Situata me zjarret vijon të jetë alarmante edhe ditën e sotme në vendin tonë.
Gjatë natës një vatër zjarri masive ka përfshirë fshatin Hormovë, Bashkia Tepelenë, pranë kufirit me Gjirokastrën.
Bëhet me dije se që prej orës 04:00 të mëngjesit, forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi Gjirokastër po punojnë në terren për izolimin e flakëve, me synimin që ato të mos kalojnë në territorin e Bashkisë Gjirokastër.
Gjithashtu zona paraqet rrezik të lartë për shkak të bimësisë së dendur dhe afërsisë me disa fshatra, ku pasojat mund të ishin katastrofike.
Ky është një operacion emergjent i ndërmarrë vetëm nga efektivët e MZSH Gjirokastër, për të parandaluar përhapjen e zjarrit në një territor me potencial të madh dëmesh.
Situata është paraqituar alarmante edhe gjatë natës në Delvinë. Flakët janë përhapur shpejtë dhe kanë mbërritur edhe në periferi të qytetit dhe rrezikon seriozisht zonat e banuara.
Si pasojë e përhapjes masive të flakëve shumë banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, ndërkohë autoritetet janë në terren për të menaxhuar situatën emergjente.
Pas evakuimit të banorëve u bë edhe zhvendosja e pacientëve dhe stafit mjekësor të spitalit të Delvinës pasi flakët iu afruan edhe godinës së spitalit.
Prej spitalit u zhvendosën edhe bombolat e oksigjenit, pasi rrezikoheshin nga zjarri.
Transferimi i pacientëve, mjekëve dhe pajisjeve u bë përkohësisht në Pallatin e Kulturës.
Gjithashtu forcat zjarrfikëse po përballen me vështirësi për shkak të erërave të forta dhe terrenit të thyer.
Sakaq, situata mbetet mjaft serioze dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës.
j.l./ dita
