Epilepsia është një sëmundje kronike jo e transmetueshme e trurit, që prek njerëzit e të gjitha moshave. Autoritetet e shëndetit publik sqarojnë se kjo sëmundje prek pothuajse çdo aspekt të jetës së personit të diagnostikuar me epilepsi. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore, janë më shumë se 50 milionë njerëz që vuajnë nga epilepsia në të gjithë botën. “Fjala epilepsi vjen nga greqishtja që do të thotë “i surprizuar ose i kapur pa e pasur mendjen”. Të vuash nga epilepsia do të thotë të vuash nga situata krizash epilepsie të ripërsëritura. Kushdo mund të preket nga epilepsia dhe kjo mund të ndodhë, nëse truri ekspozohet ndaj një stimuli me intensitet mjaft të fortë”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik.
Sipas tyre, për shumë njerëz që jetojnë me epilepsi, stigma lidhur me këtë gjendje, është më e vështirë për t’u përballur sesa vetë gjendja. Kjo ka bërë që në pjesën dërrmuese të rasteve sëmundja të mbetet e keqdiagnostikuar. Dje në “Ditën Ndërkombëtare të Epilepsisë”, autoritetet e ISHP-së kanë apeluar për më shumë ndërgjegjësim në njohjen e fakteve të kësaj sëmundjeje, si dhe kujdesit që duhet të tregohet për trajtimin e saj.
“Keqkuptimet dhe mitet shpesh kontribuojnë në stigmën që rrethon epilepsinë. Është e rëndësishme të edukojmë veten dhe të tjerët për faktet rreth epilepsisë dhe t’i largojmë këto mite dhe keqkuptime. Kjo mund të ndihmojë në reduktimin e stigmës dhe diskriminimit me të cilin përballen njerëzit që jetojnë me epilepsi dhe të sigurojë që të kenë të njëjtat mundësi dhe të drejta si gjithë të tjerët. Duhet të dini se deri në 70 për qind e njerëzve me epilepsi mund të jetojnë pa kaluar kriza epileptike, nëse diagnostikohen dhe trajtohen siç duhet. Na ndihmoni të rrisim ndërgjegjësimin për faktet rreth epilepsisë, duke ndarë mesazhet tona”, është mesazhi i lëshuar nga autoritetet e shëndetit publik dje në “Ditën Botërore të Epilepsisë”.
Format se si shfaqet Epilepsia
Epilepsia mund të paraqitet në shumë forma. Disa shfaqje epileptike nisin kur jeni shumë i ri dhe disa të tjera më vonë gjatë jetës. Disa forma epileptike zgjasin për kohë të shkurtër dhe disa të tjera gjatë gjithë jetës. Disa herë arsyeja e zhvillimeve epileptike është e paqartë.
Ajo mund të ndodhë për shkak të dëmtimeve në tru, shkaktuar nga vështirësitë gjatë lindjes, një goditje e rëndë në kokë, stroku, ose një infeksion në tru, siç është meningiti. Me raste, epilepsia mund të shkaktohet edhe nga një tumor në tru. Pavarësisht njohjes së këtyre kushteve, në pjesën dërrmuese të rasteve bluzat e bardha e kanë të vështirë të gjejnë shkakun e vërtetë se pse kjo sëmundje mund të jetë shfaqur. “Në çdo 6 nga 10 pacientë, mjekët nuk arrijnë të gjejnë shkakun e vërtetë të epilepsisë. Për shumë nga këta pacientë, përjetimi i situatave epileptike është i ndryshëm dhe nuk ka ngjashmëri krahasuese me një tjetër pacient, apo nëse njëri ka më shumë gjasa se tjetri”, bëjnë me dije specialistët e ISHP-së.
Diagnostikimi
Nuk ka mënyrë testimi që të përcaktojë, nëse je apo nuk je epileptik. Për diagnostikimin e epilepsisë mjeku duke pasur njohuritë dhe ekspertizën e duhur në këtë fushë, do të përdorë një sërë informacionesh të mbledhura nga teste të ndryshme. Mjekët do ju pyesin se çfarë ju ndodh para, gjatë dhe pas goditjes epileptike. Gjithashtu, ata do duan të komunikojnë me dikë, që ka qenë prezent, kur ju ka ndodhur goditja. “Përcaktimi i diagnozës për epilepsinë kërkon eksperiencë dhe trajnim të vazhdueshëm të mjekut specialist. Për vendosjen e diagnozës rëndësi kanë të dhënat klinike, elektroencefalografike, imazherike, analizat metabolike dhe gjenetike”, sqarojnë ekspertët e ISHP-së.
Trajtimi i Epilepsisë
Epilepsia zakonisht trajtohet me mjekime kundër epilepsisë të cilat veprojnë në tru, duke reduktuar mundësitë e goditjeve epileptike, ose parandalimin e goditjes epileptike. Shumë njerëz të cilët marrin mjekimin e duhur kanë më pak, ose aspak goditje epileptike.
Nëse barnat e përdorura për mjekimin e epilepsisë nuk japin rezultat, atëherë ka edhe mënyra të tjera trajtimi të cilat mund të ndihmojnë, siç janë: Ndërhyrja kirurgjikale në tru, stimulimi i nervit vagus, si dhe ndjekja e dietës ketogjenike.
Duhet të dimë në së shumicën e rasteve epilepsia është një sëmundje trajtueshme dhe e shërueshme. Megjithatë, një rol të rëndësishëm ka dhe mënyra e menaxhimit të krizës epileptike si emergjencë në shtëpi. Për këtë mjeku kurues duhet t’ju japë informacionet dhe këshillat përkatëse, se si duhet të veproni për të mbajtur nën kontroll dhe menaxhuar sa më shpejt një krizë epileptike.
Shkaqet
- Epilepsia mund të ndodhë për shkak të dëmtimeve në tru. Dëmtime të cilat mund të shkaktohen nga vështirësitë gjatë lindjes, një goditje e rëndë në kokë, stroku, apo edhe prania e një infeksioni në tru, siç është ai i meningitit.
- Me raste, epilepsia mund të shkaktohet edhe nga një tumor në tru.
- Megjithatë, të dhënat tregojnë se në çdo 6 nga 10 pacientë, mjekët nuk arrijnë të gjejnë shkakun e vërtetë të epilepsisë.
