Një postim i një prej mjekëve më të respektuar në Shqipëri, solli reagime të shumta. Doktor Tritan Kalo. njoftoi se ky vit është viti i tij i fundit në shërbimin shëndetësor të vendit.
Në korrik të këtij viti, ai del në pension.
Mjeku i njohur mori shumë urime pas postimit ku njoftonte se pas pensionimit, do tërhiqej pranë familjes, në Kanada. Por mori edhe reagime negative militantësh partiakë dhe komentues anonimë të rrjetit që hedhin gurët dhe fshehin duart.
Çfarë shkruajti doktor Kalo?
Pasi u uronte nisjen e muajit prill gjithë miqve të tij, ai bënte një historik të shkurtër të jetës, duke qenë se fillimi i prillit shënonte largimin e tij të mëparshëm nga Shqipëria për shkak të trazirave të tmerrshme të 1997.
“1 prilli 1997 shënon ditën e mbërritjes sonë në ishullin e Vankuverit të Kolumbisë Britanike, Kanada. Fillimisht, për dy vite në Nanaimo ku më 7 gusht 1998 erdhi në jetë bija jonë e tretë, Genta Juna Kalo. Prej 1 korrikut 1999 e në vijimësi, në kryeqëndrën e provincës, Viktoria.
Prej shtatorit 1996 i kishim në dorë dokumentat e emigrimit për në Kanada, por megjithatë hezitonim shumë të largoheshim nga “dheu ku na kish lerë koka”. Ne ishim të instaluar shumë mirë në Paris, Francë ku unë edhe studiova, por së bashku me time shoqe dhe dy vajzat e lindura në Shqipëri vendosëm të riktheheshim në fillim-vitin 1993, me idenë dhe dëshirën të kontribuonim në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit. “Guri i rëndë në vënd të vet” – ishte diçka, që prindërit na e kishin ushqyer përditë me dashurinë për NËNË LOKEN SHQIPËRI” – shkruan Kalo.
Nga rrëfimi i tij mësohet më tutje se çfarë ndodhi pas ardhjes vullnetare nga Parisi në Tiranë në 1993. Pozicionin profesional të punës në Paris, të marrë përmes konkurimit, ai kurrë nuk e mbërriti ta marrë në vëndin e tij, edhe pse i Diplomuar me “Medalje të Artë” në Fakultetin e Mjeksisë, Universiteti i Tiranës dhe i vetmi mjek në atë kohë i Diplomuar në një prej 100 universiteteve më në zë në Botë, Universiteti Paris 7, Fakulteti i Mjeksisë “Xavier Bichat” në dy domene të rëndësishme të mjeksisë klinike: 1- Sëmundjet Infektive e Tropikale, dhe 2- Reanimacionin Mjekësor.
Por megjithatë, ai u vendos familjarisht në Tiranë, duke pranuar atë çfarë mund të ofronte Tirana e vitit 1993. Pas 4 vitesh mbërriti tmerri i 97, të cilin brezi i ri nuk e njeh.
“Viti i praptë 1997 na krijoj angështinë e vijimësisë së jetës në Shqipëri. PROFESIONALIZMI, PËRKUSHTIMI dhe PUNA pak u vlerësuan në atë kohë” – rrëfen Kalo.
Ai u largua në prillin e ’97 drejt Kanadasë, por u kthye sërish në Shqipëri në 2009, ku për turp të sistemit, hasi përsëri në vështirësi.
“Gëzova edhe statusin e të papunit” për një vit si dhe të mos rikthimit në auditoret e dijedhënies në vijimësi deri më sot. NËSE nuku je konformist, militant apo një servil i delezuar pas forcave politike të dala me shpalljen e pluralizmit në Shqipëri më 15.12.1990, pak ose aspak të ofrohen mundësitë e dhënies së më të mirës tënde si mantelbardhë i panjolltë. KËTË gjë nuk duan t’a pranojnë myteberët politikbërës në Shqipëri, ndaj edhe i mirëkuptoj shumë kolegë përse ata largohen nga “Dheu i të parëve të tyre”. FATKEQËSISHT “Partia, Kryetari” prevalonin e vijojnë të prevalojnë mbi Profesionalizmin dhe Interesat socio-politiko-ekonomiko Demokratike e Kombëtare” – thotë mjeku Kalo.
Më pas ai njofton tërheqjen së shpejti nga sistemi dhe kthimin e tij pranë familjes në SHBA.
“Edhe pak muaj na ndajnë nga 18.07.2023, datë që do të shënojë edhe kthimim tim përfundimtar pas pensionimit në Shqipëri, këtu në Victoria, BC, Canada…Gjithsesi në çdo qelizë timen përjetësisht është gjurmëzuar Shqipëria dhe Shqiptarizma… Together forever” – përfundon Kalo.
Gazetari Edi Oga, ka shkruar pas reagimeve mbi rrëfimin e mësipërm të doktor Kalos:
“Doktori i nderuar Tritan Kalo, meriton plotësisht të gjithë vlerësimin e neve miqve të tij, kolegëve, ish-studentëve, mijëra pacientëve e familjarëve të tyre. Doktor Kalo meriton një ndjesë të madhe publike prej të gjithë atyre pushtetarëve të cilët e kanë lënë ‘në hije’ prej karakterit të tij antikonformist dhe xhelozisë profesionale.
Poor, doktor Kalo nuk meriton asnjë koment negativ të personave që nuk e kanë njohur, të atyre që urrejnë mjekët si kategori, apo atyre që shajnë gjithkënd!
Profesor Kalo është një nga pedagogët më kompetentë që kam pasur dhe mik personal prej gati dhjetë vitesh. Ai duhet falenderuar pse la Kanadanë për të kontribuar në Shqipëri, absolutisht nuk duhet ‘akuzuar’ për të kundërtën. Pensioni është minimumi i detyrimit që shteti dhe shoqëria ka për të, si mjek dhe si qytetar.
Pa dyshim që doktor Kalo meriton më tepër. I uroj mikut tim Tritan Kalo, shëndet e jetë të gjatë me urimet më të mira për familjen e tij”.
i.b. \ dita
