Logoja e zogut të vogël blu që ka identifikuar Twitter-in prej vitesh, do të jetë së shpejti histori, sipas pronarit të platformës, Elon Musk, i cili planifikon ta shënojë atë thjesht me një “X”.
Biznesmeni milioner i është drejtuar, siç bën zakonisht, postimeve në Twitter për të bërë të ditur planet e tij dhe kjo e dielë nuk ka bërë përjashtim, duke habitur miliona përdorues që janë njohur prej vitesh me zogun e vogël blu.
“Dhe së shpejti do t’i themi lamtumirë markës Twitter dhe pak nga pak, të gjithë zogjve të vegjël”, tha ai në një mesazh, pas së cilës shtoi se “nëse një logo mjaft e mirë X publikohet sonte, nesër do ta vendosim atë live në të gjithë botën”.
Ai ka publikuar edhe disa foto dhe në njërën një X shfaqet në lëvizje me sfond të zi dhe në një tjetër biznesmeni me duart e kryqëzuara në formën e një X.
Ai ka postuar edhe një foto të zogut në të bardhë me sfond të zi të shoqëruar me mesazhin: “Kështu, por X”. “Nëse X është gjëja më e afërt në stil me diçka, sigurisht që duhet të jetë Art Deco,” thotë ai.
Musk lançoi këtë vit një kompani të inteligjencës artificiale për të cilën përdori edhe shkronjën x kur e quajti “xAI” dhe disa muaj më parë ndryshoi emrin e kompanisë, të cilën e bleu vitin e kaluar për 44 miliardë dollarë, në një X.
Po ashtu pronari i Tesla, programit hapësinor SpaceX dhe Neuralink e bën këtë njoftim pasi një javë më parë lindi “Threads”, rrjeti i ri social i Metës që kërkon të konkurrojë me Twitter.
Shkronja X ka qenë e pranishme në jetën e biznesit të Musk në të kaluarën: X.com ishte emri origjinal i Paypal dhe është në kompaninë e tij SpaceX, por edhe në emrin e djalit të tij që ka lindur në vitin 2020. Ai dëshiron që X të jetë një aplikacion për gjithçka.
