Prof. XHELAL GJEÇOVI
Vendimi i Akademisë së Shkencave për të përgatitë një botim të ri të historisë së Shqipërisë është pritur me interes në opinionin shkencor e atë publik, veçmas në radhët e pedagogëve e studiueseve të historisë. Rishikimi e plotësimi është një proces normal, që zakonisht bëhet pa bujë e zhurmë, një punë e detyrë e përhershme e historianëve. Si e tillë, nisma e Akademisë duhet vlerësuar si një hap në drejtimin e duhur, vazhdim e thellim i hapave të ndërmarra deri tani, i studimeve të kryera në vite, për periudha e ngjarje të ndryshme.
Historia është e shkuara, ajo është bërë dhe protagonistë të saj janë popujt, masat popullore, sidomos fshatarësia në rastin tonë, po të kemi parasysh përbërjen e popullsisë së vendit, nga gjiri i te cilëve dalin dhe forca e figura përfaqësuese, që i kanë aftësitë e cilësitë e duhura dhe shfaqen në arenën e historisë sa herë i kërkon e i thërret nevoja për të udhëhequr lëvizjet për pavarësi e progres.
Historiografia, shkenca që merret me studimin e historisë nuk bën, nuk prodhon histori. Ajo është bërë në kohën e vet; ne vetëm përpiqemi ta sjellim siç ka qenë, siç kanë ndodhur ngjarjet e saj,sa më afër realitetit. Në se e arrijmë këtë kemi justifikuar besimin dhe kërkesat e taksapaguesve dhe te opinionit publik. Nëse ndonjë historian mendon ndryshe dhe fryhet e merr poza, për të kundërtën, sikur ka në dorë vlerësimin apo skartimin e njerës apo tjetrës ngjarje apo figurë, që të ngrejë njërin dhe tjetrin apo të tjerët t`i groposë, koha e zhvlerëson dhe opinioni e skualifikon, kurse paçavuret që ndërton me mendësi të tilla, përfundojnë aty ku e kanë vendin.
Historiografia njihet si një shkencë konservative që zbulon e ruan me fanatizëm vlerat dhe arritjet e njerëzimit në periudha të ndryshme të historisë. Por ajo është njëherazi dinamike dhe e hapur, që ka në thelbin e vet dialektiken,lëvizjen, ndryshimin, plotësimin e saktësimin e vazhdueshëm me të dhëna e fakte të reja,përndryshe mbetet prapa kohës, humbet besueshmërinë dhe aftësinë për të përmbushë misionin që ka.
***
Projekti i Akademisë po realizohet në disa kushte të favorshme, që përbëjnë një avantazh jo të pakët, për të shtruar e përballuar shkencërisht, jashtë çdo ndikimi, më së pari atij politik, problemet e akumuluara, sidomos në periudhat e reja, si Pavarësia, regjimi zogist, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe periudha pas saj, e ashtuquajtur komuniste.
Historia nuk bëhet e as nuk shkruhet në bazë të dëshirave, por bazuar në realitetin e jetuar. Në rastin konkret realiteti nuk ofronte asnjë shans e mundësi për to, për të mbetur kështu thjeshtë një ëndërr e një iluzion.
Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore iu bashkua bllokut të vendeve që pretendonin se po ecnin në rrugën e socializmit, pasi kjo zgjedhje, veç të tjerave përputhej dhe me ndarjen që bënë në Jaltë e Potsdam, aleatët që udhëhoqën Luftën Antifashiste Botërore. Në këtë kuptim kjo zgjedhje ishte e paracaktuar. Por,pas vdekjes së Stalinit, BS, Qendra e Lëvizjes Ndërkombëtare dhe e Kampit Socialist do të përjetonte ngjarje që çuan në ndryshim kursi, duke e futur sistemin në krizë. Kjo krizë do të thellohej me ndërrimet që u bënë në udhëheqjet e vendeve të kampit, me ndërhyrjen direkte të Moskës, një veprim që krijonte çoroditje e pasiguri në këto vende. Ndikuan dhe e përshpejtuan këtë proces dhe zhvillimet ndërkombëtare, kthesa që shënoi fillimi i luftës së ftohtë, presioni i jashtëm i botës kapitaliste dhe rënia njëra pas tjetrës e “kështjellave” prej rëre të regjimeve socialiste në Europën Lindore. Çdo gjë që shënohet, që bëhet e që ndodh pas lufte, për të mirë apo për të keq, i takon periudhës pas çlirimit. E për to nuk mund të fajësohet e të bëhet përgjegjëse lufta.
Në këto zhvillimet shihet qartë roli, vlera dhe rëndësia Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që i riktheu vendit pavarësinë e shkelur e të mohuar nga nazifashistët dhe krijoi mundësi për zhvillim të pavarur të vendit, një arritje e fitore e madhe për kombin shqiptar, siç e ka cilësuar Noli i madh.
***
Si do ta rishkruajmë historinë? Do ta bëjmë apo do ta zhbëjmë? Si do ta përshkruajmë historinë e luftës dhe të pas Luftës së Dytë Botërore? Sepse kjo është mbase përgjegjësia më e madhe e nismës së Akademisë dhe thembra e Akilit për ata që do ta bëjnë këtë histori…
Sepse, fjala vjen, pas lufte vendi nuk ka qenë, zi e më zi, siç e paraqesin kundërshtarët e regjimit. Ne nuk erdhëm nga xhungla drejt e në demokraci, edhe ashtu siç është ajo. Edhe në këto vite ka patur jetë, ka patur prodhim, zhvillim, arritje, sic ka patur dhe dështime e zhgënjime. Të tera këto janë deri diku të kuptueshme e të justifikueshme për një vend të vogël, të varfër, me kapacitete të kufizuara, të rrethuar nga vende armike që s`pushuan së penguari, sabotuari e së luftuari që t`u hapej rruga aneksimeve të tjera të territoreve shqiptare. Në rrethana të tilla, vendi njohu zhvillime kontradiktore, disa në sensin pozitiv, që ringritën e ndryshuan Shqipërinë, e bënë një vend normal që të ecë me këmbët e veta, të ruajë e të mbrojë pavarësinë dhe të shënojë disa arritje e realizime që ja ndryshuan pamjen dhe bënë të mundur kapërcimin e prapambetjes së trashëguar që nga shekujt e mesjetës e sundimit otoman e në vazhdim.
Në këto vite u ngritën degë të rëndësishme të ekonomisë, një industri e bujqësi që plotësonin në një masë të konsiderueshme nevojat e vendit; një arsim e shëndetësi, me shërbime cilësore dhe falas për qytetarët pa dallim. Me këtë të fundit u arrit të zhdukeshin në një kohë rekord sëmundjet ngjitëse si malarja, sifilizi, tuberkulozi etj, që bënin kërdinë dhe s`e linin jetën e njeriut që të kapërcejë mesataren e 38 viteve, që ishte stampuar në regjimin e Zogut. Krahas tyre, me masat e marra në fushën e arsimit, me hapjen e shkollave dhe në fshatrat më të largëta u zhduk analfabetizmi, u arsimuan të rinj e te reja, vendi u bë me universitete dhe akademi shkencash, duke realizuar një nga ëndrrat e rilindasve.
Por, krahas tyre,shteti që ishte konceptuar te ndërtohej si shtet demokratik, gradualisht do të marrë tiparet e diktaturës, me pasoja për vendin. Lufta e klasave mori përmasa të pa përballueshme, me goditje me vend e pa vend, duke ngjallur frikë e duke u shkaktuar drama një kategorie të qytetarëve nga radhët e shtresave shoqërore progresiste, që kishin marrë pjesë apo kishin mbështetur luftën Nacionalçlirimtare e fillimisht dhe regjimin, duke mos kursyer as drejtues të formacioneve partizane, me kontribute të jashtëzakonshme ne lufte e në periudhën pas saj. Po cilët konkretisht? Janë shumë, çka e bën problematike fenomenin e diktaturës që përjetoi vendi.
Por, megjithatë, historianët nuk mund të ndjekin shpurën e analistëve, të vetëkënaqur që çdo natë, herë në njërin dhe herë në tjetrin televizion shajnë e mallkojnë vendin, shtetin shqiptar, diktaturën, biles edhe periudhën pas saj, të ashtuquajturën demokraci, pasi kanë lindur që të mos pajtohen e të kundërshtojnë çdo gjë, që nuk gjejnë rehat as me veten. Me këtë shpurë analistësh nuk duhet të pajtohen kurrsesi historianët seriozë.
Një sondazh i kryer para ca kohe nga OSB dha shifra qe tronditën opinionin. Shumica e shqiptarëve e vlerësonin pozitivisht të kaluarën sidomos në disa aspekte të rëndësishme të jetës shoqërore, e këtu vinin në konsiderate mungesën e fenomeneve të tilla shkatërruese sidomos për rininë, të panjohura më parë, si droga, korrupsioni, emigrimi në masë i pakontrolluar, pasiguria për jetën, mungesa e perspektivës etj.
***
Diktatura sigurisht nuk ka qenë e mirëseardhur dhe e dëshiruar, por ndoshta ka qenë e pashmangshme e në disa aspekte e domosdoshme. Nuk ishin më të bukura e më të mirë diktatura zogiste, që e la vendin ne mjerim e skamje të llahtarshme apo ajo berishiste pas vendosjes se demokracisë, që vetëm në vitin 97 vrau e shkatërroi jetët e rreth pesë mijë qytetarëve, që protestonin e kërkonin paratë e grabitura, por dhe masa kundër diktaturës qe po konturohej, duke treguar dhëmbët, me të vrarë e të zhdukur me shumë se në të gjithë vitet e diktaturës së tmerrshme komuniste, të marra së bashku.
Diktatura do parë e analizuar në lidhje me faktorët që e krijuan dhe e mbajtën në këmbë. Është koha kur, sic ka shkruar Rexhep Qosja njëri ndër mendimtarët më të shquar në hapësirën shqiptare, Europa ishte e mbushur me diktatura, e kjo nuk i bënte përshtypje askujt. Për Kosovën, shkruan profesori, e rëndësishme ishte se i vetmi zë në Europën e diktaturave, në mbrojtje të Kosovës, na vinte nga Tirana zyrtare, nga Shqipëria, nga shteti shqiptar, që ndërtoi Enver Hoxha. Prandaj kosovarët nuk bëheshin dhe aq merak se çfarë ishte dhe si ishte, por e duartrokisnin ideologun e saj. E pra, mbrojtja e Kosovës përbënte një vlerë, që e paska patur diktatura, e kjo nuk duhet mohuar, sidomos nga ata që s`pushojnë së shpifuri se gjasme Kosova na qenka shitur e tradhtuar nga regjimi komunist, që të ruajë miqësinë me Jugosllavinë e Titos. E kur këtë slogan e dëgjon dhe nga disa intelektualë në Kosovë, të njohur për lidhjet e përzemërta me regjimin, jo në Tiranë por në Beograd, shikon se si degradohet e transformohet njeriu i shkretë, pa patur nevojë.
Shqipëria pas lufte ishte e detyruar të “hedhë valle në gojën e ujqërve”, një slogan qe pasqyron një realitet, jo të shpikur, por të jetuar. Që në fillim ajo ishte e detyruar që të përballej me veprimtarinë e egër të shteteve që e rrethonin gjeografikisht, që në koordinim apo dhe secila më vete, dëshironin dhe nisën të vepronin që të realizojnë ambiciet e kahershme ndaj territoreve shqiptare, të cilat shkonin deri në ndarjen e copëtimin në mes tyre dhe fshirjen e Shqipërisë nga harta e Europës, zhdukjen e një vendi e një popullsie paqësore, me qytetërim të lashtë. Pasi dështuan përpjekjet për të siguruar mbështetjen e fuqive të mëdha në Konferencën e Paqes, më 1946, kjo veprimtari ndryshoi taktikë, duke vënë në plan të parë dhunën, provokimet, kërcënimet, goditjet me forma e mjete të dhunshme, siç ishte provokacioni i armatosur i Greqisë fqinje me 1949, për të vazhduar me organizim e dërgim bandash të armatosura, që mbusheshin me të arratisur nga vendi, kryesisht kontigjente bashkëpunëtorë të fashizmit.
Kjo është e vërteta historike dhe kjo duhet thënë pa ndroje dhe me zë të lartë!
Orvatjet për rrëzimin e diktaturës nuk ishin qëllim në vetvete, por që t`i hapej rruga aneksimit të territoreve të tjera shqiptare, pasi ajo ishte pengesë e pa kapërcyeshme për realizimin e planeve të tyre. Atëherë nuk e kishim NATO-n dhe as aleatin strategjik, siç janë sot SHBA dhe ishim të detyruar të mbrohemi me forcat tona.
***
Zhvillimet që u sollën më sipëtr duhen parë e analizuar me korrektësi e maturi, në kontekstin historik te kohës. Trajtim të kujdesshëm, kërkon sidomos Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare që prej kohe është vënë në qendër të goditjes. Për çfarë nuk akuzohet e sulmohet, duke e bërë madje përgjegjëse dhe për diktaturën, e cila sipas tyre i paska hedhur rrënjët pikërisht në vitet e saj, për rrjedhojë konsiderohet produkt apo krijesë e saj.
Historia dallohet nga shkencat e tjera shoqërore, sepse studion objektin e vet, rrugën që ka përshkuar njerëzimi, me etapa e periudha që dallohen cilësisht nga njëra tjetra, për shkak të kushteve materiale e të problematikave krejt të ndryshme që duhen përballuar e zgjidhur. E kjo nuk përcaktohet nga dëshirat e vullneti ynë, por se i tillë është vetë realiteti.
Është thënë e stërthënë që lufta nuk ka lidhje me diktaturën. Periudhat historike dhe regjimet që kanë qeverisë vendin maten e vlerësohen me të shkuarën, me rendet e regjimet e mëparshme, e jo me ato që vijnë pas saj. Lufta është periudhë okupacioni. Shqipëria që më 7 prill 39, me agresionin e fashistëve italianë kishte humbur pavarësinë dhe problemi që duhej zgjidhur ishte rivendosja e saj. Kjo ishte dhe prova për qytetaret dhe forcat politike. Me dëbimin e okupatorëve dhe çlirimin e vendit më 29 nëntor 44, rivendoset pavarësia. Kësisoj, ajo e kreu misionin e vet, për t`i lënë vendin një etape tjetër, të re, më të lartë, pasi vendi hynë në rrugën e zhvillimit të pavarur. Kemi pra të tjera kushte, të tjera probleme, të tjera mjete dhe mundësi. Përpjekjet për të shmangur këtë rregull, këtë ligjësi objektive të realitetit, të ndryshimit e të zhvillimit te pandërprerë, bëhen për t’i hapur rrugë voluntarizmit e spekulimeve.
Një hap në analizën e këtyre çështjeve e periudhave të debatuara vazhdimisht në rrethet e historianëve, por jo vetëm, u bë në Vëllimin e IV-të të projektit “Historia e Popullit Shqiptar” të botuar në vitin 2009. Trajtesat e tij, u bënë pas investigimit e reflektimit mbi realitetet e kërkesat e reja që u krijuan e u shtruan me vendosjen e rendit demokratik. Natyrisht ato kanë nevojë që të rishihen e te plotësohen me tej. Por, sidoqoftë përbëjnë një bazë të mirë dhe për projektin e ri. Asgjë nuk krijohet nga hiçi, duke injoruar apo mohuar kontributet e deritanishme në fushën e studimeve historike, aq më shumë që në këtë fushë kanë punuar e prodhuar në vite mendimtarë, historianë, arkeologë e gjuhëtarë të shquar, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në studimin e historisë se Shqipërisë, si profesorët e akademikët e paharruar, E.Cabej, A.Buda, K.Frashëri, H.Ceka, Sh.Demiraj, A.Kostallari, Stefanaq Pollo, L.Omari, APuto, A.Uçi, N.Jorgaqi, K.Prifti, Sh.Ballvora etj. Mbështetja ose jo në arritjet e trashëguara, është një çështje parimore për shkencën historike, sidomos kur bëhet fjalë për projekte të tilla të mëdha. Moskuptimi, nënvleftësimi apo injorimi, që zakonisht vijnë nga egoizmi e politizimi, do të dëmtonin ecurinë dhe rezultatin e kësaj pune. Si njëra, arritjet e trashëguara dhe tjetra,vazhdimi i punës për plotësim e saktësim të mëtejmë me të dhëna të reja,janë pjesë e një procesi që s`ndahet e s`ndalet dot kurrë,që vazhdon pafundësisht.
Këtë raport, këtë lidhje dialektike më duket se e ka trajtuar drejt dhe shumë qartë Paskal Milo në disa shkrime a prononcime të kohëve të fundit. Por, edhe ai, në punimin e fundit me dy vëllime nuk i ka shpëtuar këtij “mekati”, kur injoron e anashkalon, pa u referuar, e mazallah reflektuar, se atë nuk e njeh, mbi punimet e sugjerimet e kolegëve, sigurisht një e drejt e tij. Por kjo s`i jep të drejt që ata të sulmohen. U çudita kur pashë para ca ditësh në një të përditshme kualifikime që u adresoheshin atyre duke i konsideruar pjesë e një “lukunie(!) të ekstremit të majtë”. E përse?.Sepse “nga egoizmi paskan reaguar ndaj disa të vërtetave” që Milo, “paska guxuar t’i thotë për herë të parë për Enver Hoxhën”. Në fakt, reagimi ka qenë jo ndaj disa të vërtetave, por të pa vërtetave dhe jo thjesht e vetëm për personin, (personalizimi nuk më duket i drejtë), por për luftën, për shtrembërimet që i bëhen kuadrit të saj, rolit dhe pozicionit të forcave politike, duke i atribuuar njerës, Ballit Kombëtar iniciativa për bashkëpunim, të cilat, sipas tij nuk qenkan pranuar, por refuzuar nga pala tjetër, Fronti Nacionalçlirimtar. Në to theksohet gjithashtu se Enver Hoxha, në komunikimet, në fillim të tetorit 43, me organizmat e Lëvizjes paska urdhëruar goditjen ndaj forcave të Ballit, duke provokuar, sipas Milos, e para luftën civile, duke injoruar e mos mbajtur kështu parasysh zhvillimet e lëvizjet e kesaj organizate para tyre, menjehere pas Mukjes, hapat e një pas njëshëm të thellimit të lidhjeve e të bashkëpunimit sidomos me okupatorin e ri nazist, të goditjeve së bashku të forcave partizane që shkonin e çonin ujë në mullirin e armikut. Në reagimet e mia në dy-tre shkrime hidhen poshtë këto dhe të tjera devijime, që nuk e di përse bëhen. Në to nuk ka asnjë aludim apo etiketim, përkundrazi vetëm vlerësime të larta, të merituara sigurisht, për historianin Milo. Siç e kam theksuar dhe në to, ndërhyrja e ime nuk ka patur si qëllim të sfidojë apo t`i bëjë karshillëk ndokujt, por t`i tregojë opinionit se, “vec atyre që shkruan Milo, një e drejtë e tij sigurisht, ka dhe një shpjegim tjetër alternativë për këto çështje, që mbetën të hapura”. E cfarë ka këtu për të reaguar e stigmatizuar kolegët, me një gjuhë që asnjëri në bindjen time s`e meriton. Po të ishin të vërteta pohimet e Milos, të parët qe do t`i konsideronin do të duhet të ishin aleatët, sidomos anglezët që ndiqnin me vëmendje çdo lëvizje të forcave politike, e ndoshta do të kishin kapërcyer një “non sens” të kohës,mos atashimin pranë kësaj organizate të misioneve ushtarake aleate, siç kishin bërë më parë me Frontin e më pas dhe me Lëvizjen e Legalitetit. Por kjo nuk ndodhi. Dhe shkaku i qëndrimit e i distancimit të aleatëve është pikërisht qasja e gabuar ndaj luftës,mos pranimi që të luftojnë gjermanët dhe refuzimi i prerë i kërkesës për të hyrë në dialog, për te gjetur gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit në interes të luftës,me palën tjetër, Frontin. Këtë fakt e ka pranuar dhe ka shkruar jo pak dhe vetë Milo. Ato nuk janë opinione, por fakte që s`te lënë të lëvizësh sipas koniunkturave. Për t`u bindur për këtë, po sjellë në vëmendje një zhvillim interesant, që Milo besoj e di,që tregon qartë se nga anon e drejta dhe e vërteta.
Po i referohem një fakti historik. Në nëntor 43, para se të kapej rob nga ballistët e të dorëzohej tek gjermanet, shefi i misionit britanik gjenerali Dejvis, me porosi të qeverisë angleze, ndërmori një tur takimesh e bisedash me udhëheqësit e dy forcave politike, Ballit dhe Frontit. Fillimisht ai mori takim me Enver Hoxhën, të cilit i parashtroje kërkesën e qeverisë britanike që të ndalë goditjet ndaj Ballit dhe të nisë bisedimet me të. Enver Hoxha i deklaroi oficeri të lartë anglez, se pranon kërkesën e qeverisë britanike,por me kusht që edhe Balli të ndërpresë lidhjet me gjermanët e goditjet bashkë me ta ndaj nesh dhe të nisë luftën kundër tyre. Më pas, gjenerali u takua me udhëheqësit e palës tjetër në Shëngjergj, në nëntor 43. Njëri nga oficerët e misionit anglez, që shoqëroi gjeneralin, ka mbajtur shënime të cilat do të bëheshin më pas publike. Bisedimet aty përshkruhen si tepër të vështira, për shkak të qëndrimit dritëshkurtër të krerëve ballistë e legalistë. Kryetari i BK dhe ai i Legalitetit respektivisht M. Frashëri dhe A.Kupi, theksohet në shënime, nuk pranuan asnjë nga sugjerimet e propozimet e gjeneralit. Të mbyllur në rrethin e tyre të ngushtë, preferonin të qëndronin larg luftës e larg çdo komunikimi me palën tjeter,duke pritur që aleatët t`ja sillnin pushtetin në piatë pasi ishin antikomunistë(!),pavarësisht kërkesës këmbëngulëse të tyre, që të ndryshonin qëndrim. Nuk kishte zot që e lëvizte Mit`hatin nga pozicioni i zënë dhe të pranojë kërkesën angleze që të luftojë gjermanët dhe të bisedojë me Enver Hoxhën. Sapo gjenerali i njoftojë për pranimin nga ky i fundit të kërkesës së qeverisë angleze, që të ndalë goditjet dhe të nisë bisedimet me ju, si të xhindosur të dy, Mit`hati dhe Abazi u ngritën në këmbë dhe njëzëri deklaruan se nuk e njohim Enver Hoxhën dhe nuk bisedojmë me të. Oficeri i misionit anglez qe shoqërojë gjeneralin, i mbyll shënimet mbi mbledhjen duke theksuar se “S`kishte gjë që e shtynte MIt`hatin të luftojë gjermanët dhe as të punojë me LANÇ-in. Unë u dorëzova. U përpoqa me të gjitha mënyrat për t`i bindur. E pa mundur. Enver Hoxha kishte të drejtë. Balli Kombetar refuzojë të nënshkruajë një marrëveshje për të luftuar gjermanet” (Kristo Frashëri, Historia e Ballit Kombëtar,2009,f 112-113.).
A thua sjellja në vëmëndje e këtyre zhvillimeve na vendos në lukuninë e ekstremit të majtë, siç na kanë vendosur me kohë ballistët e tani dhe Miloja, apo kemi një ndryshim qëndrimi e një preokupim të tepërt që të evitohen sulme dhe etiketime të tilla, duke u treguar luajal e i pranueshëm për të gjitha palët, në kurriz të historisë. Në këto rrethana është e nevojshme që probleme të tilla të ndërlikuara, por shumë të rëndësishme të vazhdojnë të debatohen. Përmes tyre njihen jo vetëm historia, e shkuara, por dhe e sotmja, qendrimet e sotme. Presioni i kundërshtarëve është i fortë, i vzhdueshem, i pandërprerë.
***
Prova e parë do të jetë projekti, hartimi i një historie sa më objektive. Është pozitive që kësaj here, krahas studjuesëve të njohur si Milo, Xhufi, etj. Akademia ka përzgjedhur dhe dy studiuese të reja, që e kanë treguar me punë, me rezultate e me qëndrime, se janë të denja për t`u besuar angazhime të tilla të mëdha. Une kam besim se do të sjellin freski e risi dhe do te justifikojne besimin. Edi Rama ka nje shprehje të godtitur, kur thotë: “Nuk jam me i miri, por jam më i mirë nga ata që kemi rrotull”. Per kohët që kanë ardhur, zgjedhja është e justifikuar. Kot ankohet Butka. Në një farë kuptimi të gjithë jemi të involvuar e në provë. Të parët për të treguar maturi e kujdes maksimal,para se të arrijnë në deduksione,që të mos marrin “zjarr” mbi vete, pa qenë nevoja, që çdo gjë të jetë e peshuar dhe e argumentuar,që projekti të arrijë objektivin, t`i japë vendit një histori sa më objektive, të mbështetur në dokumente, e jo për të qenë brenda, për të kënaqë të gjithë, se kjo as arrihet e as kërkohet, se atëherë s`ke thënë asgjë e s`i vlen askujt. Kurse të tjerët ,opinioni, sidomos historianët e studiuesit, të gjykojë me bonsens punën e kolegëve, me këmbë në tokë, duke shmangur paragjykimet, qejfmbetjet e politizimet.
