Gjek Celaj, një lezhjan që jeton familjarisht në Kanada është denoncuesi kryesor i tjetërsimit të pronave në bregdet, në Bashkinë e Lezhës. Skema e denoncuar solli arrestimet e bujshme disa vite më parë, mes të cilëve edhe kreun e Bashkisë së Lezhës.
Celaj u shfaq asokohe në media, por çështja u la thuajse në harresë siç ndodh rëndom me denoncimet publike në Shqipëri.
E rimorëm z.Celaj në intervistë për të mësuar jo thjesht vijimin e kësaj historie tipike të “tranzicionit” shqiptar, por edhe për të kuptuar sa ka ndikuar reforma në Drejtësi në lëmin e pronave, ku skandalet janë të shumta dhe me shumë viktima.
Me zotin Gjek Çelaj bisedoi gazetari Xhevdet Shehu:
Pyetje: Z. Celaj, para disa kohësh, në gazetën tonë ju patët ngritur problemin e pronave tuaja si dhe sorollatjet që ju kanë shkaktuar organet shtetërore dhe, kryesisht, ato të drejtësisë. Si kanë evoluar punët dhe si paraqitet gjendja aktualisht?
Përgjigje: Faleminderit që jeni gjithnjë të gatshëm t’i bëni publike shqetësimet e qytetarëve të shkaktuara nga veprimtaritë keqbërëse apo nga mospërfilljet e organeve të drejtësisë. Aktualisht, do të thosha se vendosja e drejtësisë në lidhje me pronat tona është pak më mirë se keq.
Pyetje: Çfarë do të thotë “pak më mirë se keq”?
Përgjigje: Siç e kam thënë edhe në intervistën tjetër dhënë për ju para pak vitesh, pas një sorollatjeje gati 20 vjeçare, na u mundësua njohja dhe kthimi i pronave të trashëguara, me vendim gjyqësor të konfirmuar nga gjykatat e të gjitha shkallëve dhe kjo është gjë e mirë për çdo trashëgimtar të ligjshëm pronash. Mirëpo, gjysmën e sipërfaqeve të kthyera e kishin tjetërsuar me dokumente false një grup i organizuar kriminal që vepronte në Lezhë dhe ku ishin të implikuar njerëz të rrugës, si dhe disa zyrtarë dhe drejtues të pushtetit lokal.
Ky ishte një fakt i keq dhe kriminal, të cilin ne e kallëzuam penalisht por proceset hetimore e gjyqësore nuk kanë përfunduar ende. Procedimi penal i autorëve është gjë e mirë për zbatimin e ligjit dhe mbarë shoqërinë, por zvarritjet pa fund dhe pa shkaqe ligjore të proceseve penale përbëjnë një të keqe të dëmshme për palët e dëmtuara dhe kanë një domethënie jo të mirë për organet e drejtësisë.
Pyetje: Cilat janë shkaqet sipas jush që procesi i njohjes dhe i kthimit të pronave de jure ju mori një kohë kaq të gjatë?
Përgjigje: Fatkeqësisht, ne nuk jemi të vetmit trashëgimtarë të ligjshëm që sorollaten prej tri dekadash nëpër zyra shtetërore dhe salla gjykatash për të marrë pronat e ligjshme. Është e çuditshme se, kur vjen puna për keq, qeveritë shqiptare i ngjajnë shumë njëra-tjetrës në sjelljet dhe veprimtaritë e tyre, pavarësisht krahëve politikë.
Ndërsa shteti shqiptar është treguar “bujar” me zaptuesit e pronave dhe ndërtuesit pa leje, duke ua legalizuar ato, nga ana tjetër, nëpërmjet ATP-së (Agjencisë së Trajtimit të Pronave) dhe institucionit të Avokatit të Shtetit ka bërë çmos t’i pengojë në disa forma pronarët realë për rimarrjen e pronave të tyre.
Ndërsa dikur, iu ka kthyer prona disa njerëzve thjesht me dëshmitarë, apo vetëm sepse diku në dokumente figuronte togfjalëshi “u shtetëzua vila e Zogut” në vitin 1946, pavarësisht se ishte ndërtuar me financimin e buxhetit të shtetit, ua ka kthyer pasardhësve të tij. Nga ana tjetër, shteti shqiptar është përpjekur t’i vonojë apo pengojë ish-pronarët nëpër procese gjyqësore pa fund, edhe pse ata, ashtu si në rastin tonë, zotërojnë dokumente arkivore të para njëqind viteve, por edhe të pas 1945, që dëshmonin se kishin qenë pronarë, madje me kufij të përcaktuar qartë.
Unë nuk e kuptoj se si dhe pse mund të kundërshtohen në gjyq (nëpërmjet Avokatit të Shtetit) kërkesat e dikujt, kur nuk ke asnjë bazë ligjore dhe as prova për të dëshmuar të kundërtën e objektit të kërkesës. Ky është dhe mbetet njëri nga shkaqet e pakënaqësive popullore, e dëshpërimit dhe e “dëshirës” për të braktisur Shqipërinë.
Pyetje: Nuk mendoni se Reforma në Drejtësi ka sjellë përmirësime në këtë fushë?
Përgjigje: Reforma në Drejtësi ka qenë dhe mbetet domosdoshmëri, dhe çdo qytetar shqiptar duhet ta përkrahë atë si qëllim dhe projekt, por kjo nuk do të thotë se duhet të jemi dakord me çdo rezultat apo me çfarëdo rezultati që ajo jep.
Pyetje: Duke pasur punë drejtpërdrejt me këtë sistem drejtësie ju duhet t’i keni konstatuar më mirë efektet e reformës në fjalë
Përgjigje: Nëse deri në vitin 1990 ishte politika si “armik” i drejtësisë, gjatë këtyre tridhjetë viteve drejtësinë, krahas politikës, po e vrasin edhe paaftësia dhe korrupsioni. Kaq shumë dhe kaq keq ka degraduar ajo saqë ngjan sot në shekullin e 21-të si “drejtësia” e bejtarëve, si drejtësia që përqeshte Hasan Zyko Kamberi para më shumë se 200 vitesh.
Për shoqërinë shqiptare, elementët më të dëmshëm dhe më regresivë nuk janë keqbërësit dhe kriminelët ordinerë, hajdutët dhe ligjshkelësit e rrugës, por ata punonjës të administratës shtetërore dhe, veçanërisht, të sistemit të drejtësisë që janë vetëkthyer në avokatë, bashkëpunëtorë dhe bashkëpërfitues me krimin, në vend që të ishin ndëshkuesit dhe frenuesit e tij, pasi paguhen nga populli për ta mbrojtur atë dhe për t’i shërbyer atij.
Fatkeqësisht, si në administratën shtetërore, por edhe në sistemin e drejtësisë ndesh me shumicë ose njerëz të papërzier me korrupsion por që janë të paaftë profesionalisht, të ngathët dhe ngurues në procesin e kryerjes së detyrave dhe zbatimin e ligjit, ose ndesh në kategorinë tjetër, në individë dhe zyrtarë, prokurorë apo gjykatës të shkathët e njohës të ligjit, por të gatshëm ta shkelin atë për përfitime vetjake.
Të dyja kategoritë janë të dëmshëm për interesat e qytetarëve dhe shërbimin ndaj së drejtës. Numri i zyrtarëve që janë të aftë profesionalisht dhe me integritet të lartë moral e profesional është, mjerisht, i vogël.
Pyetje: Ju i keni ndeshur personalisht kategoritë që përmendët?
Përgjigje: Sigurisht që jemi ndeshur me të gjitha kategoritë që përmenda. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë punon një gjyqtar me emrin Ilir Përdeda. Kemi pasur rastin të bëjmë me të në dy procese gjyqësore, njëri civil dhe tjetri penal. Njeriu që merr vesh sadopak nga drejtësia dhe ligjet mbetet i lemerisur kur lexon vendimet e tij gjyqësore, jo vetëm për konkluzionet në të cilat ai mbërrin, por edhe për cektësinë e arsyetimeve juridike dhe papërgjegjshmërinë në formulimin e dispozitivit (pjesës urdhëruese) të vendimeve.
Për pathemeltësinë dhe cektësinë e gjykimeve dhe vendimit të tij në një çështje civile pata njoftuar KPK-në (Komisionin e Pavarur të Kualifikimit) para pak vitesh dhe në përgjigjen që ky komision më ktheu i gjente të drejta dhe të bazuara ligjërisht të gjitha pretendimet e mija rreth vendimit të gjyqtarit Përdeda.
Në një çështje penale, ku ne ishim palë e dëmtuar dhe paditës, gjyqtari Përdeda i gjen dhe i shpall fajtorë personat e akuzuar, përvetësues të pronave tona dhe në fund kërkon “asgjësimin e dokumenteve false”, por nuk i përmend në vendim këto dokumente një për një, me numër e datë, siç ia kërkon ligji dhe, çfarë është më e çuditëshme dhe e paligjshme, nuk urdhëron fshirjen e regjistrimeve të paligjshme. Pra, gjyqtari thotë të asgjësohen mjetet e krimit (dokumentet false) por produktet e krimit (regjistrimet dhe tjetërsimet e paligjshme të pronave) të mbeten siç janë.
Ishte detyrim i tij ligjor, dhe i çdo gjyqtari normal që ndodhet në këto kushte, të urdhëronte fshirjen e regjistrimeve të paligjshme dhe kthimin e pronave në gjendjen e mëparshme juridike. Këtë nuk ia kërkonim vetëm ne dhe prokuroria si mbrojtëse e akuzës, por ia kërkonte ligji.
Ligjet shqiptare janë krejt të qarta për raste të tilla. Neni 36 i Kodit Penal dhe neni 190 i Kodit të Procedurës Penale japin përgjigje të hollësishme dhe shteruese se si duhet vepruar nga gjykatat në këto raste. Aty shprehet qartë se, pavarësisht llojit të vendimit që jepet lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve, gjykata duhet të urdhërojë kthimin e pronës së tjetërsuar në gjendjen e mëparshme juridike. Nuk mund të dënosh dikë për vjedhjen e bankës me çelësa falso, të urdhërosh edhe asgjësimin e çelësave të përdorur si mjete krimi, por të mos urdhërosh kthimin e parave të vjedhura (produktit të krimit) tek ai që i përkasin, pra tek banka.
Në rastin konkret, prona e përvetësuar (sepse, pavarësisht nga termat juridikë të përdorur, tjetërsimi është formë e përvetësimit, domethënë pronën e dikujt ia jep tjetrit ose e bën për veten tënde) i duhet kthyer shtetit shqiptar dhe pastaj duhet të na kalojë neve sepse gjyqin me shtetin ne e kemi fituar tashmë..
Përgjithësisht, në Shqipëri shumica e ligjeve janë të qartë. Paqartësia qëndron në kokat e disa prokurorëve dhe, sidomos, të disa gjyqtarëve, paqartësi që buron nga niveli i mjerë profesional ose, në të shumtën e rasteve, nga turbullimi që shkakton në ndërgjegje dhe në punë joshja ndaj fitimeve materiale.
Me gjithë sa thashë dhe megjithëse këtij gjyqtari i janë rrëzuar thuajse gjysma e vendimeve penale dhe civile në shkallët më të larta gjyqësore vetingu nuk i gjeti të meta të mjaftueshme në kriterin profesional (!)
Të drejtat e qytetarëve shkelen jo vetëm nga vendimet e padrejta gjyqësore, por edhe nga neglizhencat dhe “lojërat” e administratës së sistemit të drejtësisë. Sekretarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, znj. Elvana Doçi, pasi e mban për 5-6 muaj dosjen e një çështjeje penale pa e dërguar në Gjykatën e Apelit Shkodër, dhe ne i kërkojmë informacion nëse dosja është dërguar, na përgjigjet se “dosja ndodhet rrugës”, a thua se ishte nisur me traget nga Venecia drejt Nju-Jorkut. Meqë kishim verifikuar se dosja nuk kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, i kërkuam një dokument që vërtetonte dërgimin prej saj në destinacion, por zonja na përgjigjet: “Nuk më lejon ligji t’ju jap dokument”.
Me sa duket, nuk ia ka mësuar kush nenin 58/ç të K.Pr. Penale që thotë se “Viktima e veprës penale ka të drejtë të kërkojë informacion për gjendjen e procedimit në çdo kohë”. Vetëm pasi e “kërcënuam” se do ta padisnim penalisht për shpërdorim detyre, e nxori dosjen nga sirtarët dhe e nisi drejt Gjykatës së Apelit.
Pyetje: Mendoni se me gjithë ngarkesën e madhe të organeve të drejtësisë, duket se ka pasur zgjatje të mëdha dhe të panevojshme të proceseve?
Përgjigje: Është sa domethënëse aq edhe e trishtueshme që në vendin tonë banditëve iu mjafton një ditë dhe jo më shumë se një muaj të fusin në dorë pasuritë shtetërore apo private ndërsa palëve të dëmtuara nuk iu mjaftojnë vite e dhjetëvjeçarë për të rimarrë mallin e vjedhur nga keqbërësit.
Qytetari i drejtohet shtetit dhe, veçanërisht, Sistemit të Drejtësisë për t’ia vënë të drejtat e shkelura në vend, pasi krejt administrata shtetërore, duke përfshirë edhe drejtësinë, paguhen nga paratë e qytetarëve, dhe pastaj qytetari konstaton që ose e drejta e ligjshme nuk i rikthehet ose i rikthehet shumë vonë. Ndërsa grupit kriminal që ka tjetërsuar pronat tona i janë dashur disa javë për të shtënë në dorë pronat e huaja, ne kemi mbi pesë vjet që presim vendimet gjyqësore.
Nëse do të provonim t’i jepnim një përgjigje pyetjes retorike të ambasadores amerikane në Tiranë, znj. Kim se “Kush do ta zotërojë vendin tuaj, krimi i organizuar, vetëm oligarkët, apo do të kenë edhe njerëzit e zakonshëm mundësinë për të fituar, për të zotëruar prona e për t’u pasuruar?”, druaj se përgjigjja do të ishte dëshpëruese.
Rritja e efektivitetit të Sistemit të Drejtësisë ishte njëra nga kërkesat kryesore të Progres- Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë të publikuar para pak ditësh. Suksesi i sistemit të një drejtësie nuk matet vetëm me cilësinë dhe drejtësinë e procesit hetimor e gjyqësor, por edhe me kohën që shpenzohet për dhënien përfundimtare të drejtësisë. Përfundimi i hetimeve dhe gjykimeve për një kohë sa më të shkurtër është kërkesë e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por është kërkesë edhe e legjislacionit shqiptar.
Hetimet dhe gjykimet e shpejta e të drejta jo vetëm rivendosin të drejtat e shkelura të shtetasve por shërbejnë edhe për parandalimin e akteve të tilla në të ardhmen. Zgjatjet pa fund, ose me fund të padrejtë të proceseve gjyqësore i shërbejnë inkurajimit të krimit dhe kriminelëve dhe dëshpërimit popullor.
Pyetje: A mendoni se me ngritjen dhe funksionimin e SPAK-ut gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur?
Përgjigje: Më duhet të pohoj se, për mua SPAK-u është një nga zhgënjimet më të mëdha. Ne kemi në SPAK një çështje penale e filluar pas kallëzimit tonë penal, pra një çështje ku ne jemi palë e dëmtuar nga tjetërsimi i pronave. Pas kallëzimit tonë në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë në vitin 2019, çështja u hetua për një vit e gjysmë nga ajo prokurori dhe, pasi vetë prokurori i çështjes na pohoi se ishin kryer të gjitha veprimet hetimore, se gjithë dokumentacioni i përdorur ka rezultuar fals dhe se kishte mbetur vetëm të konkludohej për fajësinë e të akuzuarve, prokurori e dërgoi dosjen hetimore në SPAK për kompetencë.
Ky prokuror, vetëm pas një viti e gjysmë (!) paska konstatuar se në krimin e tjetërsimit të pronave tona ishin implikuar edhe zyrtarë shtetëror dhe prandaj ia kaloi për kompetencë SPAK-ut. Qysh nga marsi i vitit 2021 dosja ndodhet në SPAK dhe ne, si kallëzues dhe palë e dëmtuar, nuk kemi asnjë lloj informacioni lidhur me faktin se çfarë bëhet me këtë çështje. Jemi përpjekur të marrim informacion duke u paraqitur edhe fizikisht tek ky institucion dhe ka qenë e pamundur.
I kemi drejtuar tri letra me postë dhe nëpërmjet shtypit drejtuesit të SPAK-ut, z. Arben Kraja dhe ka pasuar një heshtje varri.
Nga burime jo zyrtare morëm vesh se hetimin (çfarë hetimi, pasi veprimet hetimore i kishte kryer prokuroria e Lezhës?!) e drejton një prokuror me mbiemrin Prençi. I dërguam edhe atij një kërkesë me postë dhe përsëri heshtje varri. Tani, lindin pyetjet legjitime: Çfarë është ky institucion plotësisht i izoluar nga populli dhe, veçanërisht nga kallëzuesit e krimeve dhe viktimat e tyre?! A mund të presësh drejtësi nga një institucion që është vetë shkelës i ligjit?! Si çdo organ tjetër prokurorie, edhe prokurorët e SPAK-ut i detyron ligji të njoftojnë viktimat e krimeve lidhur me fatin e hetimeve dhe arsyet e zgjatjes së tyre. Neni 324/3 i Kodit Pr. Penale thotë se “Vendimi për zgjatjen e afatit të hetimit iu njoftohet të pandehurit dhe viktimës”, ndërsa neni 279/a-1 i po këtij Kodi qartëson se “Për shkaqe të ligjshme, viktima, përfaqësuesi ligjor ose mbrojtësi i saj kanë të drejtë të kërkojnë informacion për gjendjen e procedimit si dhe të njihen e të marrin kopje të akteve që ndodhen në fashikullin e prokurorit”.
Historia e shtetit shqiptar, as gjatë monarkisë dhe as të ashtuquajturit sistem komunist, nuk njeh ekzistencën e këtij lloj institucioni drejtësie që shkëput çdo lidhje dhe mundësi komunikimi me viktimat e krimeve dhe as iu përgjigjet kërkesave apo ankesave të ligjshme të tyre, duke mbyllur për ta dyert e institucionit, sytë dhe veshët përballë thirrjeve të viktimave si dhe, mbi të gjitha, duke shkelmuar ligjet dhe normat që rregullojnë veprimtarinë e tij.
Pyetje: Po çështja penale që keni në gjykim në Gjykatën e Apelit Shkoder, në çfarë faze është dhe çfarë prisni prej saj?
Përgjigje: Pasi rreth 20 të akuzuar i gjeti fajtorë dhe i dënoi gjykata e shkallës së parë, çështja ndodhet në Gjykatën e Apelit Shkodër. Nga tetë seanca të planifikuara, janë zhvilluar vetëm dy. Dy herë janë anuluar seancat gjyqësore pasi prokurori ose gjyqtari ndodheshin në seminar në Tiranë dhe herë të tjera për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve. Është e çuditshme se si mundet të thirren gjatë javës nëpër seminare prokurorë dhe gjyqtarë, duke shkaktuar dështimin e qindra seancave gjyqësore, kur një gjë e tillë mund të kryhej një ditë të shtunë dhe të thirrurve në seminare t’iu jepej pagë shtesë.
Duke e ditur ngarkesën e madhe të prokurorëve e gjyqtarëve, kjo nuk duhej të ndodhte. Ne që po iu japim miliona euro oligarkëve për punë të pakryera apo të kryera keq, do të bënim më mirë t’ua jepnim pagesat shtesë prokurorëve dhe gjyqtarëve kur thirren në qendër për seminare.
Lidhur me atë se çfarë presim ne nga proceset gjyqësore në Gjykatën e Apelit nuk ka nevojë për shumë komente. Ne presim që Gjykata e Apelit të zbatojë ligjin i cili është mjaft i qartë dhe nuk lë vend për ambiguitete, të urdhërojë asgjësimin e të gjithë dokumenteve false si dhe fshirjen e regjistrimeve të paligjshme, duke mundësuar kështu kthimin e pronave të tjetërsuara në gjendjen e tyre të mëparshme juridike “pronë shtet”.
Pastaj personat që kanë bërë transaksione shitblerjeje midis njëri-tjetrit, nëse nuk merren vesh midis tyre t’i drejtohen gjykatës pse dikush iu ka shitur pronat e huaja. E vërteta është se edhe personat (shumica familjarë të autorëve kryesorë të krimit) që kanë “blerë” pronat e tjetërsuara duhej të ishin marrë të pandehur pasi kanë qenë bashkëpunëtorë në krim. Ata kanë “blerë” prona të kushtueshme “pa e ditur” çfarë po blejnë, “e kanë ngrënë sapunin për djathë” duke paguar dhjetëra mijëra euro për sipërfaqe pyje e shkëmbinj apo sipërfaqe ranore dhe “kanë besuar” se po blinin vreshta, pemëtore apo tokë buke.
Edhe një kilogram domate nuk i blen kush në treg pa i parë mirë nëse janë të kalbura, ndërsa këta “fatzinj” kanë blerë dhjetëra dynym pyje e male pa u merakosur për t’i parë me sy ku ndodhen, çfarë janë dhe a ia vlen t’i blejnë (?!). Komedi, apo jo?
Pyetje: Dhe, tani në fund, sa besim keni ju në dhënien e drejtësisë dhe cili është mesazhi që keni për ata që kanë kompetenca ligjore për zgjidhjen e këtyre çështjeve?
Përgjigje: E shkuara nuk na bën optimistë, por shpresojmë që e ardhmja të jetë më e mirë, më e denjë dhe më e moralshme. Ne po i ndjekim proceset me vëmendje dhe askush nuk duhet të besojë apo shpresojë se mund të tërhiqemi apo të lëshojmë pe në kërkesat tona legjitime.
Të tjerët janë borxhli, dhe jo pak, ndaj nesh prandaj duhet t’i thërrasin mendjes dhe të tregohen më të përunjur. Ka ardhur koha, madje ka kaluar, që edhe punonjësit e organeve të drejtësisë të kuptojnë se nuk mund të ecet më tutje nëpër “kënetë”, por të zgjedhin “bulevardin”.
