Nga Viktor Malaj
Botuar në DITA
Fjalori politik “demokratik” shqiptar përbëhet nga një tërësi fjalësh, termash dhe shprehjesh shumë joshëse dhe bukurtingëlluese, të cilat në jetën tonë të përditshme përdoren për të identifikuar jo ato objekte, ngjarje, individë apo sjellje që, sipas fjalorëve të përgatitur nga gjuhëtarët “pa mend” duhej ta kishin bërë, por për të përshkruar çfarë na pëlqen ne shqiptarëve.
Është mirë të njihemi me kuptimin që po iu japim prej disa kohësh fjalëve dhe togfjalëshave të mëposhtëm.
Pluralizëm politik- Ekzistenca e shumë partive politike, të cilat nuk kanë dhe nuk shprehin kurrfarë mendimesh, idesh apo alternativash të ndryshme për zhvillimin e vendit, por qëllimin e kanë të përbashkët: pushtet politik dhe ekonomik.
Shtet demokratik- Një sistem politik ku pretenduesit për pushtet iu premtojnë si të pasurve ashtu edhe të varfërve se pas marrjes së pushtetit do t’i mbrojnë nga njëri-tjetri, ku pushtetarët i marrin votat popullit të zakonshëm por bien përfundimisht në dashuri dhe ” flenë ” vetëm me të pasurit, ku proceset zgjedhore nuk sjellin ndonjë ndryshim fort të madh midis dy kategorive të lartpërmendura, sepse, përndryshe, zgjedhjet do të shpalleshin ” të paligjshme “, dhe ku njerëzit e pakënaqur nga të dyja palët janë të lirë të ikin nga sytë këmbët.
Parti Politike- Një grup njerëzish pa ide, ideale dhe programe politike, por me etje të madhe për pushtet të përjetshëm, i cili përbën një repart “ushtarak” që është gjithmonë në një mendje me kryetarin.
Trashëgimi e shkëlqyer politike – Të fitosh vetëm njërën nga mbi njëzet fushatat elektorale për pushtet qendror e vendor gjatë tridhjetë viteve, të manipulosh, falsifikosh e dhunosh disa prej zgjedhjeve elektorale dhe, në fund, të shpallesh non-grata për “minim të demokracisë”, dhe partinë ta kesh të ndarë në disa nënparti.
Politikan- Një njeri që i premton popullit gjithçka ai ka nevojë dhe dëshirë të dëgjojë dhe, është i merituar, kur në fund të karrierës vetjake është bërë personalisht dhe familjarisht pasanik pa pasur asnjë lloj biznesi.
Deputet- Një njeri që e emëron kryetari i partisë, si të besuarin e vet dhe e voton populli pa ia njohur nivelin kulturor dhe integritetin moral.
Zgjedhje politike- Një proces që i jep të drejtë popullit të zgjedhë lirisht se cili ujk do ia hajë tufën e dhenve gjatë katër viteve të ardhshme.
Liri fjale- E drejta e secilit të shprehë mendimet e veta, nëse ka vërtetë mendime, dhe e drejta e pushtetit të mos ua vërë veshin fjalëve, kritikave dhe thirrjeve të qytetarit të lirë.
Podkëst (podcast)- Një emision (shfaqje) radiofonike në të cilin merr pjesë herë pas here edhe kryeministri meqenëse i ka zgjidhur të gjitha nevojat, hallet dhe problemet e popullit dhe të vendit.
PPP- Përvetësim i Pasurisë së Popullit nëpërmjet Partneritetit Pushtet Privat.
Koncesion- E drejta e atij që e ka mirë me pushtetin e radhës për të marrë, shfrytëzuar dhe grabitur një pjesë të pasurisë kombëtare.
Tender- Një proces konkurrimi për të fituar të drejtën e kryerjes së shërbimeve, ndërtimeve apo furnizimeve me mallra, duke përdorur paratë e popullit me kusht që të fitojë gjithmonë ai që është paravendosur nga tenderdhënësi, sigurisht me detyrimin për të qenë “bamirës” në këmbim të shpalljes fitues.
Incinerator- Një objekt mbeturinadjegës, por edhe djegës i parave të popullit i cili djeg si atëherë kur është ndërtuar, por edhe pa filluar ende ndërtimi i tij.
Patriot- Një njeri që mund të vërë ose jo qeleshe në kokë, të lidhë duart në formë shqiponje para gjoksit në ngjarje sportive ose politike, por që i ka mundësitë t’i fusë duart në buxhetin e shtetit pa i kryqëzuar fare.
Media- Një kanal televiziv, radiofonik apo një organ shtypi që synon të ketë sa më shumë klikime dhe, rrjedhimisht, reklama e fitime financiare dhe që, jo rrallë, iu bën shantazh qeverive apo pushtetmbajtësve vendorë për t’i dhënë tender dhe privilegje të tjera pronarit të vet.
“Njerëzillik”- Një fjalë e prejardhur e përdorur si karrem joshës nga politikanët, të cilët ua kërkojnë të tjerëve, por e harrojnë t’i përgjigjen popullit kur iu kërkon të drejtat e tij.
Histori- Një degë e shkencës në të cilën janë të specializuat të gjithë shqiptarët, dhe që nuk përdoret për ndriçimin e të shkuarës dhe udhërrëfimin e së ardhmes, por si armë për luftën e së tashmes midis shqiptarëve mëkatarë.
Gjuha shqipe- Një tërësi fjalësh e shprehjesh që duhen harruar e përçmuar, duke i zëvendësuar me të folmen e fshatit, fisit e krahinës për t’u dukur atdhetar provincial dhe, sidomos, me disa fjalë apo gjysmëfjalë të vjedhura nga gjuhët e popujve të tjerë për t’u dukur modern, ekzibicionist dhe ksenoman.
Art- Çdo lloj vepre skenike, filmike, figurative, muzikore etj. që nuk ka kurrfarë lidhjeje me realitetin dhe që pëlqehet, kryesisht, nga vulgu.
Humor- Interpretimi në skenë dhe TV i banalitetit të rrugës, interpretim që s’ka nevojë për kurrfarë vlerash kulturore dhe aftësish artistike, por është shërbesë e mirë për ta bërë pafytyrësinë pasuri të gjithë qytetarëve.
VIP- Një individ i cili është bërë i pasur nëpërmjet trafikut të drogës, femrave apo korrupsionit dhe është shpallur “biznesmen i suksesshëm”, ose një femër pa kulturë e talent, por që ka rezultuar e suksesshme në ekspozimin pa kufij e skrupuj të të gjithë trupit të vet të “tonifikuar” me silikon dhe operacione plastike, dhe e pakursyer në fushën e “bamirësisë”.
Drejtësi- Një degë e veprimtarisë shtetërore e cila është e pavarur nga gjithçka tjetër, përveç parasë dhe politikës.
Barazi para ligjit- E drejta të ankohesh për padrejtësitë e pësuara, të kesh avokat dhe të flasësh në gjyq, por të drejtën ta fitosh kur xhepin ta zbrazësh, nëse e ke plot.
Avokat- Në përgjithësi një njeri që ka diplomë të fakultetit përkatës, qoftë diplomë reale, qoftë e blerë dhe që mbron të drejtat e klientëve duke bërë sekserin midis klientit dhe punonjësve të drejtësisë.
Diplomë- Dokumenti që vërteton se dikush ka mbaruar një shkollë, pavarësisht është ulur a jo në bankat e saj dhe pavarësisht ka gjë në kokë apo e ka shkretëtirë.
Kadastër- Një ent shtetëror, të cilin Kryeministri i sotëm e përcaktoi njëherësh “banka e tokave të shqiptarëve” dhe “turpi i qeverisjes së sotme”.
Meqenëse tek ne sot nuk ekziston ndonjë dallim i madh midis turpit dhe nderit, ky institucion shtetëror vazhdon të tallet me qytetarët dhe pronat e tyre dhe të mos iu përgjigjet ankesave as pas gjashtë, as pas dymbëdhjetë muajve dhe as kurrë.
BE- Bashkimi i disa shteteve ku njëri i bije gozhdës e tjetri patkoit, dhe ku të pasurit dhe të fortët iu vënë njëqind mijë kushte për të hyrë të varfërve dhe të dobëtëve, shumicën e të cilave nuk i plotësojnë as ato shtete që janë tashmë pjesë e tij.
Integrim në BE- Një proces dhjetë deri njëqind vjet i gjatë, në fund të të cilit mund ta gjesh vetë BE-në të shpërbërë.
Lëvizje e lirë- E drejta e çdo qytetari të kësaj bote të dalë lirisht dhe pa kufizime nga vendi i vet, por jo të hyjë në vendet e pasura pa lejen e qeverive përkatëse, qoftë edhe nëse rrezikon të mbytet në det apo ta shqyejnë egërsirat nëpër male e pyje.
——
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.