Në ditët e para të marsit 1997 është hartuar një plan operacional sekret në strukturat më të larta të shtetit, për mobilizimin ushtarak të pjesës veriore të vendit kundër jugut.
Nuk flitet këtu me hipoteza, por me dokumente konkrete.
Nuk funksionoi. Se si u përgatit ai plan dhe pse dështoi, këtë e sqaron në vijim Nënkolonel Hekuran Rapaj, i cili ka sjellë në DITA disa vite më parë faksimilet e dokumentave të mëposhtëm.
Zoti Rapaj, kemi në dorë një urdhër mobilizimi i 9 marsit të vitit 1997. Si ish-ushtarak i asaj kohe dhe si autor i një libri për ngjarjet e asaj periudhe, mund të na thoni a kishte realisht një plan mobilizimi shtetëror të rretheve veriore kundër jugut të vendit në atë kohë?
Po, kjo që thoni ju është plotësisht e vërtetë. Është padyshim një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë. Nuk di për të tjerët, por për ne ushtarakët, sa më shumë kalojnë vitet, aq më e tmerrshme na duket ajo periudhë; sa më shumë i largohemi kontaktit me tragjedinë e madhe të shpërbërjes së ushtrisë shqiptare, në pranverën e vitit 1997, aq më shumë në mendjen time analizoj arsyet që e çuan ushtrinë atje.
Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht oficerët, që jetën e tyre e kanë lidhur pazgjidhshmërisht me ushtrinë, tashmë janë të ndërgjegjshëm, se në Shqipëri ndodhi një dramë e madhe, e veçantë në llojin e vet: ushtria shqiptare u shpërbë, fatalisht në kushte paqeje.
Le të ndalemi konkretisht te ky urdhër. Cili është thelbi i tij, sipas jush?
Është lëshuar nga krerët e ushtrisë shqiptare të asaj kohe, Shefi i Shtabit, Adem Çopani dhe i emëruari gjeneral dhe komandant i operacionit kundër jugut, Bashkim Gazidede. Por urdhri është bërë me rekomandim të Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë të asaj kohe që ishte dora vetë Sali Berisha.
Pra, ka pasur një plan operacional të tillë. Kur filloi të qartësohej ai?
Urdhërat e parë për lëvizjen e trupave të ushtrisë drejt Jugut të Shqipërisë filluan të merrnin formë që në ditën e parë të muajit mars 1997. Në ligjin Nr.7528, datë 28.02.1992 thuhet se Komandanti i Përgjithshëm “Me propozim të Shtabit të Përgjithshëm vendos për përdorimin e Forcave të Armatosura në operacionet ushtarake”
Po si u veprua në fakt? Në mediat zyrtare deklarohej se ushtria po vepronte në ndihmë të forcave të rendit. Drejtoria Operative në Shtabin e Përgjithshëm përpilon urdhëra për lëvizjen e njësive dhe reparteve të ushtrisë. Ajo përgatiti një operacion luftarak. Në orën 16 të datës 2 mars 1997 Parlamenti Shqiptar u mblodh për të diskutuar gjëndjen e jashtëzakonshme.
Në orën 19.35 me një shpejtësi dhe oreks të çuditshëm hyri në fuqi Ligji i gjëndjes së jashtëzakonshme. Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato të Ministrisë së Brendshme u bashkuan me SHIK-un dhe gjenerali Bashkim Gazidede është emëruar Komandant i operacionit për të shtypur revoltën në Jug të Shqipërisë.
Këtu filloi rrokullisja. Mbi kurrizin e ushtrisë dhe efektivave të saj vepronte loja e rrezikshme e kungulleshkave. Ish Ministri i Mbrojtjes deri më datë 2 mars 1997 dha 22 urdhëra.
Cila ishte situata e atyre ditëve?
Situata ishte kjo: Në datën 3 mars, Sali Berisha rizgjidhet President për një mandat të dytë në një situatë shtetrrethimi, në një mbledhje parlamenti të mbyllur. Ndërsa Presidenti buzëqeshte në llozhën e parë të Parlamentit tanket dhe autoblindat marshonin drejt qyteteve jugorë.
U vendos institucioni i çensurës klasike dhe kontrolli i plotë mbi çdo mjet të informimit publik. Vetëm TVSH-ja mori përsipër të transmetonte buletinin dizinformues të policisë së fshehtë shtetërore. Radiot dhe televizionet e huaja shqipfolëse ose thjeshtë të interesuara për çështjen shqiptare, u zhurmuan.
Që prej datës 3 mars, nuk dilte asnjë gazetë tjetër, veç “RD”-së. Korrespodentët e gazetave dhe radiove të huaja, për shkak të terrorit u larguan ose u fshehën.
Mund të na përshkruani kronologjinë e ngjarjeve të atyre ditëve, pra të mësymjes drejt jugut të vendit?
Kronologjia e ngjarjeve, dhënia e urdhrave, mënyra e përqendrimit të forcave dhe mjeteve, mendojmë se treguan idenë e veprimeve: Kapjen e portit dhe e Bazës së Sarandës, shbllokimin e situatës dhe kapjen e qyteteve të Delvinës dhe Sarandës. Në këtë drejtim u parashikuan të vepronin vetëm nga strukturat e Forcave të Armatosura 5 batalione këmbësorie, 1 batalion komando, 1 batalion i artilerisë së përzier dhe një kompani raketash kundër tank.
U llogaritën pra, rreth 2000 forca aktive, duke mos llogaritur forcat e SHIK-ut dhe te Akademisë së Rendit që ishin futur në Gjirokastër, drejt Delvinës, të komanduara nga gjenerali, komandanti i tyre.
Në Përmet në mesnatën e datës 7 mars 1997 afrohen forcat e Brigadës Komando të Zall-Herrit, batalionet e këmbësorisë të Divizionit Shijakut dhe Burrelit, forcat e artilerisë të Divizionit Këmbësorisë Tiranës, Brigada e Komunikimit, repartet speciale dhe të riparim-evakuimit, etj.
Atje qenë të vendosura më parë forcat e SHIK-ut së bashku me to edhe ato të ashtuquajtura Brigada Speciale e “mercenarëve të mbledhur” Forcat e Fierit dhe një batalion këmbësorie i Divizionit 8 Këmbësorisë Tiranës, ekuipazhet e tankeve së bashku me tanket dhe forcat e SHIK-ut qenë të vendosur për të bllokuar Qafën e Koshovicës me qëllim që të mos lejonin “marshimin e forcave të Vlorës” drejt Tiranës, si dhe të ulnin moralin e zonës përreth.
Për këtë ata u angazhuan në veprime terrorizuese në fshatrat e zonës, sidomos nëpërmjet SHIK-ut.
Në vijim dhe në përforcim të këtyre fakteve, po sjell edhe një dëshmi autentike. Flamur Teçpollari, Shef i Shtabit të Batalionit të këmbësorisë së mekanizuar në Laç, dëshmitar që në mëngjesin e datës 4 mars 1997:
“Së bashku me komandantin e batalionit tim Sami Cena shkuam tek prefekti i Fierit, i cili ishte komandant i operacionit të rrethit. Në prani të 14 vetave dha urdhrin luftarak “për mësymje ndaj Vlorës”. Populli terrorizohej nga tanket nëpër rrugë. U nisën drejt Qafës së Koshovicës ku pashë me sytë e mij gjëra dhe veprime shumë të poshtra. U dha urdhër nga Izamedin Haxhia që të hapej zjarr në Cakran sepse sipas tij do të vijnë vlonjatët. Në fakt nuk kishte asnjë lëvizje.”
A pati ndonjë përpjekje për ta ndalur këtë mësymje, flas për qarqet e larta të ushtrisë?
Përkundrazi. Më datën 6 mars ish-Presidenti i Republikës, Sali Berisha, mblodhi partitë politike ku u vendos 48 orë armëpushim duke nisur nga ora 12.00 e datës 6 mars. Brenda këtyre 48 orëve iu bë thirrje të gjithë personave të armatosur civil që të dorëzonin armët.
Në këtë urdhër nuk u përcaktua se cili person civil do të dorëzonte armën, civilët e armatosur, militantët e partisë apo civilët e SHIK-ut. Nuk u përcaktua se ku do të dorëzoheshin armët apo kush do ti merrte ato në dorëzim.
Pikërisht në datën 6 mars në ”kushtet e ndalimit të veprimeve ushtarake” në akset kryesore të rrugëve Tiranë-Fier-Berat-Përmet dhe Tiranë-Korçë-Ersek-Leskovik-Përmet, filloi lëvizja masive e njësive dhe e reparteve të ushtrisë me teknikën dhe mjetet e e saj luftarake. Kështu, si padashje, ushtria po dilte jashtë loje. Ajo nuk mund dhe nuk kishte arsye për një grupim të tillë.
Mund të tregoni me fakte një organizim të tille ushtarak kundër jugut të vendit?
Mund të ilustroj këtë me Përmetin. Përmeti ishte zgjedhur baza nga do të niseshin formacione të shumta ushtarake për mësymjen kundër ”rebelëve të kuq’’ të Jugut. Bashkë me pranverën, në Përmetin e njerëzve të mrekullueshëm, hyri dhe masakra shtetërore.
Pse u zgjodh pikërisht Përmeti?
Përmeti ishte i vetmi qytet në Jugun e Shqipërisë që ndodhej nën kontrollin e rreptë të regjimit. Shteti kishte informacionin e sigurt për karakterin e njohur të qytetarit përmetar. Si njerëz të edukuar, të urtë e mikpritës, mendohej se ata nuk do të rezistonin ndaj makinës shtypëse ushtarake dhe përqendrimit të forcave atje.
Për herë të parë në historinë e tij, Përmeti ka parë këtë përqendrim të madh forcash dhe mjetesh luftarake. Ndërkaq, për herë të parë do të binte në kontakt me kulturat e dobëta banale dhe veprimet rrugaçërore.
Mënyra e organizimit të luftës në Përmet me të vërtete nuk kishte precedentë. Nga çdo pikëpamje që ta shohësh ajo është një spektakël që nuk e ka shokun në analet e historisë së konflikteve shqiptare.
Çfarë ndodhi konkretisht në Përmet?
Që në agimet e para të pranverës dhe deri në mbrëmjen e 8 marsit 1997, qytetin e mbuluan forcat e shumta të mercenarëve, specialet e SHIK-ut, Brigada Komando, Brigada e Këmbësorisë së Shijakut, Burrelit, Brigada Tankiste Zall-Herr, Brigada e Artilerise së Divizionit Këmbësorisë Tiranë, një brigadë e quajtur “rezervistë”, të grumbulluar kryesisht nga rrethinat veriore të Shqipërisë.
Qyteti i Përmetit u mbush me dy ushtri, të organizuara dhe të drejtuara nga shteti, të përqëndruara në dy kampe përballë njëra-tjetrës. Lumi i ndante në mes: Forcat vullnetare të veriut dhe të SHIK-ut, si dhe Forcat e Armatosura të ushtrisë.
Pas udhëtimit të gjatë e të stërmundimshëm, përpara syve të njëra tjetrës, asnjëra nuk mund të hynte në “betejë”. Kjo gjëndje vërtetonte faktin se edhe “fitoria” e cilës do force, ishte e padobishme.
Zhvillimi i ngjarjeve të planifikuara do të qëndronte aq larg për tu zbatuar sa edhe më parë se të përqëndroheshin forcat.
Kjo llojshmëri forcash të çorientuara, ky agresivitet i njerëzve që as vetë nuk e dinin përse kishin ardhur deri këtu, krijoi konfliktin më serioz jo vetëm për popullin e Përmetit, por edhe midis formacioneve të ushtrisë dhe SHIK-ut.
Si duhet të shpjegohet kjo! Si njëra palë e forcave edhe pala tjetër kishin në përbërien e tyre pothuajse të njëjtën bërthame, ata ishin vetëm forca vullnetare. Bërthama e rregullt e Forcave të Armatosura në këto momente ose ishte shkrirë komplet, ose ishte bërë tepër e dobët për të realizuar veprimet që kërkonin zbatimin e urdhërave të dhëna.
Ajo përbëhej nga një masë e caktuar rekrutësh të pastërvitur, të mashtruar rreth asaj ç’ka do të kryenin. Ishte vetëm uniforma që i dallonte ose që i bënte ushtarë. Stërvitje as që ishte menduar të bëhej. Dëshira e oficerëve të forcave të ushtrisë së rregullt, por edhe ai numur i pakët i oficerëve vullnetarë nuk ishte për stërvitjen dhe drejtimin e këtyre lloj operacionesh.
Për organizimin e mirëfilltë ushtarak nuk mund të flitej madje, as për forcat e ushtrisë së rregullt. Absurdi qëndronte në faktin se edhe ushtarët aktiv ishin ushtarë të rinj. Ishte absurde të hidhje rekrutët e pastërvitur në një aventurë të tillë përballë njerëzve e familjeve të tyre që përjetonin të njëjtin fat.
Pra diçka nuk funksionoi në Përmet?
Po, kjo është e vërtetë dhe ishte e natyrshme që kështu do të ndodhte. Kështu, forcat ushtarake shtetërore të grumbulluara në Përmet mbetën tepër të befasuar, duke refuzuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme. Disponues për zbatimin e urdhrave ishin disa prej kolonelëve dhe ushtarakëve të ardhur atje, por që mbetën të vetmuar.
Për një moment të mendojmë se dëshira e personelit komandues dhe drejtues ekzistonte për stërvitje dhe manovrat e mëtejshme dhe se kjo vështirësi mund të kapërcehej.
Gjithsesi në Tiranë po grumbulloheshin rezervistët?
Kjo është një pyetje me vend por që në atë kohë nxori shumë pikëpyetje dhe që bëri në fakt të dështonte një operacion i tërë. Mund të pyetet: Si qëndronte puna me shpejtësinë e përgatitjes së kontigjenteve të mbledhura e të grumbulluara me urgjencë para pak ditësh në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”?
Ky kontigjent kishte në përbërjen e vet diferenca moshe nga më të ndryshmet. Brezi i ri kishte rreth 10 vjet që nuk stërvitej ushtarakisht, gjë që i mungoi këtij kontigjenti rezervist. Për stërvitje me rezervistët as që ishte menduar ndonjëherë. Ishte kësisoj një efektiv i përbërë nga vullnetarë dhe rezervistë të papërgatitur.
Ndryshonte uniforma, emërtimi dhe deri diku urrejtja ndaj jugut për aventurë. Ndërsa për kontigjentet e tjera mbështetës dhe special, puna qëndronte dhe më keq. Këto lloj shërbimesh kërkonin një kohë më të gjatë përgatitje, stërvitje më të kujdesshme sesa për këmbësorin e thjeshtë. Kjo edhe për vetë kuadrin drejtues.
Për një moment mendojmë se të gjitha këto vështirësi kapërceheshin dhe pjesa më e madhe e grupimeve gjendeshin në kushte të mira përgatitje. A mund të lëviznin ata edhe në këtë rast? Efektivave atje u mungonte ushqimi i thjeshtë, u mungonte morali.
Ushtaraku mbi karroceritë e mbushura me pluhur, rrugës hante copën e bukës, ndërkohë që fëmijët dhe familjet e tyre i kishin lënë në kushte jo më të mira. Furnizimi i saj duhej të plotësohej, por depot e ushtrisë kishin vite që pjesë-pjesë ishin grabitur sikundër ishin vjedhur dhe lekët e tenderave për ushqim dhe për veshmbathje. Organizimi i kësaj pike më elementare të shërbimit logjistik ishte një zero.
Gjithsesi, pjesa efektive e ushtrisë ishte në gatishmëri dhe mund të vepronte?
Forcat e tjera ishin më në gjendje, më të përkëdhelur nga shteti. Kishin marrë shumë më tepër lekë, por jo mbështetje logjistike. Ndryshimi qëndroi në atë që ishin më të guximshëm në shkatërimin dhe vjedhjen e dyqaneve, lokaleve dhe furrave të bukës.
Kështu që as që mund të parashikohej se sa do te zgjaste kjo gjëndje e amullt në të dy kampet e grumbulluara, njëra tek pishat e bukura në hyrje të qytetit dhe tjetra tek reparti special i forcave komando, derisa materiali mendor i cilësise së lartë i ushtarakëve dhe i vullnetarëve të mos ishte bërë i vlefshëm për vënien në lëvizje të asaj makine gjigande të armatosur, për të ulur armët dhe për tu gjunjëzuar në emër të një çështjeje të madhe.
Këtu ishte fundi i vendosmërisë për konfliktin e hapur që bënë kuadrot dhe efektivat e Forcave të Armatosura kundër drejtuesve të vet. Këtu mbeti fundi i çorganizimit të plotë i komandim-drejtimit në ushtri.
A pati panik në radhët e ushtrisë në këto kushte?
Natyrisht që pati. Ushtria nuk ishte e përgatitur për t’iu kundërvënë popullit të vet, për të goditur popullin që ishte betuar se duhej ta mbronte. Në “vijën” përballë këtij fronti dhe grupimi të madh forcash dhe mjetesh qëndronte përsëri populli vullnetar i armatosur, po me armët e ushtrisë.
Këtyre kontigjenteve nuk mund t’u dihej me saktësi numri, përgatitja, mjetet, armatimi, teknika, mbështetja logjistike. Ishin të vendosur në kërkesat e tyre legjitime, por edhe kurajua për tu ndeshur nuk mund të dihej me saktësi.
Kështu që, grupimet e forcave ushtarake të makinës shtetërore dhe populli i armatosur i Tepelenës, i Gjirokastrës, i Labërisë, dhe i krejt Jugut, të frikësuar nga njeri tjetri, duke iu trembur fitores pothuajse aq sa edhe disfatës, qëndruan përballë njëra me tjetrën, duke u orvatur të krijonin diçka.
Nuk mund të vepronin, nuk mund të ishte ndryshe, kur shihej edhe nga ushtari më i thjeshtë mbretërimi i padijes, dhe i mungesës së përvojës. Paniku nuk ishte i papritur. Tërheqja në çastin vendimtar të hyrjes së luftës civile e cila pushtoi fillimisht tërë ushtrinë nuk mund të na habiste. Një gjë e tillë u bë më se normale duke penguar luftën civile.
Nëse forcat e mercenarëve do të vepronin, unë mendoj, se mbi kokat e tyre do të binte grushti i madh i historisë, ose do të ishin të detyruar të tërhiqeshin me disfatën e turpit, sepse forcat e jugut së bashku me ato të ushtrisë do të hidheshin në veprime, deri në një gjakderdhje të pashmangshme.
Masa aktive e efektivave, oficerët dhe ushtarët e thjeshtë që u ndodhën në Përmet, kundërshtuan të ndërgjegjshëm këtë aventurë luftënxitëse. Ky çelës i bllokimit të veprimeve justifikoi plotësisht zbatimin e urdhërave të eprorëve për përqëndrimin e forcave në Përmet, por që atje dhe vetëm atje, në momentin kulmor të historisë kërkohej që çelësi mos të funksiononte më. Ishte momenti kur gjithçka ishte shëmbur. Lufta civile ishte në start. Dikush i pari të merrte guximin dhe gjithçka shembej.
Gjithsesi, demonstruesit e jugut duhet të falenderojnë ushtrinë e cila që në fillim i mori në mbrojtje në Përmet. Në të kundërt lufta do të zgjaste pambarim duke hapur në të njëjtën kohë atë konflikt gjakmarrjeje që dëshiruan disa, midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë.
Jo rastësisht për këtë ishte zgjedhur ‘’vendëkomandë’’ Përmeti. Për zbatimin e planeve bën fjalë vizita e ish Ministrit të Mbrojtjes në mesditën e 8 marsit 1997 në Përmet i shoqëruar nga ish Drejtori i SHIK-ut dhe një eskortë ushtarakësh të armatosur. Takimet e para i filloi me më të besuarit e shtetit, drejtuesit e SHIK-ut, veçanërisht me komandantin e forcave speciale N/Kol. Mulosmanin.
Më pas me drejtuesit e forcave të ushtrisë. Hija e ardhjes së ish Ministri të Mbrojtjes në Përmet mbetet ogurzezë, por edhe tepër misterioze.
Pse u arrit në atë gjendje, sipas jush?
Në një raport të pabotuar të shërbimit britanik SOE gjatë Luftës së II-të Botërore, parregullsitë e luftës në Shqipëri përshkruhen në këtë mënyrë: “Shqiptari punonte arën e tij, paguante taksat dhe nëse shtypej shumë ose kërcënohej me shërbimin ushtarak, merrte pushkën dhe strehohej në zonat ku tanket italiane nuk mund të shkonin dhe këmbësoria nuk kishte arsye për ta ndjekur”.
Primitivizmi shtetëror në vitin 1997 kërkoi ta trajtonte ushtrinë si robot, të cilës mjafton t’i japësh një komandë, t’i shtypësh një buton, apo të nxjerrësh një dekret dhe ushtria si me magji të shndërrohej në tjetër.
Mirëpo Shqipëria dhe ushtria u ndodhën përballë një lufte të çuditshme. As lufte civile, as luftë kundër pushtuesve, as luftë për të pushtuar, as mes krahinash, as mes besimeve fetare, as mes njeri tjetrit.
Ky tmerr që në Shqipëri nuk mund të kishte emër, ngriu. Shpjegimi mendojmë se ngelet i thjeshtë. Kjo luftë nuk pati kundërshtarë. Krahinat e Jugut të Shqipërisë nuk ishin kundërshtarë të ushtrisë.
Komplekset e inferioritetit të ish pushtetit, të ish Komandantit dhe të atyre pak bashkëpunëtorëve të verbër të tij dërguan fjalën se “lufta në Shqipëri është mes krahinash”.
Për këtë mashtrim të paskrupullt u akuzua barbarisht pjesa jugore e Shqipërisë. Këta përfaqësues të këtij konflikti imagjinar nuk mundën të kuptonin se çfarë kërkonin dhe aspironin populli kryengritës në jug, për të gjykuar se ku po e çonin ushtrinë.
Ata konstatuan se Jugu nuk mund të vihej nën pushtetin fisnor të bajraktarëve. Kur populli i Jugut thirri Komandantin për të biseduar dhe këmbyer mendimet me të, ai i frikshëm, plot dinakëri shkeli besën e arsyes duke mobilizuar mercenarë dhe ushtrinë kundër njerëzve të pafajshëm.
Popullsia filloi të organizohej për tu mbrojtur. Shpresa e ish shtetit për të kthyer kryengritjen popullore kundër tij, në një luftë krahinore, u mbyt.
Çfarë mund të themi si konkluzion të kësaj?
Nga ajo që ngjau në vitin e zi 1997 mund dhe duhet të nxirren shumë konkluzione, në mënyrë që historia të mos përsëritet në të ardhmen. Unë, si ushtarak, ndër të tjera mund të them: Në dekadat që lamë pas nuk e kemi parë asnjëherë vendin dhe ushtrinë më keq se sa në javët e para të marsit 1997.
Atë tërmet të madh që na çoi në buzë të greminës, e kemi përjetuar me zemër të copëtuar. Fenomenin e vetëshkatërrimit të ushtrisë do ta tipizojmë, duke i vënë emrin “ fenomen shqiptar”. Ajo është vetësakrifikuar në muajt maj – qershor 1924 dhe në prillin e vitit 1939. Por ngjarjet e marsit 1997, për nga pasojat e tyre, kanë mbetur e do të mbeten të ngulitura thellë në mendjet e çdo shqiptari.
FAKSIMILE 1: SHIK-ut i jepet leje për të vrarë
“Republika e Shqipërisë/Shërbimi Informativ Kombëtar/ Sekret, Tiranë më 02.03.1997.
Urdhër Luftarak Nr 1. Veprimet Luftarake të Batalionit të Shërbimit Informativ Kombëtar.
Në situatën e krijuar nga rebelimi i forcave terroriste për rrëzimin me dhunë të rendit kushtetues, me qëllim që të parandalohet kjo veprimtari, URDHËROJ:
Batalioni i Shërbimit Informativ Kombëtar, me përbërje Kompaninë II, Skuadrën e ndërlidhjes, Skuadrën e ndihmës së shpejtë dhe togën xheniere, të lëvizë në drejtimin Tiranë-Fier, duke u përqendruar në Qafën e Koshovicës me detyrë:
-Në bashkëveprim me forcat e Ushtrisë dhe të Rendit, të pengojë, të bllokojë, të asgjësojë ose të kapë rob forcat, që mund të tentojnë të vijnë në drejtim të qyteteve Fier, Lushnjë, Tiranë.
-Komandanti i Batalionit, gjatë rrugë marshimit, të organizojë sigurinë e kolonës dhe në rast ndeshjesh, të hapet në formacion luftimi për të penguar trupat që mund të sulmojnë dhe me zjarr t’i rrethojë e t’i asgjësojë ato. Komandanti i Batalionit, gjatë marshimit dhe me mbërritjen në vend të bëjë organizimin dhe vendosjen e forcave në vend, mënyrën e bashkëveprimit dhe koordinimit të veprimeve të mëtejshme.
-Ndërlidhja me Shtabin e Qendrës të mbahet me celular dhe radio. Përgjigjet për këtë, Shefqet Meda.
-Të merren me vete një komplet luftarak i shpërndarë dhe një rezervë, pajisje mjekësore si dhe 5 transportues të blinduar. Në dispozicion të Batalionit caktohen 8 makina të mëdha dhe 3 makina të vogla. Kompania I qëndron në rezervë.
Ky Urdhër hyn në fuqi në orën 22:30.
Komandanti i Operacionit
Gjeneral Bashkim Gazidede. (Firma)
FAKSIMILE 2 – URDHËRI PËR MOBILIZIMIN E MERCENARËVE NË VERI
‘Sekret’ URDHËR
Nr. 82, datë 09.03.1997
TEPËR URGJENT
RRETHE: -Has, Kukës, Tropojë, Pukë, Mirditë, Shkodër, Dibër, Kurbin, Lezhë, Malësi e Madhe, Burrel.
Të gjithë rezervistët që paraqiten në repartet ushtarake të rrethit tuaj të vishen e kompletohen me armatimin e nevojshëm dhe të nisen urgjent në Akademinë e Forcave Tokësore në Tiranë (ish-Shkolla e Bashkuar).
Lajmëroni dhe Shtabin e Përgjithshëm.
09.03.1997
KOMANDANTI I OPERACIONIT
Gjeneral Gazidede (Vula, firma)
SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË
Gjeneral Major Adem Çopani (Vula, firma)
FAKSIMILE 3 – PLANI I VEPRIMEVE LUFTARAKE
Plani i veprimeve luftarake i forcave pjesëmarrëse në asgjësimin e kryengritësve rebelë në jug të Shqipërisë prej datës 1 deri në 30.3.1997.
IDEJA E ORGANIZIMIT
Nëpërmjet mobilizimit të trupave rezerviste nga Shqipëria e Mesme dhe e Veriut, në bashkëpunim me trupat Komando-Presidenciale si dhe përdorimin e gjerë të aviacionit, artilerisë, lëndëve helmuese luftarake (LHL) dhe të grupeve të zbulimit, në zonat kundërshtare, të realizohet përqendrimi i trupave në brigjet Veriore të lumit Vjosa si bazë nisjeje, për të ndërmarrë mësymje të përgjithshme, duke dhënë goditjen kryesore në drejtim: Fier-Vlorë dhe atë ndihmuese në drejtimin Gjirokastër-Sarandë, për të asgjësuar fizikisht të gjithë personat që do të kundërshtojnë dhe në pamundësi të realizimit të objektivave të përdoren për terror ndaj rebelëve, bombardime me aviacion, LHL(Lëndë Helmuese Luftarake), mjetet e blinduara deri në vendosjen e plotë të pushtetit ushtarak.
OBJEKTIVAT E OPERACIONIT
Mobilizimi i trupave nga data 4 deri më 7 mars 1997.
-Përqendrimi i trupave në bazën e nisjes Fier-Ballsh, Këlcyrë, Përmet.
-Hartimi i listave për personat që do të asgjësohen, në qytetet Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë.
-Kapja e urave kryesore të kalimit të trupave Ura e Mifolit(Vlorë), e Pacinit (Mallakastër), urë e Dragoit Leklit (Tepelenë), Qafa e Muzinës (Gjirokastër), etj.
-Desantimi (ulja) e trupave speciale në rajonet e fushë Çajupit, aerodromi i Gjirokastrës, Sarandës, Rrafshnalta e Kurveleshit.
-Zbarkimi nga deti në drejtim të Vlorës, 4 deri 6.3.1997.
-Përdorimi i forcave të Akademisë së Rendit, forcave speciale në rajonet ushtarake të Arshi Lengo në Gjirokastër.
-Vendosja e lidhjeve direkte midis forcave qeveritare me repartet e policisë e SHIK-ut.
-Organizimi i terrorit në popullsinë e qyteteve Vlorë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Delvinë e Sarande, djegie e shkatërrime;
-Kufizimi me çdo kusht i përhapjes së kryengritësve, në veri të lumit Vjosa.
-Mbrojtja me çdo kusht e Tiranës nga marshimi i forcave rebele të Jugut.
-Bllokimi me çdo kusht i urës së Rrogozhinës Qafës së Kërrabës (me forca policore e ushtarake).
-Kontrolli i gjendjes morale dhe origjinës gjeografike të trupave për mbrojtjen e Tiranës dhe neutralizimin e ushtarëve të Jugut.
-Përdorimi i aviacionit luftarak gjuajtës e bombardues, nga regjimenti i Gjadrit, përqëndrimeve të forcave rebele në Sarandë, Tepelenë e Vlorë.
FORCAT E MJETET PJESËMARRËSE NË OPERACION
-Tre Brk (Tiranë-Kavajë)
-Dy Bra (Gradec-Fush-Krujë)
-Dy BrT (Vlorë-Gjirokastër)
-Nje Br Xheniere
-Një Regjiment Aviacioni (Gjadër)
-Dy distrikte detare (Durrës e Shëngjin)
-Një Repart Komando (Përmet)
-Një Repart Logjistike
-Të gjitha forcat e komisariateve (Vlorë, Përmet Tepelenë, Delvinë dhe Sarandë).
Numri i pjesëmarrësve në operacion, 25 mijë vetë.
FAZAT E OPERACIONIT
FAZA E PARË 1-10.3.1997
-Mobilizimi i forcave dhe përqendrimi në baza e nisjes.
-Pastrimi i zonave rebele nga persona që drejtojnë rebelët.
-Përpunimi me aviacion, artileri e lëndë helmuese luftarake (LHL)
FAZA E DYTË 10-30.3.1997
-Lëvizja e forcave drejt qyteteve kryengritëse
-Vendosja e pushtetit ushtarak në këto zona
(Komanda e Operacionit. Firmat)