Shkrimtari dhe gazetari i njohur Skifter Këlliçi, i vendosur në Boston që në vitin 1999, ka qenë dëshmitar i një pjese të ngjarjeve që sollën tragjedinë 11 shtatorit 2001 ku, si pasojë e akteve terroriste të fondamentalistëve islamikë në Kullat Binjake të Nju Jorkut, humbën jetën rreth 3000 njerëz, nga të cilët edhe tre shqiptarë. Vite më parë ai i ka pasqyruar ato në romanin “Shtatori i gjëmës së madhe” botuar në Amerikë në vitin 2022 nga Lulu Press dhe në dhjetor të vitit 2025 në Itali nga Shtëpia Botuese “Veliero”.
Me rastin e 25 Vjetorit të kësaj tragjedie të madhe me lejen e autorit dhe me disa shkurtime, po botojmë materialin e mëposhtëm, në të cilin lexuesi do të njihet me disa prej ngjarjeve kryesore të kësaj tragjedie, më e madhja në këtë fillim shekulli në Amerikë dhe në botë, si ndodhi kjo tragjedi, si terroristët arabë rrëmbyen dy avionë dhe me ta goditën Kullat Binjake, ngjarje të cilat autori i ka përjetuar si punonjës sigurie në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit, nga ku u nisën terroristët.
Atë të martë të zezë të 11 shtatorit 2001…
Mëngjesi i 11 shtatorit të vitit 2001 qe i mahnitshëm, ashtu siç ndodh jo shpesh në Boston, ku së bashku me familjen time isha vendosur më shumë se një vit më parë. Qe mëngjes i kthjelltë dhe i ngrohtë, si mëngjeset e para të shtatorit në rrethinat bregdetare të këtij qyteti, ndër më të lashtit në Amerikë, që më sillte ndërmënd plot mall këtë muaj, gjatë të cilit kisha kaluar prej vitesh pushime në plazhet e Durrësit, Sarandës, a Dhërmiut.
Para orës 8.00 të atij mëngjesi, së bashku me gruan time të ndjerë, Natashën, u ndodhëm pranë një zyre të Terminalit B të Aeroportit Logan të Bostonit, ku punonim si roje sigurimi të këtij aeroporti, për të marrë pjesë në një mbledhje të zakonshme. Mirëpo ishim njoftuar gabimisht, sepse mbledhja fillonte në orën 8.30. Kështu, në pritje të kësaj mbledhjeje, u ulëm në ndenjëse të një pike kontrolli, (check point) dhe po shihnim udhëtarët që, pasi kalonin nëpër këtë pikë, drejtoheshin nëpër avionët, që do t’i shpinin nëpër qytete të Amerikës. Na bënë përshypje disa të rinj zeshkanë, që duke folur arabisht shpengueshëm me njeri-tjetrin, kaluan buzagaz nëpër këtë pikë kontrolli, pasi bënë edhe ndonjë shaka me punonjësit e Sikjuritisë.
Një orë më pas, kur mbledhja kishte kishte përfunduar, mbetem të llaharisur, kur mësuam se Amerikan Air Flight 11 dhe Junaited Flight 175, dy avionë që ishin nisur nga pika e kontrollit të terminalit në të cilin ndodheshim dhe ne, pra nga Aeroporti Logan i Bostonit, ku pas disa orësh do të fillonim të punonim edhe unë me time shoqe, si të ishin predha stërgjigande, kishin goditur Kullat Binjake të Nju Jorkut ! Kjo ndodhte atë të martë të 11 shtatorit të vitit 2001. Një e martë njëmend e zezë!…
Dhe më e habitshmja, autorë të kësaj tragjedie ishin pikërisht ata të rinj arabë që kishin kalur aq shpengueshëm pikën e kontrollit, pranë të cilit kishim qenë unë dhe ime shoqe, duke shkatuar kështu, një ndër tragjeditë më të mëdha të këtij shekulli në historinë amerikane dhe botërore, për të cilën do të rrëfej më poshtë.
Të këqiat nuk kishin ende të sosur…
Më pas, po nga lajmet që pasonin njera- tjetrën në televizor, mësuam se një avion tjetër, i nisur nga Nju Xhersi, kishte goditur Pentagonin, pra, Ministrinë e Mbrojtjes së SHBA-s. Dhe befas, kulla që ishte goditur pas së parës, ashtu si të ishte gërryer nga brenda, zuri të përpihej në vetevete në sytë tanë, duke lëshuar tashmë re të murrme tymi, pastaj zjarri e zhurmë shpërthimesh të llahtarshme. Në ato çaste s’di as vetë se si m’u ndërmendën ato pamje rëqethëse që kisha parë vite të shkuara në një emision të RAI-t, pastaj edhe të RTVSH-së, të cilat paraqitnin rënien dhe djegjen e ballonit gjerman “Hindenburg”.
I nisur tërë madhështi nga Frankfurti, më 6 maj të vitit 1937, pasi kishte përshkuar Atlantikun, ky ballon , duke u ulur në aeroportin e Nju Jorkut, i ndjekur nga sytë e mijëra shikuesve, pa pritur kishte shpërthyer në flakë. Atëherë, udhëtarët e gjorë, një pjesë e të cilëve me fytyra e gjymtyrë të djegura, duke parë se nuk kishin asnjë rrugë shpëtimi, ishin hedhur nga balloni. Nga 98 udhëtarët, që ndodheshin brenda tij, 34 prej tyre kishin gjetur vdekjen. Në ato momente, Herbert Herrisoni, komentatori i Radio Çikagos që po përshkruante këtë pamje, për të mbetur në histori, ishte shkrehur në lotë dhe i mbytur nga gulçimet, midis të tjerash, kishte shqiptuar: “Kjo është më e tmerrshmja, nga më të tmerrshmet katastrofa në botë!…”.
Por, ç’do të të kishte shqiptuar këto çaste, kur të shihte një kullë, më shumë se 300 metra të lartë, të gëlltitej në pak sekonda brenda vetës së saj e, bashkë më të, të varroseshin të gjallë, jo më 34 vetë, por me qindra e qindra, pa përmendur të tjerë në kullën e dytë dhe sa e sa viktima që ndodheshin nëpër avionë?
Me frymën të mbajtur pezull nga ankthi që na kishte pushtuar, mësuam pastaj se një pjesë e Pentagonit, e goditur nga një avion i tretë, ishte bërë shkrumb e hi. Kur ora nuk kishte arritur 10.30, pamë nga ekrani të shëmbej edhe kulla e parë. Ashtu si edhe kulla tjetër… Dhe jo vetëm kaq: Nga lajmet e mëpasshme, mësojmë edhe një lajm tjetër; një avion i katërt është rrëzuar në Pensilvani. Katër sulme me avionë, katër atentate terroriste. Kuptojmë se kjo katastrofë është pasojë e një plani djallëzor, i përgatitur imtësisht deri në detajin më të vogël.
Të tërë terminalet e Aeroportit Logan, pra, të hyrjeve nga ku udhëtarët kalojnë, për t’u futur nëpër avionët që i shpien jo vetëm në aeroportet e Amerikës, por edhe të vendeve të ndryshme të botës, janë të shkreta. Nuk shohim më , si zakonisht, burra, gra me fëmijë, çanta dhe valixhe nëpër duar, që rrinë e presin nëpër kafene duke biseduar gjallërisht me njeri-tjetrin. Vendin e tyre e kanë zënë policë, ushtarë të armatosur me automatikë, me qen ujqër pranë, që skërmiten egërsisht, agjentë të FBI-së, që shquhen qartë, se i kanë këto shkronja të shkruara në pjesën e prapme të xhaketave të shkurtëra blu, që do të thonë: Federal Bureu Investigation, pra, Byroja Federale e Investigimit, e cila ka si qëllim të mbrojë Amerikën nga terrorizmi, krimi, korrupsioni…
Nuk i kishim parë herë të tjera të vinin kështu kaq hapur, me fytyra kaq të murrëtyera, ku shprehet dhëmbje, zymtësi, ashtu si$ shprehin edhe fytyrat e kujtdo në aeroport. Edhe fytyrat tona. Eshtë e natyrshme: kanë humbur jetë njërëzish, numrin e të cilëve ende nuk e dimë, që ndodheshin në katër avionët që fluturuan nga Bostoni, Uashingtoni dhe Nju Xhersi dhe goditën Kullat Binjake, Pentagonin, kurse i fundit u rrëzua në Pensilvani, pa u ditur edhe sot se çfarë objekti do të godiste…
Si u shkaktua kjo tragjedi?
Fill pas këtyre ngjarjeve kaq të mënxyrshme, amerikanë dhe të kombësive të tjera, që kishin mbaruar ndërresën e parë, pra, në orën 13.00, na shpjeguan menjëherë se tashmë ishtë bërë e qartë që atentatet ishin kryer nga terroristë fondametalist, pesë nga të cilët, siç i kam përshkrur më sipër, i kisha parë dhe unë me gruan time, Natashën e ndjerë.
Përderisa ishin anuluar të tëra fluturimet, ne nuk kishim punë. Qëndronim në pikën tonë të kontrolit vetëm për të kontrolluar ata punonjës të aeroportit, të cilët kalonin në këtë pikë e futeshin në mjediset e brendshme për punë të ndryshme sipas specialiteteve të tyre. Edhe fytyrat e tyre shprehnin dhëmbje, edhe ata si ne flitnin me zë të ulët. Nga listat e udhëtarëve dhe regjistrimi i kamerave të fshehta në pikat e kontrollit, tashmë ishte bërë e qartë se në dy pikat e kontrollit të këtij terminali, kishin kaluar terroristët arabë që duhej të kishin rrëmbyer dy avionët e parë. Pastaj duhej t’i kishin drejtuar ata kundër Kullave Binjake të Nju Jorkut, duke shkaktuar shëmbjen, shkatërimin e tyre dhe vdekjen mizore të udhëtarëve në avionë dhe punonjësve të këtyre kullave.
Ky ishte përfundimi në të cilin specialistët e FBI-së kishin arritur deri ato çaste, pra, jo më shumë së katër orë pas atentateve terroriste. Po si kishin arritur t’i rrëmbenin dy avionët? Çfarë mjetesh kishin përdorur, kur dihej se sipas rregullores, në pikën e kontrollit nuk lejoheshin të kalonin jo më armë të nxehta, por as armë të ftohta, (thika, a brisqe të përmasave të mëdha). Mos ndoshta shokët tanë ishin treguar kaq të pavemendshëm dhe kishin lënë të kalonin në ekran armë të tilla? Edhe ky rast nuk përjashtohej. Por këtu ishte fjala për katër grupe terroristësh të vendosur në të katër avionët-predha!
E vetmja mundësi ishte që terroristët të kishin kaluar nga pika e kontrollit me brisqe të vogla. Më saktë, me brisqe më të vogla se fotodokumenti që është i detyruar të mbajë në gjoks, ose në krah, çdo punonjës i aeroportit, ose i çdo institucioni të rëndësishëm këtu në Amerikë e në vende të tjera, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Sidoqoftë, në ato çaste të ankthshme, duke qëndruar para brenda pikës së kontrollit, përfytyroja se si kishin kaluar aty terroristët. Kishin lënë në rripin përçues, çantat, ose bagazhet e tjera, rripat e brezit, të cilat duhej të kalonin nëpër ekran, kishin lënë çdo send metalik, (çelësa, brisqe, gërshërë, të holla metalike…), të nxjerra nga xhepat, për t’i vendosur në një enë të vogël, të quajtur kontenier, dhe kishin kaluar nëpër atë që quhet derë. Na rast se ajo do të kishte lëshuar një tingull të mprehtë pak a shumë “bip”, siç e quajnë amerikanët, ata do të ishin prapësuar. Do të kishin nxjerrë atëherë edhe ndonjë send tjetër metalik të harruar prapë nëpër xhepa dhe pastaj, nëse duke kaluar dera, nuk do të ishte dëgjur sërishmi tingulli në fjalë, do të kishin bërë përpara.
Atëherë, punonjësi i sigurimit do të kishte marrë sipas rregullores briskun e lënë në enë, do ta kishte matur me fotodokumentin e tij, gjatësia e të cilit nuk i kalon 9 centimetrat dhe me një buzëqeshje të mirakandshme, do t’i kishte thënë “You all set” pra: ” Ju jeni në rregull”. Kështu do të kishte ndodhur edhe me udhëtarët e tjerë terroristë. Edhe ata kishin marrë nga enët brisqet e tyre, kishin përshkuar mjediset e mëdha të pjesës së brendshme të terminalit B, për t’u futur pastaj nëpër avionët që kemi përmendur, me të cilët në oren 8.00, njeri pas tjetrit ishin nisur për në Los Angelos. Pastaj, me këto brisqe kishin kërcënuar ekipazhin, kishin shtënë në dorë avionët, i kishin drejtuar nga kullat, duke kryer kështu një nga tragjeditë më të mëdha të këtij fillimshekulli.
Po thua vetëm duke përdorur këta brisqe të vogla, tehu i të cilave, pa dorezë, nuk i kalonte të pesë centimetrat, kishin arritur të mposhtnin ekipazhin, duke përfshirë edhe pilotët? Ato çaste përfytyrimi im nuk arrinte të krijonte ndonjë variant tjetër. Aq më tepër, që edhe nga lajmet që vazhdonin te jepeshin nga stacionet televizive, nuk po përcaktoheshin shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie. Por ajo që dihej saktë, ishte se punonjësit e sigurimit në pikën e kontrollit, pranonin se kishin lënë të kalonin, si edhe herë e tjera, udhëtarë me brisqe më të vogla se përmasat e fotodokumentit të tyre, pra, se kishin zbatuar me saktëtsi rregulloren që ishte përpiluar nga FAA-ja, (Administrata Federale e Aviacionit), që ka për detyrë të ruajë, të kontrollojë dhe të administrojë çdo sektor të aeroporteve në Amerikë.
Edhe sikur terroristë të tillë të kishin kaluar aty ku punoja, pra në pikat e kontrollit të terminalit A, unë kështu do të kisha vepruar. Nuk do të kisha bërë gjë tjetër, veçse, si shokët, do të kisha zbatuar rregulloren e FAA-së.
Mirëpo ja çkishte ndodhur. Terroristët kishin përfituar nga kjo “licencë” që u dhuronte rregullorja dhe, pa ngurrimin më të vogël, a qenë nevoja, pra, të futeshin në territorin e brendshëm të aeroportit me revolverë, a thika, të cilat mund t’i kalonin vetëm po të përfitonin nga syleshëria e punonjësve ne ekran, kishin hyrë qetësisht në pikën e kontrollit. Si pasojë, përgjegjësia binte tërësisht mbi FAA-në. Do të ishte mjaftuar që punonjësit e saj të na urdhëronin që çdo brisk, sado i vogël që të ishte, të mos lejohej të kalonte në pikën e kontrollit dhe dhe kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur kurrën e kurrës.
Të them të drejtën, neve që punonim në pikat e kontrollit të terminaleve A,B,C,E, të Aeroportit Logan të Bostonit, na bënte përshtypje se si për hir të kësaj rregulloreje, ishim të detyruar të linim të kalonim që atje udhëtarë që mbanin brisqe, vërtet brenda përmasave që përmenda pak më sipër, por edhe të dhëmbëzuar, të cilët ishin njëmend po aq të rrezikshëm sa edhe thikat. Por një ditë, gruas sime, Natashës, që ishte mbikëqyrëse, (supervisor, në anglisht), nuk iu durua, kur pa një brisk të tillë dhe vajti e bisedoi më manaxheren, një grua amerikane shumë e arsyeshme. I tregoi briskun që i përkiste një udhëtari, gjithashtu, amerikan.
Ajo e këqyri me vemendje briskun, pohoi se vertet ai ishte armë e rrezikshme, por edhe shtoi me një nënqeshje të hidhur: ”Përderisa ka përmasat që lejon rregullorja e FFA-së, ne duhet që ta lemë udhëtarin të kalojmë së bashku me të”. Mjerisht, ne nuk i njihnim personalisht inspektorët e FAA-së. Dhe kjo, sepse ata ndaleshin vetem kur na bënin teste, pra, kur, paraqiteshin në pikat e kontrollit kinse si udhëtarë, me çanta, brenda të cilave kishin futur armë mësimore, (revolverë, bomba, thika, detonatorë), për të cilat do të bëj fjalë më pas. Në rast se ndonjeri prej nesh, që punonte në ekran, duke mos pasur vëmendjen e duhur, i lejonte të kalonin këto “armë”, atëherë inspektori tregonte distingtivin e tij dhe, gjithnjë sipas rregullores së FAA-së, kishte të drejtë madje edhe ta pushonte atë nga puna, për mungese vemendjeje. Në rast të kundërt, pra, kur punonjësi para ekranit arrinte të dallonte ndonjë nga “armët” e mësipërme, atëherë, inspektori, duke treguar gjithnjë distinktivin e tij, e përgëzonte atë. Jo vetëm kaq, por kompania jonë e sigurimit që mbulonte pikat e kontrollit, ose kompanitë ajrore, e shpërblenin atë me 25 $. Edha mua më ka rastisur që të dalloj armë të tilla dhe të shpërblehem në këtë mënyrë.
Ato orë që kaluam atë pasdite të 11 shtatorit 2001 në aeroport, do të kisha dashur që të shihja ndonjë inspektor të FAA-së. Nuk di, por ndoshta do të kisha marrë guximin që t’u thoja se në rregulloren e saj kishte qenë gabim i madh që ishte lejuar të kalonin udhëtarë me brisqe të një madhësie më të vogël se fotodokumeti. Sidoqoftë, së bashku me Natashën biseduam me manazheren tonë amerikane, e cila shprehu të njejtin mendim që kishim ne. Nuk di nëse ajo e ngriti këtë problem në sferat më të larta të Massportit, pra, të Aerportit të Masachutesit në Boston.
Në të njejtën kohë, mendoja se pas kësaj që ndodhi, do të kishte shumë koka turku nga të FAA-së. Por ngjarjet e mëpasme nuk vërtetuan asnjë nga këto hamendësimë të miat dhe të shokëve tanë.
Zhvillime të reja…
Ndërkohë vazhdoja të rrija ende në mjediset e Terminalit B dhe përpiqesha të përfytyroja se si kishin kaluar terroristët disa orë më parë në pikën e kontrollit. Që ishin arabë, për këtë nuk kishte pikë dyshimi, sepse nga njoftimet që dëgjonim nga transmetimet televizive dhe bisedat me eprorët tanë në aeroport, që kishin kontrolluar listat e udhëtarëve në avionët që kishin goditur kullat, ishte vërtetuar kombësia e tyre arabe. Orvatesha të rikrijoja ato çaste kur ata kishin lënë çantat e tyre në rripin përçues, si kishin lënë pastaj sendet metalike, pra, çelësat, të hollat metalike dhe…brisqet, si punonjësit e sigurimit të terminalit B, duke i matur ato me fotodokumentet e tyre, i kishin lënë të kalonin dhe ata qetësisht ishin futur pastaj nëpër avionë.
Them qetësisht, sepse askush nga ne, qoftë edhe unë, po të isha ndodhur aty, kështu do të kisha vepruar, pavarësisht se ndonjë herë kisha bërë shaka me udhëtarë ,që kishin pasur brisqe të tilla, duke u thënë se ato ishin shumë të mprehta dhe ndonjëri prej tyre më ishte përgjigjur se e përdorte atë për peshq, kur shkonte për gjueti. Dhe i zhytur në përsijatje të tilla, komentatorë nga ekrani televiziv zunë të jepnin hollësi të reja, që plotësonin edhe më mirë kuadrin e këtyre ngjarjeve tragjike, të cilat po i paraqes më poshtë sipas renditjes kohore:
8.45-Avioni American Fight 11, i nisur nga Bostoni, godet Kullën e Veriut, (të parën), në Nju Jork; 9.03 – Avioni United Airlines Flight 175, edhe ky i nisur nga Bostoni, godet Kullën e Jugut, ( të dytën);9.17 – FAA-ja mbyll aeroportin e Nju Jorkut;9.40 – FAA- ja për herë të parë në historinë e Amerikës mbyll tërë aeroportet;9.43 – Avioni Amerikan Air Flight 77, i nisur nga Nju Xhersi, godet Pentagonin;9.45 – Boshatiset Shtëpia e Bardhë. Presidenti Bush flet në TV nga Florida, ku ndodhet për vizitë pune;10.05 – Bie Kulla e Jugut;10.10 – Bie një pjesë e godinave të Pentagonit;10.12 – Avioni United Air Flight 93, i nisur nga Uashingtoni, rrëzohet në Samerset Country në afërsi të Pitsburgut, (Pensilvani);10.28 – Bie Kulla e Veriut;10.45- Zbrazen të gjitha godinat zyrtare të Uashigtonit.
Të gjitha këto kishin ndodhur brenda dy orësh dhe kishin tronditur tmerrësisht Amerikën. Ajo tashmë ishte përgjunjur nga goditje të tilla kaq të befasishme dhe mizore. Do të përgjunjej edhe më shumë, kur të mësohej numri i saktë i viktimave, të cilat deri atëherë ishin me qindra e qindra dhe do të arrinin në mijëra. Që e tëra kjo ishte vepër e Osama Bin Ladenit, për këtë cilido nuk kishte më të voglin ngurrim. Por, sidoqoftë, çdo hamendësim, a dyshim tjetër, u shua, kur ky kriminal gjakësor, pohoi në një radiokasetë të dhënë rrjetit radioteleviziv Al Xhazira dhe pas disa ditësh para kamerave të po këtij rrjeti duke buqëqeshur skërmitshëm, se atentatet e kryera me anë të katër avionëve, ishin drejtuar nga ai vetë, ndaj po i jepte këto lajme të mira tërë botës.
Shfaqej kështu përsëri hija e përbindshme e fondamentalizmit islam, që pasi ishte ngritur kërcënueshëm mbi vende të tjera të botës, kishte përfshirë pas një heshtjeje të gjatë Amerikën, saktësisht në Kullat Binjake me përmasa apoliktike.
Ndër ta më tërhoqi vemendjen ai që mbahej ndër përgjegjësit e grupit në avionin e parë, American Air Flight 11, që kishte goditur kullën e parë: Muhamed Ata, egjiptian, 22-vjeçar, lindur në Kairo, ku kishte mbaruar universitetin dhe ishte diplomuar për arkitekturë. Që andej, më 1999 kishte shkuar në Hamburg, për të ndjekur një kurs specializimi, gjithnjë për arkitekturë. Nga fotoja e tij shihja një fytyrë të zeshkët, me nofulla pak të mëdha, me sy dhe flokë të prerë fare shkurt, pamje të qetë, fëminore, madje të përdëllyer. Nga të dhënat, mësohej se Mohamed Ata nuk ishte afruar deri atëherë me rrethet fondamentaliste islamike. Dukej se ai jetonte me ëndrrat e tij të praruara për t’u bërë arkitekt sa më i mirë.
Po atëherë, si ndodhi ky shndërrim kaq i vrrullshëm i tij, çfarë rrethanash ndikuan që ai, jo vetëm të shndërrohej në një mysliman fanatik fondamentalist, por edhe të shkonte në Afganistan, të ishte pjesëtar i grupeve ushtarake të Al Kaedës? Mos ndoshta në Hamburg u njoh me ndonjë leshverdhë amerikane që nuk përfilli ndenjat e arkitektit të ri dhe ndodhi kështu që dashuria e tij kthehej në urrejtje për të dhe për amerikanët? Mos ndoshta gjatë leksioneve, profesorë gjermanë, ose edhe amerikanë, duke shpjeguar me krenari veçoritë e ndërtimit të rrokaqiejve që shtillen në ajri, trazuan shpirtin e tij të brishtë, i ndërmendën piramidat që ishin ngritur mijëra vjet më parë nga stërgjyshërit e tij, mjeshtra gjenialë të arkitekturës antike, kur në viset ende të pazbuluara të Amerikë indigjenët lëkurëkuq jetonin në tenda primitive, madje edhe në shekullin e 19-të? Mos ndoshta kështu edhe atij iu ngjall krenaria për ndërtimet e mëpastajme të periudhës arabe, që nga hijeshia nuk bien më poshtë se mrekullitë e arkitekturës amerikane, a perendimore? Mos ndoshta, pra, kjo krenari i rriti edhe më shumë në zemër urrejtjen për Amerikën dhe vendosi të ishte pjesë e hakmarrjes kundër qytetërimit të saj?
Këto janë vërtet hamendësime, por e verteta është se djaloshi i qetë, arkitekti Muhamed Ata, shumë shpejt u kthye në fanatik fodamentalist.
Ja përse në Hamburg njihet me Ramzi Binashbilin, ndër kokat e grupeve fondamentaliste që pastaj do të kryenin aktet terroriste në Amerikë. Ja përse në fund të vitit 1999, niset në Afganistan, ja përse fillon atje të stërvitet aq ashpërsisht në kampet ushtarake; ai, që me gjishtrinjtë e hollë nazikë hiqte vija mbi kartonët e bardhë, që përvijonin godina të bukura, si Kullat Binjake, tani po me këta gjishtërinj mëson përdorimin e llojeve të ndryshme të armëve, nga thikat e madje edhe brisqet, te armët e nxehta,eksplozivët, që bëjnë të kundërtën e atyre që ka projektuar në kartonë të bardhë: shkaktërrojnë kulla të tilla, deri sa arrin në strese psikologjike, që ia shtojnë edhe më shumë besimin dhe forcat në luftën e shenjtë, (xhihad), kundër Perendimit dhe Amerikës?
Dhe atje njihet me Bin Ladenin, i cili i shpalos planin e llahtarshëm që i ka paraqitur Khalid Sheik Muhamedi, për të cilin folëm pak më sipër. Muhamed Ata, si dhe të tjerë që do të njohim më pas, pranon plot hovëzim shpirtëror të jetë pjesë e këtij plani. Këtë, sipas pohimeve të gazetës angleze “Times” e 10 janarit të vitit 2006, e dëshmon edhe një videokasetë në të cilën Muhamed Ata shihet pranë Bin Ladenit.Të dy bisedojnë përzemërsisht, ndërsa pas tyre vigjëllon Abu Jandili, një rojat nga më besnikë të tij, i cili, në rast të ndonjë sulmi të papritur, do ta vrasë menjëherë Bin Ladenin, në mënyrë që ai të mos bjerë në duart e ndonjë armiku të beftë që mund të jetë diku aty rrotull.
Të njihemi tani me pjesëtarë të tjerë të grupit që u ndodh në avionin Amerikan Eir Flljat 11, i cili sulmoi kullën e parë. – Abdulazim Al Omari, 25 vjeç, nga Arabia Saudite, me origjinë fshatare, i martuar. Në fillim të viti 2000, braktis pa lajmëruar gruan dhe fëmjën dyvjeçar, shkon në Afganistan dhe bashkohet me grupet e Al Kaedës. – Satam Al Sukami, 25 vjeç, nga Arabia Saudite, student në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit Mbretëror në Riad. I pamartuar. – Vail Al Shahri, 24 vjeç, nga Arabia Saudite, mësues i kulturës fizike. I pamartuar.- Valid Al Shahri, vëllai i Vailit, pa profesion, i pamartuar. Të dy shkojnë në Afganistan dhe bashkohen atje me forcat ushtarake të Al Kaedës.
Pak a shumë, të përafërta janë edhe të dhënat jetëshkrimore të pjesëtarëve të tri grupeve që u vendosën në avionët e tjerë. Pra, të tërë të rinj, jo më shumë se 25 vjeç, një pjesë me arsim të lartë, të tjerë fshatarë, pa profesion, por të tërë fondamentalistë islamikë, të vendosur që të japin jetën në luftën e shenjtë, xhihad, kundër Amerikës për të këqiat që ajo u ka sjellë vendeve islamike.
Nga veprimet e terroristëve …
Kështu, pra, krerët e terroristë fondamentalistë islamikë që përmendëm më sipër, të cilët ngarkohen nga Bin Ladeni të mësojmë si të drejtojnë avionë, nga Afganistani, pas takimesh në Gjermani dhe Spanjë, në qershor të vitit 2000 fluturojnë në Amerikë, vendosen në qytetin Venos të Floridës dhe, duke parapaguar nga 40 mijë dollarë secili, regjistrohen në një shkollë aviacioni. Në zyrat e CIA-s dhe FBI-së nuk ka asnjë shqetësim për lëvizjet e tyre. Për ta, siç do të shohim më poshtë, kur të njihemi me “Memorandumin Feniks”, të rinjtë arabë, me dokumente të rregullta, janë thjesht njerëz që duan, si kushdo tjetër, të mësojnë si drejtohen avionët. Pastaj, pasi kryejnë kurset e pilotimit, terroristët bëjnë lëvizje të tjera nëpër Evropë, kryesisht në Spanjë, ku në gusht të vitit 2001 kanë takime me Ramzi Binashbilin, një nga drejuesit kryesorë të grupeve terroriste. Po afron koha që ata të vene në veprim planin e përbindshëm.
10 shtator 2001…Muhamed Ata dhe Abdulazim Al Omari arrijnë në Boston dhe që andej, për të mos shkaktuar dyshime, shkojnë me makinë në Portland, qytet i afërm me Bostonin. Aty blejnë bileta për fluturimin e nesërm Portland-Boston të orës 6.00 të mëngjesit dhe e kalojnë natën në një hotel. Eshtë nata e fundit e jetës së tyre. Përse kjo lëvizje? Se mendojnë, dhe ashtu ndodh, që kontrolli në aeroportin e Portlandit është më pak i rreptë se në aeroportin e Bostonit. Por, duke lëvizur nga avioni, që i sjell në Boston, për t’u nisur në Los Angeles, valixhja e vetme e Muhamed Atës, për shkak të vonesave mbetet në aerportin e Bostonit. Tani ndodh ajo që kemi përshkruar më sipër: Kalimi në pikën e kotrollit të terminalit B, ku rastësisht, siç e kam përshkrur dhe unë në hyrje të këtij dosieri, u ndodha unë me time shoqe, Natashën. Pa më të voglën pengesë, se brisqet që do të jenë armët e tyre themelore për rrrëmbimin e avionëve, kanë madhësi që lejon rregullorja e FAA-së – janë më të vogla se fotodokumenti i punonjësve të sigurimit të aeroportit.
Pas një qëndrimi të shkurtër në ndenjëset ku udhëtarët janë në pritje për fluturim, ata, së bashku me 92 udhëtarët e tjerë, futen në avionin e parë. Në të njejtën kohë, po kështu, pa asnjë shqetësim, në avionin e dytë futen të pesë terroristët e tjerë. Ndërkohë, në aeroportet e Uashingtonit dhe të Nju Xhersit, po këto veprime të ndërlidhura mirë bëjnë edhe dy grupe të tjera terroriste.
Avionët nisen njeri pas tjetrit pas orës 8.00 të mëngjesit. Dhe ndodhin ato që dihen: avioni i parë në orën 8.45 godet Kullën e Veriut. Në orën 9.03 avioni i dytë përsërit të njetin veprim: godet Kullën e Jugut. Pastaj, në orën 9.43 avioni i trëtë godet një pjesë të të Pentagonit. Aktet terroriste mbyllen me rrëzimin e aviont të katërt në afërsi të Pitsburgut në Pensilvani. Pasojat tashmë dihen. Janë më shumë se katastrofike. Aeroporti Ndërkombëtar Logan i Bostonit, si dhe 400 aeroportet në të gjithë Amerikën, mbeten të mbyllura. Me mijëra udhëtarë, politikanë, njerëz të artit kulturës, shkencës, bizmesmenë, nuk mund të udhëtojnë, jo vetëm në qytete te tjera amerikane e jashtë saj, por edhe në kontinente të tjera, si dhe me mijëra udhëtarë nga vende të tjera nuk mund të fluturojnë për në Amerikë. Ajo mbetet për pjesën tjetër të botës e njohur, si para vitit 1492 kur u zbulua nga Kristofor Kolombi. Janë me miliona dollarë humbjet e kompanite ajrore që kanë ndërprerë për këtë arsye madhore veprimtarinë e tyre. Shumë të mëdha edhe dëmet materiale të kullave për ndërtimin e të cilave janë shpenzuar milarda dollarë. Por mbi të gjitha, janë humbjet njerëzore.
Gjatë asaj jave Aeroporti Ndërkombëtar Logan i Bostonit, ku ne çdo ditë në me Natashën shkonim për të punuar, duket gjithnjë e më i shkretuar; nga lajmet që dëgjojmë nëpërmjet ekraneve televizive, ose lexojmë nëpër gazeta, njoftojnë numurin e viktimave që vazhdon të rritet në mënyrë të paprashme; mbi një mijë, dy mijë… pastaj rreth tre mijë njerëz që ndodheshin atë ditë në të dy kullat dhe katër avionët. Misioni “i shenjtë” i 19 terroristëve, i drejtuar nga kryekrimineli Bin Laden, ka mbaruar. Tashmë ata janë të vdekur, janë martirë të islamit. Ata, ashtu siç ka predikuar ky udheheqës i tyre shpirtëror, kanë shkuar në… Parajsë.
Pas disa ditësh “Nju Jork Tajmsi” njoftoi përfundimisht se numri i atyre që kishin humbur jetën në të Kullat Binjake të World Trade Center arrinte shifrën 2987 njerëz. Të tërë, me ndonjë përjashtim të rrallë, kur eshtrat e gjetura u vërtetuan shkencërisht se kujt i përkisnin, të bërë shkrumb e hi atë mëngjes të bukur të 11 shtatorit 2001, të tërë pa një gjurmë që t’i identifikoheshin, për të pasur të paktën një varr. Midis tyre ishin edhe tre shqiptarë.
Tre shqiptarët e shuar në Kullat Binjake
Me emrat e tyre u njoha një mëngjes fillimshkurti të vitit 2000, kur nga Bostoni, ku isha vendosur së bashku me familjen prej disa muajsh, u nisa për në Nju Jork. Një udhëtim prej jo shumë se katër orësh me makinë në këtë qytet që, veç bukurisë së veçantë që ka, jo më kot quhet kryeqedra ekonomike e kulturore e tërë rrruzullit tokësor. Çdo njeri që viziton për herë të parë Nju Jorkun, ka dëshirë të shohë kurreshtitë më të njohura të tij, Statujën e Lirisë, zemrën e tij, Menhetenin me rrokokaqiejtë e mahnitshëm që ngrihen si mospërfillës mbi këtë qytet dhe, doemos, edhe Kullat Binjake. Meqë qëndrimi im në Nju Jork do të ishte i shkurtër, së bashku me një mikun tim që banonte prej vitesh në atje, vizituam këto kulla.
Për fat të keq, qielli atë mëngjes ishte i ngrysur nga re të dendura, që mund të shpërthenin në shi, siç ndodhi njëmend më pas. ”Mos u mërzit”, – më tha shoku që më shoqëronte. Mandej kuptova se përse m’i tha ato fjalë. Ashensori ku hipëm, na ngjiti shumë shpejt bash në katin e 107-të, pra, më të lartin e njerës prej kullave ku ndodheshim. Por ajo që më bëri përshtypje ishte se ne ishim ngritur tani mbi shtëllunga resh gjigande, që me siguri po shtrydhnin mbi Nju Jork rrekë shirash e bubullimash që vinin mbyturazi deri te ne. Kur më pa të habitur, shoku më buzëqeshi. Atbotë, kuptova domethënënien e fjalëve të tij. Poshtë, me siguri, mileti kishte nxjerrë ombrellat që të mbrohej nga shiu, kurse ne na praronte një diell i kursyer, jo i ngrohtë, po të marrim parasysh lartësinë e madhe dhe erën e ftohtë, por, të paktën i këndshëm.
Aty shoku më shpjegoi se në Kullat Binjake punonin tre shqiptarë që i njihte. Të tre nga trojet shqiptare të Malit të Zi. Njeri , Rrok Camaj, që nga viti 1975 punonte pastrues i qelqeve të jashtme të dritareve të mëdha në katet më të larta të kullës ku ndodhehim. Punë shumë e vështirë, ku atij i duhej që në një kosh të madh, që vihej në lëvizje me energji elektrike, të zbriste nga lart-poshtë, qoftë edhe ditë të ftohta me erëra cingëruese, që e lëkundin koshin sa një një krah, në tjetrin.
Intuita e gazetarit më shtyu që të njihesha me këtë bashkatdhetar, por ai, mjerisht, nuk punonte atë ditë. Shoku më shpjegoi se për këtë punë kaq të guximshme të Rrok Camajt, kishin shkruar edhe gazeta amerikane, si “Nju York Times”, “Daily News”, gazeta shqiptare “Illyria”, që botohet prej vitesh në Nju Jork. Madje, edhe dy gazetarë të tjerë amerikanë kishin botuar një libër të vogël, shoqëruar me foto, që ia kushtonin Rrokut.
Tjetri ishte Mon Gjonbalaj, që punonte pastrues në një kompani në katet e larta të kullës së parë. Edhe ai si Rroku kishte vite që punote atje. Madje, megjithëse kishte mbushur moshën e pensionit, vazhdonte të punën, që kështu, pas disa vitesh të kthehej në viset ku ishte lindur dhe ku kishte dëshirë të varrosej.
I treti, Simon Dedvulaj, punonte mbikëqyrës në një kompani që i kishte zyrat në kullën e dytë binjake. Ishte i ri, i porsamatuar dhe ndjehej shumë i gëzuar. Shoku im kishte pasur rast të bisedonte me ta, kur ishte takuar disa herë në një një kafenetë në Bronks, lagje e Nju Jorkut, ku vinin shumë shqiptarë. Ai shtoi se në kulla punonin edhe shqiptarë të tjerë, të cilët nuk i njihte.
Pas atentateve të 11 shtatorit ’01, u kujtova për shqiptarët e mësipërm që punonin në kulla, por nuk arrita të mirrja asnjë njoftim për fatin e tyre. Shoku që më kishte shoqëruar gjatë vizitës te njëra nga kullat, në shkurt të vitit 2000 ishte larguar nga Nju Jorku. Dhe koha jonë e mbushur me hallet e ditës, kishte bërë të veten. Të them të drejtën, thuasje i kisha harruar ata, aq më tepër që nuk i kisha njohur së afërmi.
Mirëpo më 2004 kolegu im, Vehbi Bajrami, sot botues i gazetës “Illyria”, gjatë një takimi në Boston, më dhuroi librin e tij madhor “Shqiptarët e Amerikës”, me një parathenie të shkëlqyer të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, deri tani një nga veprat më të mira të publicistikës shqiptare, me 1007 faqe e qindra e qindra foto, në të cilën shpaloset tërë historia e ardhjes së mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë nga fundi i shekullit të 19-të, deri më 1991. Dhe, duke e lexuar me shumë kurreshtje këtë libër, në kapitullin “Shqiptarët që mbetën në gërmadhat e 11 shtatorit dhe ata që shpëtuan”, u njoha me tre bashkatdhetarët që përmenda më lart. Që të tre, për fat keq, kishin humbur jetën atë ditë duke u ndodhur në ato kulla.
Eshtë interesant të theksojmë se një nga tri reportazhet, atë kushtuar Rrok Camajt, publicisti Vehbi Bajrami e ka botuar para kësaj tragjedie në gazetën “Illyria”. Aty njihemi me emocionet që kishte përjetuar ai gjatë atentatit që u bë në njerën nga kullat më 1993, kur, si zakonisht, i ndodhur brenda në kosh, po pastronte dritaret e kateve të sipërme të kullës së parë.
“Ishte mesditë e 26 shkurit të vitit 1993, – shkruan autori, – kur Rroku dëgjoi një dridhje të lehtë të ndërtesës, që u pasua me fikjen e dritave dhe vazhdon me rrefimin e Rrokut dhe vazhdoi çkishte përjetuar në ato çaste: ”Mund të jetë ndonjë ndonjë defekt në katin e sipërm”. Më vonë dallova tymin që vinte nga poshtë e futej si gjarpër në të gjitha pjesët e ndërtesës. Pastaj klithmat e njerëzve, thirrjet për ndihmë. “Nuk shpresova se do të shpëtoja gjallë”, – vazhdoi Rroku, i cili zbriti poshtë, përmes shkallëve pas tri orë e gjysmë, me frymëmarrje të vështirësuar nga gazrat që kishin shpërthyer.” (V.Bajrami, ”Shqiptarët e Amerikës”, faqe 592).
Kurse në shënimin që është bërë nga autori pas botimit të këtij libri më 2004, ku përfshihet ky reportazh, shkruhet kështu për Rrok Camajn: ”Në ditën tragjike ai shkoi në punë si zakonisht, në orën 9.15 minuta, të mëngjesit. Pasi ndërtesa ku punonte, u godit nga aeroplani, ai telefonoi në shtëpi nga kati 105-të dhe bisedoi me të shoqen, Katrinën: ”Jam shëndoshë e mirë. Në dorë të zotit jemi e çka bahet, le të bahet. Pa marrë parasysh se çdo të ndodhë, mos i shqetëso fëmijët,”- ishin fjalët e fundit të Rrokut.
Në shkrimin tjetër për Mon Gjonbalajn, Vehbi Bajrami shkruan: – Disa minuta pasi terroristët sulmuan ndërtesën e parë, Moni telefonoi në shtëpi dhe bisedoi më të vëllanë, Bekimin, i cili atë çast po ndiqte kanalin televiziv CNN, – tregon i biri i tij, Salihu. – Diçka ndodhur këtu. Një bombë ka shpërthyer në ndërtesën tjetër, – ishin fjalët e Monit. – Nuk është bombë, por aeroplan, – ia ktheu i biri. – Aeroplan?- kishte pyetur Moni. Në orën 9.09 minuta, Moni telefonoi sërish në shtëpi dhe bisedoi me Albanën, të shoqen e Bekimit: – Gjendem në katin e e 86-të. Jemi bllokuar të gjithë. Nuk shohim gjë tjetër, veçse tym. Nuk di a do të shihemi më. Të keni kujdes veten dhe fëmijët”. (Po aty, faqe 593).
Në rrethana pak a shumë të njejta humbi jeten edhe Simon Dedvukaj, që punonte atë ditë në katin e 27-të të kullës së dytë. Xhaxhai i tij, Deda, dëshmon se Simoni telefonoi në orën 8.30 dh e pastaj zëri i tij nuk dëgjua më. Një vit më pas, me anë të analizave shkencore u arrit të identifikoheshin disa nga eshtrat e tij dhe ai u varros më 2 shtator të vitit 2002, pas një ceremonie ku morën pjesë rreth 3500 shqiptarë, të krishterë e myslimanë, të ardhur edhe nga qytete të tjera amerikane, ku banonin shqiptarë. Jo vetëm kaq, por shumë biznemenë shqiptarë dhe njerëz të thjeshtë, dhanë ndihma për familjet e sipërpermendura që pësuan këtë fatkeqësi të kobshme.
Në faqet e këtij libri u njoha edhe me pjesëtarët e një familjeje shqiptare, që punonin në kullën e dytë binjake dhe të cilët kishin shpëtuar mrekullisht. Një ndër pjesëtarët e kasëj familjeje ishte Bardhyl Quku, prindërit e të cilit, kur ai ishte vetëm pesë vjeç, ishin larguar nga Shqipëria para vendosjes së regjimit komunist, më 1944 dhe pastaj kishin mërguar në Amerikë. Bardhyli ishte nënpresident i një kompanie investimesh dhe vajzat e tij, Lori dhe Daniela, punonin së bashku më të.
“Bardhyli, – shkruan Vehbi Bajrami në librin e tij, – nuk ndodhej në ndërtesë kur ndodhi tragjedia. Ai e kishte zakon shpesh herë që të shkonte në punë pas orës 10.00. Edhe vajzat e tij qenë më fat. E para, atë ditë kishte shkuar te dentisti; e dyta, kur mori vesh për sulmin në ndërtesën e parë, nga kati i 73-të, sipas një njoftimi, zbriti shkallët.
-Kur arrita në katin e 4-të, dëgjova njoftimin tjetër se të gjithë duhej të ktheheshim në vendet e punës, sepse nuk parashikohej ndonjë rrezik. Mirëpo unë sikur e ndjeva se edhe këtu do të ndodhte ajo që ndodhi në ndërtesën e parë. Me shumë mundime dola nga ndërtesa, kur ajo u godit, – tregon Daniela, vajza e parë”. (Po aty, faqe 597).
-U përpoqa t’i telefonoja Danielës, – thotë Lori, vajza tjetër, – por lidhjet ishin bllokuar. Pastaj mora vesh se edhe ajo ishte shpëtuar se bashku me babën”. (Po aty). Kështu si pjesëtarët e kësaj familjeje shqiptare, edhe shumë e shumë amerikanë dhe të kombësive të tjera, arritën të shpëtonin pas sulmeve të pabesa të terroristëve fondamentalistë islamikë . Edhe terroristë humbën jetën, por ata me besimin e verbër se bëmave të tyre do të shkonin… në Parajsë.
Eshtë përmendur në këtë dosier se, duke kaluar nga avioni që solli Muhamed Atën dhe një terrorist tjetër nga Portlandi në Boston, për shkak të vonesave, një valixhe e tij mbeti në Terminalin B, nga ku ai ata u bashkuan me terroristë të tjerë, për të arritur me avionin American Air Flight 11 në Los Anxheles, i cili pas disa minutash, siç tashmë e dimë, u rrëmbye prej tyre dhe u kthye në predhë gjigande, që të godiste njerën nga kullat.Kur pas atentateve kjo valixhe u hap nga agjentët e FBI-së, në të u gjetën disa uniforma pilotësh civilë, një manual me udhëzime për fluturime ajrore dhe një letër. Në këtë letër, të shkruar në gjuhën arabe, dalloheshin këto radhë : “Të jemi të qetë, sepse koha me të cilën do të martohemi me Parajsën, është e afërt. Kontrollo armët e tua para se të nisesh. Shtërngo thikën dhe mos u trishto nga shtazët”.
Një agjent i FBI-së në apartamentin tim!…
Në mëngjesin e datës 5 prill të vitit 2008, ditë e shtunë, para se të shkoja në punë, nga rruga Uashington u ktheva në rrugën Steit dhe u futa në një nga rrokaqiejtë më të hijshëm të Bostonit. Ai të magjeps me përndritjen e dritareve dhe balloreve krejt të zeza të tij, dhe për një çast të krijon shëmbëllimin e një dinozauri me gjymtyrët e para të mbledhura pas trupit, që i mbështetur në këmbët e pasme, ka mbetur i ngrirë, i mbështjellë nga një bukuri e frikshme, në përpjekjet për të hovëzuur lart, drejt qiellit.
Qëllimi im ishte i thjeshtë: doja të dija nëse në hyrje të këtij rrokaqieli ishte vendosur pikë kontrolli i njëllojtë me ato të aeroporteve. Isha në përfundim të një romani me titull “Shtatori i gjëmës së madhe”, kushtuar tragjedisë tashmë të njohur, që u botua pstaj në vitin 2010 dhe nuk dija ndonjë të dhënë që më dukej shumë e rëndësishme: a kishte pasur pikë të tillë kontrolli edhe në të Kullat Binjake Nju Jorkut? Për fat të keq, atë ditë shkurti, kur së bashku më një shokun tim isha ngjitur në katin e 107-të, nga nxitimi nuk mbaja mend të kisha kaluar në një pikë të tillë. Edhe, kur pyeta disa shokë të tjerë që ishin ngjitur në kulla si unë, edhe ata gjithashtu nuk mbanin mend.
Ja, pra se përse u paraqita atje të nëpunësi i sigurimit. I shpjegova se isha shkrimtar dhe gazetar, dhe i bëra pyetjen e mësipërme, që të vazhdoja pastaj të kërkoja të më ndihmonte të dija nëse në Kullat Binjake të Nju Jorkut kishte pasur pika kontrolli. Punonjësi m’u përgjgjigj se në atë rrokaqiell nuk kishte pikë të tillë dhe më kërkoi një dokument, të cilin e fotokopjoi. Pastaj më dha një kartvizitë të manaxherit të përgjthshëm të kompanise së sigurimit, i cili mund të më ndihmonte në këtë drejtim. Të them të drejtën, meqë të shtunave dhe të dielave zyrat e kësaj kompanie ishin të mbyllura, e lashë që t’i telefonoja këtij manaxheri një ditë tjetër.
Mirëpo, të mërkurën tjetër, rreth orës 10.00 të mëngjesit, kur po punoja për të përfunduar romanin, dëgjova të trokitura në derën e apartamentit ku jetoja. E hapa dhe pashë një burrë rreth të pesëdhjetave, me pamje të qetë, fytyrë disi të bardhë dhe sy të hirtë, i cili, duke më përshndetur, më paraqiti një distingtiv dhe hyri drejt e në temën e bisedës që do të bënte: ”Jam punonjës i FBI-së. A keni qenë ju të shtunën e kaluar në ndërtesën… në rrugën Steit?” Pohova çuditërisht me gjakftohtësi dhe menjëherë i rashë më të se përse kishte ardhur. E ftova të ulej dhe i shpjegova arsyen e kësaj vizite në ndërtesën në fjalë. Më dëgjoi më shumë vemendje. Megjithatë, nuk ndërhyri. Vetëm vazhdoi të më dëgjonte.
I shpjegova arsyet e pyetjeve të mia, i tregova pastaj se kisha punuar në aeroport bash ato ditë kur kishte ndodhur tragjedia, se për mendimin tim FAA-ja kishte bërë gabim të rëndë që në rregulloren e saj kishte lejuar të futeshin udhëtarë më brisqe, shishe e gjithçka tjetër, të cilat tashmë u janë bërë të njohura lexuesve. Madje, edhe ndërtova skenat e rrëmbimt të avionëve, ashtu sic e kam përshkruar më sipër: Terroristët mbërthejnë stjuartesa, kërcënojnë udhëtarët që të mos bëjnë as gëk as mëk, se atëherë do t’i therin. Mandej njoftojë pilotët se në avion po ndodh diçka e rëndë: Kështu, njeri prej tyre del nga kabina dhe një terrorist tjetër e godet me shishe në kokë e kështu, që të mos zgjatem, asgjësojnë edhe pilotin tjetër dhe bëhen zotër të avionëve.
Dhe, ndërkohë që flisja tërë zjarr, e shoqërova këtë ligjëratë, duke mbërthyer në duar, herë një brisk të vogël, të nxjerrë nga një sirtar, herë një shishe vere, herë shishe metalike, me lëngje erëmuese, spërkatëse (sprai), që mora dollapët e aneksit të kuzhinës.
Përfundova kështu që përgjegjësia kryesore mbi ngjarjet e 11 shtatorit 2001 binte mbi FAA-në…Përmenda pastaj, por këtë radhë jo me kaq zjarr, që edhe drejtuesit e FBI-së nuk i shpëtonin përgjegjësisë, përderisa nuk kishin përfillur njoftimin e agjentit të tyre, Keneth Uiliams, dërguar nga Feniksi atë ditë korriku të vitit 2001, pra, para tragjedisë.
Gjatë tërë kësaj ligjërate agjenti i FBI-së vazhdoi të më dëgjonte pa më ndërprerë as edhe një grimë dhe, siç thotë një sentencë latine, “Të heshtësh, do të thotë të aprovosh”, edhe ai dukej që miratoi me heshtjen e tij ato që kisha rrëfyer, qoftë edhe për hamendësimet e mia rreth sulmeve të terroristëve fondamentalistë nëpër avionë dhe, të them të drejtën, me pasion, dhëmbje dhe rrëmbim. Pastaj nga një çantë të vogël që mbante me vete, nxori një foto të marrë me kamera të fshehtë: njoha veten me pallto, shallin me katrorë, të hedhur pas e flokë të shpupurisur, në hyrjen e këtij rrokaqielli të zi në rrugën Steit, ku isha ndodhur atë të shtunë. Jo vetëm kaq, por, këtë radhë, duke buzëqeshur lehtë, më zgjati dhe një fotokopje të nxjerrë nga rrjeti i internetit Google ku pashë të shkruar të dhëna të miat jetëshkrimore dhe listën e disa prej romaneve që kisha shkruar vitet e fundit në Amerikë.
Më këtë, ai sikur donte të më thoshte. “Ne i dimë të tëra.”
E përcolla deri jashtë apartamentiti tim, ku u ndamë miqësisht. Ato çaste, nuk pata guxim të shtoja: “Kështu duhej të kishte vepruar FBI-ja pas “Memos se Feniksit” me të rinjtë arabë. T’i kishte mbajtur nën vëzhgim dhe ndjekur, ashtu siç më paskeni vëzhguar e ndjekur edhe mua…”
