Sefer Pasha
Kam marrë pjesë në shumë promovime të veprave të artit të cilat zhvillohen si brenda dhe jashtë vendit. Po kjo që më ndodhi pas promovimit të librit “Todo Bojdani” e kalon çdo imagjinatë. Personazhi Todo Bojdani ka hyrë në histori si njeriu që në orën 12 të datës 27 nëntor të vitit 1944 ulet para mikrofonit dhe thotë: – “Këtu Radio – Tirana. -Ju flet Shqipëria e lirë!”. Për këtë vepër u mblodhëm në sallën e Muzeut Kombëtar. U fol për vlerat e Todo Bojdanit. Pas atij takimi kur unë mendova se “çështja Bojdani” u mbyll më telefonojnë. I biri i Todo Bojdanit, Jovani, do t’i vazhdoj “promovimet” nëpër vendet ku ka shërbyer folësi i parë i Radio – Tiranës, ati i tij Todo Bojdani.
Jemi mbledhur në fshatin Dobresh ku banon Jovan Bojdani. Fshati është në krahun e djathtë të një dege të lumit të Erzenit, pas kalasë së Petrelës. Megjithëse majë kodrës këndon një qyqe, miqtë e Todo Bojdanit rrezatojnë mirësi. Janë të dashur. Nuk flitet për vrasje e korrupsion. Tregohet dhe përcillet mesazhi i paqes. Në atë drekë fshati unë isha ndofta më i ftohti. Ka ditë që bisedoj me fantazmën e Todo Bojdanit. Si nuk më mban mend thotë ai. Të kam dhënë leksione në Shkollën e Ministrisë së Brendshme kur ti, Sefer, ishe student. Nuk kisha dalë në pension. Në librin që më kushtohet mua mungojnë shumë fotografi. Ti i di mirë se ato janë në arkivin e fotografit Enver Shabanit. Pyesni gazetarin Isuf Baça. Ai duhet ta dijë se ku është arkivi i Enver Shabanit. Në disa foto kam dal me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun në Bizë të Elbasanit. I harrove “Liqenin e Vajkalit”, “Agjneti 333”, “Operacini zjarri”, “Radio Loja”. “Shqiponja dhe skifteri” e të tjera kombinime, ku është dhe dora ime si mjeshtër i ndërlidhjes.
***
Gjatë gjithë këtyre ditëve kam diskutuar me Jovan Bojdanin. “Bëm baba të të ngjaj” thotë proverbi. Sulejman Basha i cili është biograf i Todo Bojdanit e skalit kështu portretin e të birit Jovan Bojdanit. I ngjan të atit thotë ai. Todo i ka vënë emrin e të atit. Jovan e kishte emrin babai i Todo Bojdanit. Babai i tij Jovani ishte nga Drenova, ndërsa nëna Petrina qe nga Boboshtica. Jovani, i biri i Todo Bojdanit është si një lis nga ata të malit të Moravës. Zëri i gurgullon si valët e lumit të Devollit. I matur si Todi në ato që thotë. Në gen trashëgon talentin e shkencëtarit të ndërlidhjes Todo Bojdanit. Ai ishte njeri me kulturë. Luftëtari i orëve të para të komunistëve të Korçës. Ishte me prirje artisti. Todo Bojdani që foli në radio stacionin e Radio Tiranës nuk u ul përpara mikrofonit rastësisht. Kolegët nuk e zgjodhën folësin me votë. Ata e dinin se Todo Bojdani kishte një zë aktori. Ai u zgjodh si “komandant” i Radio Stacionit se ishte një nga partizanët, që e kishin çliruar nga pushtuesi Radio Tiranën. Ishte “gjeni” në montimin e aparaturave. Kur u ul përpara mikrofonit të cilin vet e kishte montuar ndërlidhësi erudit e dinte se zëri i tij nëpërmjet valëve do të shkonte në fund të botës. Pikërisht kjo është arsyeja që edhe pas 79 vjetësh ai u kujtua me nderime të mëdha. Mbahet mend si zëri i parë në valët e Radio Tiranës në Shqipërinë e lirë. Edhe pse ishte realizuar një film, disa dokumentarë, piktura, pllakata e me dhjetëra punë të tjera, edhe kur janë munduar që ta “harrojnë” ka qenë e pamundur që ta fshijnë nga historia e një ngjarjeje madhështore. Përpara mikrofonit të Radio – Tiranës e ftoi liria. Edhe në Shqipëri është folur për mitin e Odiseut. Kundërshtarët u jepnin luftëtarëve të Odiseut një pije nga një bimë me fuqi magjike. Bima quhej lotos. Shokët e Odiseut po ta pinin lotosin do të harronin atdheun. Kjo ishte lufta që i bënin lotofagët. Luftëtarët të harronin atdheun. Por bashkëluftëtarët e Odiseut nuk e pinë ilaçin me veti magjike të lotosit dhe nuk u harruan atdheun.
***
Tregojnë se Todo Bojdani kishte shkuar në një ekspozitë të piktorit Pandali Mele. Ja kishte rekomanduar vajtjen në ekspozitë një nga njerëzit më të kulturuar të Ministrisë së Brendshme. Ai quhej Raqi Iftica. Vinte në Ministri nga auditorët e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Njeriu i Ministrisë i tha Todo Bojdanit se në eksopzitën e piktorit Pandeli Mele paraqitej dhe një pikturë që i kushtohej pikërisht Todo Bojdanit. Piktura titullohej “Ju flet Tirana”. Todo Bojdani megjiëthëse nuk qe tip i rrëmbyer me tu futur në ekspozitë vajti pikërisht tek piktura që i kishte rekomanduar korçari Raqi Iftica. Ai filloj ta vështroj pikturën grimcë më grimcë. Qëndroj një copë herë përball pikturës që i ngjalli shumë emocione. Vizitorët ishin të shumtë. Nga një kënd i ekspozitës piktorit Pandeli Mele po i bënte përshtypje shikuesi që këqyrte të njëjtën pikturë. Pyeti dhe i thanë se ai ishte personazhi historik, që kishte folur para mikrofonit të radio stacionit:- Mbahej mend vargu i poemës:- “Ju flet Tirana”. Ishte pikërisht data 27 nëntor i vitit 1944. Pandeli Mele kishte gërmuar shumë për këtë ngjarje epokale. Por nuk kishte kërkuar që ta gjente folësin e parë të Radio- Tiranës dhe ai të pozonte para tij. Piktori ju afrua Todo Bojdanit dhe diskutoj gjatë me të. I zënë ngushtë ai i tha Todo Bojdanit se portreti i partizanit në pikturë siç e shikon nuk ngjan fare me ty. Ti ke tjetër pamje. Por mua mu desh të krijoj një hero. Todo Bojdani kishte qeshur. Nuk shqetësohem që unë nuk ngjaj me heroin e pikturës. Ti si piktor duhet ta dish se në atë çastin e madh kur unë para mikrofonit thashë “Ju flet Tirana” nuk isha vetëm. Në atë minutën finale nuk thashë “unë”, por “ne”. Para mikrofonit isha i rrethuar prej dhjetëra specialistëve, folësve, partizanëve, poetëve, këngëtarëve, valltarëve, e personelit që në atë minutë filloj punën e cila kurrë nuk u ndërpre. Fjalia “Ju flet Tirana” u tha në kor. Në tavolinën ku qe montuar mikrofoni po prej meje nuk kishte automatik siç paraqitet në pikturë. Në të gjitha zyrat këndohej. Jashtë hidhej valle. E mbaj mend mirë se në raftin e studios më kishin vënë një gotë me raki mani Boboshtice. Unë megjithëse kisha shumë emocione gotën e rakisë nuk e preka. Fola esëll. Zëri gjëmoi. Isha 30 vjeç dhe më i shëndetshëm se ky heroi i pikturës. Të lumshin duart! Por po ta përsërisë. Nuk isha “unë” që fola, por ishim “ne”. Në pikturë ka shumë rregull e dritë. E mbaj mend atë ditë. Studjoja ku montova mikrofonin i ngjante një fushë beteje. Nuk kishte luks. Pritej të thuhej fjalia e famshme “Ju flet Tirana”. Qysh në pesë minutat e para erdhën lajmet se valët e Radio – Tiranës u dëgjuan në Romë, Beograd e Paris.
***
Tregohet si legjendë dhe baladë një rast për kolonelin Todo Bojdani, që drejtoi një situatë drejpërdrejti nga rrafshnalta e Bizës së Elbasanit. Qe një detyrë shumë e vështirë. Forcat speciale të Ministrisë së Brendshme kishin arritur të sillnin në Shqipëri një radist prej një shteti të huaj, i cili vepronte kundër Shqipërisë. Por radisti i zbulimit të huaj befasisht pëson infrakt. Për ta zëvedësuar atë u zgjodh prej Mehmet Shehut, Todo Bojdani. Studimi i dosjes “Radjo Loja” e nxjer figurën e Todo Bojdanit si një fenomen në linjën e artit të ndërlidhjes me radiot dhënse – marrëse. Megjithëse nuk përmendet emri i Todo Bojdanit bashkëpunëtorët që ende janë gjallë thonë se në operacinin “Radjo Loja” Todo Bojdani mbante pseudnimin “Plasenti”. Këtë pseudonim mbante radisti që ishte rekurtuar nga forcat e zbulimit shqiptar. “Plasenti” ishte radisti i zbulimit italian që tani punonte për llogari të shtetit shqiptar. Në dosjen “Radio Loja” janë qindra radiograme që “Plasenti”[Todo Bojdani} i ka transmetuar zbulimit italian. Pasi Todo Bojdani është futur në rol fenomeni i zbulimit shqiptar i përcjell radiogramet njëri pas tjetrit. Ja njëri prej tyre: “Zbritja qe e shkëlqyer. Radioja rezervë u shkatërrua. Ndodhemi në pyll. Shpresoj të mos jemi diktuar”. Po t’i lexosh të gjithë radiogramet mahnitesh. “Plasenti” nëpërmjet radiogrameve u kërkon “miqëve” të tij të hedhin me parashutë “diversant” të tjerë me emër. Për ta kanë nevojë forcat kryengritëse në Shqipëri. “Radio Loja” funksionon për mrekulli. Zbulimi i huaj nis nga disa shtete të arratisurit, që ishin kualifikuar në shkolla e akademi zbulimi. Përveç njerëzve zbulimi i huaj hedh me parashuta në Bizë të Elbasnit armë të kalibrave të ndryshëm, radio dhënëse – marrëse, ushqime, ilaçe të shtrenjta, çanta me dollar dhe qindra fletushka me mbishkrime kundër regjimit të Enver Hoxhës. Siç del nga leximi i dosjes “Radio Loja” midis Todo Bojdanit[Plasenti] dhe qëndrës së zbulimit italian ka ndodhur vetëm një gërvishtje. Gjatë leximit të radiogrameve zbuluesit italian me intelegjencë të lart dyshojnë në një momnet për marjen e radiogrameve nëpërmjet radios dhënëse – marrëse. Çoç nuk shkonte. Dhe kërkojnë shpjegime profesionale. “Plasenti”[Todo Bojdani] përgjigjet: – Më është infektuar dora nga kafshimi i një nepërke mali. Por u mjekova me ilaçet që më keni dërguar dhe tani jam në formë të shkëlqyer për të zbatuar urdhërat tuaja. Dhe gjithçka u mbyll pa zarar. Operacioni “Radio Loja” përfundoj me sukses.
***
Pas daljes në pension Todo Bojdani mes miqve tregonte ngjarjet më të bukura të jetës së tij. Kur Enver Hoxha ndodhej jashtë Shqipërisë në centralin e Ministrisë së Brendshme do të qëndronte Todo Bojdani. Gjatë kohës që udhëheqësi ndodhej në Mbledhjen e 81 partive në Moskë Todo Bojdani përgjonte me kufje në vesh. – Alo! – u dëgjua një zë. – Urdhëro shoku komandant! – u përgjigj Todo Bojdani. Ti Todo je? – pyeti Enver Hoxha që nga Moska. Më njohe?… Mirë Todo!
Por Todo Bojdani nuk linte kurrë pa rrëfyer edhe një “përplasje” me Enver Hoxhën. Në Vlorë po ndodhte ikja e frikshme e nëndetësve të flotës sovjetike. Todo Bojdani i ngarkuar nga Mehmet Shehu e ndiqte në radjo ikjen në panik të flotës sovjetike. Papritur Todo Bojdani dëgjon në kanalin e radios zërin e Enver Hoxhës. Komandanti i Përgjithshëm e urdhëron komandantin e ishullit të Sazanit: – Nëse Zheleznovi do të rezistoj me armë Ti që nga ishulli me forcën atomike të zjarrit do të mbytësh Zheleznovin në Detin Jon me gjithë nëndetëset e tij! Kaq tha Enver Hoxha. Në fraksionet e sekondës Todo Bojdani që përgjonte me ankth shpërthimin e luftës i tha sekretarit, Haxhi Kroit, se shërbimet e KGB -së e përgjojnë Enver Hoxhën dhe dramën që po ndodh në Vlorë. Komandanti nuk foli me kod. Në moment erdhi përgjigja e sekretarit Haxhi Kroit. Enver Hoxha kishte thënë: I thoni Todo Bojdanit se unë e di që më përgjojnë. Fola pa kod që ta marrë vesh mirë Zheleznovi se me shqiptarët nuk bëhet shaka. T’ja mbathi me kohë të mirë.
Një nga autorët e librit Sulejman Basha i kujton me dhimbje takimet me Todo Bojdanin në ish klubin e Ministrisë së Brendshme pas daljes në pension. Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Kjo ishte një ngjarje e dhimbshme për Todo Bojdanin. Mehmet Shehu e çmonte shumë talentin e Todo Bojdanit në fushën e shkencës së ndërlidhjes. Todo Bojdani i trishtuar na thoshte para filxhanit të kafesë se Mehmet Shehu s’mund të ishte kurrë agjent i zbulimeve të huaja. Ai e hodhi poshtë me neveri atë që u tha se në shtëpinë e tij në vilën 30, Mehmet Shehu, kishte montuar një radio dhënëse – marrëse. Me shumë terezi Todo Bojdani pyeste me ironi se kush e montoi radion në tualetin e vilës. Vet Mehmet Shehu nuk kishte asnjë lloj aftësie për ta përshtatur radion në valët misterioze për tu ndërlidhur me zbulimet e huaja. E njihte mirë. Mehmet Shehu e kthente tankun në fushën e betejës sikur ai të qe sorkadh, por me radiot – dhënëse marrëse nuk qe marë ndonjëherë. Të mos harrojmë dhe një detaj. Pas viteve gjashtëdhjetë në Ministrinë e Brendshme dhe në disa pika të tjera qenë montuar aparatura përgjimi moderne të sofistikuara. Me ekspertët tanë të kualifikuar jashtë shtetit ne kemi mundur të përgjojmë Kim Philby-n. Ai qe zyrtar i lart i inteligjencës britanike dhe dopio agjent i Bashkimit Sovjetik. Kim Philby është marë dhe me Shqipërinë. Disa mjeshtra të ndërlidhjes kishin mbaruar shkollat në të gjithë Evropën. Ne i mbajtëm në punë. Edhe unë kam mësuar prej tyre. Po tregoj dhe një sekret të madh. Radiot e përgjimit në malin e Kroit të Bardhë në Kukës me antena sa mali i Gjallicës arritën të përgjojnë dhe të regjistrojnë dhe një urdhër të Stalinit për sekretarin e tij personal. Kasetën ja kam çuar me dorën time Enver Hoxhës. Në Kruan e Bardhë të Kukësit që qe një qytet i egër mes maleve në lartësinë 2000 metra mora dhe një të ftohtë në mushkri. Jam shtuar dhe në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
***
Todo Bojdani me vete mbante dhe një pasqyrë të vogël. E përdorte kur rruhej në mëngjes. Një ditë kur u pa në pasqyrë vuri re se qe thinjur si lule shqerrat e malit. U habit. Kaq shumë qe munduar për ta ngritur “Këmbjen” e Kroit të Bardhë. Që nga maja e Gjallicës antenat ngjanin si lule filxhanët me pamje nga Shishtaveci. Të tjerat shëmbëllenin me pasqyrat e rudinave të bjeshkëve të Sharrit. Në një nga netët pa re Todo Bojdani qe mahnitur kur kishte parë hënën e malit të Sharrit brenda folesë së lule filxhanit. Hëna i ngjau me një thëllëzë që ngrohte të vegjlit. Inaugurimin e “Këmbjes” e bëri Beqir Balluku. Në Kruan e Bardhë të Gjallicës për dy gjëra nuk ka nevojë kishte thënë Ministri i Mbrojtjes. Lugjet me ujvara shërbejnë si tualete. Së dyti nuk është e nevojshme të këtë personel mjekësor. Lulet e malit janë doktor e ilaçe. Misioni i “Këmbjes” ishte përgjimi. Inxhinierët i thanë Todo Bojdanit qysh në ditën e parë se kishin mundur të kapnin një bisedë të De Golit. Lëreni De Golin e Francës kishte thënë mjeshtëri. Regjistroni ato që po bën në Kosovë Rankoviçi.
***
Kujtimet e Todo Bojdanit të autorëve A. Zholi dhe S. Basha, janë shpërndarë si ato gjethet e manit në Boboshticë kur fillon të fryj era e Moravës. I biri Jovani e kishte çuar për të pushuar në Pogradec. Po pinin kafe në Drilon. Në tavolinën ngjitur një pogradecar u thosh të tijve. Nuk i lexoj gazetat. Situatën e vlerësoj nga zëri i spikerit Kiço Fotjadhit. Po qe se zëri i Kiço Fotjadhit gjëmon kur ai jep lajmet unë mërmëris e them se Shqipëria ka probleme. Pritet të flas Enver Hoxha. Todo Bojdani ngjethej. Ai ishte folësi i parë i Radio Tiranës. Sa rëndësi ka spikeri i një televizioni. Kur vet Todo Bojdani ishte për specializim në Moskë ai e dëgjonte shpesh prej moskovitëve thënien e Hitlerit, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte dhënë urdhër: – “I pari të vritet spikeri dhe i dyti Stalini”.
Todo Bojdani i shikonte shpesh fotot ku kishte dal me Enver Hoxhën dhe binte në mendime. Gjithë jetën e kishte vlerësuar Enver Hoxhën. Por nuk i shpjegonte dot eliminimin e kundërshtarëve. Ai e njihte mirë Beqir Ballukun. O Zot thoshte me vete. Beqir Balluku nuk vriste dot një zog e jo të rrethonte me tanke Komitetin Qëndror dhe vet Enver Hoxhën…
