Nga Prof. dr. Avni Xhelili
Prirem ta quaj ngjarje të veçantë kulturore vlerësimin e Eqerem Gaxhollit me Çmimin “Babel”, si përkthyesi shqiptar më i mirë për vitin 2021, akorduar nga revista amerikane për letërsi dhe arte “Mundus Artium” pranë Universitetit të Teksasit në SHBA. Kjo veprimtari kuptimplote, e zhvilluar në Tiranë më 4 dhjetor 2022, më nxiti të shkruaj disa rreshta për këtë personalitet me kontribute të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë.
Gjatë karrierës së tij profesionale, të ngritur me mund, përkushtim e zotësi, Eqeremi shkëlqeu si diplomat, si jurist dhe si përkthyes. Të trija këto profesione, sa të vjetra, aq edhe të respektuara në shoqëri, i kultivuan vlera, të cilat u bënë pjesë e identitetit të tij profesional.
U rrit me vështirësitë e periudhës së pasluftës dhe u shkollua në Gramsh. Si gjimnazist me rezultate të shkëlqyera fitoi një bursë nga shteti francez për të kryer studimet e larta në Paris, në Institutin e Profesorëve të Frëngjishtes për të Huaj.
E filloi karrierën e tij si diplomat. Për gati 20 vjet ai shërbeu në disa vende: Hungari, Francë, në Misionin Shqiptar pranë OKB në Nju-Jork, përfaqësoi shtetin shqiptar në disa organizma ndërkombëtarë. Këtë detyrë të rëndësishme mund ta kryente me sukses vetëm një njeri i mirë arsimuar e me horizont të gjerë, mendjemprehtë e me aftësi për të komunikuar në disa gjuhë të huaja, korrekt e energjik, elegant e i vetëpërmbajtur, siç është Eqeremi. Profesionin specifik të diplomatit ai e vlerësoi si detyrë të shenjtë ndaj vendit dhe në të mirë të tij. Kudo e kurdoherë mbrojti interesat e Shqipërisë dhe foli në emër të saj.
Pas shërbimit diplomatik Eqeremi u diplomua në Universitetitn e Tiranës si jurist dhe u specializua në fushën e noterisë. Në përzjedhjen e profesionit të vjetër të noterit, të ardhur deri në ditët tona nga Roma e Lashtë, ai ka pasur një motivacion të fuqishëm: statusi juridik si person në shërbim të shoqërisë dhe të shtetit. Si noter, Eqeremi, do të kryente funksione juridike publike në emër të shtetit shqiptar. Për këtë fushë të re atij i duheshin jo vetëm njohuri të thella për çdo hollësi të legjislacionit, aq të domosdoshme për profesionin e noterit, por edhe disa karakteristika të tjera psikologjike, si dhe respektimi i disa kufizimeve ligjore dhe etike. Nga Eqeremi kërkohej paanshmëri, aftësi për të dëgjuar deri në fund dhe për të dhënë përgjigje të prerë në bazë të ligjit, – cilësi që atij nuk i kanë munguar gjatë gjithë veprimtarisë profesionale.
Si njeri i përkushtuar, pas daljes në pension, ai u mor me përkthime nga gjuha frënge. Interesi për historinë dhe kulturën franceze, me të cilën u njoh që në rininë e tij, kur ishte student, nuk iu shua asnjëherë. Kultura e popullit francez, e formuar, ndër të tjera, edhe nga ndikimi i ngjarjeve të mëdha historike, u shndërrua në kulturë elitare me rol të madh edhe për civilizimet e tjera. Trashëgimia e pasur ndër shekuj me kryeveprat në letërsi, art, muzikë, arkitekturë, si dhe veprat filozofike, kanë qenë një bazë e fuqishme e iluminizmit botëror. Nga mesi i shekullit të 17-të e më pas bota filloi të interesohej për veprat e Dekartit, Molierit, Lafontenit, Volterit, Rusoit, Dideroit, Monteskiesë, Balzakut dhe shumë gjenive të tjerë, interesi ndaj të cilave nuk është zbehur edhe sot. Pikërisht pjesë të kësaj kulture të madhe ka mundur Eqeremi t’ia përcjellë mjeshtërisht lexuesit tonë. Për kulturën shqiptare ai zgjodhi dhe solli të përkthyera librat biografikë “Robespieri dhe Revolucioni Francez” të autorit Joël Schmidt dhe “Napoleon Bonaparti” nga Pascale Fautrier. Veprat e përkthyera për këto dy figura universale të gjenialitetit njerëzor, u bëjnë jehonë proceseve historike, të mbarsura me fate njerëzore dhe ngjarje dramatike. Interes të veçantë paraqit përkthimi i monografisë “Gjenerali De Gol – Historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne”, kushtuar njërit prej veprimtarëve më të mëdhenj politikë në historinë e Evropës së shek.XX. Penës së tij i përket edhe përkthimi i monografisë “Viktor Hygo – Jeta dhe vepra e gjeniut të Francës” me autor Eric Roussel. Ky personalitet i madh i kulturës franceze, me veprat e tij të pavdekshme, ka hyrë përgjithmonë në historinë e letërsisë botërore. Eqeremi ka edhe përkthime të tjera, siç është edhe libri i Joachim von Ribbentropit “Planet e Hitlerit për Ballkanin”.
Përkthimet e Eqerem Gaxhollit lexohen këndshëm, çka flet qartë për zotërim të përsosur të gjuhës frënge, por edhe për njohje të mirë të sfondit historik dhe kulturor të veprave të përkthyera. Përkthimet nga kultura të huaja, përveçqë zgjerojnë kulturën e individit, rritin dhe nivelin e përgjithshëm kulturor të vendit. Ky, besoj, ka qenë, ndër të tjera, motivi i nominimit të Eqerem Gaxhollit për Çmimin “Babel” nga Komiteti i ndarjes së këtij çmimi.
Nderimi me Çmimin “Babel”, dhe shpallja para 2-3 muajsh “Qytetar Nderi i Gramshit” na bëjnë të ndihemi krenarë ne bashkëpatriotët e tij, anëtarët e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gramshi”, pjesëtar i së cilës është edhe vetë Eqeremi, si dhe çdo intelektual tjetër,. Në gjirin e intelektualëve tanë ai gëzon respektin, stimën, simpatinë dhe admirimin e të gjithë atyre që e njohin, që kanë punuar e bashkëpunuar me të, ose që kanë lexuar librat e tij. Tek Eqeremi janë shkrirë në një të vetme diplomati, noteri e përkthyesi, sepse ai ka dhënë kontribute me vlerë në këto fusha.
I dashur Eqerem ! Ju uron nje miku yt I vjeter nga
pertej Oqeanit ! Ate vleresim qe duhet te bente
elita politike shqiptare per intelektualet e mire-
fillte, vjen dhe e ben nje qendra “Babel” ne Teksas !
Imagjinojeni o shqiptar se sa larg qendrojme ne ne
raport me boten e civilizuar ku intelektuali ze nje
vend te vevante ne kuture e nje vendi….. ! Ate qe
na dha vendi yne , na e jep nje vend 10 mije km larg,
sic jane SHBA ! Sepse pushtetaret tane e kane mendjen
te pushteti dhe jo te kultura, intelegjenca, kjo pasuri e
pacmuar e vendit tone ….! Pushtetareve I bie alergji kur
kane te bejne me intelektualet . Ata duan ta shohin Shqi-
perine mundesisht 95 % analfabete sepse Keshtu nje vend
analfabet sundohet me kollaj ! Nuk mund te presesh civili-
zim nga shpellaret me mentalitet bajraktar, kanunor, tribalist..
Prandaj edhe nje here, i dashur Eqerem urime per dekorimin
me titillin “Babel” si intelektual i mirefillte, si perkthyes i kolo-
sit V. Hygoi , nje perkthim te tilla ma keni dhene ju Tirane , te
Komuna e Parizit, nese ju kujtohet !
Pershendetje…..nga pertej Oqeanit …..!
Zoti Eqerem,
Noteri me te cilin kemi punuar per vite te tera nje njeri i qete, i respektuar dhe mjaft korrekt ne pune. Kenaqesi te lexoj per ju qe jeni vlersuar me cmim. Ju meritoni me shume! Me shume respekt ju uroj vecse shendete.