e saj: me “Krujën plot ngjyra”, kryeqendrën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, me “qytetin e bukur e piktoresk” të Gjirokastrës – kulturën, artin dhe historinë e saj, si dhe me Sarandën dhe historinë e saj të lashtë, me Butrintin e famshëm dhe marrëdhëniet e trazuara me fqinjin jugor (“Nga Korfuzi në Gjirokastër nëpërmjet Sarandës”), me Peshkopinë dhe historinë e saj (“Nga Peshkopia në Fushë-Lurë nëpër Grykën e Nokes”), me Matin e Burrelin, me bukuritë natyrore të krahinës, historinë e familjes Zogu, por dhe të burgut famëkeq [ku vuajtën për dekada Dom Simon Jubani, autor i memuarit “Burgjet e mia”, dhe Pjetër Arbnori, midis shumë të tjerëve] (“Ura – duke udhëtuar gjatë rrjedhës së Lumit Mat”), me Beratin, historinë e tij, legjendën e Tomorit e Shpiragut, kalanë e tetë kishat e saj (“Në Berat me Arsin”).
Në shkrimet e tij autori bën shpesh shmangie nga linja e veprimit apo kapërcime pindarike. të cilat i quan “tangente”. Po bëj edhe unë një ‘tangente’.
Ndonëse nuk përmend emra politikanësh dhe nuk dëshironte të merrej fare me politikë, autori ka trajtuar dy ngjarje historike delikate dhe shumë të kontestuara të karakterit politik e diplomatik: rolin dhe ndihmën e Anglisë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë botërore (“Britanikët në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”, f.127-152) dhe incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe mbajtjen e 1574 kg. flori shqiptar nga Britania e Madhe deri më 1996 kur Shqipëria u detyrua të paguante 2 milionë dollarë reparacione. Këtë ngjarje të dytë historike, për të cilën autori thotë se ka pasur tre incidente, e ka trajtuar në pjesën e parë të shkrimit “Nga Korfuzi në Gjirokastër nëpërmjet Sarandës” (f. 64-71).
Edhe unë nuk po zgjatem më shumë në këtë ‘tangente’ dhe po kthehem sërish në linjën kryesore të shkrimit tim.
Ndër shkrimet që përmban libri “Tregime nga Shqipëria”, autori përshkruan disa prej qyteteve shqiptare që vizitoi duke u nisur nga historia e tyre e lashtë, mbi bazën e gjetjeve arkeologjike, dhe duke e prurë historinë deri në ditët tona. Ai thotë se “përshtypja sipërfaqësore e shumë vendeve në Shqipëri fsheh një histori të lashtë e shpesh shumë të koklavitur” (f.72). Kështu, për Sarandën ai tregon se “Saranda ka qenë një qytet-port i Epirit në kohra të lashta me emrin Onchesmus ose Onchesmos. Janë zbuluar vegla prej bronzi që datojnë nga c.1400-1100 para Krishtit. Sinagoga e parë e Shqipërisë u ndërtua këtu në shekullin IV ose V nga pasardhësit e çifutëve të parë që erdhën në Shqipëri rreth vitit 70 pas Krishtit. Në shekullin VI u ndërtua një kishë orthodokse greke e quajtur Agioi Saranta, dhe nga kjo e ka marrë emrin qyteti.” (f. 72) Pastaj autori kalon gradualisht nga dyndjet ostrogote, pushtimi osman e deri në historinë e sotme.
Kurse në disa raste ai e ndërthur historinë e lashtë të qyteteve me legjenda, si legjendën e Rozafës dhe të ikonës së Shën Mërisë në Shkodër, apo legjendën e Tomorit, Shpiragut e Osumit në Berat. F. 87 …Kur i afrohet Beratit, pasi përshkruan vendosjen e mahnitëse të qytetit në faqen e Kalasë, “arkitekturën që është thjesht e mrekullueshme – një festë për sytë, dhe e vendosur në një bukuri të tillë natyrore të mrekullueshme sa që është material për përralla e legjenda”, autori thotë se “kur iu afruam kodrës m’u kujtua një legjendë e vjetër shqipare që thoshte se mali i Tomorrit kishte qenë fillimisht një gjigand i cili kishte luftuar me një mal tjetër gjigand të quajtur Shpirag. Nuk është e nevojshme ta themi se beteja/dueli ishte për një vashë të bukur. Të dy gjigantët vdiqën dhe ajo çka mbeti prej tyre ishte këta dy male. Vasha për të cilën ata kishin luftuar shpërtheu në rrëke të tilla lotësh sa që u mbyt në to. Lotët e saj u bënë lumi Osum”. (f. 87)
Kur gjëndet për herë të parë përpara Kalasë së Shkodrës të ngritur mbi Kodrën e Valdanuzit në një lartësi prej 130 metrash, autori shtanget i magjepsur nga lashtësia e kështjellës ilire, të cilën romakët e pushtuan në vitin 167 para Krishtit, dhe thotë: “Ndalu këtu për një sekondë, i dashur lexues, 167 vjet para Krishtit, 1943 vjet përpara Pavarësisë Amerikane, 2038 vjet përpara unifikimit të Gjermanisë! Është mahnitëse! Shqipëria ka një gjuhë dhe histori të lashtë e jashtëzakonisht të pasur, dhe ky është një thesar vërtet i çmuar që duhet të ruhet për brezat e ardhshëm….Përveçse ka një histori të tillë të mrekullueshme e të pabesueshme, si dhe një gjuhë të pashoqe dhe të bukur, Shqipëria është gjithashtu burimi i një mori legjendave (një plethoreje me legjenda)”. (f. 102)
Në shkrimin “Legjenda e Rozafës” autori e ka rrëfyer me hollësi historinë e dhimbshme të nuses së vëllait të vogël, duke theksuar se ai këtë legjendë nuk e shikon thjesht si histori filozofie, bile as dhe si histori të Kështjellës Rozafat, “por më tepër si ndodhi të personit emri i të cilës e bëri të pavdekshëm këtë monument të rëndësishëm e të lashtë” (f. 102). Ndër mësimet e shumta që autori mendon se mund të nxjerrë njeriu nga kjo legjendë spikatin “trimëria e Rozafës dhe vetsakrifica e saj e pabesueshme me qëllim që të përfitojë gjithë komuniteti” dhe veprimet e vëllait të tretë që ilustrojnë se “sa e rëndësishme është besa në kulturën shqiptare” (f.108-9).
Ndërsa shkrimet “Kol Idromeno”, “O moj Shqypni” dhe “Migjeni” janë të karakterit kulturor-letrar.
Autori Mark Vickers, me shpirt artisti dhe i pasionuar pas pikturës, ka bërë një përshkrim të hollësishëm të jetës dhe veprës së Kol Idromenos (1860-1939), njërit prej piktorëve më të mëdhej shqiptarë të të gjitha kohrave. Përveç origjinës çame të familjes së tij nga Arta, autori tregon për lidhjen e fortë të Idromenos me Shkodrën, vend-lindjen e tij, për shkollimin e tij në Itali, në Accademia di Belle Arti di Venezia, për formimin e tij si artist dhe për ekspozitat personale që hapi nga viti 1898 deri më 1939 kronologjikisht në Budapest, Shkodër, Romë, Tiranë, Bari, përsëri në Romë, dhe Nju Jork. Autori përmend kontributin e Kol Idromenos si kinematografi i parë në Shqipëri dhe si arkitekt që projektoi 60 ndërtesa private, publike dhe industriale si Vila e Shirokës, Centrali elektrik, Banka e Shtetit, Kimemaja ‘Rozafat’, Kafja e Madhe, etj. Vend të rëndësishëm në shkrim autori do t’i jepte padyshim përshkrimit të hollësishëm të dy prej pikturave më të famëshme të Idromenos, dy kryeveprave – “Dasma shkodrane” plot kolorit, e sidomos “Motra Tone”, një mrekulli artistike, për shikimin e ndrojtur të të cilës, ‘që duket se i shmanget kontaktit me shikuesin, dhe me një dorë mbulon pjesërisht fytyrën e saj me vellon e saj të bardhë” Vickers-i shprehet: “A thua është një zgjatim i tepërt i imagjinatës të sugjerosh ngjashmëri me buzëqeshjen enigmatike të Mona Lizës?” (f.114). Qysh në fillim të këtij shkrimi autori kishte shprehur mendimin se “Kol Idromenoja ishte shumë i mirënjohur si piktor, por ai ishte dhe skulptor e arkitekt i përkryer, fotograf (që kishte punuar me mikun e tij Pjetër Marubi) dhe kinematograf. E habitshme, por ai ishte edhe kompozitor dhe inxhinier gjatë periudhës historike që njihet si Rilindja Shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Pothuajse një Leonardo Da Vinci shqiptar!” (f. 110) Në fund të këtij shkrimi për Kol Idromenon autori ka përfshirë edhe poemën-hymn të Vaso Pashë Shkodranit “O moj Shqypni”, në origjinalin shqip dhe në përkthimin anglisht nga Robert Elsie, të cilën poeti e krijoi në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rreth viteve 1878-1880, kur Shqipëria ishte në rrezik. Pikërisht në këtë kohë, “kur ishte 18 vjeç, më 1878, Idromenoja vendosi të kthehej në Shkodrën e tij të dashur” (113), ku jetoi e punoi deri sa vdiq, më 12 dhjetor 1939, në moshën 79-vjeçare.
Në shkrimin “Migjeni” autori ka bërë një përshkrim biografik të saktë të jetës dhe veprës së Migjenit dhe ka përfshirë “Poemën e Mjerimit” dhe poezinë “Vuejtja” nga vëllimi “Vargjet e lira” në përkthimin anglisht. Ai shpjegon se e ka përfshirë këtë ese për Migjenin për konributin e tij në “zhvillimin e letërsisë shqiptare bashkëkohore”, për faktin se “ishte Migjeni dhe Poradeci që i modernizuan idetë në letërsi në Shqipëri” (f. 183).
Duke lexuar shkrimin “Një koleksion i ilustrimeve të revistave të vjetra rreth Shqipërisë” bindemi se ka qenë interesi për Shqipërinë dhe pasioni për historinë e kulturën e saj që e ka nxitur autorin britanik për të hulumtuar dhe koleksionuar gravura e postera që lidhen me gjithshka shqiptare. Pjesën më të madhe të këtij koleksioni interesant Vickers-i e ka marrë nga revista londineze “The Illustrated London News”. Autori shpjegon se “Kjo revistë angleze u botua së pari më 14 maj 1842 dhe ishte revista e parë e ilustruar në botë e lajmeve javore” (177). Ka vite që Vickers-i është abonuar në atë revistë.
Më tej ai thotë se “nuk e dija se pas shumë vitesh ‘The Ilustrated London News’ do të bëhej kënaqësia ime më e madhe jo për lajmet nga Anglia por në fakt për kopjet e vjetra që më jepte me pamje nga Shqipëria”. (po aty) Në lidhje me këtë revistë të ilustruar autori bën edhe një zbulim interesant: se shumica e gravurave mbi Shqipërinë ishin bërë nga piktori Richard Caton Woodville, i cili kishte qenë për një kohë të gjatë në Shkodër dhe në Shqipërinë e Veriut, gjatë viteve 1877-1895, dhe se, përveç gravurave, “kishte shkruar një libër me titull ‘Kujtime të rastit’ (‘Random Recollections’), i cili u botua në Londër më 1914…. Ai i kushton një kapitull të plotë të librit qëndrimit të tij në Shqipëri në fund të luftës ruso-turke”. (f. 178). Diçiturat e pikturave të vjetra të R.C. Woodville-it që Vickers-i ka koleksionuar nga revista “The Illustrated London News” tregojnë përmbajtjen dhe kohën e botimit, si “Demonstrim në Bregdetin Adriatik: Shqiptarë nga Shkodra që kapërcejnë Bunën për të pushtuar Ulqinin” (data 1880); “Revolta në Shqipëri – Skicë e një poste kufitare turke” (data 1885); “Në Kalanë e Shkodrës, Shqipëri” (data 1883); “Skica nga Shqipëria: Shpagimi – Fundi i një gjakmarrjeje” (data 1880); “Valle shqiptare lufte në kampin afër Ulqinit, gjatë festës së Ramazanit” (data 2 tetor 1880), etj.
Dhe ky interes e pasion i Mark Vickers-it për gjithshka që ka të bëjë me Shqipërinë e shqiptarët është i pashuar, vazhdon edhe sot….
Mark D. Vickers e mbyll Hyrjen e librit të tij të bukur “Tregime nga SHQIPËRIA” me urimin: “Fluturoftë gjithmonë me krenari dhe forcë shqiponja dykrenore shqiptare!” (f. 28)
Te faleminderit mjeshter…
NJERI NGA KASAPET
QE NA MASAKROI
QE EDHE ANGLIA
DOT SMUND TA MOHOJ
NE VERTETE NA DUAN
ZERIN LE TA NGRENE
TA COJNE KUFIRIN
ATJE KU KA QENE
LLAFET I MERR ERA
KA THENE DIKUR VJERA
Mali ke të drejtë përgjysëm. Kur Aliu i Tepelenës sundonte edhe këtej edhe andej kufirit, një major, William Leaked ngjizi një shprehje “ujë i ndenjur” për vendin tonë. Kjo shprehje u përdor dhe i stër përdor kur shqipot u bënë të dukshëm për botën ( 1997-2001). Ndaj, një faleminderit këtij zotërisë për fjalët e mira se për të keqia kemi boll.
Marc Vickers duke shkruar për vendin tonë i ka dëshmuar botës se është i qytetëruar. Emri i tij i shtohet plejadës së autorëve që i bëjnë nder shqiptarizmit. Respekte Marc.
Besoi qe nga hulumtimet qe po bejen Anglezet do te binde ne padrejtesit qe kane bere gjate shekullit te kaluar duke e coptuar shqiperin, vendin me te lashte ne Ballkanin Perendimore.
Do te jete mire qe keta te bejn korigjimin e padrejtesive ndaje Shqiperise.
Grekrit u ndihmuan nga Anglezet po pers jo edhe serbet e Malazezet, duke i joshur me tokat tona.
Anglezet bejne humor sarkastik diten, dhe naten bejne aksione te tipit James Bond, te tjerat jane perralla.
Anglezet bejne humor sarkastik diten, dhe naten bejne aksione te tipit James Bond, te tjerat jane perralla !!!